

Mihaela Duduta është e ulur përpara një kompjuteri në një dhomë me mure blu në shtëpinë e saj të vogël në Rumani duke u përpjekur të rregullojë mikrofonin.
42-vjeçarja po bëhet gati për video-telefonatën e saj të parë, që do të jetë një nga bisedat më të rëndësishme të jetës së saj dhe që mua më kanë ftuar ta dëshmoj.
Ajo do të shohë dhe dëgjojë vajzën e saj për herë të parë që kur e dha për adoptim në verën e vitit 1991 te një familje amerikane nga shteti i Merilendit.
Ajo ishte vetëm 17 vjeçe kur lindi Milica, që tani quhet Jocelyn. I dashuri i saj i atëhershëm nuk donte të kishte të bënte me fëmijën, ndaj gjyshi i Mihaels vendosi që mbesa ta jepte për adoptim.
24 vera më vonë, Mihaela po mbledh luleshtrydhe në Spanjë, një nga dy milionë migrantët rumunë që punojnë jashtë shtetit për të ndihmuar familjet në shtëpi.
Burri i saj telefonon nga fshati i tyre në juglindje, pranë kufirit me Bullgarinë.
“Do të pyes drejt,” i tha Valentin, “a ke dhënë një vajzë për adoptim në SHBA?”
Zemra e Mihaelës ndaloi për një çast. Në gjithë këto vite ajo nuk kishte dëgjuar për Milican. E trembur nga programet televizive për trafikimin e fëmijëve rumunë, frika e saj më e keqe kishte qenë se mos Milica kishte vdekur dhe se organet ia kishin shitur. Pas adoptimit Mihaela ishte futur në depresion dhe e kishte pasur të pamundur të hante apo të flinte.
“Po, kam dhënë,” u përgjigj ajo me një zë të dridhur. Ajo nuk i kishte thënë asgjë Valentinit për vajzën që kishte pasur përpara se të takoheshin.
“Epo,” i tha ai, “një grua nga bashkia të kërkon. Besoj se vajza po përpiqet të të gjejë”.
Mihaela, që ka gjithashtu djem të moshës 8 dhe 10 vjeç, la gjithçka dhe u kthye në shtëpi javën tjetër. “Nuk kisha shpresuar kurrë ta arrija këtë ditë,” thotë ajo. “Mendova se Milica kishte ikur prej kohësh”.
Mihai dhe Tomian ishin tepër entuziastë të mësonin se kishin një motër amerikane. Ata mburreshin rreth kësaj, duke i thënë shokëve se ajo ishte motra më e bukur në botë dhe filluan të praktikonin anglishten që kishin mësuar nga shkolla.
Kur Mihaela u kthye në shtëpi, instaloi internetin dhe disa ditë më vonë, vajza dhe nëna filluan të shkruanin në Facebook.
“Shpresoj të më falësh për gabimin në dhënien tënde,” ishte një nga mesazhet e para për Jocelyn, që përdori një aplikacion online të përkthimit në rumanisht.
“Isha fëmijë. Jam mirënjohëse që prindërit e tu të kanë rritur. Je shumë e bukur”.
Aspak jetimë
Histori si kjo – disa me një fund të lumtur, të tjera jo – po shumëfishohen teksa një brez rumunësh të adoptuar jashtë shtetit në kaosin e rënies së komunizmit të rritur në moshë fillojnë të pyesin se nga kanë ardhur.
Përpjekja për ta zbuluar mund të jetë një proces plot vështirësi, me rrugë qorre dhe acarim, por për shumë për ta, ia vlen në fund.
Në 1989, pasi Rusia liroi zinxhirin, europianët e lindjes shpëtuan nga regjimet komuniste. Pas shumë revolucioneve paqësore kudo, gjërat qenë pak të hidhura për Rumaninë, ku dikatori Çaushesku u përball me një fund të përgjakshëm dhe varfëria që ai la pas u ekspozua.
