Milioneri belg Serge Muller u ekstradua nga Mali i Zi në Belgjikë, ku përballet me akuzat e trafikimit të kokainës dhe pastrim parash.
Pas një burgosje tetë mujore në Malin e Zi, Serge Muller iu dorëzua policisë belge pasi Ministria Malazeze e Drejtësisë miratoi ekstradimin, thanë avokatët e tij për BIRN.
Muller u ekstradua në fillim të nëntorit nën masa të rrepta sigurie dhe iu dorëzua oficerëve të policisë belge në aeroportin e kryeqytetit Podgoricë.
Ai u ekstradua në bazë të një mandatarresti ndërkombëtar që e akuzonte atë për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar kokaine, pastrim parash të drogës dhe anëtarësi në një organizatë kriminale.
Muller, 59 vjeç, u arrestua në Malin e Zi pas një ceremonie të nënshkrimit të shitjes së Industrisë Malazeze të Mbrojtjes (MDI) me pronësi shtetërore te CPR Impex me bazë në Beograd dhe ATL Atlantic Technology Ltd izraelite, më 4 mars.
Uebsajti i ATL përmbante gjithashtu një zyrë në Ndërtesën e Këmbimit të Diamantit të Entuërp, adresë e disa kompanive të Muller, sipas një investigimi nga një gazetar belg në vitin 2012. Adresa më vonë u fshi.
Muller mohoi të gjitha akuzat dhe avokati i tij tha për BIRN në prill se provat e prezantuara nga Belgjika ishin të “dobëta”.
Zyra Ligjore Djukanoviç, që përfaqësoi Mulleri gjatë paraburgosjes së tij në Malin e Zi, konfirmoi se ai u ekstradua në Belgjikë megjithëse gjykata e apelit në Podgoricë e ktheu tre herë vendimin e gjykatës së një shkalle më poshtë që pranoi kërkesën belge.
“U deshën tetë muaj dhe katër përpjekje për të ekstraduar Mullerin në Belgjikë,” tha firma ligjore në përgjigje me kërkesën e BIRN të hënën.
Muller, një figurë e mirënjohur në kryeqytetin e diamantit në Europë, Entuërp u arrestua vetëm pak orë pasi ishte larguar nga ceremonia e nënshkrimit të shitblerjes në Podgoricë, ndërsa po tentonte të kalonte në Shqipëri në bazë të një lajmërimi të kuq nga Interpol nga Brukseli një ditë më parë.
Në Belgjikë, Muller gjithashtu akuzohet për pjesëmarrjen në një takim në Kili mes anëtarëve të karteleve të drogës dhe një anëtari të organizatës terroriste kolumbiane FARC, sipas të njëjtit burim.
Zoran Damjanoviç, drejtor i MDI, fillimisht konfirmoi se Muller vizitoi zyrat e MDI në Podgoricë si një përfaqësues i ATL Atlantik por më vonë tha se biznesmeni belg u përfaqësua si “një mik i kompanisë Tel Aviv”.
Një zyrtar në gjykatën e Entuërpit me dijeni për çështjen tha për BIRN se përqendrohej te transfertat e kokainës nga Amerika Jugore në Entuërp dhe dyshim për pastrim parash.
Një shtyllë e dikurshme në komunitetin e tregtarëve të diamantit të në Belgjikë, Muller më parë kishte shkaktuar kundërthënie rreth përfshirjes së tij në fushat e minierave të lyera me gjak të diamantit në Sierra Leone dhe marrëveshjeve të diskutueshme të armëve.
Kush është Serge Muller?
Serge Muller bëri emër në biznesin e diamanteve në Belgjikë, duke iu bashkuar kompanisë së familjes së tij “S. Muller and Sons Diamonds NV”, një firmë e famshme me bazë në Antverpen, dekada më parë.
Për vite me radhë ai u mor me biznesin e diamanteve në të gjithë botën – nga Kanadaja në Afrikën e Jugut – duke krijuar pasuri të konsiderueshme dhe një rrjet ndërkombëtar të kompanive.
Kompania e tij më e njohur, “Rex Mining”, u inkorporua në vitin 1990 në Kanada, me një licensë për të tregtuar diamante në Belgjikë dhe aksione në një minierë në Afrikë të Jugut dhe Sierra Leone, një vend famëkeq për të ashtuquajturit ‘diamante të gjakut’- xhevahirë të tregtuar ilegalisht në këmbim të armëve të cilat janë të destinuara për përdorim në luftëra brutale civile.
“Kurrë nuk kemi bërë ndonjë lidhje direkte midis Mullerit dhe ‘diamanteve të gjakut’”, tha për BIRN gazetari belg dhe bashkëautori i librit ‘Diamanti i Zi’ Salvatore di Rosa, i cili investigoi tregtinë e jashtëligjshme të gurëve të çmuar. Por Di Rosa shtoi se ka gjasë që Muller, ndoshta pa dashur, kishte “bërë biznes me njerëz që merreshin me to”.
