Në një vend ku kërkesa për art modern është minimale dhe paratë janë të pakta, ambiciozët duhet të ndryshojnë në mënyrë që të mbijetojnë – ose të ikin jashtë vendit.
Jeta e Ardian Pepës, një skulptor 35 vjeçar në kryeqytetin e Shqipërisë, ilustron vështirësitë me të cilat përballet gjenerata e re e artistëve në një vend që nuk ka shumë të kuptuar mbi artin dhe ku reformat e sektorit kulturor vetëm sa kanë filluar.
Ai ka një studio në periferinë e pluhurosur të Tiranës, një rrethinë me rrugë të pashtruara të mbushur me male me plehra, ndërsa puna që ai ka nuk është ajo që pati imagjinuar.
Në vend që të shprehte mendimet e tija artistike dhe estetike përmes punës së tij, Pepa bën dekorime për varreza dhe gurë varresh.
Me raste ai merr porosi nga një biznesmen i pasur apo ndonjë hotel.
Por shumica e punëve të tij kanë mbetur për shumë vite në raftet përreth atelierit të tij, të pa shikuar nga pothuajse askush dhe me gjasa, do të përfundojnë të harruara.
Kjo nuk është jeta që ai imagjinonte si student në Liceun Artistik dhe në Akademinë e Arteve – kur ai besonte se do të fitonte famë dhe do të zbukuronte mjediset me idetë e tij krijuese.
Ai nuk është përzgjedhur kurrë nga të paktat konkurse të zhvilluara nga Ministria e Kulturës.
Më 2012, ai qe mes pesë artistëve kryesorë që konkurroi me skulptura për figura historike me rastin e njëqindvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Gjithsesi, pasi ai u refuzua, punët e tij të papërdorura u kthyen të zënë pluhur në atelienë e tij.
“Talenti nuk mjafton. Unë kam krijuar vepra të tjera për Skulptura Parku por ato mbeten në studio. Askujt nuk ia ndjen për skulpturën e parkut sot,” thotë Pepa.
Pak parqe me skulptura në Tiranë janë mbushur me vepra nga epoka komuniste dhe skulpturat e reja shtohen rrallë.
Ministria e Kulturës shpjegon se procedurat e komisionimit për skulpturat në përkujtim të ngjarjeve apo individëve ose drejtohen nga ministritë ose nga institucionet e tjera publike, të tillë si Galeria Kombëtare e Artit.
Ajo i tha BIRN se po përgatiste një projekt për të kthyer hapësirën përreth ministrisë në një “park skulpture dhe arti”.
Ministria pretendoi gjithashtu se po bënte gjithçka që mundte për të ndihmuar artistët përmes eventeve mbështetëse, ekspozitave, hapësirave, programeve rezidenciale, përmes pjesëmarrjes së Bienales së Venecias dhe duke u bërë pjesë e Creative Europe.
Ajo vëren se shumë festivale ndërkombëtare zhvillohen në Shqipëri si dhe projekte bashkëpunimi me qendrat ndërkombëtare të artit si dhe më shumë para për financime për artin bashkëkohor dhe akoma më shumë si pasojë e rritjes së partneriteteve publike-private.
“Shqipëria është jashtë ‘sistemit botëror të artit’ dhe ne nuk mund të jemi optimistë për të ardhmen apo për ‘përfaqësim’ në hartën botërore apo axhendat ndërkombëtare. Buxhetet për artistët po pakësohen gjithnjë e më shumë.”
Ardian Isufi, Profesor në Universitetin e Arteve
Por kjo mbështetje nuk po vjen mjaftueshëm shpejt, sipas shumicës së artistëve. Pepa pothuajse i ka humbur shpresat se do të gjejë blerës për punët e tij nëpër konkurset e rastësishme publike.
Mungesa e komisionimeve dhe hapësirave për të ekspozuar nuk është problemi i vetëm me të cilin përballen artistët në Shqipëri.
Në Shqipëri nuk ekziston asnjë muze për artin bashkëkohor për t’u përqendruar në prezantimin e arritjeve të gjeneratës më të re të artistëve.
Ministria thotë se nuk ka para të mjaftueshme në buxhet për të ndërtuar një muze të artit bashkëkohor. Ndërkohë, ajo ofron qendra alternative, galeri të tilla si Galeria Kombëtare e Artit, trashëgimi industriale të rigjallëruar dhe evente që mbahen nën qiell të hapur.
