Neglizhenca, injoranca dhe ndikimi i industrisë ngrenë dyshime mbi premtimin e Rumanisë për të luftuar sëmundjen e padukshme të varësisë nga bixhozi.
Kërrusur nën një çadër, Dan ecën përmes shiut të imët dhe të ftohtë një mbrëmje prilli në Bukuresht.
Ai është duke shkuar rreth të dyzetave dhe ka pak fije flokësh të thinjur për ta treguar këtë.
Por për të tjerat, trupi i hollë i Dan nuk mbart gjurmë të një varësie që filloi 20 vjet më parë. Sytë e tij përtej syzeve të holla nuk janë të skuqura; krahët e tij nuk janë me shenja apo plagë shiringash.
Ai është nisur për një sallë bixhozi në një lagje pa emër të kryeqytetit, jo shumë larg vendit të punës, i bindur se ka humbur pothuajse gjithçka.
“Njerëzit besojnë se të gjithë njerëzit janë të aftë për të mbijetuar,” thotë Dan, një pseudonim që përdorëm për të fshehur identitetin e tij. “Por natyra nuk funksionon në këtë mënyrë.”
Sallat e bixhozit janë bërë të gjithëgjendura nëpër Rumani që kur salla e parë e madhe e basteve hapi dyert në stacionin qendror të trenit në Bukuresht në pranverën e vitit 1990, pak muaj pasi sundimi komunist i Nikolae Çausheskut përfundoi pas një revolte popullore dhe një skuadre pushkatimi që veproi ditën e krishtlindjeve.
Në përpjekje për të ndaluar gjithëpërhapjen e tyre, parlamenti i Rumanisë në maj 2015 miratoi një ligj mbi bixhozin, i cili përfshinte, mes të tjerash, masa të menduara për të luftuar sëmundjen e varësisë nga bixhozi.
Por një investigim për Bursën Ballkanike për Gazetari Ekselente vë në dyshim gadishmërinë e autoriteteve të Rumanisë dhe industrisë së bixhozit për t’u përballur me këtë problem.
Ligji i jep përgjegjësi për luftimin e varësisë çdo operatori të kësaj industrie që përfiton prej saj, ndërsa psikologët e punësuar nga industria që duhet të ndihmojnë njerëzit si Dan, në fakt kanë interesa biznesi te bixhozi. Deri tani, asnjë progres nuk është bërë në zbatimin e masave kundër varësisë.
“Shëndeti publik i është nënshtruar interesit të kompanive private,” thotë Eugen Hriscu, një psikiatër dhe themelues i organizatës jofitimprurëse Aliat, e cila punon me forma të ndryshme të varësisë.
“Ata që kanë varësi nuk ekzistojnë për shtetin rumun,” tha ai. “Aktualisht ne kemi kaos, nga i cili fituesit e vetëm janë tregtarët.”
Të brendshmit
Nga viti 2004 deri më 2013, sipas shifrave të Federatës Europiane të Lojërave dhe Dëfrimit, numri i makinave slot në Rumani u katërfishua në 62 mijë.
Më 2014, shteti voli 147 milionë euro nga lëshimi i licencave të bixhozit dhe lejeve, thotë Zyra Kombëtare për Lojërat e Fatit, ONJN, organizmi shtetëror që mbikëqyr industrinë e bixhozit. Rreth 87 për qind e të ardhurave vijnë nga operatorët e lojërave elektronike të fatit, të cilat parapëlqehen nga të varfërit dhe të sëmurët. Të ardhurat e shtetit u rritën në 266 milionë euro më 2015.
Disa ekspertë paralajmërojnë se statistikat flasin për një varësi në rritje në kombin e dytë më të varfër anëtar të Bashkimit Europian si dhe shprehin shqetësimet për dobësitë e zbatimit të rregullave nëpër Ballkan, ku shtetet e dobëta dhe të varfra e shohin bixhozin si të padëmshëm dhe njëkohësisht, një burim të vlefshëm të ardhurash.
Një vrojtim i vitit 2016 i komisionuar nga dy organizata të mëdha të lojërave të fatit në Rumani – Romslot dhe Romanian Bookmakers – vlerësojnë se numri i atyre që industria i quan ‘lojtarë problematikë’ janë rreth 98 mijë vetë në një popullsi prej rreth 20 milionë banorësh.
