Shumë sirianë përdorin Bullgarinë si pikë hyrëse drejt zemrës së Europës – megjithëse rregullat e BE-së thonë se refugjatët duhet të rrinë në vendin ku hyjnë.
Fjalët e fundit të ezanit u shkrinë ngadalë me zhurmën e rrugës teksa taksia u ndal një mbrëmje të nxehtë qershori. Ali Najaf pa rrotull dhe doli në rrugën e shtruar me kalldrëm. Sytë e tij kafe e thellë panë tezgat dhe dyqanet e Tregut të Zonjave, një lagje shumë e gjallë e kryeqytetit të Bullgarisë, Sofie.
Zona është shumë e populluar me emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Aliut nuk iu desh shumë për të gjetur dikë që fliste gjuhët e tij të lindjes, gjuhën kurde ose arabishten.
“A është ky vendi nga ku ata të marrin për të të çuar në Gjermani?” pyeti Aliu me zë të ulët dy burra që po rrinin në derën e një dyqani rrobash të përdorura. Pasi i bënë me shenjë nga dera, Aliu futi çantat e tij brenda. Gjithçka që disponon familja e tij është futur në dy çanta shpine, një valixhe e vogël dhe një qese. Aliu, nëna e tij, vëllai dhe dy motrat janë edhe një herë për rrugë.
Emrat e Aliut dhe familjes së tij janë ndryshuar për këtë reportazh me kërkesë të tyre. Ata janë disa nga mijëra sirianët që i janë larguar luftës civile të vendit të tyre dhe që kërkuan shpëtim në Bullgari gjatë vitit të kaluar, gjatë rrugëtimit në kërkim të një jete më të mirë në Europë. Historia e udhëtimit të tyre zbulon njëkohësisht vështirësitë me të cilat përballen si dhe hendekun mes politikave të Bashkimit Europian mbi azilantët dhe realitetit në terren.
Për të hedhur dritë mbi eksperiencat e tyre, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative ndoqi udhëtimin e familjes së Aliut dhe refugjatëve të tjerë që nga viti i kaluar, duke i vizituar ata në Bullgari dhe Gjermani, si dhe duke marrë informacion prej tyre përmes bisedave telefonike dhe medias sociale. BIRN intervistoi gjithashtu zyrtarë që merrem me refugjatët në të dyja vendet mbi sfidat me të cilat përballen këta zyrtarë.
Aliu është një student kurd 25 vjeçar me flokë të zinj. Babai i tij vdiq kur ai qe i vogël në Rojava, emri që kurdët përdorin për atdheun e tyre, Sirinë. Fakti që ai flet anglisht, e ka bërë de facto kryefamiljar që kur ata u bënë refugjatë dhe ai përpiqet të krijojë përshtypjen e vetëbesimit dhe kontrollit.
Në Siri, Aliu studioi inxhinieri nafte në qytetin e Homsit. Në verën e vitit 2013, teksa ai po kthehej në qytezën e lindjes pasi kishte përfunduar provimet e atij viti, militantë të maskuar ndaluan autobusin e tij.
“Ata i kërkuan të gjithë djemve të dalin jashtë dhe na kërcënuan se do të na thernin nëse nuk i tregonim atë çfarë dëshironin. Por unë nuk dija asgjë mbi pyetjet e tyre,” tregon Aliu.
Të rinjtë u liruan pas pesë ditësh. Më vonë, një avion bombardoi vendstrehimin e militantëve duke vrarë udhëheqësin e tyre dhe grupi dyshoi se Aliu dhe të tjerët i patën treguar regjimit të Sirisë ku duhej të godisnin.
“Ata vendosën një çmim mbi kokat tona. Kështu ne u detyruam të ikim,” tha Aliu.
Familja la me nxitim Sirinë me ndihmën e një miku i cili i dërgoi përtej kufirit në Turqi dhe më pas me autobus për në Stamboll, ku kaluan rreth një muaj. Më vonë gjatë vitit 2013, një trafikant e mori familjen deri te kufiri me Bullgarinë dhe i tregoi një rrugë të vjetër përmes pyllit, – një shteg drejt Bashkimit Europian.
