Gjashtëmbëdhjetë vjet pasi forcat serbe vranë 118 shqiptarë të Kosovës në fshatin Qyshka, 11 ish-luftëtarë po presin rigjykimin për krimin e dyshuar të luftës. Por si e justifikoi Gjykata e Apelit në Beograd lirimin e tyre nga akuzat?
Një vit më parë, Departamenti i Krimeve të Luftës në Gjykatën e Lartë në Beograd dënoi komandantin e Grupit Ushtarak Territorial 177 të Ushtrisë Jugosllave nga qyteti i Pejës dhe tetë anëtarë të tjerë të skuandrës së ndërhyrjes së njësisë së krimeve të luftës kundër popullsisë civile.
Ata u shpallën fajtorë për dëbim me dhunë të shqiptarëve të Kosovës, djegie të shtëpive të tyre dhe plaçkitje, si edhe për vrasjen e të paktën 118 civilëve shqiptarë në fshatin Ljubenicë, Zahac, Plavjan dhe Qyshkë pranë Pejës në prill dhe maj të vitit 1999.
U vendos se skuadra e ndërhyrjes, shpesh e referuar si “Çakallët”, ishte pjesë e një force të rregullt të armatosur. Ishte vendimi i parë që u dha nga Departamenti i Krimeve të Luftës që dënonte anëtarë të Ushtrisë Jugosllave për dëbim me dhunë dhe vrasje masive të shqiptarëve të Kosovës.
Por Departamenti i Krimeve të Luftës i Gjykatës së Apelit në Beograd anuloi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë më 26 shkurt të këtij viti dhe urdhëroi rigjykim të çështjes. Në 16 vjetorin e përkujtimit të vrasjeve në Qyshkë, më 14 maj 1999, kjo analizë hedh dritë mbi arsyet pse ky vendim u anulua dhe analizon rezultatet e mundshme të rigjykimit.
Një gjykim ‘i pakuptueshëm dhe kontradiktor’
Gjykata e Apelit e anuloi vendimin për dy arsye. E para, ishte për shkelje thelbësore të rregullave të procedurës penale: “Gjykimi është i pakuptueshëm dhe kontradiktor dhe vendimi nuk dha arsye për faktet vendimtare. Arsyet e dhëna për dënimin ishin të paqarta dhe shumë kontradiktore,” thuhej në vendimi e Gjykatës së Apelit.
Sipas Gjykatës së Apelit, Gjykata e Shkallës së Parë nuk shpjegonte aspak ose nuk jepte ndonjë shpjegim të qartë, të saktë, ligjërisht dhe logjikisht koherent të mënyrës si i përcaktoi faktet kyç dhe mbi çfarë bazash i mori vendimet për ekzistencën dhe shkallën e fajit të të pandehurve.
Arayeja e dytë ishte se “faktet në vendimin e kontestuar nuk ishin të përcaktuara plotësisht”. Të dyja arsyet nuk janë të pazakonshme kur anulohen vendime për krime lufte.
Kush ishin autorët e drejtpërdrejtë?
Sipas Gjykatës së Apelit, Gjykata e Shkallës së Parë nuk arriti të përcaktonte dhe përshkruante saktësisht se çfarë aktesh kishte bërë secili i pandehur individualisht gjatë secilit nga sulmet në të katër fshatrat, arsye për shkak të të cilës mbeti e paqartë nëse secili nga të pandehurit u dënua si bashkëautor, sepse ata ishin të përfshirë personalisht në vrasjet, dëbimin me dhunë, plaçkitjen dhe djegien e shtëpive, ose disa prej tyre u dënuan sepse morën pjesë në sulmin ndaj fshatrave si anëtarë të Skuandrës 177 të Ndërhyrjes kur u kryen krimet.
