
Brukseli po e çon Rumaninë në Gjykatën e Drejtësisë për shkak të dështimit të pastrimit të një pellgu të braktisur mbetjesh, të cilit BE i trembet se derdh lëndë toksike në lumin Danub dhe fermat afër tij.

Komisioni Evropian do të çojë në Gjykatën e Drejtësisë Rumaninë për një pellg prej 102 hektarësh plehrash vdekjeprurëse që mban mbetjet e nxjerra nga minierat e bakrit dhe zinkut në Moldova Noua, të cilin e përshkruan si të braktisur dhe të rrezikshëm.
“Pellgu është një burim i madh ndotjeje, i cili përhap pluhur toksik që paraqet rreziqe të rënda për shëndetin e njeriut dhe mjedisin. Rumania kishte rënë dakord për të trajtuar problemin, por progresi ka qenë i pamjaftueshëm,” tha Komisioni.
“Për shkak të seriozitetit të rrezikut në këtë rast, dhe me rekomandimin e Komisionerit për Mjedisit, Janez Potoçnik, Komisioni do çojë Rumaninë në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, me qëllim për të siguruar përshpejtimin e punës,” shtoi Komisioni.
Sipas legjislacionit të BE-së, shtetet anëtare duhet të sigurojnë që mbeturinat minerare të menaxhohen në mënyrë që ato të mos përbëjnë kërcënim për shëndetin e njeriut ose për mjedisin, pas ndalimit të shfrytëzimit të këtyre minierave.
Pëllgu i mbetjeve Bosneag gjendet në bregun e majtë të Danubit, në afërsi të kufirit me Serbinë. Pellgu është përdorur për të mbledhur dhe kulluar ujërat e minave të përdorura për shfrytëzimin e bakrit në Moldomin, i cili ndodhet disa kilometra më në veri.
Ujërat e pellgut kanë avulluar me kalimin e kohës dhe tani ai duket më shumë si një shkretëtirë, me një shtresë 1.5 metra pluhuri të imët, i cili përmban përqendrime të larta të bakrit dhe metaleve të tjera.
Erërat e transportojnë këtë pluhur drejt fushave të zones, dhe kur bie shi disa nga mbetjet rrjedhin në ujërat e Danubit, sipas medias vendase.
Rreth 5,780 hektarë tokë janë të ndotura nga ky burim në Rumani, ndërsa rreth 30.000 njerëz jetojnë në zonën e prekur, në të dy anët e Danubit.
Sipas aktivistëve të gjelbër, Rumania strehon dhe rreth 18 pika të tjera që paraqesin rrezik për mjedisin.