Rreth kësaj kohe, ndërsa refugjatët në Turqi përballeshin me kushte gjithnjë e më të vështira, mijëra sirianë dhe azilkërkues të tjerë kapërcyen të njëjtën zonë kufitare 30 kilometërshe. Zona pranë pikës kufitare bullgare të Lesovos është kodrinore dhe e mbuluar nga pyjet, duke e bërë të vështirë punën e kamerave termale për të dalluar njerëzit.
Fluksi i refugjatëve u ndërpre pasi nëntorin e kaluar Bullgaria vendosi një mijë policë përgjatë kufirit. Qeveria ngriti edhe një gardh të stërmadh me tela me gjemba këtë vit.
Përballja me realitetin
Përshtypjet e para të Aliut nga Bashkimi Europian qenë zhgënjyese. Bullgaria është vendi më i varfër mes 28 vendeve anëtare, e cila ka vuajtur gjatë përballjes me mbërritjen e gati 11 mijë njerëzve, shumica e të cilëve nga Siria – dhe pse ata përbëjnë një pjesë të vogël të 3 milionë sirianëve që janë arratisur që kur filloi lufta më 2011.
“Brenda pak javësh, situata u bë kaq dëshpëruese sa të gjitha qendrat qenë të mbingarkuara, njerëzit flinin deri në 20 vetë (për dhomë)… në korridoret e qendrave, jashtë,” thotë Boris Cheshirkov, zëdhënës për zyrën e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët UNHCR në Sofie. “Bullgaria qe tërësisht e papërgatitur për t’u përballur me fluksin.”
Pasi plotësoi kërkesën për azil, Aliu dhe familja e tij u dërguan në kampin e refugjatëve në Harmanli, një bazë ushtarake e braktisur, rreth 60 kilometra larg kufirit. Kazermat u përshtatën me nxitim për të lehtësuar mbingarkesën nëpër kampet e tjera. Uji pikonte nga çatia ndërsa oborri qe kthyer në një gropë balte në çastin që Aliu mbërriti aty.
Për shkak se ndërtesat qenë të pista, me lagështi dhe të rrezikshme, refugjatët u vendosën fillimisht në tenda ushtarake dhe në konteinerë transporti të konvertuar pa akses në tualet, ujë apo elektricitet.
“Ne qëndruam kështu për dy javë,” thotë Aliu, duke treguar fotografi dhe video në celularin e tij. Në disa, ai dhe miqtë e tij shfaqen duke bërë shaka dhe duke buzëqeshur. Në të tjera, ata po shtrëngojnë të miturit duke u dridhur nga i ftohti ndërsa gratë përgatisin ushqimin në zjarre të hapura. Të vetmet autoritete të pranishme janë një duzinë policësh të heshtur dhe ish drejtori i kampit, një ish ushtarak i urryer nga refugjatët.
Ndërsa autoritetet u zunë në befasi, disa bullgarë dhe organizata bamirëse ndërhynë për të ndihmuar, duke ofruar ushqime dhe rroba dhe duke u përpjekur të përmirësonin kushtet në kampe. Por mbërritja e refugjatëve solli gjithashtu edhe rritje të ndjenjave raciste.
Udhëheqësi i një partie të vogël por shumë të zhurmshme nacionaliste bëri thirrje për “pastrimin e qytetit’ si dhe për “aksione në vetëmbrojtje” në Sofie. Në spektaklin e saj televiziv, një deputete nga kjo parti tha se përfaqëson vlerat Kristiano-Orthodokse dhe akuzoi sirianët se janë pjesë e një pushtimi të fshehtë islamik.
Policia regjistroi rritje të shpejtë të numrit të sulmeve ndaj njerëzve me ngjyrë lëkure më të errët në vende publike, si stacione autobusësh apo tramvaje, në nëntor 2013. Dy burra sulmuan një 28 vjeçar bullgar me kombësi turke gjatë kohës që ky i fundit po kthehej në shtëpi nga puna në Sofie, duke e rrahur atë deri sa ai ra në koma.