Hriscu gjithsesi thotë se numri i personave me varësi është pothuajse e sigurtë disa qindramijëra, ndërsa Sorin Constantinescu, kreu i Shoqatës së Kazinove të Rumanisë i tha BIRN: “Varësia nga bixhozi është përkeqësuar përgjatë viiteve të fundit. Ne si organizues kemi parë gjithnjë e më shumë njerëz me varësi nga sa kemi parë në të shkuarën.”
Constantinescu tha se operatorët e lojërave të fatit e kanë pranuar nevojën “për t’i bërë njerëzit të ndërgjegjshëm se ata duhet ta konsiderojnë bixhozin si një mënyrë argëtimi dhe jo si një mënyrë për të rrënuar familjen”.
“Është normale që ne duam të fitojmë para, por ne nuk duam të fitojmë para me çdo kusht apo që të shkatërrojmë njerëzit,” tha ai. “Bixhozi është matematikë. Paraja kthehet te ne në fund por ne përpiqemi të përdorim metoda që janë të rregullta, që janë sa më të ndershme që të jetë e mundshme për njerëzit dhe që të mos i shtyjmë ata drejt varësisë.”
Por kritikët nuk janë të bindur.
Ligji i miratuar në maj 2015 bën thirrje për krijimin e një “fondacioni për interes publik”, në bordin e të cilit duhet të ulen shoqatat kryesore të bixhozit në Rumani dhe që duhet të ketë për detyrë të zbatojë programe që synojnë të parandalojnë dhe trajtojnë problemin e varësisë nga bixhozi.
Ligji parashikon gjithashtu edhe një fond, të përdorur nga ONJN, për parandalimin e varësisë. Secila prej kompanive të bixhozit do të duhet të kontribuojë 1 mijë euro në muaj, shumë që rritet në 5 mijë për operatorët online dhe për Llotarinë Kombëtare, në një industri në të cilën disa ekspertë vlerësojnë se qarkullojnë 1 miliardë euro në vit.
Deri më sot, as fondacioni dhe as fondi nuk ekzistojnë.
Nëse ato krijohen, ONJF dhe së paku një prej operatorëve të mëdhenj të kësaj industrie kanë sugjeruar se ata do të përdorin eksperiencën e një programi të zbatuar nga vetë industria kundër varësisë, i quajtur Lojëra Fati me Përgjegjësi, programi i vetëm i këtij lloji në vend, i cili drejtohet nga dy psikologe – Leliana Parvulescu dhe Steliana Rizeanu.
Zyra e konsulencës mbi ‘sjelljen njerëzore’ të Parvulescut rendit mes klientëve të saj kompaninë e bixhozit Game World, nën pronësinë e kompanisë Game City SRL me bazë në Bukuresht, dhe shoqatën e lojërave të fatit Romanian Bookmakers.
Parvulescu i tha BIRN se puna e saj këshillimore për Game World është e përqendruar në “komunikim dhe zhvillim personal,” dhe se kjo punë kishte përfunduar para se ajo të bëhej pjesë e programit për Lojëra Fati me Përgjegjësi në vitin 2012 dhe se përfshirja e saj te Romanian Bookmakers konsiston në këshillimin për masat kundër varësisë.
Ajo tha se nuk shihte konflikt interesi në këtë pikë.
“Industria dëshiron që në sallat e lojërave të fatit të jenë sa më shumë lojtarë që të jetë e mundur dhe që ata të bëjnë qejf. Ne, psikologët e programit të Lojërave të Fatit me Përgjegjësi, kemi të njëjtin interes, konkretisht, të kemi sa më shumë lojtarë që të bëjnë qejf, njësoj si në kinema apo në teatro.”
Njësoj si Parvulescu, 57 vjeçarja Rizeanu ka gjithashtu një interes në industrinë, viktimat e të cilës ajo ka për detyrë t’i trajtojë.
Sipas Regjistrit të Biznesit të Rumanisë, Rizeanu dhe bashkëshorti i saj Radu, hapën një kompani më 1994 të quajtur Rino Trading, me objekti veprimtarinë në bixhoz dhe baste. Adresa e kompanisë është në të njëjtin vend ku gjendet edhe klinika e psikologjisë Aquamarin të cilën Rizeanu e drejton dhe ku referohen njerëzit me varësi nga programi për Lojëra Fati me Përgjegjësi.
