
Maqedonia mund të bëhet vendi i parë në Ballkan që legalizon lindjen e fëmijëve me nëna me qera – por çështja mbetet përplot dilema të pazgjidhura.

Për gati pesë vite që kur ata u martuan, Marija dhe Dejan nga Shkupi janë përpjekur të konceptojnë një fëmijë.
Mjekët i rekomanduan fertilizimin in vitro por deri tani nuk kanë patur rezultat dhe prindërit janë sakaq në të dyzetat.
“Inseminimet, terapitë me hormone dhe zhgënjimi pas secilës prej përpjekjeve të pasuksesshme po na shteron fizikisht dhe psikologjikisht, veçanërisht Marijan,” thotë Darko.
“Por ne i kemi thënë vetes se nëse kjo [in vitro] nuk na ndihmon, ne nuk do t’i humbim shpresat dhe do të kërkojmë mënyra të tjera.”
“Adoptimi i një fëmije është gjëja e parë që më vjen ndër mend kur mendoj për alternativa,” thotë Marija. “Është një opsion më i mirë. Sa për të marrë një nënë me qera, kjo mund të jetë një mundësi shtesë.”
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 150 çifte të reja në Maqedoni çdo vit vuajnë nga infertiliteti.
Në shkallë botërore, sipas Shoqërisë Europiane për Riprodhimin Njerëzor dhe Embriologjinë, ESHRE, një në gjashtë çifte vuan nga infertiliteti.
Në një përpjekje që mund të ndihmojë çiftet që duan fëmijë si Marija apo Dejani, qeveria e MAqedonisë javën e kaluar miratoi ndryshime ligjore që mund ta bëjnë lindjen e fëmijëve me bark me qera të ligjshme për herë të parë. Ndryshimet janë dërguar në parlament ku ka gjasa do të miratohen.
“Unë nuk kam motër dhe nuk njoh askënd që mund të marrë përsipër detyrën për të qenë nëna e fëmijës sim,” thotë Marija.
“Unë mund të paguaj për të, ndoshta, por kjo do të qe kundër parimeve të mija, ashtu si edhe do të qe një krim,” thotë ajo.
Nëse amendimet në Ligjin për Konceptimin e Asistuar Biomjekësor miratohen, Maqedonia do të bëhet vendi i parë në Ballkan që legalizon nënat me qera.
Në shumicën e vendeve perëndimore, çështja mbetet një debat delikat. La dilema të rëndësishme etike dhe ligjore, më së shumti për pyetjen nëse nënat duhet të lejohen të marrin pagesë për mbajtjen e fëmijës së dikujt tjetër.

Duke prezantuar projektligjin, Ministri i Shëndetësisë Nikola Todorov në fillim të shtatorit këmbënguli se çdo që është bërë për t’u siguruar që gratë të lejohen të mbajnë një fëmijë për llogari të të tjerëve për arsye humane dhe altruiste.
“Duhet të shihet si një akt humanizmi dhe jo si një biznes,” tha ai.
“Ne po flasim për lindje me qera altruiste. Në këtë kuptim, do të jetë më mirë për të patur më pak nëna me qera nga sa duhet për ta kthyer [këtë praktikë] në tregti,” shtoi ai.
“Dhënia apo marrja e parave, diamanteve, arit apo ndonjë kompensimi tjetër material do të konsiderohet krim dhe do të jetë i dënueshëm me deri dhjetë vjet burg,” shpjegoi ministri.
“Burg për deri në tre vjet parashikohet edhe për çdo media që zbulon identitetin e nënave me qera,” shtoi ministri.
Pavarësisht penaliteteve të ashpra, disa eskpertë kanë frikë se ky ligj mund të keqpërdoret lehtë. Ata dyshojnë që Maqedonia nuk është e aftë të përballet me të gjitha problemet që lindin nga legalizimi.
Dënimet me burg mund ta mbajnë praktikën si çështje altruizmi:
Ndërsa ofrimi apo marrja e pagesave për mbajtjen e një fëmije do të mbetet ilegale në Maqedoni, ligji i propozuar thotë se shteti do të ofrojë kompensim financiar për nënat me qera.
Ata do të mund të përfitojnë ndihmë shëndetësore dhe financiare nga shteti për të mbuluar shpenzimet e jetesës, por jo më shumë se sa paga mesatare mujore prej rreth 300 eurosh.
Për të parandaluar më tej abuzimin, amendimet parashikojnë kontrolle tërësore të nënave me qera dhe kontrolle e këshillime të rregullta mjekësore dhe psikologjike.
Një grua mund të bëhet nënë me qera vetëm një herë, thotë ligji. Ajo duhet të jetë një “nënshtetase e Maqedonisë mes 25 dhe 500 vjeç, nënë e së paku një fëmije, me shëndet psikologjik dhe fizik, pa të shkuar kriminale, pa varësi droge dhe pa sëmundje infektive”.
Vetëm partnerët e martuar do të lejohet të aplikojnë për fëmijë me qera dhe vetëm kur gruaja nuk mund të mbetet shtatzënë “për arsye të justifikuara”, gjë që nënkupton pamundësinë për të konceptuar pas tri dozash të fertilizimit in vitro.
Një çift i martuar do të ketë të drejtë për të marrë deri në dy fëmijë nga nëna me qera.
Ligji sanksionon që nëna me qera dhe çifti të kenë njohur njëri-tjetrin para fillimit të një procedure zyrtare. Regjistri dhe procedura për lindje me qera do të ndiqet nga Ministria e Shëndetësisë, thotë projektligji.
Jovan Tofoski, kreu i Shoqatës Maqedonase të Mjekëve dhe ish kreu i Klinikës Gjinekologjike të Shkupit, thotë se rregullimi i kësaj çështjeje është më mirë se sa mospasja e një ligji.
Edhe pa ligj, nënat me qera janë një praktikë që ndodh në Maqedoni, pa mbikëqyrje nga shteti, shton ai, gjë që vetëm sa shton rreziqet shëndetësore apo të tjera të njerëzve të përfshirë.
“Opsioni i nënave me qera duhet të lejohet ligjërisht për shkak se shumë çifte nuk mund të konceptojnë dhe kanë nevojë për këtë,” tha ai.