Në prill të këtij viti, banorët në Rozovo, një fshat i vogël në qendër të Bullgarisë, përzunë një familje refugjatësh sirianë me 15 anëtarë që po përpiqej të gjente një shtëpi me qira atje. Në shtator, njerëzit nga fshati Kalishte protestuan kundër planeve për të regjistruar fëmijët e azilkërkuesve në një shkollë të fshatit ndërsa këshilli vendor kërkoi pa sukses që një kamp refugjatësh aty pranë të mbyllej.
“Të gjithë refugjatët parapëlqejnë të vendosen në vendet e Europës Perëndimore … Ne jemi thjesht një qendër tranzitore” |
– Nikolai Tchirpanliev, kreu i Agjencisë Shtetërore të Refugjatëve të Bullgarisë. |
Paragjykimet nuk janë të pakta në disa pjesë të publikut bullgar. Edhe nivelet më të larta të Agjencisë Shtetërore për Refugjatët nuk janë imunë ndaj tyre. Nikolai Tchirpanliev, drejtori i agjencisë, vuri në pikëpyetje nëse sirianët tregonin të vërtetën mbi kushtet nëpër kampe.
“Është e mirënjohur se arabët kanë tendencë për të gënjyer. Kjo është pjesë e grupit të tyre etnik. Kjo është mënyra se si jetojnë,” tha ai në një intervistë me BIRN.
Kjo deklaratë është tipike e stilit të Tchirpanliev. Ish oficeri trupmadh i ushtrisë mban gjithashtu muzikën me volum të lartë ndërsa pret vizitorët në zyrën e tij të madhe. Me buzëqeshje ai sugjeron se e bën këtë për shkak se dhoma e tij është duke u përgjuar.
Por Tchirpanliev ia ka dalë të zgjidhë atë që kishte për të zgjidhur kur iu ngarkua detyra vitin e kaluar – të sqarojë telashet nëpër kampe.
Gjatë kohës së tij në detyrë, numri i stafit të agjencisë u dyfishua, kampet rritën kapacitetin e tyre dhe akomodimi është sjellë në standardet ndërkombëtare.
“Çdo gjë duket shumë korrekte dhe… nën kontroll,” deklaroi Tchirpanliev i kënaqur.
Gjithsesi, Bullgaria nuk ka një program për të ndihmuar refugjatët të integrohen në shoqëri. Një skemë e mëparshme që ofronte kurse gjuhe apo trajnime profesionale me kapacitet për më pak se 100 njerëz, u mbyll vitin e kaluar. Një program i ri është hartuar por duhet ende të zbatohet.
Zyrtarët sugjerojnë se ky program mund të mos sjellë shumë ndryshime.
“Që të jemi të ndershëm… të gjithë refugjatët parapëlqejnë të vendosen në vendet e Europës Perëndimore dhe jo në Bullgari apo në ndonjë vend tjetër në Ballkan,” tha Tchirpanliev. “Ne jemi thjesht një qendër tranzitore.”
Destinacioni Gjermani
Për Aliun dhe familjen e tij, ky konkluzion qe i saktë.
“Unë dua të shkoj në Gjermani për shkak se ata të japin mbështetje dhe paguajnë për arsimimin tënd. Dua të përfundoj studimet dhe të sjell të dashurën time nga Siria, në mënyrë që të krijoj një familje,” tha ai herët në qershor, ndërsa jetonte në qytetin Kazanlak, në pritje të dokumenteve bullgare të udhëtimit.
Shumë refugjatë të tjerë vendosën të bëjnë të njëjtin udhëtim. Në tetë muajt e parë të këtij viti, Gjermania regjistroi 3,850 sirianë që ishin regjistruar për herë të parë në databazën e Bashkimit Europian të gjurmëve të gishtave për azilkërkuesit në Bullgari, sipas Ministrisë së Brendshme në Berlin.
Aliu qe shumë i etur për të vajtur në Gjermani veçanërisht për shkak se kishte një xhaxha që jeton atje sakaq. Por udhëtimi nuk është i lehtë. Fillimisht atij iu deshën dokumentet nga autoritetet e Bullgarisë – një proces që ai thotë se kërkoi tetë muaj.
Agjencia Shtetërore për Refugjatët jep dokumente azili për tre ose pesë vjet. Aliu pati fat – atij iu dha një version pesëvjeçar, i cili lejon udhëtimin kudo në Bashkimin Europian pa viza.
