Vdekja e kriminelit serb të Bosnjës Zdravko Tolimir e çon në 12 numrin e të pandehurve të Gjykatës së Hagës, të cilët kanë vdekur ndërsa ishin në gjyq ose prisnin të kryenin dënimet e tyre.
Kur Zdravko Tolimir, ish-shefi i inteligjencës i Shtabit Kryesore të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, i cili ishte dënuar për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica, vdiq në njësinë e paraburgimit të Gjykatës së Hagës në fillim të kësaj jave në moshën 67 vjeçare, ai theksoi edhe njëherë një problem të vazhdueshëm për gjykatën e OKB-së.
Sipas gjykatës, mosha mesatare e të arrestuarve aktualë është 63 vjeç – dy herë më e lartë sesa ajo e burgjeve europianë – dhe duke qenë se janë plakur, 12 prej tyre janë sëmurur dhe kanë vdekur para përfundimit të gjykimit të tyre ose ndërsa presin të shlyejnë dënimet e tyre.
Grupet e viktimave kanë thënë se ndihen të mashtruar nga drejtësia nëse një një kriminel lufte vdes para se të kryejë të gjithë dënimin e tij.
“Mund të them vetëm se është një turp që shumë kriminelë lufte nuk jetojnë më për të kryer dënimet e tyre, të cilat ata i merituan për shkak të atyre që bënë,” tha Hatidza Mehmedoviç, presidente e shoqatës Nënat e Srebrenicës, pas vdekjes së Tolimirit.
Njësoj si Tolimiri, shumë nga të pandehurit e moshuar kanë probleme shëndetësore – sëmundje kardiovaskulare, probleme me kockat, kolesterolin e të lartë ose diabetin.
Ish-lideri ushtarak serb i Bosnjës Ratko Mlladiç është raportuar se ka pësuar dy infarkte gjatë viteve të fundit dhe shumë viktima druhen se ai nuk do të jetë mjaftueshëm gjatë për t’u përballur me vendimin në gjyqin e tij për gjenocid dhe krime lufte.
Ish-presidenti serb i Bosnjës Radovan Karaxhiç ndërkohë shtatorin e kaluar tha se ai ishte i shqetësuar për numrin e sëmundjeve të rënda të raportuara ndër të burgosurit e Gjykatës së Hagës, dhe i kërkoi OKB-së të hetojë për këtë.
“Është e pazakontë që një numër i tillë sëmundjesh të ndodhë në një vend kaq të vogël,” tha ai në gjykatë.
Karaxhiç kërkoi një hetim mbi mënyrën sesi burgu ndikon në shëndetin e të burgosurve, bazuar në pretendimet se 11 të burgosur vuanin nga sëmundje malinje që kur ishin arrestuar në verën e vitit 2008.
Sistemi i burgimit në Hagë nuk është projektuar “për njerëz të brishtë në moshën e tretë”, u shpreh ai – edhe pse të ndaluarit aty kanë të akses në një spital privat si edhe një mjek të përgjithshëm.
Por lirimi i të pandehurve për trajtim mjekësor në vetë vendet e tyre përbën një tjetër lloj problemi.
Kur lideri i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Sheshel, i cili po gjykohet për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi, mbërriti në Beograd në nëntor të vitit 2014 pasi iu dha lirim i përkohshëm për trajtim mjekësor, ai u mirëprit si hero nga mbështetësit e tij.
Shesheli organizoi tubime nacionaliste dhe përdori retorikë provokuese që zemëroi grupet e viktimave dhe vendet fqinje. Ai tha gjithashtu se nuk kishte ndërmend të kthehej në Hagë për vendimin e gjyqit të tij.
Në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Hagës e urdhëroi atë të kthehej në paraburgim, duke thënë se 61-vjeçari ka “shkelur parakushtet thelbësore për lirim të përkohshëm”.
Shesheli e injoroi gjykatën, duke e sfiduar qeverinë serbe ta rikthente atë atje me forcë. “Le të shohim se si kryeministri serb Aleksandër Vuçiç dhe presidenti Tomislav Nikoliç do të më arrestojnë tani,” tha ai duke i sfiduar ata.