Skulptorët janë bërë punëtorë të rëndomtë:
“Kur regjimi Komunist ra, shumë menduan se jeta do të bëhej shumë e bukur. Gjithsesi, ata e kishin gabim. Kapitalizmi nuk është fushë me lule – çdo gjë është biznes. Arti vjen i fundit.”
Andi Tepelena, artist
Fati i një skulptori në Shqipëri nuk është i ndryshëm nga ai i çdo artisti tjetër, por Pepa e sheh atë më të vështirë për shkak se është më e kushtueshme të prodhosh skulptura, ndërsa nuk ka asnjë vend ku të mund t’i ekspozojë.
Aftësitë që ai mor nga Akademia ku mësuesit e tij qenë emra të njohur, skulptorë me tituj si “Mjeshtër i Punës” dhe reputacioni i tij si student i mirë nuk i kanë sjellë ndonjë përfitim.
“Unë pata fat të punoj që kur isha student. Tani, unë krijoj vepra arti të porositura për të cilat paguhem. Unë punoj për biznesmenë që duan skulptura për hotele, shtëpi, bare e restorante, ose në raste të tjera, zbukuroj varre,” thotë ai.
Shqipëria ofron shumë pak mundësi që artistët të rriten, thotë drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani.
“Ne kemi një skenë arti të dobët për shkak se ne nuk kemi shumë struktura që të promovojnë artin bashkëkohor. Ne nuk kemi një rrjet për artin bashkëkohor apo ndonjë muze,” thotë ai.
Artistët me të cilët BIRN foli pretenduan gjithashtu se Ministria e Kulturës nuk bën përpjekje reale për të promovuar artin bashkëkohor.
Nuk ka hapësirë ku artistët të mund të shprehin idetë e tyre dhe nuk ka as vizitorë për shkak se mungesa e aktiviteteve në këtë fushë e bën konceptin e artit bashkëkohor të huaj për shumicën e shqiptarëve.
Piktori Helidon Gjergji iku nga Shqipëria më 1990 dhe tani jeton në SHBA. Duke parë skenën kulturore të Shqipërisë ai thotë se politika kulturore nuk nxit zhvillimin e artit publik në Shqipëri.
“Në një vend me ligje të shëndetshme, kur planifikohet një park apo ndonjë lloj tjetër hapësire publike, bashkë me elementët e tjerë, një hapësirë i lihet veprave të artit,” thotë ai.
Mungesa e artit publik është një problem i madh, sipas Gjergjit, për shkak se arti duhet të komunikojë dhe të ngjallë interes publik.
Andi Tepelena, i cili kaloi disa vite në Venecia para se të kthehej në Shqipëri, tashmë organizon festivalin e artit bashkëkohor ndërkombëtar Artkontakt, të cilin e ka drejtuar që nga viti 2007.
Për të, problemi kryesor është mungesa e të kuptuarit të artit bashkëkohor të skulpturës, për shkak se vizitorët presin prezantime realiste të figurave njerëzore me të cilat janë mësuar.
“Artisti bashkëkohor është një artist i angazhuar që prezanton çështje “jo të rehatshme”… por institucioneve shtetërore shpesh nuk ua ndjen ta mbështesin atë,” thotë ai.
Skulptori i mirënjohur Ardian Isufi, i cili është profesor në Universitetin e Artit, thotë se Shqipëria ka nevojë për më shumë aktivitete ku të përfshihen artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
“Ka mungesë aktivitetesh në mbështetje të skulpturës, gjë që duhet të organizohet nga Ministria e Kulturës dhe bashkitë. Këta mund t’i krijojnë artit frymëmarrje dhe t’i mundësojnë artistëve të prezantojnë punët e tyre. Ne kemi nevojë për vepra arti në hapësira publike,” thotë Isufi.
Artistët e rinj këshillohen të ikin:
Përtej Tiranës, e cila vështirë se plotëson nevojat më minimale kulturore për të paktët qytetarë të interesuar për artin, pjesa tjetër e vendit është pothuajse e zbrazur nga përmbajtja kulturore. Kjo do të thotë kohë të vështira për artistët e rinj që dëshirojnë të kenë sukses profesional.
Të diplomuarit e rinj në art kanë pak shpresë për Shqipërinë në përgjithësi. Për vende pune, karrierë, audiencë, sukses dhe njohje, ata duhet të kërkojnë gjetkë.
