Nën një ligj ‘të ri dhe të përmirësuar’ kundër spiunimit, çdokush mund të dyshohet për spiunazh ose tradhti në Rusi. Dhe kjo është ideja.
Mania e spiunimit ka zënë Rusinë pas-sovjetike si kurrë më parë. Nenet 275 (Tradhtia) dhe 276 (Spiunazhi) të Kodit Penal të Federatës Ruse janë konsideruar zakonisht si shkelje ekzotike në praktikën ligjore ruse. Por ato janë kthyer në lajme dhe rregullisht – pesë raste në dy javët e fundit.
Ish-burgu investigativ i KGB, burgu Lefortovo në Moskë, është sërish në qendër të vëmendjes. Ashtu si 50 vite më parë, spiunët e dyshuar po izolohen në Lefortovo – tani nën juridiksionin e FSB. Gjykata e distriktit aty pranë po bëhet e njohur në media: është kjo gjykatë që siguron mandat-arrestet për shtetasit rusë të dyshuar për spiunazh. Por teksa aktakuza e një moskoviti lexon (Akuzuar për transferim të informacionit sekret te një vend perëndimor’), spiunazh mund të nënkuptojë çdo gjë në ditët e sotme.
‘I ri dhe i përmirësuar”
Me iniciativë të Vladimir Putinit, parlamenti rus zgjeroi përkufizimet ligjore të ‘tradhtisë shtetërore’ dhe ‘spiunazhit’ në 2012. Në përkufizimin e ‘ri dhe të përmirësuar’ janë shtuar në listën e kontakteve të dëmshme për shtetin edhe ‘organizatat ndërkombëtare’ dhe epiteti ‘i jashtëm’ u hoq nga përkufizimi për sigurinë kombëtare, që është tani potencialisht i kërcënuar prej një qytetari rus që lidhet me të huajt.
Kur këto rishikime u morën në konsideratë, politikanët e opozitës dhe aktivistët e të drejtave të njeriut paralajmëruan se këto përkufizime të gjera mund të çonin në ndjekje penale kundër çdo qytetari rus që mund të kontaktojë me çdo të huaj. Tani, duket se parashikimet po fillojnë të bëhen realitet.
Marrim Vladimir Golubev, për shembull. Një ish-kërkues nga Qendra Bërthamore Ruse në Sarov, Golubev u arrestua në shkurt për dyshim të ekspozimit të sekreteve shtetërore. Krimi i vetëm i Golubev ishte publikimi i një artikulli mbi substancat eksplozive në një revistë shkencore çeke. Po kështu, lundërtari Sergei Minakov – që punonte jashtë shtetit në anijen-cisternë Koida (pjesë e Flotës Ruse në Detin e Zi në Krime) – u arrestua për spiunazh në fillim të shkurtit. Pavarësisht se deklarate zyrtare për shtyp nuk zbulonte detaje të mëtejshme, ne mund të prezumojmë nga vendndodhja që “Ukraina” figuron dukshëm në rastin e Minakov.
Një spiun amerikan është zbuluar madje brenda Kishës Ortodokse – Evgeny Petrin. Petrin më herët punonte në Zyrën e Komunikimeve të Jashtme e Patriarkatit të Moskës në Kiev. Ai është gjithashtu, siç rezulton, një oficer në FSB.
Të afërmit e Petrin kanë deklaruar se ai është i pafajshëm. Por komentet e tyre, fatkeqësisht, tregojnë për dramën absurde, praktikisht parodike të spiunimit të vitit 2015 – një oficer i shërbimeve të sigurisë ruse që po punon nën Patriark Kirill tani akuzohet se ka punuar për inteligjencën e jashtme. Ky nuk është një film: është një mjuzikëll.
Së shpejti në një ekran pranë jush
Heroina e trillerit të këtij dimri është nëna e shtatë fëmijëve Svetlana Davydova, e cila vjen nga Vyazma, një qytet i vogël jo larg nga Smolensk. Davydova u arrestua më 22 janar pasi ajo raportoi disa informacione te ambasada ukrainase në Moskë. Davydova dëgjoi një bisedë telefonike të një oficeri ushtrie në autobus, në të cilën oficeri në fjalë diskutonte një udhëtim të ardhshëm pune. Davydova mendoi se ky udhëtim ishte për të luftuar në Donbas.