Rizeanu i tha BIRN se Rino Trading e ka ndërprerë aktivitetin në vitin 2009, një vit para se ajo të punësohej si drejtuese e Lojërave të Fatit me Përgjegjësi. Kompania vijon të jetë në Regjistrin e Tregtisë së Rumanisë, por duket se është pasive.
Edhe Rizeanu këmbënguli se nuk kishte konflikt interesi.
“Para së gjithash, programi për Lojëra Fati me Përgjegjësi sponsorizohet nga operatorët e industrisë. Pse? Sepse ata nuk kanë nevojë për lojtarë të sëmurë. Se i sëmurë pas bixhozit është para së gjithash një njeri që nuk ka para, një bixhozçi që krijon probleme për sallat e bixhozit, për stafin dhe për klientët, njësoj si një i dehur në një restorant.”
Romslot, një shoqatë operatorësh bixhozi dhe një financues i rëndësishëm i Lojërave të Fatit me Përgjegjësi, tha se nuk kishte dijeni për drejtimin nga ana e Rizeanu të një kompanie bixhozi, por shtoi se kjo nuk duhet të konsiderohet si problem “për sa kohë ajo bën punën e vet në program”.
“Në të vërtetë ne nuk kemi kërkuar për këtë gjë në eksperiencën e Steliana Rizeanu,” tha drejtoresha ekzekutive e Romslot, Violeta Radoi, për BIRN. “Ne kemi vlerësuar eksperiencën e saj profesionale. Ajo është trajnuese e trajnerëve. Ajo është profesore në universitet, ajo ka shkruar libra.”
[fact title=” Rini e çuar dëm”] Një grup të rinjsh me xhinse dhe bluza të lehta u mblodhën për të luajtur futboll në oborrin e një ndërtese nën diellin e një dite vere. Ata mund të dukeshin si studentë, në rast se nuk do të kishte hekura te dritaret.
“Periudha më e gjatë që kam kaluar larg makinave [slot] ka qenë shtatë muajt që kalova në burg,” tha një 18 vjeçar nga Bukureshti i quajtur Аlexandru.
Si shumë shkelës të rinj të ligjit në burgun për minorenë në Buzias, në perëndim të Rumanisë, Alexandru krijoi varësi nga bixhozi. Ai filloi të luajë në moshën 15 vjeçare, duke ikur nga shkolla dhe duke bërë punë të rastësishme. Kur nuk pati punë, ai vodhi për të financuar sëmundjen e tij me bixhozin.
BIRN mori akses në këtë qendër nga Administrata Kombëtare e Burgjeve dhe intervistoi vetëm ata shkelës që kishin mbushur ndërkohë 18 vjeç dhe që pranuan të flasin.
Autoriteti shtetëror rumun mbi lojërat e fatit, ONJN, dhe operatorët e industrisë vazhdimisht theksojnë rëndësinë e mbajtjes së fëmijëve larg bixhozit.
Ligji ndalon bixhozin për fëmijët nën 18 vjeç. Operatorët kanë të drejtë të pyesin për moshën dhe t’i kërkojnë dokument për provë, por ata në Buzias thanë se rregullat shmangen me lehtësi.
Operatorët e bixhozit në Rumani nuk i kërkojnë klientëve të regjistrohen kështu që aksesi nuk kontrollohet me kartë, siç ndodh në disa vende europiane.
Në intervista me BIRN, shkelësit e rinj të ligjit thanë se ata arrinin të luanin pavarësisht moshës për shkak se (a) ‘ne njihnim punonjësit’, (b) ‘punonjësit qenë të sjellshëm dhe na lanë të hynim’, (c) ‘ata kërkuan dokumente identifikimi por nuk i panë fare’, (d) ‘ne shkuam përmes njerëzve më të rritur’ dhe (e) ‘ata na thanë të fshiheshim në banjo në rast se do të vinte policia’.
Psikiatri Eugen Hriscu nga organizata e luftës kundër varësisë Aliat tha se shumë të sëmurë nga bixhozi që ai ka takuar kishin filluar të luanin në moshën 14 apo 15 vjeçare. Shumë nga njerëzit me varësi me të cilët BIRN foli thanë se kishin filluar të luanin kur qenë adoleshentë. [/fact]
Të pasur apo të varfër?
