Prishja e marrëdhënieve diplomatike mes Iranit dhe Arabisë Saudite është një pikë kthese e rrezikshme në një rajon të paqëndrueshëm dhe të shkatërruar nga lufta. Këmbëza që e shkrepi krizën qe ekzekutimi i një sheiku shia nga Sauditët, por mosmarrëveshja i ka rrënjët te rivaliteti strategjik që shtrihet në të gjithë Lindjen e Mesme.
Tensionet mes dy vendeve kanë qenë të ashpra prej shumë dekadash, por mosmarrëveshjet u bënë veçanërisht akute pas Revolucionit Islamik të Iranit në vitin 1979. Udhëheqësi i revolucionit, Ajatollah Ruhollah Khomeini, nuk e fshihte neverinë e tij për familjen mbretërore Saudite; ai me shpejtësi e pozicionoi Iranin si një mbështetës të “të shtypurve” kundër “forcave të arrogancës” – Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet vendës, Arabia Saudite dhe Izraelin.
Por ndërsa rivaliteti kishte komponentë sektarë dhe ideologjikë, ajo është, para së gjithash, një mosmarrëveshje pragmatike mbi interesa rajonale. Për shkak se Irani e sheh rendin politik në botën arabe si shërbëtore të interesave të armiqve të vet, është përpjekur në vazhdimësi ta destabilizojë atë, duke promovuar grupime terroriste dhe duke mbështetur forca indirekte në mënyrë që të krijojë dhe zgjerojë ndikimin e vet në rajon. Aktorët jo-shtete që Irani ka mbështetur përfshijnë pelegrinët sherrxhinj në Meka, atentatorë vetvrasës në Liban dhe militantët Hezbollah, të cilët kanë kryer sulme kundër Izraelit dhe, së fundmi, kanë luftuar grupimet rebele të mbështetur nga sauditët në Siri.
Deri në fillim të këtij shekulli, përgjigjja e Arabisë Saudite qe e vakët; ajo u përpoq të krijonte një ligjshmëri Islamike përmes zbatimit të rreptë të diktateve fetare në shtëpi dhe mbështetjes së kauzave të çlirimit të myslimanëve jashtë vendit ku rastet më të njohura janë Afganistani dhe Bosnja. Por në dekadat e fundit, lufta e ftohtë mes dy fuqive rajonale është nxehur.
Pas pushtimit të Irakut në vitin 2003 i cili solli krijimin e një qeverie të dominuar nga shiat në Bagdat, sundimtarët e Arabisë Saudite kanë parë të alarmuar se si Irani zgjeroi ndikimin e vet nëpër të gjithë Lindjen e Mesme. Në vitin 2006, Hezbollahu luftoi Izraelin deri në ndalim në Liban. Pastaj, më 2014, rebelët shia Huthi, një grup tjetër indirekt i varur nga Irani – pushtoi kryeqytetin e Jemenit. Në pallatet mbretërore në Riad, perspektiva e një kryengritjeje të mbështetur nga iranianët në Bahrein – apo në vetë Arabinë Saudite – filloi të duket gjithnjë e më e mundshme, gjë që shkaktoi alarm.
Gjërat mbërritën në pikën pa kthim më 2015, kur SHBA-të anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (plus Gjermania) arritën një marrëveshje bërthamore me Iranin, duke rënë rakord të hiqnin sanksionet ekonomike ndërsa i lejuan këtij vendi të mbajë ndikimin e vet rajonal. Ndërsa forcat thuajse-Iraniane apo aleatët e Iranit veprojnë në Siri, Irak, Liban dhe Jemen, udhëheqësit e Arabisë Saudite ndjejnë se janë gjithnjë e më shumë të rrethuar. Që kur Salman bin Abdulaziz Al Saud hipi në fron në janar 2015, synimi kryesor strategjik i mbretërisë ka qenë të pengojë dhe pakësojë ndikimin e Iranit – me apo pa ndihmën e SHBA-ve.
Fushëbetejat kryesore të këtij rivaliteti janë Siria dhe Jemeni. Në Siri, Arabia Saudite është përkushtuar që të rrëzojë Presidentin Bashar al-Asad, një aleat kyç iranian dhe ka punuar për të bashkuar grupimet e opozitës tërësisht të paorganizuara. Irani, nga ana e vet, vijon ta mbështesë Asadin, me ndihmën e Rusisë.
Lufta është kthyer në një batak. Asnjë palë nuk është në gjendje të përparojë dhe dhuna ka gjasa do të vijojë. Një përpjekje e kohëve të fundit e udhëhequr nga SHBA për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje në Liban, u krye me shpresën se ajo do të sjellë një arritje paqeje edhe në Siri, por përpjekja ra viktimë e mosbesimit mes dy vendeve. Marrëveshja e propozuar për ndarjen e pushtetit do ta kishte zëvendësuar Asadin me një nga aleatët e tij dhe do të vendoste si kryeministër një klient të vjetër të sauditëve. Por ndërsa sauditët u shprehën të gatshëm ta pranonin marrëveshjen, Irani e refuzoi atë pasi Hezbollahu i bllokoi të dy kandidatët.
Në Jemen, Arabia Saudite dhe aleatët e vet suni nisën një fushatë ushtarake në mars 2015 e cila përfundoi shpejt në një rrugë qorre. Luftëtarët Huthi pro-iranianë dhe forcat besnike të ish presidentit Ali Saleh luftuan përballë një force të jemenitëve të jugut të mbështetur nga fuqia ajrore e Arabisë Saudite, Emirateve dhe forcave të tyre speciale. Bisedimet për ta zgjidhur konfliktin kanë dështuar. Në mungesë të një sulmi tokësor dhe pushtimi – gjë që ka pak gjasa të ndodhë për shkak të potencialit për viktima në shkallë të gjerë – lufta ka gjasa që do të vijojë pa zgjidhje.
Ekzekutimi i al-Nimr në Arabinë Saudite qe pjesë e një shtypjeje më të gjerë të opozitës vendëse; sheiku qe një nga 47 njerëzit e ekzekutuar nën akuzën e ekstremizmit, por vetëm katër prej tyre qenë akuzuar si militantë suni mbështetës të Al Kaedës. Reagimi i Iranit dhe mbështetësve të tij – me protesta të dhunshme anti-saudite, jo vetëm në Teheran, ku ambasada e mbretërisë u plaçkit, por edhe në Irak dhe Bahrein – thjesht zbuluan thellësinë e armiqësisë dypalëshe.
Në terma afatshkurtra, përgjigjja e Iranit i ka dhënë përfitime sundimtarëve të Arabisë Saudite, duke bashkuar sunitë brenda dhe jashtë mbretërisë dhe duke shtyrë drejt heshtjes kundërshtarët e tyre xhihadistë. Por pa ndonjë ndërhyrje të jatshme për t’i ulur palët në një tryezë pazari, rivaliteti do të pengojë përpjekjet për të stabilizuar Lindjen e Mesme dhe mund të sjellë përshkallëzime, duke e bërë situatën sakaq të keqe në rajon, akoma edhe më kaotike.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Middle East’s Cold War