Rregullat e BE-së synojnë të ndalojnë njerëzit që kërkojnë apo marrin azil në një vend anëtar të shkojnë për të jetuar në një vend tjetër.
Ata si Aliu, të cilët kanë marrë statusin e refugjatit në një nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, duhet të qëndrojnë atje. Ata nuk duhet të riaplikojnë për azil në një vend tjetër të BE-së. Por Aliu vendosi gjithsesi të shkojë në Gjermani dhe të kërkojë azil atje.
I shqetësuar nga lajmet në media mbi sirianët që ndalohen në kufi, ai nuk bleu një biletë të zakonshme në aeroport apo në një stacion autobusi. Në vend të kësaj ai pagoi një trafikant të mirënjohur për dërgimin e njerëzve nga Bullgaria për në Gjermani. Kështu nisi udhëtimi i tij nga Tregu i Zonjave në Sofie.
Aliut iu desh të huazojë para nga të afërmit dhe miqtë për këtë udhëtim. Udhëtimi zgjati 35 orë, brenda në një furgon të vjetër të kuq që mbante tetë njerëz përkundrejt një pagese prej 235 eurosh për person, përfshirë ryshfete të vogla në kufijtë e Rumanisë dhe Hungarisë, tha Aliu.
“Ne u trembëm me të vërtetë në kufi por shoferi e menaxhoi të gjithën shumë mirë. Ne thjesht i dhamë atij paratë dhe ai ia kaloi rojeve të kufirit. Nuk pati pyetje,” ritregoi ai, ndërsa priste për darkë në një qendër pritjeje në Dortmund, disa ditë pasi mbërriti në Gjermani.
Pas një dite atje, familja Najaf u transferua në një qytezë të vogël të quajtur Eisenhüttenstadt në Gjermaninë lindore, ku do të intervistohen në lidhje me aplikimin e tyre për azil.
Në fillim, Aliu mendoi të thotë se atij i qenë regjistruar gjurmët e gishtave në Bullgari por nuk kishte marrë kurrë dokumentet. Por ndryshoi mendje dhe vendosi të pranojë se i hodhi dokumentet bullgare gjatë rrugës. Ai shpresoi që historia e tij e rrëmbimit nga militantët islamikë do i bindë autoritetet e Gjermanisë t’i japin azil.
“Unë kërkoj azil politik, kështu që do të jem i ndershëm,” tha ai.
Synime të mira
Aisha Hajjar dhe bashkëshorti i saj, Farid, të cilët vijnë nga qyteti tregtar i shkatërruar i Sirisë Alepo, thonë se janë përpjekur të jenë të ndershëm, por kjo nuk i ndihmoi.
Ata dhe tri fëmijët e tyre, një djalë në moshën 12 vjeçare, një vajzë adoleshente dhe një vajzë rreth të njëzetave, mbërritën në Bullgari pak para Aliut në tetor 2013, duke përdorur të njëjtin shteg.
Aisha dhe Farid dhe dy fëmijët e vegjël udhëtuan për në Gjermani në shkurt, u regjistruan në të njëjtën qendër në Dortmund dhe u dërguan në një qytezë të vogël me emrin Gelnhausen, pranë Frankfurtit. Besan, vajza e tyre 21 vjeçare, fillimisht qëndroi në Sofie, për shkak se kishte një punë atje, por u bashkua me familjen në prill.
Jeta në Gelnhausen, një qytezë piktoreske me shtëpi me kolona druri dhe mure të bardha, është shumë më e mirë nga sa qe në Bullgari, ku azilkërkuesit marrin 65 leva (rreth 35 euro) në muaj nga shteti ndërsa qëndrojnë në kampe.
Autoritetet e Gjermanisë i kanë dhënë familjes një apartament me dy dhoma në një ndërtesë që ka edhe familje të tjera refugjatësh. Shteti paguan qiranë dhe i jep atyre në total 1,100 euro në muaj për ushqime e shpenzime të tjera.
