Presidenti Bujar Nishani deklaroi sot se ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese për mosveprimin e Kuvendit të Shqipërisë, duke sugjeruar se emërimi i ministrave të rinj Ahmetaj dhe Ekonomi do të shtyhet për më vonë.
Presidenti i republikës Bujar Nishani bëri të ditur sot se nuk ka ndër mend të dekretojë dy ministra të rinj të qeverisë “Rama” pa marrë më parë miratimin e dekreteve të shkarkimit të dy ministrave të mëparshëm Cani dhe Ahmetaj dhe se i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të interpretojë situatën, duke sugjeruar se emërimi i dy ministrave do të kërkojë kohë.
Ecejakja e dekreteve dhe mosmiratimi nga ana e Nishanit e shkarkimit dhe emërimit të anëtarëve të qeverisë njëherësh, siç është vepruar zakonisht në të shkuarën, ka ngritur spektrin e një krize të mundshme kushtetuese, në të cilën, presidenti po sfidon maxhorancën parlamentare, ndërsa qeverisja hyn në një situatë vakumi, ku dy ministra janë shkarkuar por nuk janë zëvendësuar ende.
Në një njoftim për shtyp, Presidenti Nishani deklaroi se kërkonte që Kuvendi i Shqipërisë të miratonte dy dekretet e shkarkimit të dy ministrave, ndërkohë që ai vetë nuk ka shpallur dy dekretet e emërimit të ministrave të rinj.
“Kjo situatë ka krijuar një ngërç, pasi Presidenti nuk ka proceduar me emërimin e dy Ministrave të tjerë, që zëvendësojnë dy Ministrat e shkarkuar,” shkruhet në letrën e Presidentit për Gjykatën Kushtetuese.
Problemi nisi më 16 shkurt, kur Kryeministri Edi Rama, shkarkoi Ministrin e Financave Shkëlqim Cani dhe Ministrin e Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj. Ai e emëroi Ahmetajn në postin e Ministrit të Financave dhe Milva Ekonomin në postin e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik.
Më 17 shkurt, Presidenti Nishani dekretoi shkarkimin e ministrave Cani dhe Ahmetaj, por refuzoi të dekretojë ministrat e rinj Ahmetaj dhe Ekonomi, me argumentin se dekretimi i tyre duhej të vinte pasi Kuvendi i Shqipërisë të miratonte dekretet e shkarkimit.
Kjo është një dalje nga e zakonshmja në historinë e re të Shqipërisë, ku zakonisht, dekretet për shkarkim dhe emërim ministrash janë shpallur njëkohësisht nga Presidenti i Republikës dhe janë shqyrtuar njëkohësisht nga Kuvendi i Shqipërisë.
Qeveria iu përgjigj Presidentit Nishani përmes Ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, e cila deklaroi se presidenti mund t’i nënshtrohet procedurës së shkarkimit nëse refuzon të kryejë funksionet kushtetuese.
Sipas nenit 98 të Kushtetutës, Presidenti ka shtatë ditë kohë që të kryejë emërimet, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka dhjetë ditë kohë që të shqyrtojë dekretet e shkarkimit dhe emërimit. Por presidenti ka kaluar deri tani 4 ditë deri tani dhe afati kushtetues për emërimin e ministrave të rinj skadon të martën më 23 shkurt. Ndërkohë, kërkimi i interpretimit nga Gjykata Kushtetuese ka gjasa do të djegë edhe më shumë ditë.
Afati kushtetues dhjetëditor i Kuvendit për të shqyrtuar dekretet e shkarkimit mbaron më 26 shkurt.