Gjykata e Apelit i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë të specifikojë gjatë rigjykimit aktet e secilit të pandehur dhe të përcaktojë pa asnjë dyshim nëse një person specifik mori pjesë në një krim specifik dhe si. Të dyja gjykatat e pranojnë se ta shpallësh një të pandehur fajtor për krime, bazuar vetëm në faktin se ata ishin anëtarë të një njësie që kryente krime, do të shkaktonte një zgjatje të palejueshme të konceptit të bashkë-kryerjes së krimit.
Por përcaktimi i asaj që secili nga të pandehurit ka bërë gjatë kohës së krimit të luftës, sidomos në çështje me shumë njerëz të përfshirë dhe disa ngjarje të ndryshme, është një nga sfidat më të mëdha për prokurorinë dhe gjyakatat në çështje të tilla, sidomos kur dëshmitë e dëshmitarëve janë të vetmet ose provat kyçe.
Çfarë dinte togeri?
Gjykata e Apelit vuri gjithashtu në dukje një sërë mangësish në lidhje me rolin dhe pozicionin komandues të të pandehurit kryesor Toplica Miladinovic, një ish-toger dhe komandant i Grupit Ushtarak Territorial 177 në qytetin e Pejës; më saktë urdhrat e tij për krimet që do të kryheshin.
Gjykata e Apelit zbuloi se kishte kontradikta dhe paqartësi në vendim dhe si rezultat i kësaj, faktet rreth urdhrave të Miladinovicit nuk ishin përcaktuar mirë, si edhe nëse urdhrat e tij i referoheshin fshatrave Plavljan dhe Zahac. Faktet gjithashtu nuk ishin të qarta në lidhje me praninë e Miladinovicit në fshatin Ljubenic gjatë sulmit dhe në lidhje me komunikimin midis Miladinovicit dhe komandantit të skuadrës së ndërhyrjes, i ndjeri Nebojsa Minic, në lidhje me ditaret e luftës të njësisë brenda grupit ushtarak në Pejë, si edhe në lidhje me strukturën e formimit të Grupit Ushtarak Territorial 177 në qytet.
Gjykata e Apelit i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë të bëjë një analizë të detajuar të deklaratave të dy dëshmitarëve kyç dhe të rianalizojë nëse mund të bazojë konkluzionet në lidhje me disa çështje të caktuara në dëshmitë e tyre dhe deri në çfarë mase. Ajo i kërkoi gjithashtu Gjykatës së Shkallës së Parë të mbledhë prova shtesë dhe të marrë përsëri në pyetje dëshmitarët për të përcaktuar ato fakte.
Shumë prej gjetjeve të Gjykatës së Apelit janë të justifikuara, sepse në disa pika vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë nuk ka analizë dhe shpjegim të elementeve bazuar në të cilat gjykata vendosi se togeri Miladinovic urdhëroi krimet dhe se sa në dijeni ishte ai të asaj që po ndodhte gjatë secilit prej sulmeve.
Megjithatë, disa nga gjetjet e Gjykatës së Apelit në lidhje me apelin e Miladinovicin nuk janë bindëse.
Kjo gjykatë vendosi se nuk ishte e qartë se si Gjykata e Shkallës së Parë vendosi me bindje se urdhrat i referoheshin sulmeve kundër civilëve shqiptarë dhe zhvendosjes së tyre, dhe nuk ishin aksione ushtarake të ligjshme kundër anëatërve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Por ky konkluzion është i habitshëm duke marrë parasysh se vendimi i Shkallës së Parë përmendi disa herë dëshmi që thanë se pas një takimi me Miladinovicin, Mimic urdhëroi luftëtarët e tij të viheshin në veprim me fjalët: “Duhet të shkojmë të ndjekim gjermanët, të djegim shtëpi, të grisim dokumente dhe gjithçka tjetër nëse është e nevojshme.” (Dëshmitarët thanë se fjala “gjermanët” i referohej shqiptarëve).
Kërkesat e panevojshme të Gjykatës së Apelit
Gjykata e Apelit theksoi gjithashtu disa mangësi të tjera në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe kërkoi që ato të eliminohen gjatë rigjykimit, edhe pse për këtë nuk ka baza apo justifikime të mira.
