Disa nga kandidatët amerikanë për presidentë po bëjnë thirrje për të dërguar “çizmet në terren” kundër Shtetit Islamik, i cili kontrollon një pjesë të madhe të lindjes së Sirisë dhe perëndimit të Irakut. Ata kanë të drejtë, por çizmet duhet të vishen nga arabët suni dhe turqit, jo nga amerikanët.
Shteti Islamik ka tërhequr vëmendjen e botës me video makabre prerje kokash, shkatërrimit pa arsye të objekteve antike dhe përdorimit të aftë të medias sociale. Ai ka vënë nën kontroll një pjesë të madhe të Sirisë lindore dhe të Irakut perëndimor, ka shpallur një kalifat me bazë në Raqa, Siri dhe ka tërhequr xhihadistë të huaj nga e gjithë bota.
Presidenti i SHBA-ve Barack Obama thotë se Shteti Islamik duhet të degradohet dhe në fund të mposhtet. Ai ka emëruar Gjeneralin John Allen për të udhëhequr një koalicion me rreth 60 vende me këtë detyrë, duke u mbështetur te sulmet ajrore, forcat speciale dhe misionet stërvitore. Disa kritikë dëshirojnë që ai të dërgojë më shumë trupa amerikane; të tjerë thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të kënaqen me një doktrinë kufizimi (ndalimi i zgjerimit të mëtejshëm të territorit të kontrolluar nga Shteti Islamik).
Në fushatën aktuale për president në SHBA, disa kandidatë po bëjnë thirrje për “çizme në terren.” Ata kanë të drejtë: çizmet janë të nevojshme. Por ushtarët që do të veshin këto çizme duhet të jenë arabë suni dhe turq, jo amerikanë. Dhe kjo thotë shumë mbi natyrën e kërcënimit të trifishtë me të cilën përballen SHBA-të dhe aleatët e vet aktualisht.
Shteti Islamik është tre gjëra: një grup terrorist transnacional, një proto-shtet dhe, një ideologji politike me rrënjë fetare. Ajo doli nga al-Kaeda pas pushtimit të gabuar të Irakut nën udhëheqjen e amerikanëve; dhe, njësoj si al-Kaeda, ajo tërheq pas vetes Islamistë Suni ekstremistë. Por ajo ka shkuar më tutje, duke themeluar një kalifat dhe tashmë është rival me al-Kaedën. Posedimi i territorit krijon ligjshmëri dhe kapacitet për xhihad ofensiv, të cilin Shteti Islamik e drejton jo vetëm kundër pabesimtarëve por edhe kundër shiave dhe myslimanëve sufi, të cilët i konsideron “takfir,” ose myslimanë të pavërtetë monoteistë.
Shteti Islamik mbështetet te pastërtia e Islamit të shekullit të shtatë por është jashtëzakonisht i aftë në përdorimin e medias së shekullit të njëzet e një. Videot dhe kanalet e medias sociale të tij janë mjete efektive për tërheqjen e një minorance mes myslimanëve – para së gjithash të rinj nga Europa, Amerika, Afrika dhe Azia – të cilët janë duke vuajtur me identitetin e vet. Të zhgënjyer, shumë prej tyre tërhiqen te “Sheikh Google,” ku rekturuesit e Shtetit Islamik i presin për t’u ushqyer me ta.
Sipas disa vlerësimeve, ka më shumë se 25 mijë luftëtarë të huaj në shërbimin e Shtetit Islamik. Ata që vriten zëvendësohen me lehtësi.
Natyra trianëshe e Shtetit Islamik krijon një dilemë për politikëbërësit. Në njërën anë, është e rëndësishme të përdoret fuqia e fortë ushtarake për t’i hequr nga duart kalifatit territorin që i jep qoftë një strehë të sigurtë, qoftë ligjshmëri. Por nëse gjurmët ushtarake amerikane janë tepër të rënda, pushteti i butë i Shtetit Islamik mund të fuqizohet, duke ushqyer kështu këtë të fundit me rekrutë të rinj nga bota.
Kjo është arsyeja se pse çizmet në terren duhet të jenë suni. Prania e trupave të huaja shia përforcon pretendimin e Shtetit Islamik se është i rrethuar dhe i sfiduar nga pabesimtarët. Deri tani, falë veçanërisht forcave efektive kurdë, të cilët janë në shumicë Suni, Shteti Islamik ka humbur rreth 30 për qind të territorit të cilin kishte një vit më parë. Por shtimi i këmbësorisë Suni kërkon stërvitje, mbështetje dhe kohë si dhe presion mbi qeverinë qendrore të Irakut të dominuar nga shiat që të zbusë qëndrimin e vet sektar.
