
Kuvendi i Shqipërisë miratoi kërkesën e Aleancës së Grave Deputete për të rritur diskriminimin pozitiv gjinor në Këshillat Bashkiake por hodhi poshtë propozimin për kuota për kandidatë për kryetarë bashkish.

Foto nga : LSA/Franc Zhurda
Këshillat e 61 bashkive të ardhshme në Shqipëri do të përbëhen në masën 50 për qind nga gra, si pasojë e miratimit në parlament të një propozimi nga tre deputete të njohura si Aleanca e Grave Deputete. Fillimisht deputetet Mesila Doda (PD) Mimoza Hafizi (PS) dhe Silva Caka (LSI), patën kërkuar kuota të detyrueshme për partitë si për listat e kandidatëve për anëtarë të këshilleve bashkiake, ashtu edhe për kandidatët për kryetarë bashkish.
Varianti final i miratuar në kuvend përfshin detyrimin e partive për të pasur 50 për qind të kandidatëve për këshilla gra si dhe detyrimin e komisioneve zonale të administrimit zgjedhor për të refuzuar listat e partive në rast se këto të fundit nuk respektojnë ligjin. Renditja e listave duhet të jetë një grua-një burrë me qëllim që të sigurohet se gjysma e listës fituese të përbëhet nga gra.
Shqiptarët do të votojnë për pushtetin e ri vendor më 21 qershor 2015 në dy fletë të ndara, njëra për kandidatët për kryebashkiakë dhe tjera për votat proporcionale të partive, nga do të nxirren edhe kandidatët fitues për këshille bashkiake. Zgjedhjet për këshilla bëhen me lista të mbyllura ku partitë politike përcaktojnë renditjen e kandidatëve të tyre në listë.
Gjatë diskutimeve nëpër komisionet parlamentare pati përpjekje për të manovruar kërkesat e deputeteve, gjë që solli fillimisht heqjen e kuotave për kryetarë bashkish si klauzolë problematike për t’u zbatuar pak javë para se të mbyllet regjistrimi i kandidaturave.
Varianti i dërguar në seancë plenare sugjeronte që partitë të kishin detyrimin për të kandiduar 50 për qind gra, por që në rast se nuk e respektonin këtë detyrim, të dënoheshin vetëm me gjobë. Në prag të seancës parlamentare, një grup deputetesh gra propozuan një amendament final ku përfshihej detyrimi i qendrave zonale të administrimit zgjedhor për të refuzuar listat e partive në rast se shkelet ligji i barazisë gjinore.
Kuotat gjinore u vendosën për herë të parë në Shqipëri në ndryshimet në kodin zgjedhor të vitit 2008, të vlefshme për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Por partitë politike arritën të anashkalojnë me sukses këtë detyrim ligjor duke marrë vetëm dënime minimale. Megjithëse kodi zgjedhor kërkoi një kuotë 30 për qind për gratë në listat e kandidatëve për zgjedhje në çdo qark, partitë politike përfituan nga fakti që listat e deputetëve janë të mbyllura dhe rrjedhimisht i kandiduan gratë në fund të listës, ku shanset e tyre për t’u zgjedhur qenë minimale. Në disa raste, partitë politike kandiduan më shumë kandidatë se sa numri i deputetëve teorikë që mund të fitonin për të pasur 30 për qind gra në lista, pavarësisht se këto gra nuk kishin as edhe një shans matematikor për t’u zgjedhur.
Për rrjedhojë, në parlamentin 2009-2013, vetëm 16 për qind e deputeteve qenë gra. Në zgjedhjet e vitit 2013, partitë politike injoruan hapur kuotat gjinore të imponuara nga ligji dhe për këtë u dënuan të gjitha sëbashku me 22 milionë lekë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në shtator 2013. Parlamenti aktual ka vetëm 19 deputete gra ose vetëm 13 për qind. Pas dorëheqjes së pjesës më të madhe të kabinetit qeveritar nga posti i deputetit, numri i grave në parlament u rrit në 29 ose rreth 21 për qind.
Një numër i madh vendesh nëpër botë kanë ndërhyrë për diskriminimin pozitiv të grave në jetën politike por nuk është e qartë nëse kjo gjë ka mjaftuar për të përmirësuar demokracinë nëpër vendet ku prania e grave në parlamente është më e lartë.
Sipas një blogu të Bankës Botërore, për vitin 2013, rreth 20 për qind e deputetëve në të gjitha vendet e botës janë gra. Ruanda rezulton vendi me numrin më të lartë të grave deputete në parlamentin e vet, me 60 për qind.