Përpjekjet e Serbisë për të mbajtur marrëdhënie miqësore me Rusinë ndërsa ecën drejt anëtarësimit në BE mund të marrin fund nëse luftimet në Ukrainë përshkallëzohen.
Raporti i Komisionit Europian mbi Serbinë gjatë viteve të shkuara ka qenë i përqendruar në qëndrimin e Beogradit ndaj Kosovës, por këtë herë, ai do të vë në dukje pakënaqësitë në lidhje me pozicionin e Serbisë në lidhje me një vend tjetër – Ukrainë.
Një burim nga BE i tha BIRN se raporti, që do të publikohet muajin e ardhshëm, do të jetë kritik ndaj Beogradit në lidhje me refuzimin për të afruar politikën e jashte të Serbisë ndaj Rusisë me vijën e Brukselit, i cili ka vendosur sanksione mbi Moskën.
Analistët dhe diplomatët besojnë se një përshkallëzim i mëtejshëm i krizës në Ukrainë do të detyrojë Brukselin ta shtyjë Beogradin të zgjedhë nëse do të mbajë anën e BE-së apo do të mbështesë aleatin e vet tradicional, Rusinë.
Ata sugjerojnë se BE-ja ka toleruar neutralitetin e Beogradit në lidhje me Ukrainën deri tani për shkak se ka frikë se nëse rrit presionin, Serbia mund të largohet nga BE dhe nga bisedimet që synojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Kosovës.
Por provat shtesë të ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë mund të bëjnë që Brukseli të kërkojë një front të bashkuar.
“Nëse situata në Ukrainë përkeqësohet, politika e të gjitha vendeve do të duhet të jetë e njëjtë, për shkak se nëse sanksionet duhet të jenë tërësisht eficentë atëherë duhet të mbështeten nga të gjithë,” shpjeguan burime diplomatike për BIRN.
[quote source=”Gordana Andric, BIRN”]Një burim nga BE i tha BIRN se raporti, që do të publikohet muajin e ardhshëm, do të jetë kritik ndaj Beogradit në lidhje me refuzimin për të afruar politikën e jashte të Serbisë ndaj Rusisë me vijën e Brukselit, i cili ka vendosur sanksione mbi Moskën.[/quote]
Që nga fillimi i krizës së Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë nga Kremlini, Serbia ka mbajtur qëndrim neutral nën presionet konkurruese nga Rusia dhe BE-ja.
Beogradi ka thënë se respekton integritetin territorial të Ukrainës por ndërkohë nuk do të ndjekë BE-në dhe SHBA-në duke vendosur sanksione mbi Rusinë.
Burime të BIRN nga BE-ja thanë se zyrtarë Europianë, përfshirë komisionarin e zgjerimit Stefan Füle, dhe presidentin e Komisionit Europian José Manuel Barroso, kanë qenë duke vendosur nën presion Serbisë gjatë muajve të fundit.
Por kryeministri Aleksandar Vucic ka kërkuar mirëkuptim nga BE-ja, duke shpjeguar se ekonomia e Serbisë dhe sektori i energjisë ka varësi të lartë nga Rusia.
“Ne jemi në rrugën drejt BE-së, por nuk mund të braktisim disa miqësi tradicionale dhe disa çështje me interes ekonomik për Serbinë,” tha Vucic pas takimit me kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel në një konferencë në Berlin muajin e kaluar.
Qeveria e Beogradit dëshiron të shohë Serbinë në BE brenda vitit 2020 dhe e ka bërë integrimin Europian një prioritet, por ajo nuk dëshiron gjithashtu që ky integrim të ndodhë në dëm të marrëdhënieve tradicionalisht të ngrohta me Rusinë.
“Nuk mund të them se Merkel është tërësisht dakord me atë që po bëjmë ne, por ne bindshëm po ruajmë politikën tonë,” tha Vucic.
Moska ka mbështetur fort Beogradin mbi pavarësinë e Kosovës, të cilën Serbia nuk e njeh ndërsa lidhjet tregtare janë të thella. Rusia është burimi i tretë më i rëndësishëm për importet e Serbisë dhe destinacioni i katërt më i rëndësishëm për eksportet.
Presion për t’iu bashkuar sanksioneve
[fact title=”Serbia përballet me problemin e Ukrainës gjatë presidencës së OSBE“]
Roli i OSBE-së në konfliktin e Ukrainës do të thotë që kur Beogradi të marrë përsipër presidencën e këtij organizmi për sigurinë e Europës më 2015, do të duhet të angazhohet me çështje që deri tani i ka shmangur.
OSBE ka një mision monitorimi në Ukrainë dhe ka qenë duke u përpjekur për të promovuar ripajtimin paqësor.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier tha gjatë një vizite në Beograd muajin e kaluar se OSBE po luan një “rol kyç” në “përpjekjet ende të pasuksesshme” për të shmangur konfliktin në Ukrainën lindore.