Pas telasheve në Libi (ku milicitë xhihadiste mbështetëse të Shtetit Islamik kanë shpallur krijimin atje të tri “provincave në distancë”), Obama është në mënyrë të kuptueshme ngurrues në idenë e rrëzimit të regjimit të presidentit të Sirisë Bashar al-Asad për sa kohë kjo nënkupton mundësinë që Shteti Islamik të marrë më shumë kontroll dhe më shumë territor, shoqëruar me krime gjenocidale kundër shumë grupimeve jo-suni të Sirisë. Por Asadi është pikërisht mjeti më efektiv i rekrutimit të Shtetit Islamik. Shumë xhihadistë të huaj i përgjigjen ftesës për të ndihmuar në rrëzimin e një sundimtari tiran alevi i cili po vret sunitë.
Detyra diplomatike e SHBA-ve është të detyrojë mbështetësit e Asad, Rusinë dhe Iranin, ta heqin atë pa shkatërruar atë që ka mbetur nga struktura e shtetit të Sirisë. Një zonë e ndalimit të fluturimit dhe një zonë e sigurtë në Sirinë e veriut për miliona njerëzit e shpërngulur nga shtëpitë e tyre mund të përforcojë diplomacinë amerikane. Dhe ofrimi i ndihmave humanitare në shkallë të gjerë për refugjatët (gjë për të cilën ushtria amerikane është shumë efektive) do të rrisë ndikimin e butë të SHBA-ve në mënyrë të jashtëzakonshme.
Siç qëndrojnë punët, financimet dhe koordinimi për fuqinë e butë të Amerikës dhe strategjia për këtë janë shumë të papërshtatshme. Por ne e dimë se fuqia e fortë nuk mjafton, veçanërisht në kuadër të luftës në territorin kibernetik që aktualisht kontrollon Shteti Islamik – për shembull, përmes zhvillimit të një kapaciteti për të shkatërruar rrjetet kompjuterike apo luftuar llogaritë armiqësore në mediat sociale.
Edhe nëse SHBA-të dhe aleatët e vet e mposhtin Shtetin Islamik përgjatë dekadës së ardhëshme, ne duhet të përgatitemi për ringritjen e një grupi të tillë ekstremistësh suni nga hiri i vet. Revolucionet e llojit të atyre që po përjeton Lindja e Mesme kërkojnë shumë kohë që të zgjidhen. Burimet e destabilitetit revolucionar përfshijnë kufijtë e parëndësishëm të epokës post-kolonialiste; modernizim të ndaluar; dështimin e ‘Pranverës Arabe’; dhe sektarizmin fetar, të përkeqësuar nga rivaliteti mes shteteve, atyre të sunduara nga sunitë si Arabia Saudite dhe Iranit të sunduar nga shiat.
Në Europë. Luftërat fetare mes Katolikëve dhe Protestantëve vijuan për gati një shekull e gjysmë. Luftimet përfunduan (me Paqen e Vestfalisë më 1648) vetëm pasi Gjermania pati humbur një të katërtën e popullatës së vet në Luftën Tridhjetëvjeçare.
Por është gjithashtu e vlefshme të kujtohet se koalicionet në atë kohë qenë komplekse, me Francën katolike që ndihmonte Hollandën protestante kundër Habsburgasve katolikë për arsye dinastike më shumë se sa për arsye fetare. Ne duhet të presim kompleksitet të ngjashëm në Lindjen e Mesme të ditëve tona.
Duke parë përpara në një rajon ku interesat e SHBA-ve kanë variuar shumë, nga energjia te siguria e Izraelit, mospërhapja e armëve bërthamore dhe të drejtat e njeriut, politikëbërësit amerikanë do të duhet të ndjekin një strategji fleksibël të “kufizimit plus përkëdheljes”, gjë që nënkupton të mbështetësh shtete apo grupe të ndryshme në rrethana të ndryshme.
Për shembull, pavarësisht nëse politika iraniane do të bëhet më e moderuar apo jo, në disa raste Irani do të ketë interesat të përbashkëta me SHBA-në dhe në disa raste, interesa të kundërta. Në fakt, marrëveshja e fundit bërthamore mund të hapë mundësi për më shumë fleksibilitet. Për t’i kapur këto mundësi, gjithsesi, politika e jashtme e SHBA-së në Lindjen e Mesme do të duhet të zhvillojë një nivel më të lartë sofistikimi nga ai që është shfaqur si dominues në debatet e kohëve të fundit mbi këtë çështje.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. How to Fight the Islamic State