Njerëzimi ende nuk po e sheh formën e plotë të përdorimit të Internetit të Gjërave, por shumë shpejt ne do të kemi një pamje të qartë të përdorimit të të dhënave që hidhen online, argumentojnë Martin Neil Baily dhe James Manyika.
Rreth 30 vjet më parë ekonomistët Robert Solow dhe Stephen Roach shkaktuan një trazirë kur thanë se për miliarda dollarët që po investoheshin në teknologjinë e informacionit, nuk kishte prova se do jepte shlyerje në produktivitet. Bizneset po blinin dhjetëra miliona kompjuterë çdo vit, dhe Microsoft sapo ishte bërë publik, duke i krijuar Bill Gates miliardin e tij të parë. Në atë që u bë i njohur si paradoksi i produktivitetit, statistikat kombëtare kanë treguar se jo vetëm që rritja e produktivitetit nuk është përshpejtuar; por në fakt ishte ngadalësuar. “Mund ta shohësh epokën e kompjuterit kudo,” thumboi Solow, “veçse jo në statistikat e produktivitetit”.
Sot, ne duket se jemi në një moment historik të ngjashëm me inovacionin e ri: të ashtuquajturin Internetin e Gjërave – lidhja e makinerive dhe objekteve me rrjetet dixhitale. Sensorë, etiketimet dhe pajisje të tjera të lidhura nënkuptojnë se tani bota fizike mund të dixhitalizohet, të monitorohet, matet dhe përmirësohet. Ashtu si me kompjuterët më parë, mundësitë ngjajnë të pafundme, parashikimet janë ekstravagante dhe të dhënat duhet ende të tregojnë një ndikim në produktivitet.
Një vit më parë, firma e kërkimit Gartner e vuri Internetin e Gjërave në kulmin e ciklit të saj të teknologjive në zhvillim.
Teksa dyshimet rreth produktivitetit të Internetit të Gjërave po shprehen gjithnjë e më shumë, është e dobishme të kujtohet se çfarë ndodhi kur Soloë dhe Roach identifikuan paradoksin e produktivitetit të kompjuterit origjinal. Si fillim, është e rëndësishme të theksohet se liderët e biznesit masivisht e shpërfillën paradoksin e produktivitetit, duke këmbëngulur se ata po shihnin përmirësime në cilësi dhe shpejtësi të veprimeve dhe vendimmarrjes. Investimi në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit vazhdoji të rritej, edhe në mungesë të provës makroekonomike të shpërblimeve.
Kjo rezultoi të ishte përgjigjja e duhur. Në fund të viteve ’90, ekonomistët Erik Brynjolfsson dhe Lorin Hitt kishin hedhur poshtë paradoksin e produktivitetit, duke zbuluar problemet në mënyrën si matej produktiviteti shërbim-sektor dhe më e rëndësishmja duke theksuar se kishte një hendek midis investimeve në teknologji dhe përfitimeve të produktivitetit.
Kërkimi ynë në atë kohë gjeti një kërcim të madh në produktivitet në fund të viteve ’90, nxitur kryesisht nga eficencat e mundësuara nga investimet e hershme në teknologjinë e informacionit. Këto fitime ishin të dukshme në disa sektorë, përfshirë tregtinë me pakicë, atë me shumicë, shërbimet financiare dhe vetë industrinë e kompjuterit. Përmirësimet më të mëdha të produktivitetit nuk ishin rezultat i teknologjisë së informacionit, por i kombinimit me ndryshime procesi dhe inovacione organizacionale dhe menaxheriale.
Kërkimi ynë më i fundit, Interneti i Gjërave: Matja e Vlerës përtej Publicitetit, tregon se një cikël i ngjashëm mund të përsëritet. Ne parashikojmë se teksa Interneti i Gjërave transformon fabrikat, shtëpitë dhe qytetet, do të japë vlerë ekonomike më të madhe sesa sugjeron vetë reklamimi. Deri në vitin 2025, sipas vlerësimeve tona, ndikimi ekonomik do të arrijë 3.9-11.1 trilion dollarë në vit, baraz me rreth 11 për qind të PBB botërore. Ndërkohë, megjithatë, ne ka gjasa të shohim një tjetër paradoks produktiviteti; fitimet nga ndryshimet në mënyrën si operon biznesi do të marrin kohë derisa të bëhen të dukshme në nivel makroekonomik.
Një faktor madhor që ka gjasa të vonojë shlyerjen e produktivitetit do të jetë nevoja për të arritur ndërveprimin. Sensorët në makina mund të japin fitime të menjëhershme duke monitoruar motorin, ulur kostot e mirëmbajtjes dhe zgjatur jetëgjatësinë e makinës. Por fitime më të mëdha mund të bëhen duke lidhur sensorët me sistemet e monitorimit të trafikut, për të ulur kështu kohën e udhëtimit për mijëra motorristë, duke kursyer energji dhe pakësuar ndotjen. Megjithatë, kjo do të kërkojë më parë që prodhuesit e makinave, operatorët tranzit dhe inxhinierët të bashkëpunojnë për teknologjitë dhe protokollet e menaxhimit të trafikut.
Ne vlerësojmë se 40 për qind e vlerës së mundshme ekonomike të Internetit të Gjërave do të varet nga ndërveprimi. Gjithsesi disa blloqe bazë në ndërtimin e ndërveprimit mungojnë ende. Dy e treta e gjërave që mund të lidhen nuk përdorin ende Protokollin Standard të Internetit.
Të tjera barriera pengojnë shfrytëzimin e potencialit të plotë të Internetit të Gjërave përfshirë nevojën për privatësi dhe mbrojtjet e sigurisë dhe ciklet e gjatë të investimit në zona si infrastruktura, ku do të duhen shumë vite të shtohen trashëgimitë. Sfidat e sigurisë kibernetike janë veçanërisht të ndërlikuara, teksa Interneti i Gjërave rrit mundësitë për sulme dhe shumon pasojat e tyre.
Por, ashtu si në vitet ’80, pengesa më e madhe për të arritur potencialin e plotë të teknologjisë së re do të jetë organizacionale. Disa nga përfitimet e produktivitetit nga Interneti i Gjërave mund të rezultojnë nga përdorimi i të dhënave për të udhëzuar ndryshimet në procese dhe zhvillimin e modeleve të reja të biznesit. Sot, shumë pak nga të dhënat që mblidhen nga Interneti i Gjërave përdoren dhe aplikohen vetëm në mënyra bazë – duke vënë re anormali në performancën e makinerive, për shembull.
Mund të duhet pak kohë derisa të dhëna të tilla të përdoren për të përmirësuar proceset, për të bërë parashikime ose për të informuar vendimmarrjen – përdorime që çojnë në efikasitete dhe inovacione. Por do të ndodhë. Dhe, ashtu si me përshtatjen e teknologjisë së informacionit, kompanitë e para që do të mësojnë Internetin e Gjërave do të shohin avantazhe të mëdha, që do t’i shpien shumë përpara konkurrentëve në kohën kur rëndësia të jetë e dukshme për këdo.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Reassessing the Internet of Things