Një dokumentar për 20/20 të ABC zbuloi te amerikanët e shokuar mjerimin e jetimoreve rumune ku fëmijët, të lënë në harresë dhe ndonjëherë të zhveshur thuajse po vdisnin urie. Ofertat për t’i birësuar ata vërshuan dhe shumë fëmijë u larguan me pak kontroll nga një shtet thuajse jofunksionant.
Shumë prej këtyre fëmijëve nuk janë aspak jetimë. Çaushesku, duke dashur një popullatë më të madhe, kishte ndaluar abortin dhe kontraceptivët. Por shumë rumunë ishin tepër të varfër për të rritur fëmijët që ai kërkonte dhe i braktisën masivisht.
Fëmijët gjithashtu përfunduan duke u adoptuar drejtpërdrejt nga prindërit e varfër, që shpesh përmes një pagese, për fëmijët që nuk mund të përballojnë t’i rrisin. Shumë vijnë nga minoriteti më i madh dhe më i varfër i vendit, romët.
Nuk ekzistojnë shifra për adoptimet në ato vite kaotike të viteve 1993. Autoriteti Kombëtar Rumun për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Adoptimin thotë se që atëherë deri në vitin 2005, rreth 16,000 fëmijë u adoptuan jashtë shtetit, kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.
Bukureshti ndaloi aplikimet e reja për birësime ndërkombëtare në vitin 2001 nën presion nga BE që kritikoi “korrupsionin e shfrenuar” në proces, që shpesh drejtohen nga doktorë lokalë dhe avokatë, pa mbikëqyrjen zyrtare dhe me para.
Rumania iu bashkua BE-së në vitin 2997 dhe që atëherë, megjithëse ekonomia është përmirësuar disi mbetet shteti më i varfër në bllok.
Nga erdha unë?
Sot shumë prej atyre adoptimeve janë të rritur që duan të njohin rrënjët e tyre biologjike.
Letrat e birësimit tregojnë emrat e tyre origjinalë rumunë – shumica të riemëruar nga prindërit e rinj – por shpesh kanë pak detaje.
Zakonisht ata fillojnë me një kërkim të shpejtë online për veten, por kjo rrallë sjell ndonjë sukses të menjëhershëm.
Të adoptuarit kanë ngritur grupe dhe faqe Facebook për të ndarë historitë e tyre online. Disa gjejnë ndihmë sipas kësaj mënyre, ndërsa të tjerë kontaktojnë me autoritetet, kur kjo rezulton burokratike ose e vështirë, ata paguajnë detektivë për të ndjekur të afërmit e tyre.
Autoritetet rumune janë të detyruara t’i japin të adoptuarve informacion rreth familjeve të tyre biologjike dhe për historinë e tyre personale, si dhe t’i lënë ata të kontaktojnë familjet.
Gabriela Coman, kreu i Autoritetit Kombëtar për adoptim, thotë se numrat e të adoptuarve që kërkojnë për ndihmë janë rritur konsiderueshëm në katër vitet e fundit.
Në vetëm dy vite, autoriteti ka marrë 214 kërkesa për të gjetur familjet e lindjes, dy e treta e këtyre nga jashtë shtetit. Vetëm gjysma e këtyre kanë rezultuar të suksesshme. Në shumë të tjera, të afërmit nuk kanë dashur të kontaktohet ose aplikantët nuk i dinë emrat e prindërve natyror.
Megjithatë, ky numër është i vogël krahasuar me numrin e kërkimit online nga të adoptuarit, që shpesh thonë se rutina zyrtare është e ngadaltë.
Autoriteti ka vetëm dy punonjës për të ndihmuar me kërkimet. Ai e pranon kritikën nga të adoptuarit por thotë se mesatarisht duhen gjashtë muaj për t’i dhënë një përgjigje të suksesshme ose jo.
Ndiqni udhëtimin e mrekullueshëm
Jocelyn Sarvaideo, që u rrit në kudo në Shtetet e Bashkuara pasi i ati ishte në ushtri, tani po studion punë sociale dhe do të bëhet një terapiste. Ajo i dërgoi Autoritetit një email në mars, por thotë se nuk mori përgjigje.
Në qershor, ajo dëgjoi për një faqe në Facebook quajtur “fëmijët kurrë të harruar rumunë” që ka popullaritet në rritje që nga themelimi në janar 2015.