Natasha Dow Schull, një antropologe kulturore dhe autore e librit Varësi nga Dizenjimi, tha se industria e bixhozit në përgjigjësi ka investuar shumë para në krijimin e “mitit” se shumica e njerëzve “luajnë bixhoz për qejf dhe se kjo gjë nuk dëmton aspak, a thua se ne të gjithë kemi një lloj imuniteti fizik ndaj saj. Pastaj, ka një grup njerëzish që ka këto probleme.”
Studime të kryera në Australi, Kanada, Zelandën e Re dhe Shtetet e Bashkuara, gjithsesi, sugjerojnë se njerëzit me probleme bixhozi japin së paku 40-50 për qind të të ardhurave të industrisë, duke ngritur pikëpyetje mbi interesin e kësaj industrie për të ndihmuar njerëzit me varësi që të ndalojnë.
Sipas një vrojtimi të vitit 2012, të komisionuar nga operatorët e bixhozit dhe të publikuar në internet në rumanisht, përdoruesi mesatar i makinave të bixhozit elektronik në Rumani ka të ardhura neto mujore prej 290 eurosh. Paga mesatare në Rumani atë vit qe 342 euro.
Rizeanu, nga ana tjetër, e përshkruan lojtarin tipik rumun si njeri të pasur.
“Sallat e lojërave dhe kazinotë janë më së shumti të vizituara nga njerëz me shumë para, të cilët mund të luajnë sasi të mëdha parash,” tha ajo. “Kompanitë nuk kanë nevojë për taksistë që shpenzojnë të gjitha paratë e tyre dhe pastaj bashkëshortja vjen duke qarë.”
Sipas një hetimi të qeverisë Australiane të vitit 2010, rreziku i krijimit të varësisë nga bixhozi rritet me afërsinë e sallave të basteve.
Megjithatë, ekspertët e Lojërave të Fatit me Përgjegjësi e vënë në diskutim këtë gjetje. “Në rastin tonë është ndryshe,” tha Parvulescu. “Nëse ai [një rumun] dëshiron të shkojë, ai do të shkojë. Nëse nuk dëshiron të shkojë, nuk shkon.”
Pyetur se cilët ekspertë kanë konsultuar mbi çështjen e varësisë nga bixhozi, ONJN tha se ka bashkëpunuar me Lojëra Fati me Përgjegjësi. Por sërish, ajo nuk e konsideron varësinë si një problem urgjent.
“Nëse ti e di se ka një problem të tillë, atëherë duhet të na japësh shifra. Ne, si një institucion, nuk kemi kompetencë dhe as nuk disponojmë statistika që mund të na informojnë për një problem të tillë,” tha Odeta Nestor, drejtoreshë e ONJN për BIRN në zyrën e saj në Bukuresht, ku një revistë e industrisë vendase të bixhozit tregonte fotografinë e saj në kopertinë.
Para se të hynte në këtë zyrë, kur ajo u themelua më 2013, Nestor, 40 vjeç, punonte si drejtoreshë financash në disa kazino në Rumani.
“Media është vënë pas vetvrasjeve (të lidhura me bixhozin),” tha ajo, “por mendoni edhe për atë se sa shumë njerëz kryejnë vetëvrasje për shkak të dashurisë apo për shkak të kredive bankare.”
Rumania nuk është vendi i vetëm në Europë i cili ia ka ngarkuar përgjegjësinë e programeve kundër varësisë pikërisht operatorëve të bixhozit. Por kritikët paralajmërojnë se rreziku këtu është më i madh, për shkak se rregullat nuk zbatohen dhe shteti ka dështuar të konsultojë apo të rekrutojë ekspertë të pavarur dhe të palidhur me operatorët.
Hriscu i organizatës jofitimprurëse kundër varësisë Aliat tha: “Niveli i rregullimit është shumë i ulët. Nga mungesa e rregullimit, ata që fitojnë gjithmonë janë pronarët.”
Cristian Pascu, një anëtar themelues i Shoqatës Rumune të Organizuesve dhe Prodhuesve të Lojërave të Fatit pranoi se “ka pak konflikt interesi këtu.”
Gjithsesi, tha ai: “Edukimi mund të vijë prej nesh sepse ne dimë sekretet e industrisë. Edukimi i konsumatorëve për të kuptuar elementin e qejfit, pra që ti vjen këtu për të kaluar kohë dhe jo si një burim parash. Të luash bixhoz me përgjegjësi. Por kjo nuk është në natyrën e bixhozçinjve rumunë.”