Besim Tula, një artist dhe kritik i respektuar në bashkësinë shqiptare të artit për shprehjet e tij të pavarura, i vlerësuar gjithashtu nga kryeministri Edi Rama – i cili është piktor nga profesioni – thotë se asgjë nuk ka ndryshuar për artistët që nga rënia e komunizmit.
“Unë i këshilloj artistët e rinj me ambicie të mos qëndrojnë në Shqipëri. Nuk i ofron atyre asnjë mundësi për të shprehur veten në artet pamore. Unë mund të të them ty: në garat për vende pune në institucionet e artit, prioritet kanë ata që janë diplomuar jashtë,” tha Tula për BIRN.
“Për artistët e filmit, veçanërisht të rinjtë, mundësitë janë pothuajse minimale. Por është gjithashtu utopike të mendosh se do të jetosh me filmin si profesion. Nuk mund të gjesh burime alternative financimesh, ndërsa Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka fonde të kufizuara.”
Ledi Kasapi, regjisore e re
Trishtimi i ndjerë nga artistët shqiptarë nuk është thjeshtë rezultat për institucionet disfunksionale në një vend që për dekada pati një nga regjimet më brutale komuniste në botë.
Zhgënjimi reflekton gjithashtu edhe pritshmëritë dhe shpresat e rrëzuara që qenë krijuar në botën e artit nga zgjedhjet në vitin 2013, të cilat sollën në pushtet Edi Ramën, një piktor nga profesioni.
Pritshmëritë qenë të stërmëdha, për shkak se Rama vjen nga një familje artistësh.
Babai i tij, Kristaqi, qe skulptori më i famshëm i kohës së komunizmit. Veprat e tij gjenden në të gjithë vendin, por më së shumti gjenden në Muzeun Kombëtar në Tiranë dhe në Muzeun e Skënderbeut në Krujë.
Skulptura e tij, “Nëna Shqipëri” konsiderohet si një nga skulpturat më përfaqësuese të epokës komuniste. Pritej që pas kësaj, fjali i Kristaq Ramës, i cili mori pushtetin, do të krijohej një mjedis i ri për artistët në Shqipëri.
“Ne përballemi me mungesën e fondeve për letërsinë shqipe. Është shumë e vështirë për ne të punojmë… Botuesit nuk japin para dhe nuk janë të interesuar në punët tona. Mungesa e publikimeve dhe nxitjeve i bën shumë shkrimtarë të talentuar të heqin dorë nga angazhimi serioz që kërkon të shkruarit dhe kërkojnë punë të tjera. ”
Lindita Koman, shkrimtare
Megjithatë, pas dy vjetësh të qeverisjes nga Rama dhe pas më shumë de dy dekadash që nga rënia e regjimit totalitar, artistët sërish e gjejnë të vështirë, jo vetëm që të jetojnë nga ajo çfarë krijojnë por edhe që të jenë të dukshëm në shoqëri.
“Nuk ka treg, nuk ka aktivitete ndërkombëtare… nuk ka garë reale dhe fatkeqësia më e madhe është kur politika merr pjesë në vlerësim. Kështu, unë i këshilloj të rinjtë të ikin nga Shqipëria, për shkak se është më e lehtë për ta të bëhen të famshëm jashtë vendit,” vijon Tula.
“Nëse do të kishin qëndruar në Shqipëri, ne nuk do të kishim artistë të tillë të suksesshëm si Anri Sala në Francë; piktori Ardian Paci në Itali dhe sopranoja e famshme Ermonela Jaho në Amerikë dhe Europë,” argumenton ai.
“Jam i sigurt se në të ardhmen të rinj të tjerë të talentuar do të kthehen si ata që përmenda më sipër, dhe unë nuk dua që ata të dështojnë. Unë i këshilloj ata të gjejnë mënyra të ndryshme që thjeshtë të ikin. Edhe jashtë vendit është e vështirë, por së paku atje ka më shumë mundësi,” shpjegon ai.
Emir Hoxha, një artist dhe profesor i artit pamor në Akademinë e Tiranës është dakord.
“Shumica e tyre [e të rinjve] nuk janë ende të vetëdijshëm se mundësitë reale që do të kenë janë minimale… Përgjigjja duhet të jetë e shpejtë para se pesimizmi të zhgënjejë ambiciet dhe pritshmërinë e tyre,” thotë ai.
Ky artikull është financuar nga projekti Invisible Art, mbështetur nga Claus Fund.