“Qeveria e Gjermanisë do të mbështesë në mënyrë vendimtare Serbinë në detyrën për të mbrojtur parimet e ligjit ndërkombëtar, të cilat përbëjnë gjithashtu bazën për kuadrin e paqes në Europë,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për BIRN.
“Në këtë kontekst, ne me kënaqësi mikpresim faktin që Serbia ndërkohë ka theksuar rëndësinë e integritetit territorial të Ukrainës (përfshirë Krimenë),” tha zëdhënësi..[/fact]
Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Dacic së fundmi pranoi se neutraliteti i Serbisë mund të testohet.
“Unë pres që presioni që Serbia të vendosë sanksione mbi Rusinë do të fillojë të rritet nëse konflikti në Ukrainë intensifikohet më tutje,” tha Dacic për gazetën e përditshme Danas më 4 shtator.
Bodo Weber, një analist në Këshillin e Politikave për Demokratizim me bazë në Berlin tha se deri tani Serbia është kursyer nga presioni serioz për shkak se Berlini dhe Brukseli e kuptojnë situatën e saj të vështirë ekonomike si dhe për shkak të dëshirës që bisedimet e Kosovës të dalin me sukses.
“Në anën tjetër, ata shpresuan që konflikti nuk do të përshkallëzohet. BE-ja nuk ka një qëndrim të unifikuar mbi krizën në Ukrainë kështu që ata besuan se nuk kishte nevojë për të shtyrë Serbinë,” tha Weber për BIRN.
Burimi i BIRN nga BE tha se Brukseli kishte frikë se nëse krijonte tepër presion në lidhje me problemin e Ukrainës, Serbia mund të shtyhet më pranë Moskës dhe Beogradi mund të tërhiqet nga bisedimet me Prishtinën.
Një ish-diplomat i Serbisë tha ndërkohë se publiku i Serbisë, i cili ka një mendim tradicionalisht pozitiv për Rusinë, mund të kundërshtojë ashpër shkëputjen e lidhjeve me Moskën.
“Ka shumë njerëz në Serbi që mund t’i konsiderojnë sanksionet e Beogradit mbi Rusinë si një tradhti,” i tha diplomati BIRN në kushtet e anonimatit.
“Kështu, unë besoj se BE-ja është e kujdesshme të mos eksagjerojë kërkesën në mënyrë që të mos e shtyjë publikun edhe më larg BE-së,” tha ai, duke shtuar se mbështetja e publikut për procesin e integrimit në BE sakaq po bie.
Një vrojtim u kryer në shkurt nga delegacioni i BE-së në Serbi tregoi se rreth 55 për qind e njerëzve mbështesin anëtarësimin e Serbisë në BE, një rënie domethënëse nga mbështetja prej 76 për qind më 2006.
Kompensim për mbështetjen e Brukselit?
E ardhmja e krizës së Ukrainës, përgjigjja e BE-së ndaj saj dhe çfarë do të thotë kjo për Serbinë mbetet e paqartë.
Por megjithëse është e pamundur të parashikohet se çfarë mund të bëjë Serbia nëse detyrohet të zgjedhë mes Rusisë dhe BE-së, Weber beson se Beogradi do të mbajë anën e Brukselit.
“Të gjitha opsionet janë të hapura, Vetëm katër javë më parë, askush nuk mund t’i imagjinonte gjërat që po ndodhin sot. Gjithsesi, unë besoj se Beogradi ka treguar qartë angazhimin e vet ndaj proceseve të integrimit në BE”, tha Weber.
Por ai shtoi se në mënyrë që Beogradi të tërhiqet në bord, BE-ja dhe SHBA-të duhet të përgatisin një strategji në rast se mosmarrëveshja e tyre me Rusinë përshkallëzohet seri në atë pikë sa Serbisë t’i kërkohet të ndajë mendjen.
Një raport i kohëve të fundit nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit, i cili ekzaminoi nëse konflikti në Ukrainë e ka ndryshuar lojën për politikat e BE-së dhe SHBA-ve në Ballkan, tha se kjo strategji “duhet të përcaktojë kushtet nën të cilat Beogradit do t’i kërkohet të bashkohet me sanksionet e BE-së kundër Rusisë për të mbajtur kandidaturën e saj në rrugën e duhur”.
Sipas raportit, BE duhet të bëhet gati të ndihmojë Serbinë duke e kompensuar për problemet energjetike dhe humbjet ekonomike që mund të ketë ky vend nëse shkon kundër Rusisë.
“Kjo strategji duhet të përfshijë gjithashtu ndihmë financiare për të zbutur pasojat e menjëhershme ekonomike nga shkëputja e detyruar e Beoogradit nga Rusia si dhe për integrimin e Serbisë në planet e BE-së për mbrojtjen e Bashkimit nga rreziku ndërprerjes së furnizimit me energji të Moskës,” thuhet ne raport.