“Faqja ndihmon dhe mbështet familjet të ribashkohen dhe ndjek udhëtimin e tyre të mrekullueshëm,” themeluesja Ileana Cunniffle Baiescu, një rumune 37-vjeçare që jeton në Irlandë shkoi në faqen kryesore.
Në nëntë muajt e parë ajo ishte shumë e kënaqur kur mori thuajse 400 kërkesa nga të adoptuarit, kryesisht nga Amerika e Veriut. Nga këto 56 janë zgjidhur, 148 janë në kërkim dhe 200 të tjera në radhë.
“Këta fëmijë gjithnjë kanë dashur të njohin dhe të takohen me njerëzit që i kanë dhënë atyre jetën,” tha ajo për BIRN. “Ata duan të dinë përse: përse u braktisën, pse u adoptuan dhe përse nuk mbajtën nga prindërit”.
Kur ishte 18 vjeçe, Ileana u largua nga fshati i saj i vogël në rajonin e varfër juglindor dhe u zhvendos në Irlandë për të qenë më pranë vëllezërve që ishin adoptuar në rini. Ajo krijoi faqen sepse donte të gjurmonte vëllain tjetër adoptuar nga një familje amerikane. Kërkimi i saj vazhdon.
“Kam vënë re shumë faqe në Facebook të krijuara nga të adoptuarit rumunë nga e gjithë bota,” Cunniffe thotë. “Fatkeqësisht, një gjë që doja të shihja nuk ishte atje dhe kjo ësht ëndihma dhe mbështetja për të gjurmuar familjet.
Ajo ndihmon të orientojë të adoptuarit te njerëzit që mund t’i ofrojnë atyre ndihmë. Nëse të adoptuarit kanë adresën e familjes biologjike, ajo telefonon bashkinë më të afërt ose stacionin e policisë në ndonjë fshat të largët dhe i shpjegon si qëndron puna. “Ndonjëherë, ata të ndihmojnë vërtetë,” thotë ajo. “Ata shkojnë te familja dhe kontaktojnë”.
Nëse nuk ka adresë, Cunniffe provon online, dërgimi i mesazheve te njerëzit me të njëjtin mbiemër dhe shpesh arrijnë njeriun e duhur.
“Mënyra e tretë është shumë ndihmuese, i drejtohesh një gazete,” thotë ajo. Gazetarët vendas kanë kontakte më të mira.
Megjithatë, sipas saj nuk mjafton.
“Kushdo duhet të gjejë informacion lirshëm, lehtë dhe nuk ka përse të kalohen vite në Facebook me të huaj, të punësohen detektivë privatë apo të çohen nga një institucion në një tjetër.”
Cunniffe thotë se disa njerëz janë këshilluar nga Autoriteti Kombëtar të punësojnë detektivë privat, që shpesh paguhen por nuk gjejnë gjë. Një databazë e saktë kombëtare do të ndihmonte, sugjeron ajo.
“Të gjithë këta fëmijë, që janë gati dhe duan të shkojnë në shtëpi, të gjejnë familjet e tyre, duhet t’i drejtohen vetëm një njeriu për ndihmë”.
Adresa e fundit e njohur – një hostel
Cunniffe më kontaktoi në Facebook, pasi gjeti emrin tim nga gazetarë të tjerë me të cilët kishte kontaktuar dhe më pyeti nëse mund ta ndihmoj të gjurmojë disa familje.
Nga të gjitha çështjet që ajo më dorëzoi, ajo e Jocelyn ishte më e lehta. Ky është mesazhi që ajo i çoi Cunniffe:
“U linda në Scanteia, konteja Iasi, më 21 shtator 1990. Emri i nënës sime biologjike është Mihaela Valentina Duduta. Adoptuar më 18 korrik, 1991. U adoptova nga banesa e gjyshit tim që nuk rezulton në asnjë dokument. Adresa e fundit e njohur e sime mëje ishte një hostel në Bukuresht dhe jetonte atje me një burrë të njohur si Ion. Kaq di”.