Ndërsa ambasada e shpërfilli këtë informacion, FSB-ja u interesua për Davydova dhe gjykata e Lefortovo-s lëshoi një mandatarresti për të. Ndërkohë, media ruse zbuloi detajet e çështjes dhe tregoi sesa absurde mund të bëhet situata: një grua e deklaruar armike e shtetit rezulton të jetë jo vetëm një nënë e shtatë fëmijëve, por një aktiviste e njohur politike që mbështet “Thjesht Rusia”, një parti pro-Kremlinit. Davydova u ankua te ambasada ukrainase rreth veprimeve të ushtrisë ruse dhe bashkëshorti i saj i shkroi drejtorit të FSB, në lidhje me Dmitry Kiselyov, prezantuesi skandaloz i televizionit dhe kreu i RT (Rusia Sot), duke iu ankuar rreth mënyrës sesi bashkëshortja e tij ishte portretizuar.
Për më tepër, më vonë rezultoi se familja e konsiderueshme e Davydovas jeton ndryshe nga tradicionalja – me shtatë fëmijë, një baba dhe dy nëna, Davydova dhe motra e saj, që kanë lindur katër dhe tre fëmijë respektivisht, dhe që jetojnë së bashku në të njëjtin apartament.
Nëse shërbimet ruse të sigurisë donin të ekspozonin armikun e vërtetë të shtetit, atëherë Davydova ishte kandidatja më e keqe për rolin. Lajm pas lajmi për Davydova në shtypin rus dhe 25 mijë firma u mblodhën në mbështetje të lirimit të saj. Gradualisht, Avokati i popullit për të fëmijët Pavel Astakhov ndërhyri në çështjen e saj së bashku me Ella Pamfilova, Avokaten e Popullit për të Drejtat e Njeriut. Pavarësisht se urdhërarresti ishte bërë për dy muaj paraburgim, Davydova u lirua menjëherë dhe u dërgua në shtëpi.
Çështja e spiunazhit nuk është mbyllur: Davydova do të gjykohet. Por në sytë e publikut rus, ajo mezi mund të shihet si një armike e shtetit. Larg prej kësaj. Në fakt, asaj i është dhënë një rol si ‘viktimë e fatit’.
Mania e spiunimit modern
Dhe këtu është vendi ku duhet të përpiqemi të gjejmë arsyet pas fushatës së papritur anti-spiunazh të autoriteteve ruse. Rusët kujtojnë maninë ‘klasike’ të spiunimit që lulëzoi në Bashkimin Sovjetik – ditët kur propaganda na thoshte se jemi rrethuar nga agjentë të rrezikshëm të inteligjencës së huaj që ishin gati në çdo moment për të vjedhur një projekt sekret, për të helmuar furnizimin me ujë dhe për të djegur fabrikën vendase. Në këtë mjedis, çdo qytetar duhej të ishte vigjilent dhe të shkruante raportime mbi aktivitetet e fqinjëve.
Mania e spiunazhit të sotëm është krejt ndryshe. As Svetlana Davydova dhe as spiuni nga burokracia e kishës, as detari nga cisterna në Krime nuk përfaqësojnë kërcënim për bashkështetasit. Njerëzit e dinë këtë dhe kjo është përse mania aktuale e spiunazhit nuk frikëson njeriun në rrugë.
Disa njerëz po frikësohen prej të tjerëve, por, pavarësisht se është shqetësuese, kjo nuk është më e frikshmja. Jo, çfarë është e frikshme rreth ethes së spiunazhit këtë shkurt janë shërbimet e sigurisë ruse vetë. Ato arrestojnë këdo dhe çdokënd që i del përpara dhe ky duket se është mesazh për sigurinë ruse: çdokush mund të akuzohet për tradhti shtetërore. Pavarësisht sa absurde mund të duket, askush nuk është i sigurt kundër mundësisë së përfundimit në burgun Lefortovo ose në gjykatën aty pranë.
Mesazhi është i qartë: Jo kontakte me të huajt, jo aktivizim politik. E vetmja siguri kundër rënies së sistemit është të ulësh kokën dhe të mbetesh besnik. Raste të tilla si të Davydova-s nuk janë pjesë e mbrojtjes së sigurisë kombëtare. Këto investigime dukshëm vendosin kufirin në kuptimin e çfarë mund të bësh dhe çfarë nuk mundesh – minimumi që duhet bërë për t’i shpëtuar burgut.
Të luash sipas rregullave, ndërmarrja e hapave logjik dhe konsistent – kjo nuk është çfarë kërkon shteti rus. Frika nuk ka dalë nga logjika dhe janë saktësisht këto veprime absurde dhe jologjike që demoralizojnë dhe frikësojnë shoqërinë ruse. Këto janë synimet e vërteta të autoriteteve kur vjen puna për marrëdhëniet e tyre me shtetasit rusë.
Marrë me autorizim nga opendemocracy.net