Ende nuk ka ndonjë shenjë që të tregojë nëse ai do të kthehet në Hagë në kohë për vendimin e tij këtë vit, ndërsa partia e tij po përgatitet për të kundërshtuar zgjedhjet e ardhshme serbe – sondazhe të cilat tregojnë se Shesheli vazhdon të dalë në titujt kryesorë të gazetave.
Prillin e kaluar, gjykata urdhëroi gjithashtu lirimin e përkohshëm të liderit rebel kroat të Serbisë të kohës së luftës Goran Haxhiç për t’u kuruar nga kanceri, duke e lejuar atë të kthehet në Serbi për trajtim.
Haxhiç,57 vjeç, u diagnostikua me kancer në tru. Ai po përballet me 14 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë përfshirjes së tij në largimin e detyruar dhe vrasjen e mijëra jo-serbë civilë nga Kroacia mes viteve 1991 dhe 1993.
Por në qershor të vitit të kaluar, ekipi i tij i mbrojtjes tha në një mocion në gjykatën e mbështetur nga OKB-ja se gjykimi nuk mund të përfundojë gjatë kohës që atij i ka mbetur për të jetuar.
“Ndarja e tij nga familja e tij në ditët që i kanë mbetur për të jetuar do të ishte shkelje e mirësjelljes themelore të njeriut,” tha ai.
Prognoza mjekësore në lidhje me kohën që i ka mbetur Haxhiçit për të jetuar u hoq nga mocioni.
Ndër ata që kanë vdekur në njësinë e paraburgimit të Gjykatës së Hagës janë ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviç, i cili po gjykohej për gjenocid dhe krime të tjera.
Milan Kovaceviç, i cili ishte në gjyq për krime lufte në Prijedor në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe kryetari i komunës së Vukovarit, Slavko Dokmanoviç, vdiqën gjithashtu gjatë kohës që ishin në paraburgimin e gjykatës.
Disa të pandehur që janë dënuar, por po prisnin të kryenin dënimin e tyre dhe janë liruar përkohësisht, gjithashtu kanë vdekur para se të ktheheshin në burg , përfshirë këtu edhe serbët e Bosnjës Drago Nikoliç dhe Milan Gvero, të cilët ishin dënuar respektivisht me 35 dhe 5 vjet burg për rolet e tyre në masakrat e Srebrenicës.
Ndërkohë Momir Taliç vdiq ndërsa ishte me leje të përkohshme gjatë gkyqit të tij për krime lufte në rajonin e Krajinës, ashtu si edhe ish-komandanti i Ushtrisë Boshnjake Rasim Deliç, i cili u dënua me tre vjet burg për krime lufte në Zavidovici në Bosnje dhe Hercegovinë.
Një tjetër ish-luftëtar i Ushtrisë Boshnjake, Mehmed Alagiç, vdiq para se gjyqi i tij të përfundonte, njësoj si edhe ish-luftëtari serb i Bosnjës Djordje Djokiç, që u akuzua për krime lufte në Sarajevë.
Dy të dënuar të tjerë të Gjykatës së Hagës vdiqën ndërsa kryenin dënimet e tyre: Mile Mrksiç, u dënua me 20 vjet burg për krime në Vukovar, vdiq në burg në Portugali, ndërsa Milan Babiç po kryente 13 vjet burg për krime lufte në Republikën e vetëquajtur të Krajinës Serbe, vdiq në një burg në Britani.
Nëntë të pasitur të tjerë vdiqën gjithashtu ose u vranë para se ata të dërgoheshin në Gjykatën e Hagës.
Më famëkeqi prej tyre ishte zoti serb i luftës Zeljko Raznatoviç, i njohur ndryshe si Arkani, i cili u akuzua se i urdhëroi Tigrat e tij paraushtarakë të kryenin disa nga krimet më brutale të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Arkani u qëllua në hollin e Hotel “Intercontinental” në Beograd në vitin 2000, duke i hequr kështu të gjitha viktimave të tij kënaqësinë për ta parë pas hekurave.
Asnjë nga Tigrat e tij nuk është dënuar ndonjëherë për krime lufte.
“Arkani u vra dhe bashkë me të u harrua edhe e gjithë çështja,” tha në një hetim të BIRN Emir Musli, i cili pa njerëzit e Arkanit të abuzonin me boshnjakët në qytetin e tij të lindjes Biheljinë në vitin 1992.