Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka hedhur poshtë paditë për gjenocid të paraqitura nga Serbia dhe Kroacia.
Në një vendim të marrë ditën e martë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, hodhi poshtë të dy pretendimet për gjenocid të paraqitura nga Kroacia dhe Serbia.
Duke iu kthyer padisë së Kroacisë, gjykatësi Peter Tomka tha se Serbia nuk mund të shpallej përgjegjëse për gjenocid para ngjarjeve që ndodhën para 27 prillit 1992, duke qenë se para kësaj Serbia nuk e kishte nënshkruar Konventën e Gjenocidit të OKB-së.
“Nuk mund të konsiderohet se Serbia kishte për detyrim të respektonte nenet e konventës, para se ajo ta nënshkruante atë,” tha Tomka. “Ne nuk mund të gjykojmë atë që ka ndodhur para 27 prillit 1992,” shtoi ai.
Ky interpretim përjashtoi pjesën më të madhe të çështjes së Kroacisë, e cila bazohej kryesisht në krimet që ajo thoshte se Ushtria Jugosllave ka kryer në qytetin lindor të Vukovarit në vitin 1991.
Kroacia pretendonte se sulmet në Vukovarit ishin planifikuar në kryeqytetin serb, Beograd, dhe duhet të trajtohen si akte gjenocidi.
Gjykatësi tha se Ushtria Popullore Jugosllave dhe forcat serbe kryen një fushatë dhune, në të cilën kroatë u vranë dhe dëbuan.
“Kjo ishte pjesë e një qëllimi politik, siç u përcaktua nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, për të krijuar një shtet homogjen me entitete serbe,” tha Tomka. Megjithatë, “nuk kishte asnjë qëllim për të shkatërruar kroatët, por për t’i dëbuar ata,” shtoi ai.
Prandaj Tomka arriti në përfundimin se Kroacia nuk kishte arritur të vërtetonte se këto akte ishin akte me natyre gjenocidi. “Pretendimet e Kroacisë duhet të refuzohen plotësisht,” tha ai.
Duke iu kthyer pretendimit të Serbisë që Kroacia kishte kryer genocid në vitin 1995, gjatë Operacionit “Stuhia”, kur Kroacia rimori sipërfaqe të territorit të konfiskuara më parë nga forcat serbe, Tomka gjithashtu tha se “nuk vërtetohej se gjatë dhe pas operacionit “Stuhia ishte kryer gjenocid kundër serbëve”.
Gjykatësi tha se Kroacia gjithashtu nuk mund të quhej përgjegjëse për gjenocid.
Tomka tha se shumë nga provat që gjykata kishte përdorur vinin nga vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë.
“Nuk është vërtetuar se vrasjet ishin rezultat i sulmeve intensive me granata të forcave kroate,” tha Tomka, duke iu referuar viktimave nga Operacioni “Stuhia”.
“Edhe nëse ka pasur ndonjë qëllim për të dëbuar serbët, nuk mund të vendosim se qëllimi ishte t’i shkatërronin ata,” shtoi gjykatësi.
Sipas Tomkas, edhe pse janë kryer vrasje të shumta, nuk ka prova që përcaktojnë se këto vrasje kishin si qëllim shkatërrimin total të serbëve.
“Vrasjet e ndodhura nuk ndodhën në një shkallë që mund të trajtohet si gjenocid,” tha ai.
Vendimi erdhi pas një seance dëgjimore që u zhvillua në Gjykatën Ndërkombëtare në mars dhe prill 2014, kur Zagrebi dhe Beogradi paraqitën rastet e tyre para gjykatësve.
Të dy vendet kanë shpenzuar shuma të mëdha parash për të siguruar çështjet e tyre para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë kroate, vendi shpenzoi rreth 28,111,589 kuna (mbi 3,7 milion euro) në çështjen e tij. Ministria e Jashtme e Serbisë tha se Beogradi i kishte shpenzuar rreth 800,000 euro.
Gjatë seancave, Zagrebi u përpoq të vërtetonte se njësitë e komanduara nga Beogradi vranë më shumë se 10,000 kroatë gjatë një fushate spastrimi etnik në fillim të viteve 1990 në luftën në Kroaci.
Kroacia ngriti padi për gjenocid kundër Serbisë në vitin 1999, duke kërkuar gjithashtu që Beogradi të dënojë të gjithë ata që kishin kryer krime lufte gjatë konfliktit, kthim të sendeve të vjedhura kulturore dhe të paguajë për dëmet e kohës së luftës.
Serbia ka deklaruar se ushtria kroate kreu gjenocid gjatë operacionit “Stuhia” në vitin 1995, gjatë të cilit më shumë se 200,000 serbë të Kroacisë u larguan nga vendi.
Serbia paraqiti kundër-padinë e saj në vitin 2010, duke pretenduar se Kroacia ishte fajtore për gjenocid ndaj serbëve gjatë dhe pas operacionit të vitit 1995.
Që kur u ngrit pas Luftës së Dytë Botërore, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka njohur vetëm një rast gjenocidi, masakrën në Srebrenicë në Bosnjën lindore në vitin 1995.