Aisha, një grua e këndshme në të 40-at që mban shami dhe shpesh flet për virtytet e Islamit, e ndan kohën mes gatimit për familjen dhe lundrimit nëpër faqe fetare në Facebook. Zakariya, djali i tyre, kalon verën me tabletin e tij apo në pishinën e zonës.
Besan, e cila bën shumë humor dhe shtron pyetje pas pyetjesh gjatë bisedave, takoi një të ri sirian, i cili kërkoi lejen e babait të saj për martesë. Faridi, një burrë i qetë në të 50-at me flokë të hirtë të gjatë deri te shpatullat, qe dakord.
Një pensioniste e zonës filloi të vizitojë shtëpinë e tyre, duke ofruar kurse gjuhe falas dhe duke treguar histori mbi Gjermaninë.
Por një letër në qershor nga Zyra Federale e Gjermanisë për Migrimin dhe Refugjatët hodhi në dyshim jetën e tyre të re. Kërkesa e tyre për azil qe refuzuar për shkak se ata e kishin marrë sakaq një të tillë në Bullgari.
Shpenzimi i më shumë se 1 mijë eurove për një avokat nuk ndihmoi; gjykata e refuzoi apelimin e tyre kundër vendimit.
“Tashmë ata mund të na kthejnë pas në Bullgari në çdo çast,” tha Aisha në kuzhinën e apartamentit të tyre duke lëvizur me ankth gishtat e saj.
Në realitet, njerëzit shpesh i shpëtojnë largimit nga Gjermania drejt vendit ku morën fillimisht azil. Rreth 200-300 azilkërkues u refuzuan në zonën e Gelnhausenit gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Shumicës së aplikantëve iu tha se ata duhet të kthehen mbrapsht në Itali. Gjithsesi, vetëm njëri është dërguar me të vërtetë, sipas zyrtarëve vendas.
“Dhe kur dy apo tre apo katër apo 10, 20 apo 100 do të dërgohen në Itali, ata ka gjasa se do të kthehen sërish – ata do të kthehen në Gjermani,” tha një zyrtar, i cili foli në kushtet e anonimatit. “Pastaj e njëjta procedurë do të fillojë nga e para.”
Vitin e kaluar, Gjermania i riktheu sirianët në Bullgari vetëm në shtatë raste, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë. Këto raste u trajtuan sipas Rregullores së Dublinit të Bashkimit Europian, e cila mbulon rastet e njerëzve që aplikojnë për azil në një vend dhe pastaj lëvizin në një vend tjetër.
Zbatimi i këtyre masave ka qenë i ulët për arsye ligjore, burokratike dhe politike, thonë ekspertët e migrimit.
Njerëzit si Aliu dhe Aisha janë në një kategori tjetër – ata sakaq kanë marrë azil politik nga një vend i Bashkimit Europian dhe lejohen të qëndrojnë në një vend tjetër të BE-së për deri në tre muaj si turistë. Pas kësaj, Gjermania mund të përpiqet t’i rikthejë në Bullgari, megjithëse ata mund të jenë në gjendje të ngrenë padi dhe ta shmangin kthimin, duke argumentuar se të drejtat e tyre njerëzore mund të dhunohen.
Kështu, familje si ajo e Aliut dhe Aishes duhet të jetojnë në pasiguri, si dhe me stresin dhe trishtimin e të qenit refugjatë lufte shumë larg tokës së tyre.
Pas një muaji në Eisenhüttenstadt, Aliu lavdëroi respektin që pati marrë nga autoritetet e Gjermanisë, por tha se njerëzit ndjehen më të ftohtë këtu se sa në shtëpi. Ai ka vendosur t’i mbajë pezull planet e tij për studime ndërsa i mungon e dashura.
“Për momentin dua të marr azil dhe të gjej një punë dinjitoze, në mënyrë që ta sjell atë këtu dhe të mund të martohemi. Më vonë mund të përfundoj shkollën,” tha ai në një mesazh në Facebook.
Por një gjë nuk ka ndryshuar – vendosmëria e tij për të qëndruar në Gjermani, edhe në rast se aplikimi i tij për azil refuzohet. “Ky është fundi i rrugës sime,” këmbënguli ai. “Unë nuk do të kthehem”.
Ky artikull u prodhua si pjesë e Programit të Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni Erste dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.