Vetë autoritetet gjyqësore të Kosovës do të marrin përsipër shumicën e përgjegjësisë për sistemin gjyqësor nga EULEX, por shumë ekspertë pyesin veten nëse ato janë në lartësinë e duhur për këtë detyrë.
Marrëveshja e fundit midis Shërbimit të Jashtëm të BE-së, EEAS, dhe qeverisë së Kosovës, ka krijuar një rol të ri në në sistemin gjyqësor, duke forcuar përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës dhe duke zvogëluar autoritetin e EULEX-it.
Zhvillimi është një moment historik në procesin e njohjes graduale ndërkombëtare të Kosovës si dhe në marrëdhëniet e saj me BE-në.
Megjithatë, ndryshimet janë një provë e madhe për sistemin e sundimit të ligjit të Kosovës, i cili shihet ende si shumë i dobët.
Marrëveshje të reja për sistemin gjyqësor të Kosovës u theksuan në letrat e shkëmbyera midis presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini.
“Shkëmbimi i letrave pasqyron situatën e re dhe thekson se tani në krye janë Policia e Kosovës dhe autoritetet gjyqësore,” tha zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijanciç, për BIRN.
Letra e Thaçit e datës 9 qershor, të cilën Mogherini e pranoi në letrën e saj më 15 qershor, theksoi se autoritetet e Kosovës “nuk do të kërkonin më përfshirjen e EULEX-it në çështje të reja me përjashtim të rrethanave të jashtëzakonshme”.
Kushtet e reja të angazhimit të EULEX-it bazohen në këtë letër në të cilën Thaçi mbështeti idenë e shtyrjes së mandatit të EULEX-it deri më 15 qershor 2018 dhe u zotua se institucionet e Kosovës “do të pranonin përgjegjësinë për të siguruar një mjedis të favorshëm për t’iu kundërvënë krimeve të rënda, siç janë krimi i organizuar dhe korrupsioni”.
Kushtet e rëna dakord limitojnë në mënyrë efektive mandatin dhe autoritetin e EULEX-it, i cili u themelua për të mbikëqyrur sistemin e sundimit të ligjit të Kosovës menjëherë pasi ajo shpalli pavarësinë në vitin 2008.
EULEX u vendos në Kosovë menjëherë pas pavarësisë, kur BE-ja miratoi një vendim për të formuar një mision të sundimit të ligjit, siç u kërkua nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Mandati i tij u shty dy herë, fillimisht më 4 shtator 2012 dhe më pas më 14 prill 2014. Zgjatja e fundit kufizon aftësinë e EULEX-it për të hapur hetime të reja penale më vete.
Por prokurorët e EULEX-it ende mund të marrin përsipër çështje me kërkesë të Kryeprokurorit të EULEX-it, ose me kërkesë të autoriteteve të Kosovës, nëse ata i aprovojnë kërkesa të tilla. Kryeprokurori i EULEX-it mbetet një homolog i drejtpërdrejtë i kryeprokurorit të Kosovës.
Në mënyrë të ngjashme, raste të reja mund të merren përsipër nëse kjo gjë kërkohet nga kryegjyqtari i EULEX. Prokurorët dhe gjykatësit e EULEX në të kaluarën kanë hetuar pothuajse të gjitha çështjet që kishin të bënin me krime serioze dhe të nivelit të lartë. Sipërmarrje tilla nuk kërkojnë miratim nga autoritetet gjyqësore të Kosovës.
Ndërkohë që në disa raste policia e Kosovës, prokuroria dhe sistemi gjyqësor kërkuan përfshirjen e EULEX me nismën e tyre, ata shpesh u desh të ndiqnin pa shumë dëshirë mënyrën si EULEX trajtonte çështje pa kërkuar pëlqimin e autoriteteve gjyqësore të Kosovës.
Një burim nga qeveria e Kosovës, duke folur në kushte anonimiteti, tha për BIRN se pas shtyrjes së fundit të mandatit të EULEX në prill të vitit 2014, EULEX shkoi në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, KGJK, dhe kërkoi të gjitha dosjet e çështjeve, për të vendosur se me cilat çështje donte të merrej.
“Kemi vënë vazhdimisht në pikëpyetje autoritetin e tyre për të vendosur për këto lloj transferimesh. Përveç kësaj, kërkuam një përkufizim të saktë të përfundimit të mandatit të EULEX,” shtoi burimi.
Megjithatë, zyrtarët ndërkombëtarë të përfshirë në sistemin e sundimit të ligjit e mbanin mend ndryshe atë situatë.