Makinat elektronike, tha ai, i bëjnë bixhozçinjtë “paksa mazokistë. Kënaqësi, dhimbje, kënaqësi, dhimbje, alternimi i disfatës me fitore që sjell sekrecionin e dopaminës, serotoninës.”
Ushqim dhe pije falas
Situata në Rumani është e ngjashme në një farë mase me situatën në të gjithë Europën Lindore, ku operatorët e mëdhenj perëndimorë të bixhozit panë një treg të ri dhe në rritje pas kolapsit të komunizmit në fillim të viteve 1990. Rregullimi ka qenë gjithmonë një hap prapa industrisë që nga ajo kohë.
Në Rumani, vetëm pak muaj kaluan nga ekzekutimi i Çausheskut dhe bashkëshortes së tij Elena, nga hapja e sallës së parë të madhe të bixhozit në stacionin hekurudhor Gara de Nord të Bukureshtit, sallë që u operua nga një kompani bijë e gjigandit austriak të bixhozit Novomatic në partneritet me klubin rumun të futbollit Rapid.
Aty u instaluan 80 makina slot me kasë druri.
“Turma njerëzish prisnin në rradhë jashtë sallës së bixhozit, duke u shtyrë te dyert për t’i hapur ato më shpejt,” tha Pascu, i cili filloi atje si inxhinier dhe u rrit për t’u bërë bashkëpronar. “Kjo tregon se sa shumë dëshironin të luanin poker pas revolucionit.”
Në mesin e viteve 1990, Dan filloi të luajë, si një student 20 vjeçar me pak para. Ai thotë se shkoi te kazinotë me miqtë për ushqim dhe pije falas, të cilat kazinotë i ofronin për të joshur konsumatorët.
“Ofrimi i ushqimeve dhe pijeve falas në dukje qe humbje për kazinotë, por në realitet qe një investim për gjeneratat e ardhëshme të të sëmurëve,” tha Dan. Gjatë tranzicionit të egër të Europës Lindore drejt kapitalizmit më 1990, “kazinotë gjendeshin aty për të shitur shpresë,” tha ai.
ONJN tashmë vlerëson se Rumania ka 70 mijë makina slot.
Ekspertët thonë se potenciali i tyre për të krijuar varësi vjen nga shpejtësia me të cilën fitimet paguhen.
Makineri të tilla u ndaluan në Norvegji më 2007, ku bixhozi është një industri nën pronësi publike.
“Numri i thirrjeve te linja telefonike për ndihmë ra me 50 për qind në krahasim me trafikun që qe para heqjes së tyre,” thotë për BIRN Rune Timberlid, Këshilltar i Lartë për Autoritetin Norvegjez të Lojërave të Fatit.
[quote source=”Thotë Dan, i sëmuri nga bixhozi mbi rritjen e industrisë së bixhozit në Rumaninë pas Çausheskut.”] “Kazinotë qenë këtu për të shitur shpresë”[/quote]
Finlanda, ku njësoj si Norvegjia, industria e bixhozit është nën pronësi shtetërore, i kanalizon shumicën e të ardhurave nga kjo industri për të trajtuar problemet shoqërore, përfshirë trajtimin e varësisë.
Megjithëse ata sërish mbështeten pikërisht nga kjo industri, njësoj si në Rumani, zyrtarët kundër varësisë në Finlandë janë krenarë për rolin e tyre si avokatë për të sëmurët.
Mari Pajula, drejtoreshë e Peluuri, homologia finlandeze për Lojëra Fati me Përgjegjësi, tha se organizata e saj është përpjekur të ruajë një distancë të shëndetshme nga vetë industria e bixhozit.
“Ne kritikojmë mënyrën se si kompanitë e bixhozit marketojnë produktet e tyre. Ne kritikojmë politikën e shpërndarjes, faktin se ka makina slot në çdo dyqan,” tha Pajula në Helsinki për BIRN, duke folur në anglisht.
“Kjo është e mira e sistemit finlandez – edhe pse Peluuri financohet nga industria, ne mund t’i kritikojmë ata.”
Corinne Bjorkenheim, e cila menaxhon Klinikën e Bixhozit në Helsinki, një program për trajtimin e varësisë, tha: “Idealja është që duhet të ketë një ndarje të qartë mes industrisë dhe programeve të trajtimit.”