Ishte marrëveshja në Sierra Leone ajo që e solli Mullerin në vëmendje të botës.
Roli i Mullerit në tregtinë e turbullt të diamantit në Sierra Leone u dokumentua në “The Heart of the Matter” (Thelbi i Problemit), një raport i hartuar nga OJQ-ja “Partneriteti Afrikë- Kanada”, i cili solli në vëmendje çështjen e diamanteve të përgjakur për herë të parë në vitin 2000. Sipas raportit, “Rex Mining” punoi përkrahë biznesit të diamantit, duke ofruar një ‘element anarkik’ në këtë industri.
Muller u përfshi gjithashtu edhe në furnizimin me armë të Sierra Leones. Në vitin 1998, ai shiti motorë, pjesë dhe municione për helikopterin e vetëm luftarak shtetëror, të cilin qeveria e përdori për të luftuar Frontin e Bashkuar Revolucionar (RUF), armatën rebele të Sierra Leones, në një luftë 11 vjeçare nga viti 1991 deri në 2002.
Ai është cituar në një artikull të Washington Post të botuar në vitin 1999 të ketë thënë se “marrëveshjet e armëve nuk kishin lidhje me aktivitetet e ‘Rex Mining’”.
Por besohet se puna e armëve kishte lidhje me koncesionet në fushat e diamantit në Zimmi dhe Tongo.
Sipas raporteve vjetore të “Rex Mining”, të cilat janë ende të disponueshme në faqen e saj të internetit, lufta solli probleme të mëdha sigurie për aktivitetet minerare të firmës. Pastaj në vitet 2003 dhe 2004, qeveria e Sierra Leones anuloi marrëveshjet e qirasë duke thënë se “Rex Mining” nuk i është përmbajtur kushteve të marrëveshjes origjinale.
Muller nuk arriti t’i informonte dot aksionerët e tij kanadezë në lidhje me problemet rreth licensës dhe, në vitin 2009, “Ontario Securities Commission” e urdhëroi atë të japë dorëheqje nga “Rex Mining” për një periudhë 10 vjeçare dhe të paguajë shpenzimet e gjykatës në shumë prej 40 mijë dollarësh kanadezë.
Ai u kthye në Sierra Leone në vitin 2012, nderisa vendi ziente nga zgjedhjet, përsëri duke furnizuar qeverinë me armë. Një tjetër nga kompanitë tjera të tij në Sierra Leone, “Amylam”, i shiti armë kineze me një vlerë prej 5 milionë dollarësh amerikanë strukturave policore paraushtarake – Divizionit të Shërbimeve Operacionale. Marrëveshja ngriti shqetësime nëse armët do të përdoreshin për të siguruar fitoren e zgjedhjeve të presidentit Ernest Bai Koroma dhe nxiti kritika nga OKB-ja, edhe pse s’ishte e paligjshme.
“Amylam” ishte gjithashtu e përfshirë në një çështje gjyqësore në Afrikën e Jugut për dyshime se kishte furnizuar me armë të cilësisë së dobët.
Ortaku i tij në biznes, Petar Crnogorac, tha për BIRN se para se të arrestohej në Mal të Zi, ai ishte marrë në pyetje nga Agjencia e Antidrogës e SHBA-ve dhe policia belge.
“Avokatët e tij na thanë se z. Muller ishte marrë në pyetje nga policia belge në shtëpinë e tij në Zvicër në gusht të vitit 2012 kur ai dha informacione të detajuara rreth të gjitha aktiviteteve të tij profesionale”, tha ai.
“Gjithashtu, me dëshirën e tij, ai shkoi në ShBA për t’u marrë në pyetje nga agjenti special Michael Menzer i Agjencisë së Antidrogës”.
Dokumentet e gjykatës nga Belgjika, të siguruara nga Salvatore di Rosa, tregojnë se firma e Muller, “Rex Mining”, ishte lidhur me një çështje të madhe të dyshimtë për kontrabandë kokaine.
Trafikantët e dyshuar u liruan në apel, por Muller u listua si një “palë e interesuar” dhe rezultoi që policia gjeti një diamant rozë 10 karatësh me vlerë rreth 500 mijë euro në një kasafortë që kishte lidhje me grupin.
Gjithashtu rezultoi se Muller i kishte dhënë hua drejtuesit të grupit, i quajtur Bruno M., një shumë prej 1 milion eurosh.
Muller ishte gjithashtu i njohur për sponsorizimin e “Diamond Bullet”, një çmim letrar flamand për romanin më të mirë kriminal në gjuhën holandeze.
Historia e tij mund të jetë temë për një nga shumë shkrimtarët që ai ka ndihmur duke i promovuar gjatë dekadës së fundit.
Fundi i kësaj ‘përralle’ mbetet ende i pashkruar.