Gjykata e Apelit tha se ishte e nevojshme të kontrollonte nëse emrat e disa prej viktimave ishin në listën zyrtarë të ushtarëve të vrarë të UÇK-së, për të larguar dyshimet e avokatëve të mbrojtjes, të cilët pretenduan se disa nga viktimat nuk ishin civilë, por anëtarë të UÇK-së.
Kjo kërkesë jo vetëm që është e tepërt, por gjithashtu edhe pa baza në ligjin ndërkombëtar humanitar. Kur përcakton nëse dikush ka qenë viktimë krimi lufte nuk është i rëndësishëm statusi i tyre si luftëtar apo civil para ose pas luftës, por nëse viktima vdiq si rezultat i një veprimi të lejuar gjatë një operacioni ushtarak apo u vra nëse ai apo ajo ra në duart e armikut.
Sugjerimi i Gjykatës së Apelit se “ishte e nevojshme të kishte më shumë përpjekje për t’u siguruar që dëshmitarët dhe viktimat të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit” gjithashtu duket të injorojë faktin se shumë viktima nga Kosova refuzojnë të vijnë në Serbi dhe të dëshmojnë para gjykatave serbe. Për këtë arsye, mundësia e vetme që një dëshmitar të dëshmojë, është nëpërmjet lidhjeve me video, siç ndodhi në gjyqin në Gjykatën e Shkallës së parë në çështjen e Qyshkës.
Rezultati i rigjykimit mbetet i pasigurt
Fati i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në çështjen e Qyshkës është një tjetër shembull i rrugës së gjatë dhe të dhimbshme që viktimat duhet të bëjnë për të vendosur drejtë në çështjet e krimeve të luftës, edhe pse nga Gjykata e Apelit nuk u mohua që ka ndodhur një krim i madh me shumë viktima.
Megjithatë, edhe pse vendimi i Gjykatës së Apelit mund të kritikohet për një numër të caktuar të vërejtjesh të panevojshme dhe të pabaza, në vendimin e saj nuk ka asgjë që mund të çojë në konkluzionin se ajo donte të shkatërronte të gjithë çështjen dhe të mbronte ndonjë nga përgjegjësia.
Arsyet pas vendimit nuk janë ndryshe nga praktikat e mëparshme të Gjykatës së Apelit në Beograd, dhe vendime të ngjashme për të çuar në rigjykim një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë kanë ndodhur edhe në vende të tjera në rajon – në Kroaci, Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe më parë edhe në gjykatat e EULEX-it në Kosovë.
Është e vështirë të parashikosh rezultatin e rigjykimit. Rezultati do të varet shumë nga mënyra se si trupi gjykues do të shohë dëshmitë e dy dëshmitarëve të brendshëm – një dëshmitar i mbrojtur, i cili dëshmon pa e bërë publik identitetin e tij, dhe një anëtar i njësisë Zoran Raskovic, i cili dha dëshmi jashtëzakonisht të guximshme dhe njerëzore në fillim të gjyqit.
Ai do të varet gjithashtu nga viktimat, shqiptarët e Kosovës, dhe dëshira e tyre për të dëshmuar përsëri. Ai do të jetë i rëndësishëm sidomos për të kuptuar më mirë krimet e luftës në Kosovë, si do t’i vlerësojë provat kundër Miladinovicit gjykata, komandantit të Grupit Ushtarak Territorial 177 në qytetin e Pejës, sepse përcaktimi i fajit të tij do ta lidhte direkt Ushtrisë Jugosllave me krimin.
Ai do të krijonte gjithashtu një lidhje me të pandehur të tjerë të mundshëm në çështje të rëndësishme në të ardhme, përfshirë epërorin e Miladinovicit, gjeneral majorin Dragan Zivanovic, komandanti i Brigadës së 125 të Motorizuar, i cili aktualisht po hetohet ana e Zyrës së Prokurorisë së Serbisë për Krime Lufte.