“EULEX kryesisht iu përgjigj kërkesave nga autoritetet e Kosovës për mbështetje në çështje të profilit të lartë dhe çështje të ndjeshme, ku përfshihen krim i organizuar dhe ndonjëherë politikanë të nivelit të lartë, me të cilat autoritetet e Kosovës nuk mund të merreshin me për shkak të frikës nga ndërhyrjet politike apo të tjera,” tha për BIRN një burim ndërkombëtar.
“Këto kërkesa u bënë nga policia, prokuroria dhe sistemi gjyqësor në disa shkallë,” shtoi burimi.
Mandati i ri shumë i reduktuar
Në përputhje me marrëveshjen midis Thaçit dhe Mogherinit, autoritetet gjyqësore të Kosovës tani do të marrin përsipër të gjitha kompetencat e EULEX-it, përveç në rastet kur është e pamundur për ta bërë këtë.
Kjo e fundit i referohet kryesisht përfshirjes së komunitetit serb në sistemin gjyqësor të Kosovës, administrimit të drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës në veriun e drejtuar nga serbët dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.
Mandati i ri i EULEX e kufizon atë në monitorimin e gjykimeve, këshillim, hartimi të legjislacionit të ri dhe role të ngjashme mbështetëse.
Prokurorët dhe gjyqtarët e EULEX nuk do të hetojnë apo të gjykojnë raste të reja, përveç rasteve kur zyrtarët e drejtësisë të Kosovës e kërkojnë këtë gjë dhe kur ekzistojnë “rrethana të veçanta”.
Përveç kësaj, Kosova dëshiron t’i transferojë çështjet e hapura nga EULEX tek gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës.
Ndër ndryshimet e tjera të kërkuara nga Kosova dhe të pranuara nga BE-ja, janë se, që tani e tutje, personeli gjyqësor i EULEX-it do të jetë në vartësi të sistemit të Kosovës.
Siç tha Thaçi në letrën e tij, institucionet gjyqësore “do të drejtohen nga zyrtarë të Kosovës”, duke shtuar se ai “mbështet përfshirjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në sistem”.
Edhe procedurat e reja që EULEX të marrë përsipër çështje gjyqësore do të jenë më komplekse. Sipas letrës së Thaçit, EULEX nuk do të jetë më në gjendje të parashtrojë kërkesa për të marrë çështje nga autoritetet e Kosovës.
Kërkesa të tilla për transferim çështjes nga prokurorët e Kosovës tek ata të EULEX-it do të duhet të bëhen nga Kryeprokurori i Kosovës dhe të miratohen nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, KPK.
Procedura të ngjashme ekzistojnë për gjykimin e çështjeve. Një kërkesë e justifikuar do të duhet të bëhet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë të Kosovës dhe të miratohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, KGJK.
Në të dyja rastet, rrethanat e veçanta do të duhet të jetë të justifikuara. Këto rrethana kanë të bëjnë kryesisht me ndërhyrje të mundshme politike në sistemin e drejtësisë.
Siç tha Kocijanciç për BIRN: “BE-ja do të vazhdojë të ofrojë ndihmë, sidomos për sistemin gjyqësor të Kosovës, duke marrë parasysh rreziqet që priten, duke përfshirë ndonjëherë edhe rrezikun e ndërhyrjes.”
Sistemi i brishtë përballet me një provë të madhe
Kjo situatë e re aktuale midis Kosovës dhe BE-së në drejtësi bazohet në angazhimin e Kosovës për të respektuar plotësisht parimet e pavarësisë dhe integritetin e sistemit të saj gjyqësor, si edhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Roli i ri i sistemit të drejtësisë kërkon ndryshime thelbësore në mënyrën se si funksionon ky sistem.
Megjithatë, mbetet ende për t’u parë nëse sistemi i drejtësisë në Kosovë mund ta realizojë rolin e tij të ri.
Deri më tani, imazhi kryesor i sistemit gjyqësor të Kosovës ka qenë i zymtë, sidomos në lidhje me kapacitetin e tij për të funksionuar në mënyrë të pavarur.
Ndërkohë që policia ka treguar përmirësime të rëndësishme në trajtimin e krimeve të rënda, të dhënat tregojnë se sistemi gjyqësor ende vuan nga korrupsioni, mungesa e integritetit dhe nënshtrimi ndaj ndikimit politik.
Së fundmi, policia ka filluar të merret me personalitete të profilit të lartë që dikur konsideroheshin të paprekshëm.
Për shembull, arrestimi i Azem Sylës, ish-Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, dhe një deputet për Partinë Demokratike të Kosovës, PDK, është kryer direkt nga policia.
“Kemi parë përmirësim të dukshëm në punën e policisë në lidhje me çështje të profilit të lartë, por më pak përmirësim mund të vërehet në sistemin gjyqësor”, tha një burim ndërkombëtar për BIRN, duke folur në kushte anonimiteti.
