
Prej gati tre dekadash, Anila Droboniku ka mirëpritur vizitorët e shumtë në muzeun “Onufri” në Berat, duke u transformuar në zërin e traditës së pasur ikonografike që ruhet brenda mureve të kishës së lashtë “Fjetja e Shën Mërisë.”

Në lagjen ‘Kala’ të Beratit këtë fund dhjetori, dielli shkëlqen mbi bardhësinë e banesave dhe kalldrëmeve, por ngroh pak, ndërkohë që ajri është mbushur me tymin e drurit që del nga oxhaqet e kalarinjve të fundit të një zanafille mijëravjeçare.
Në zemër të lagjes në muzeun ikonografik, i vendosur brenda mureve të ish kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, vizitorët tërhiqen si të hipnotizuar pas rrëfimit që ciceronia Anila Droboniku i bën të kuqes së famshme të ikonave të piktorit Onufri, por jo vetëm.
Me trup të gjatë e të drejtë dhe ecjen e ndagalë që sfidon të ftohtin, 48 vjeçarja që reflekton siguri dhe pozitivitet në çdo hap që hedh brenda rrugicave të ngushta të lagjes ku u lind dhe u rrit, prej gati tre dekadash u rrëfen vizitorëve të huaj dhe vendas traditën ikonografike të qytetit muze të mbrojtur nga UNESCO.
“Në shkurtin e vitit që vjen unë mbush plot 30 vjet që bëj çdo mëngjes këtë rrugë” tregon ajo, duke hedhur sytë nga muzeu që tashmë është bërë si shtëpia e saj e dytë.
Kur u hap Muzeu Ikonografik në vitin 1986, Anila Droboniku ishte nxënëse në Liceun e Beratit, në degën e Pikturës.
“Vitet e shkollës së Artit me profesorët e njohur Sotir Capo dhe Agron Bega më mundësuan që të njoh Historinë e Artit, pa ditur se një ditë do të isha unë që do të rrëfeja për vizitorët artin që ndodhet brenda një muzeu kaq të rëndësishëm, siç është ai Onufri,” thotë Anila për BIRN.
Në korrik të vitit 1987, kur Anila përfundoi Liceun e Beratit, ciceronia e atëhershme e muzeut Jorgjie Kote u martua në Tiranë. Anila nuk u mendua dy herë, por bëri kërkesë pranë Këshillit Ekzekutiv të atëhershëm për të filluar punë.
“Do të gënjeja nëse do të thosha që punësimi në muze ishte i lehtë,” kujton Anila. “Mu desh një varg kërkesash, lutje pranë Këshillit që të më jepej fleta e punës, pasi unë isha ende e re, me njohuritë e shkollës së mesme; por që në momentin që e mora atë fletë pune ndjeva që jeta ime profesionale do të ishte muzeu,” shtoi ajo.
Avdyl Pilafi, ish Sekretar i Parë i Rrethit të Beratit shpjegon se dashuria e Anilës për artin si dhe tradita e familjes ku ajo ishte rritur, e kishin bindur atë 30 vjet më parë se ajo ishte personi i duhur për pozicionin e ciceronit në muzeun ikonografik.
“Anila ishte vajza e rritur dhe edukuar në një familje ku arti ishte në epiqendër,” kujton Pilafi, që prej shumë vitesh është tërhequr nga jeta publike.
“Ishte arsimuar në një shkollë arti, e dashuronte dijen dhe mbrotjen e vlerave si çdo banor tjetër i atyre viteve në lagjen “Kala” dhe mbi të gjitha ishte një vajzë e re që synonte të ecte përpara, të mësonte dhe rrëfente nga shpirti i saj atë të simbolizon muzeu “të kuqen e Onufrit” – dhe kush tjetër mund ta bënte këtë më mirë se ajo dhe prandaj e zgjodha dhe koha tregoi se zgjedhja ishte e drejtë,” shtoi ai.
I përshtatur që prej vitit 1986, muzeu i ‘Onufrit’ është vendosur në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Mërisë” në Kalanë e Beratit- një nga monumentet më përfaqësues të arkitekturës pas-bizantine, rindërtim i vitit 1797.
Duke qenë njëkohësisht katedrale e Mitropolisë, kjo kishë e transformuar në muze ka një ikonostas që është shembull i lartë i drugdhëndjes dhe objekte të tjera realizuar nga atelietë e mjeshtërve vendas. Mbi të gjitha, muzeu ka një koleksion me vepra të mjeshtërve më të rëndësishëm ikonografë: Onufri, Nikolla, Onufër Qiprioti, Shpataraku, Çetirët (familja Katro) e të tjerë të paidentifikuar, si dhe shumë objekte liturgjike.

