Një grup prej rreth 350 refugjatësh dhe imigrantësh kanë filluar një marshim proteste nga kryeqyteti serb drejt kufirit, duke kërkuar të lejohen të hyjnë në Hungari për të vazhduar rrugën drejt vendeve të tjera të BE-së.
Refugjatët dhe imigrantët filluan marshimin e tyre të protestës të martën në kufirin serb me Hungarinë, rreth 200 kilometra në veri të Beogradit, të shoqëruar nga policia e cila do të sigurojë mbrojtjen e tyre dhe do t’i ndalojë ata nga bllokimi i trafikut të autostradës.
Ata po kërkojnë që kufiri të hapet për t’i lejuar të vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt Europës Perëndimore, pasi 7000 refugjatë dhe imigrantë aktualisht kanë mbetur në vend pas ngritjes së gardheve përgjatë kufirit Hungari-Serbi për të parandaluar kalimin e tyre.
Disa prej të tyre mbanin pankarta me slogane “Hapni kufirin ju lutemi!”
“I kërkoj popullit hungarez, ju lutem hapni këtë kufi”, tha për median serbe Kurir një prej protestuesve.
“Ne do të vazhdojmë protestën tonë kundër policisë hungareze nëse ky kufi nuk hapet,” tha një tjetër protestues për Kurir.
Marshimi i protestës filloi pasi një grup imigrantësh u mblodhën më herët të martën në një park pranë stacionit qendror të autobusit në Beograd dhe filluan një tubim që u kthye në grindje, tha për BIRN Gordan Paunoviç, një koordinator i Fondit B92 me bazë në Beograd, i cili është përfshirë në përpjekjen për ndihmën e refugjatëve.
Paunoviç tha se situata përshkallëzoi pasi disa refugjatë dhe imigrantë u tensionuan dhe patën nervozizëm.
“Kishte një përpjekje nga imigrantët për të protestuar kundër mbylljes së kufijve,” tha ai.
Por ai shtoi se protesta të tilla nuk ishin diçka e re ngaqë grupe të mëdha njerëzish kishin mbetur në Serbi si rezultat i kontrolleve strikte të kufirit hungarez.
“Njerëzit dërgohen në një kamp refugjatësh pranë Beogradit në Krnjaca; megjithatë nuk ka mjaftueshëm vend dhe shumë njerëz këtu në stacionin e autobusit, janë nga Afganistani dhe Pakistani, ndaj nuk mund të hyjnë në kamp,” shpjegoi ai.
Disa nga imigrantët në park zgjodhën të mos i bashkohen marshimit drejt kufirit dhe qëndruan në qendër të Beogradit.
“Nuk ia gjej kuptimin. Ne mund të futemi në telashe me policinë hungareze dhe kam dëgjuar se ata janë të ashpër me refugjatët,” tha për BIRN Mohammed Khan nga Afganistani.
Muhammed Ëajid gjithashtu vendosi të qëndrojë në Beograd, megjithëse disa nga miqtë e tij u larguan për në kufi.
“Pata një udhëtim shumë të keq nëpër Bullgari, kam nevojë për pak pushim dhe nuk dua të eci apo të përballem me policinë në kufi,” tha ai për BIRN.
“Por do të doja që kufijtë të ishin të hapur dhe të mund të kalonim pa ‘ndihmën’ e trafikantëve dhe pa pasur frikë për rrahje nga policia,” shtoi ai.
7000 refugjatë dhe imigrantë aktualisht në Serbi përballen me një të ardhme të pasigurt ngaqë shumica e kufijve të BE-së janë mbyllur.
Ata që nuk janë nga Iraku dhe Siria klasifikohen si imigrantë ekonomikë dhe nuk shpresojnë të marrin azil në BE.
Serbia gjithashtu po merr në konsideratë forcimin e kontrolleve kufitare me Bullgarinë dhe Maqedoninë me shpresën se kjo do ta kufizojë valën e njerëzve përgjatë “itinerarit të Ballkanit”.
Autoritetet serbe kanë thënë se ka rrezik që shumica e refugjatëve dhe imigrantëve të mbeten në vend pa shans për të vazhduar më tej udhëtimin drejt BE-së.