“Kalon gjithë jetën duke ditur se njerëzit që quan mama dhe baba nuk janë ata që të dhanë sytë, hundën, buzët apo karakterin,” thotë Jocelyn në një bisedë në Facebook.
Ajo nuk i tha prindërve birësues kur filloi kërkimin vitin 2015. Ajo nuk ndihej gati, të kontaktonte realisht dhe të krijonte një marrëdhënie. Ajo donte vetëm një foto të nënës biologjike. Megjithatë kjo ndryshoi shpejt.
Fillmisht telefonova komunën e fshatit pranë Iasit, një qytet në kufirin verilindor me Moldavinë. Një punonjëse sociale më tha se e njihte të ëmën e Jocelyn, por ajo kishte shkuar në një fshat tjetër disa vite më parë pas një problemi familjar dhe askush nuk e dinte ku ishte.
Ajo tha se do të pyeste dhe një javë më vonë më dha emrin e fshatit. Telefonova komunën dhe shpesh më lidhën me bashkëshortin e Valentinës. Brenda javës tjetër, mamaja dhe vajza po dërgonin mesazhe në Facebook.

Për shumë nga këta fëmijë, nëna është fokusi kryesor i kërkimit, por ata kërkojnë edhe për çdo të afërm që mund të gjejnë.
Ribashkimet kanë të meta. Në disa raste, familjet e varfra fillojnë t’i kërkojnë fëmijëve jashtë shtetit para, disa të adoptuar i thanë BIRN, por nuk donin të identifikoheshin.
Jo të gjithë të adoptuarit janë aq me fat sa Jocelyn në kërkim. Disa kanë punësuar detektivë të shtrenjtë.
Ndërmjetësuesi përdor metoda të ngjashme me Autoritetin Kombëtar, por më të shpejta. Ai udhëton me makinë te adresa e dhënë te letrat e birësimit dhe kur nuk gjen askënd atje fillon të flasë me fqinjët derisa takon familjen.
BIRN foli me një ndërmjetësues që kërkoi të mos përdorej emri i vërtetë. Në të shkuarën ai është akuzuar nga një gazetë rumune për marrje të parave për ndërmjetësimin e birësimeve ndërkombëtare.
Ilie, 60 vjeç, e mohon këtë. “Puna ime e vetme në vitet ’90, kur familjet amerikane vinin në Rumani për të adoptuar ishte të ngisja makinën dhe të përktheja për ta,” thotë ai, ulur në një vilë që ai e zotëron në një fshat jugor.
“Këtë të birësuar kanë një ndjesi zbrazëtie, ata duan ta mbushin atë me informacion rreth motrave dhe vëllezërve të tyre”
-thotë ‘Ilie’
Gruaja e tij Elena i qëndron pranë. Ajo ka flokë biond të shkurtër dhe mban veshur një xhaketë të zezë. Ata kanë punuar së bashku që nga vitet 1990, kur fitonin 50 dollarë dita, para të shumta në atë kohë. Me 50 dollar mund të përballoje një pushim buzë detit,” thotë Elena.
Ata thonë se punuan me 20 çifte nga viti 1993 derisa u ndalua birësimi në 2001 dhe më pas ndryshuan drejtim duke ndihmuar më shumë se 100 të rinj të gjenin familjet biologjike që nga viti 2003.
Ilie thotë se ai merr deri në 600 dollarë për një çështje, por këmbëngul se shumica e tyre shkojnë për kërkimin. Një ish-inxhinier kimik, ai thotë se të ardhurat më të shumta i vijnë nga vila që jep me qira.
Detektivi e fillon punën me një telefonatë në adresën e dokumenteve të birësimit. Nëse nuk i del njeri, ai shkon dhe flet me punonjësit e bashkisë. “Ata shpesh na ndihmojnë sepse e shohin situatën nga një pikë njerëzore”. Ai thotë se e gjithë puna e tij është e ligjshme.
Ilie e merr Elenën me vete bese ajo di të jetë delikate dhe të bëjë pyetjet e duhura. Ndonjëherë ribashkimet i sjellin një shok familjes.