“Me apo pa ligj, nënat me qera po ndodhin në këtë vend kështu që do të jetë më mirë që ajo të legalizohet. Në këtë mënyrë, ajo mund të bëhet nën mbikëqyrjen e ekspertëve dhe nën kontrollin e shtetit,” shtoi Tofoski.
“Në këtë mënyrë, kjo mund të bëhet nën mbikëqyrjen e ekspertëve dhe kontrollin e shtetit,” shtoi Tofoski.
Dilema morale dhe ligjore mbeten:
Në Bashkimin Europian, Austria, Gjermania, Suedia, Franca, Hungaria dhe Italia ndalojnë të gjitha format e nënave me qera, me apo pa pagesë qofshin.
Në Britani, Hollandë, Belgjikë, Danimarkë dhe Greqi, nënat me qera janë të ligjshme për sa kohë nuk ka element komercial të përfshirë.
Në anën tjetër, në Ukrainë, Rusi dhe Gjeorgji, dhënia me qera për arsye tregtare e mitrës është e ligjshme dhe klinikat atje tërheqin mijëra gra nga vendet perëndimore që nuk arrijnë të konceptojnë.
Kreu i HERA – Shoqatës për Edukim Shëndetësor dhe Kërkim, Bojan Jovanovski, thotë se nuk është rastësi që shumë vende nuk e kanë legalizuar praktikën e nënave me qera, për shkak se këtu përfshihen disa të drejta të njeriut.
“Për shembull, nëna me qera duhet të lejohet të ndërpresë shtatëzaninë dhe jo të detyrohet me kontratë për të mbajtur fëmijën,” thotë ai.
Maqedonia po synon të ashtuquajturën nëna me qera gjestacionale ku embrioni krijohet duke përdorur vezën dhe spermën e çiftit që dëshiron fëmijë, dhe pas kësaj vendoset në mitrën e nënës me qera.
Fëmija është në këtë mënyrë gjenetikisht i lidhur me të dy prindërit dhe gjenetikisht pa lidhje me nënën e përdorur.
Amendimet aktuale parashikojnë nënshkrimin e një kontrate përmes të cilës nëna me qera detyron veten të mbajë shtatëzaninë dhe të mos pretendojë asnjë të drejtë prindërore mbi fëmijën.
Çertifikata e lindjes së fëmijës nuk do të mbajë emrin e nënës me qera.
Vetëm në rast vdekjeje të prindërve nëna me qera do të jetë në gjendje të pretendojë fëmijën dhe të marrë të drejta prindërore.
Disa vëzhgues thonë gjithashtu se ligji nuk është mjaftueshëm i qartë mbi atë se çfarë ndodh nëse fëmija lind me defekte dhe prindërit porositës refuzojnë ta marrin atë.
“Si vend, ne nuk jemi gati për këtë çështje të komplikuar dhe unë kam frikë se do të ketë shumë hendeqe ligjore apo keqpërdorime të ligjit, pavarësish të gjitha të mirat që ka për të ndihmuar çiftet dhe për të shtuar penalitetet [për abuzimet] që parashikohen aty,” thotë Jovanovski.
Ai thotë se Maqedonia duhet fillimisht të përmirësojë procedurat ligjore për eksesin në fertilizimin in vitro dhe adoptimin para se të kërcejë në territorin e panjohur të nënave me qera.
“Megjithëse ‘in vitro’ është falaq në letër, sërish të duhen rreth 200 euro vetëm për të filluar një procedurë dhe për të mbledhur të gjitha dokumentet,” vëren ai.
“Do të qe më e mençur të kishim fillimisht përshpejgimin e procedurave të adoptimit të cilat aktualisht zgjasin shumë vite,” shton ai.
Një profesor i Ligjit të Familjes në Universitetin e Shkupit, Dejan Mickovic, thotë Maqedonia bëri një gabim që në fillim kur, në vend që të diskutonte nëse do ta lejonte apo jo praktikën e nënës me qera, kërceu menjëherë te modalitetet se si duhet ta lejojë atë.
“Nënat me qera nuk lejohen në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian për shkak se ngre shumë dilema, duke filluar që nga fakt që nënat me qera mund të fillojnë të shfrytëzohen dhe trajtohen si inkubatorë,” thotë ai.
“Ne jetojmë në një vend të mallkuar nga varfësia dhe kërkimet ndërkombëtare kanë treguar se gratë me të ardhura të varfra janë ato që më së shumti pranojnë të japin trupin e vet hua.
“Kush do të garantojë që nëna hua, si një shenjë mirënjohëse, nuk do të marrë ilegalisht një shumë të madhe apo ndonjë përfitim material si një apartament?” pyet Mickovic i cili këshillon që ky problem të jetë i rregulluar në mënyrë më të rreptë.
Dejan dhe Maroja thonë se ata janë të çuditur nga rregullat e reja dhe nuk janë të sigurtë nëse do të punojnë siç duhet.
“Më pëlqen të besoj se ky ligj i ri do të bëjë ndryshim dhe do të sjellë lumturi për njerëzit,” thotë Marija.
“Por është një zgjedhje e vështirë dhe dyshoj që do të ketë shumë gra që do të pranojnë të mbajnë foshnjën e të tjerëve thjeshtë për hatër të ndihmës altruiste,” thotë ajo.