[fact title=” Lojë e Ndershme”]Më 2013, Goldsmiths, Universiteti i Londrës, prodhoi një raport të titulluar Lojë e Ndershme: Kërkimi mbi Bixhozin.
Bazuar në rishikimin e studimeve nga Mbretëria e Bashkuar, Europa, Australia, Amerika e Veriut, Hong Kongu dhe Makau, gjetjet kryesore qenë:
* Ideja e “lojtarëve problematikë” është politikisht e vlefshme. Ajo e fokuson vëmendjen mbi bixhozçinjtë individualë, dhe jo në marrëdhëniet mes industrisë, shtetit, produkteve dhe politikave.
* Studimet mbi bixhozin varen shumë nga mbështetja që ofron kjo industri.
* Programet financuese të kërkimeve në këtë fushë i japin prioritet pyetjeve banale: kërkuesit nuk janë të lirë të krijojnë alternativa kritike për shkak se duan të vijojnë të kenë financime.
* Ka mungesë transparence mbi ndikimin që kjo industri ka mbi kërkimet në fushë dhe nuk ka kod sjelljeje profesional për të qeverisur këto marrëdhënie.
* Industria ka të dhënat më të sakta dhe të vlefshme, por rrallë herë i ndan këto të dhëna me kërkuesit.[/fact]
Konfuzion ligjor
Nestor, nga ONJN e Rumanisë, tha se vonesat në krijimin e fondacionit dhe fondit kundër varësisë kanë ardhur si pasojë e paqartësisë mbi marrëdhënien mes këtyre të dyjave.
Doru Gheorghiu, drejtor ekzekutiv i Romanian Bookmakers, një prej shoqatave që financon Lojëra Fati me Përgjegjësi, tha gjithashtu se ligji nuk ka përcaktuar qartë mënyrën se si do të krijohet fondacioni.
Megjithatë, tha Gheorghiu, “Ajo që unë mund të garantoj është se në 90 për qind të rasteve, personi nuk përballet me varësi konkrete nga bixhozi. Personi ka probleme të tjera.”
BIRN dërgoi email te Ministria e Shëndetësisë e Rumanisë, te Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik dhe te Qendra Kombëtare për Shëndetin Mendor dhe luftës Kundër Drogës për të pyetur nëse qenë konsultuar mbi mënyrën se si duhet të veprohet në luftën kundër varësisë nga bixhozi.
Që të tre institucionet thanë se nuk qenë konsultuar dhe se ata nuk kishin asnjë program për parandalimin e trajtimit të varësisë nga bixhozi.
Hriscu, nga organizata Aliat, tha se mosveprimi i shtetit qe i rrezikshëm.
“Unë kam folur me të rinjtë nëpër qyteza të vogla të Rumanisë dhe ku sallat e basteve janë bërë vende takimi, qendra komunitare,” tha ai.
Po binte ende shi kur Dan hyri te salla e basteve, duke zënë një karrige para një rulete elektronike. Nuk kishte ndarës letrash; nuk kishte çipsa bixhozi; vetëm një ekran para tij.
Dan i qe rikthyer bixhozit dhe nuk po jetonte më me bashkëshorten dhe fëmijën e tij. Ai qe rikthyer të jetonte me prindërit dhe po luante bixhoz gjatë natës, njësoj si në rininë e tij. Ai zbuloi një gjeneratë të re të sëmurësh, të rinj që punojnë në supermarkete apo si taksistë gjatë ditës dhe luajnë bixhoz fitimet e tyre gjatë natës.
Në qershor, ai ndau një video në profilin e tij në Facebook të vrapueses së distancave të gjata nga Zvicra, Gabriela Andersen-Schiess, ku këmbët e saj dridheshin ndërsa ajo kapërceu vijën e finishit në maratonën e vitit 1984 të Lojërave Olimpike në Los Anxhelos, një simbol i qëndrueshmërisë njerëzore.
“Kjo është një jetë prej të sëmuri,” tha ai për BIRN. “Ata që ia dalin të mbijetojnë, e bëjnë me vuajtje të mëdha,” tha ai. “Në çdo hap, çdo sekondë, ka dhimbje dhe vuajtje.”
Ky artikull është pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTEdhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.