“Shumë prindër shpërthejnë në lot kur i japim lajmin. Shumë fillojnë të fajësojnë veten, të na thonë se janë penduar për atë që kanë bërë. Ne i themi se fëmija është në rregull dhe se nuk është shitur për organe,” thotë ai duke iu referuar frikës së përhapur për të birësuarit. “Mund ta dallosh që kanë jetuar me këtë barrë për vite”.
Kjo kërkon prirje, durim dhe këmbëngulje, thotë ai. Arsye që sipas tij e nxisin shtetin të heqë dorë shpejt.
Ai kujton me krenari se si ia ka dalë të gjurmojë një nënë pavarësisht se iu tha se ajo ishte larguar disa fshatra më tej në një shtëpi pranë një shtylle tensioni dhe një pylli.
Ai ofron shembuj të tjerë kur ka gjetur një familje dhe i ka çuar të adoptuarit një raport të plotë me foto dhe informacionin e duhur – vetëm kur Autoriteti Kombëtar, që është kontaktuar më herët është përgjigjur disa muaj më vonë se familja nuk mund të gjendet.

Ndërsa disa flasin mirë për shërbimet e këtij ndërmjetësesi, një grua – që kërkoi anonimitet – tha se i pagoi atij 500 euro por nuk fitoi gjë sepse nëna e saj punonte në Itali dhe ai nuk mund ta kontaktonte atë. Me kalimin e kohës një kërkim në Facebook u bë një ndihmë më e mirë.
Ilie mbështet fuqishëm rilegalizimin e birësimeve ndërkombëtare.
“Si mund të mos e bësh kur sheh histori të lumtura dhe kur sheh mizorinë ku jetojnë familjet e tyre natyrore? Ndonjëherë i tregoj foto të fëmijëve të tyre në SHBA dhe familjet natyrore qajnë kur shohin jetën e mirë të fëmijëve të braktisur”.
Disa bamirësi për mbrojtjen e fëmijëve dhe legjilatorë gjithashtu mbështesin heqjen e ndalimit, duke thënë se Rumania ka shumë fëmijë në kujdes – rreth 60,000 jetimë. Por ata nuk kanë marrë mjaftueshëm mbështetje në vend ku akuzat për korrupsion lenë ende një shije të keqe.
Ilie thotë se ai nuk do ta harrojë kurrë atë që pa në jetimoret e vitit 1990.
“Përveç erës së tmerrshme apo imazheve që të vrasin sytë, në një vend që vizitova ishte qetësi e plotë. Fëmijët kishin mësuar të rrinin urtë. Ata e dinin se ulërimat nuk ndihmonin, ndaj nuk e shprehnin veten”.
Një ndërmjetësues ndihmoi Jodi Brandes Slein, nga Merilendi, SHBA, të gjejë prindërit biologjikë të djalit të saj pasi ai tregoi shenjat e depresionit kur ishte 16 vjeç, duke ia hedhur fajin adoptimit megjithëse e dinte që në vogëli.
“Çdo fëmijë ka të drejtën të njohë të shkuarën dhe se kujt i ngjajnë. Ata duhet të kenë të drejtën të njohin historinë e tyre, të mirë ose të keqe,” tha Slein. Ajo mendon se kontaktimi i familjes biologjike ishte një ide e mirë, megjithëse djali i saj ka ende rrugë për ta pranuar.
Disa familje kanë përdorur me sukses vetë internetin.
Beta Kaktus, një asistente infermiere nga Solt Leik Siti në shtetin e Utahut, ishte tetë vjeçe kur u birësua në vitin 2001 dhe e mban mend edhe jetën e saj në Rumani. Një familje e varfër me 10 fëmijë, një baba që vdiq në burg kur ajo ishte 4 vjeçe, dhe një nënë që s’i mbante dot dhe i dërgoi katër fëmijët e saj më të vegjël në një shtëpi fëmije dhe më pas në një jetimore.
Një familje amerikane erdhi në atë që ajo mendoi se ishte një vizitë, deri kur ajo dhe tre vëllezërit dhe motrat e saj përfunduan në një avion dhe ishte pikërisht atëherë që ajo kuptoi se jeta e saj po ndryshonte.