Është vënë re gjithashtu një përmirësim relativ në aftësinë e prokurorisë për t’u marrë me çështje të profilit të lartë që nga fundi i vitit 2015.
“Drejtësia në Kosovë në përgjithësi merret me raste të dyshuarish të profilit të ulët për korrupsion ose krime të tjera serioze. Autoritetet gjyqësore rrallë merren me çështje të profilit të lartë dhe kryesisht vetëm kur këta njerëz bien nga pozitat e pushtetit, ose nuk gëzojnë më mbështetje politike,” për BIRN Ehat Miftaraj, një studiues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, IKD.
Gjykatat mbeten institucionet më pak të përmirësuara, si nga vlerësimet e ekspertëve ashtu edhe nga perceptimet popullore, dhe Miftaraj, organizata e të cilit monitoron sektorin e drejtësisë, ka një ide të zymtë për gjendjen e tyre të përgjithshme.
“Institucionet e Kosovës janë ende të brishta, ndikohen politikisht, kanë nevojë për ngritje kapacitetesh dhe, mbi të gjitha, kanë nevojë për kurajë për t’u marrë me çështje të profili të lartë korrupsioni, krimi të organizuar dhe krimesh lufte,” tha ai.
As këndvështrimi i Miftaraj për vetë EULEX-in nuk është pozitiv. “EULEX nuk i përmbushi pritshmëritë e përgjithshme, sidomos përsa i takon performancës së një numri gjyqtarësh dhe prokurorësh,” tha ai.
Gjykatat shihen si të korruptuara – EULEX-i si jo më mirë
Një sondazh i kryer nga UNDP-ja, i bërë publik në maj 2016, thekson perceptimin negativ popullor të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Edhe pse besimi në sektorin e drejtësisë u rrit me 4 për qind në krahasim me muajin shtator të vitit 2015, gjykatat u renditën të parat në perceptimet e përhapjes së korrupsionit në shkallë të gjerë.
Më shumë se 42 për qind e të anketuarve thanë se besojnë se gjykatat janë institucionet më të korruptuara në Kosovë.
Sipas të njëjtit sondazh, policia e Kosovës gëzon më shumë besim sesa ajo e EULEX-it.
Vetëm 13.6 për qind e kosovarëve tha se ata besonin se e para është e korruptuar ndërkohë që 28.8 për qind kishte një opinion të tillë për të dytën.
Administrata e burgjeve në Kosovës është në tjetër sekrot që ka tërhequr kritika të ashpra.
Disa personalitete të profilit të lartë të ndaluar për krime lufte praktikisht e kanë kryer dënimin e tyre në spitalin qendror të Kosovës.
Raporti i fundit i EULEX mbi organet e drejtësisë të Kosovës paraqet një pamje të zymtë të shërbimit të burgjeve, zbulimit të ndërhyrjeve serioze politike në çështjet që ndiqen penalisht dhe gjykohen nga stafi i EULEX.
“Disa të burgosurve të profilit të lartë vazhdon t’u jepet trajtim preferencial dhe ndërhyrja politike në Shërbimin Korrektues të Kosovës vazhdon ende. Për më tepër, vazhdon të abuzohet me rregullat për shtrimin në spital të të burgosurve të profilit të lartë – si me shpeshtinë ashtu edhe me kohëzgjatjen – ndërsa ka edhe raste të jashtëzakonshme lirimi që po u jepen disa të burgosurve, të dyja këto janë kundër ligjit,” thuhet në raport.
Ai thekson gjithashtu se KPK dhe IKD nuk kanë kapacitet për të hartuar legjislacionin. Megjithatë, ky do të jetë një sektor ku EULEX-i do të vazhdojë të ofrojë mbështetje teknike, ndërsa Kosova është e detyruar të respektojë rregullat e BE-së mbi përmbajtjen e një legjislacioni të tillë.
Vëzhguesit e pavarur ranë dakord mbi nevojën për një ndryshim në mandatin e EULEX-it.
Pikëpamja e tyre e përbashkët ishte se një ndryshim i mandatit të EULEX-it nuk duhet të nënkuptojë fundin e rolit të BE-së në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe se transferimi i kompetencave duhet të ndodhë gradualisht.
“Duke marrë parasysh lodhjen dhe ndikimin që grupet politike dhe ato të interesit kanë në sistemin e drejtësisë në Kosovë, EULEX duhet të ketë autoritetin për të marrë përsipër çështje të reja, por me procedura të qarta që sigurojnë se ata nuk do të mbahen për një kohë të gjatë dhe më parë t’i rikthehen autoriteteve të Kosovës,” përfundoi Miftaraj.