“Vetëm në vitin 2014 arritëm që të kishim rreth 14 000 vizitorë dhe në 2015-ën, ky numër arriti në 24 600 vizitorë,” shprehet Agron Polovina, drejtor i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat. “Për vitin 2016 nga analiza dhe rezultatet e deritanishme pretendojmё qё numri i vizitorёve nё muze të arrijë në rreth 29 000 vizitorё vendas dhe tё huaj,” shtoi ai.
Ikonat dhe objektet e tjera të artit, që bëjnë pjesë në koleksionin e Muzeut Kombëtar Ikonografik Onufri përbëjnë dokumente të rëndësishme historike, kulturore dhe artistike, që shtrihen në një periudhë kohore mbi gjashtë shekullore.
Një nga arsyet që prej shumë vitesh ky muze është kthyer në një atraksion për vizitorët, është proklamimi dhe evidentimi në disa prej ikonave të mjeshrit Onufri i ngjyrës së kuqe. Pjesë e rëndësishme e fondit të Muzeut Ikonografik Onufri janë dhe Lipsanat (Relikuer) e Shën Gorazdit dhe Shën Angjellarit – dy nga shtatë shenjtorët bullgarë, që veprimtarinë misionare (shek. X) e vazhduan për shumë kohë në Berat. Prezenca e këtyre lipsanave, përbën atraksion pelegrinazhi.
Një tjetër vlerë historike e këtij muzeu është padyshim dhe vendi (kripta) ku kanë qëndruar të fshehura dhe janë gjetur në vitin 1968 dy Kodikët e Beratit, Kodiku Purpurt i Beratit nr. 1 (Beratinu-s Purpureus) Dyungjillësh i shekullit të VI – që i takon periudhës së Krishtërimit të hershëm- dhe Kodiku Purpurt Beratit nr. 2 (Codex Aureus Anthimi) Katërungjillësh, i shekullit të IX.
Sapo shkel në sallën e parë të muzeut, ngjyrat e afreskëve, shndërrimi i shandanëve dhe shprehjet e shenjtorëve nga ikonat të bëjnë që të harrosh të ftohtin, dhe të tundojnë që të kuptosh këtë botë që vjen si dëshmi mijëravjeçare.
E veshur me uniformë, këmishë të bardhë dhe pantallona të zeza, Anila i mirëpret vizitorët në hyrjen kryesore. Serioze, por e qeshur në çdo tipar të fytyrës, ajo është gjithmonë gati për të rrëfyer mbi artin e ikonave që ndodhet brenda mureve të muzeut.
Puna për Anilën, nga viti 1987 dhe deri në fillim të viteve 1990 nuk ka njohur orar apo ditë pushimi. Nuk ka ndodhur që një delegacion i lartë politik, diplomatik, akademik, kulturor, shkencor, grup i sportit që ka ardhur në Shqipëri dhe mos të ketë shkelur në Muzen Ikonografik Onufri. Kjo bënte që Anila e profesionalizuar më pas me gjuhët e huaja, të vinte në punë në çdo orë të ditës apo të natës, në çdo ditë të javës sa herë që të kërkohej nga autoriteti i kohës.
E shkolluar më pas, por pa shkëputje nga puna në degën Histori-Gjeografi, Anila vazhdoi të mbajë të njëjtin ritëm pune, duke pushuar disa ditë vetëm në nëntor.
“Ne kurrë nuk kemi shkuar me pushime unë, djali dhe bashkëshorti, pasi unë i marr pushimet në nëntor, kur fluksi i numrit të vizitorëve në muze ka rënë,” tregon ajo.
Por dhe gjatë këtyre ditëve, Anila nuk largohet nga kështjella e saj. Ajo zbret shumë rradhë në pjesën tjetër të qytetit, pasi jeta e saj është lidhur pazgjidhshmërisht me Kalanë.

Grupet e vizitorëve për të cilët Anila ka bërë ciceronen, apo vizitorët individualë janë të pafund. Personalitetet për të cilët ajo ka shpjeguar drugdhëndjen, objektet e realizuara nga mjeshtrat vendas, përfshijnë kohë, sisteme, dhe kultura të ndryshme.
Ajo kujton se midis vitet 1987-1990, grupet që vinin në muze ishin nga çdo cep i Shqipërisë, të organizuar me ndërrmarje, universitete, shkolla të mesme dhe nëntë vjeçare, etj. Të gjithë personalitetet e kohës që vinin në Shqipëri, ditën e dytë të vizitës e kishin të rezervuar në muze.
Që pas viteve 1990 e në vijim, çdo ministër, deputet, personalitet i lartë i fushës së diplomacisë, artit, kulturës, etj, së paku një herë ka dëgjuar rrëfimin e Anilës për muzeun, që për nga numri i vizitorëve po njeh rritje nga viti në vit. Të gjitha këto dëshmohen nga tre libra përshtypjesh që sot muzeu disponon, dhe për të cilët Anila thotë se aty ruhet historia e atyre që kanë prekur magjinë e tij.
Për cilësitë e saj të jashtëzakonshme në punën si cicerone, Bashkia e Beratit e ka vlerësuan Anilën me titullin “Njeriu i Vitit” në vitin 2010.
“Puna si cicerone nuk kërkon vetëm profesionalizëm, njohje me objektin dhe veprat e tij, por dhe vendosmëri, përkushtim dhe qetësi përpara çdo vizitori,” shprehet Anila.
“Problemet personale, familjare lihen jashtë dhe unë këtë e kam ndjerë në momente shumë të rëndësishme të jetës time – kur humba tim atë në vitin 1989 apo kur u bëra nënë 21 vite më parë – ngjarje krejt të ndryshme por që forcuan brenda meje dëshirën për të rrëfyer vlerat e një muzeu,” përfundoi ajo.