Kur u rrit, ajo i kërkoi për vite me radhë në internet rrënjët e saj në Suceava, në Rumaninë veriore, por nuk gjeti asgjë. Dokumentet e saj nuk kishin adresë të shkruar në to. Më pas, krejt papritur një kushëri i dërgoi asaj një mesazh në Facebook kur ajo ishte 18 vjeçe.
“Isha shumë e zemëruar,” thotë Beta. “Më dukej e padrejtë që pasi kalova aq shumë dhe përpjekje për këtë gjë, të ishin ata që do të kontaktonin me mua. Gjithmonë mendoja se do të ishte e anasjellta, kur unë të isha gati.”
Beta mësoi se mamaja e saj ishte vërë shumë fetare dhe mbështetej nga një organizatë misionare ndërkombëtare. Motra e saj e madhe ishte e para që vizitoi Rumaninë, më pas ajo shkoi atje për dy javë.
“Në fillim ishte e çuditshme, sepse nuk e flas gjuhën,” kujton Beta. “Ata nuk m’i ndanin sytë dhe më ofronin ushqim çdo pesë minuta. S’e keni idenë sa kushërinj, xhaxhallarë dhe teze takova! Të gjithë treguan histori për mua kur isha e vogël dhe u ndjeva vërtet keq, sepse nuk njihja asnjë prej tyre.”
Ajo ka më shumë se dy muaj që është kthyer që andej dhe është në konkat të vazhdueshëm me nënën e saj biologjike. Ajo po merr mësime rumanishteje dhe ka në plan një vizitë të tretë atje. Me sa duket, thotë ajo, ajo do të shpërngulet atje, ndoshta të përpiqet të ndihmojë fëmijët e tjerë nëpër jetimore.

Ndërsa fëmijët e birësuar rriten dhe pyesin veten se që nga vijnë, kërkesa për të kontaktuar me prindërit e tyre biologjik vetëm do të rritet. Autoriteti Kombëtarë ka mungesë fondesh dhe kohë vështirësish kjo s’duket të ketë gjasa të ndryshojë, kështu që pjesa më e madhe e të birësuarve do të duhet të gjejnë vetë një rrugëzgjidhje.
Kur babai birësues i Jocelyn, Robert Sarvaideo, erdhi në Rumani në vitin 1991 për ta marrë atë, ai u trondit.
“Në rrugët kryesore të Bukureshtit kishte karroca me kuaj dhe ciganë që lypnin rrugëve, me fëmijë të palarë dhe të zhveshur pranë tyre, nëse doje bukë, duhej të zgjoheshe herët para se ajo të shitej e gjitha,” tha ai në një email.
Jocelyn ishte një fëmijë i bukur, me “qerpikë të gjatë dhe të bukur”. Sarvaideo thotë se ajo dukej që në fillim si pjesë e familjes.
Ai dhe gruaja e tij e dinin se një ditë, ajo do të fillonte të kërkonte prindërit e saj biologjikë dhe ata e inkurajuan atë.
Komunikimi i parë me video shkon mirë. Jocelyn është me pushime me të dashurin e saj në plazh. “Kur do të vish të na takosh?” e pyeta Mihaela në rumanisht. Jocelyn i thotë asaj se duhet të fitojë para për të paguar udhëtimin.
Mihai dhe Tomian shikojnë për disa minuta motrën e tyre në ekran dhe pastaj fillojnë të hidhen nga gëzimi. Ata e përshëndesin, i dërgojnë puthje dhe bëjnë forma zemre me duart e tyre.
“Jam shumë e lumtur për ritakimin,” më thotë Jocelyn më vonë. “Jam mirënjohëse që vazhdova kërkimin tim dhe qesh në gjendje të gjeja njerëz kaq të mrekullueshëm. Ndihem e çliruar që kam realizuar një qëllim që kisha në jetë. Tani s’kam pse të vras më mendjen apo të pyes për ekzistencën time.”

Ky artikull u realizua si pjesë e Inciativës Alumni të Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.