Shërbimi i transportit për nxënësit dhe mësuesit, i ofruar nga një kontraktor i bashkisë Elbasan gjatë gjysmës së dytë të vitit 2016 dhe 2 muajt e parë të vitit 2017 dështoi në arritjen e standardeve të specifikuara nga Këshilli i Ministrave dhe të përcaktuara në kontratën e prokurimit.
Në maj të vitit 2016, Elbasani u bë bashkia e parë në vend që nëpërmjet një kontrate me vlerë 12.8 milionë lekë me TVSH ofroi shërbimin e transportit të nxënësve dhe mësuesve në shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme të njësisë administrative vendore.
Kontrata e lidhur me bashkimin e operatorëve “Era Travel 2013” dhe “ Tirana Bus” kishte për qëllim ofrimin e shërbimit të transportit për nxënësit dhe mësuesit në 19 linja, që lidhnin fshatra të ndryshëm të Elbasanit me qytetin në periudhën maj-dhjetor 2016.
Kontrata dhe monitorimi i saj bazohej në një udhëzim të nxjerrë nga qeveria shqiptare në fund të vitit 2015, i cili përcaktonte rregulla të qarta mbi llojin dhe pajisjen e mjeteve të transportit që do të shërbenin për transportin e nxënësve.
Megjithatë, edhe pse kontrata e vlefshme deri në fund të vitit 2016 është zgjatur deri në muajin shkurt nga bashkia e Elbasanit, një monitorim i linjave të ndryshme të transportit për nxënës dhe mësues të ofruar nga operatori i kontraktuar, ka treguar që shërbimi i ofruar ka qenë jo në përputhje me standardet e përcaktuara në kontratë.
Nga një vëzhgim i bërë në disa njësi administrative u konstatua se mjetet e përdorura për transportin e mësuesve dhe nxënësve nuk ishin të veçanta. Në të paktën një rast, kompania fituese e tenderit e kishte nënkontraktuar transportin e tyre me linjat rrethqytetëse të udhëtarëve.
Gjatë monitorimit gjithashtu u vu re se shumë nga kushtet e kontratës nuk janë përmbushur, ndërsa ka pasur fshatra të përfshirë në kontratë, në të cilët shërbimi i transportit për nxënësit dhe mësuesit nuk është ofruar.
I pyetur nga BIRN mbi mungesën e standardeve në shërbimin e ofruar për transportin e nxënësve dhe mësuesve, kryetari i bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini u shpreh se ky shërbim nuk prokurohet më, për shkak se kostot e zbatimit të tij janë shumë të larta.
“Shkaqet, vlerat e tenderit janë jashtë çdo mundësie praktike për të mbuluar financiarisht këtë transport,” tha Sejdini nëpërmjet një përgjigje me shkrim.
“Kërkesat ligjore nuk kanë asnjë përputhje me vlerat financiare në dispozicion. Një kompanie i duhen sipas ligjit 1 milion euro investime për ta pasur minimalisht 15 vjet ekskluzivitetin e këtij shërbimi,” shtoi ai.
Ndryshe nga bashkia e Elbasanit, shoqëritë e transportit “Era Travel 2013” dhe “Tirana Bus” i thanë BIRN se nuk kishte kritere të përcaktuara në kontratë që nuk i kishin përmbushur, ndërsa shtuan se zbatimi i saj kishte qenë i vështirë.
“Vështirësitë për përmbushjen e kontratës nga ana e Bashkimit të operatorëve kanë qenë të pafundme e të panumërta, aq sa është e pamundur t’i rendisim në këtë shkresë se sa vështirësi kemi hasur ne,” u shprehën “Era Travel 2013” dhe “Tirana Bus”.
“Po mjaftohemi të themi se këto vështirësi dhe pamjaftueshmëria e fondeve të parashikuara për realizimin e kontratës bënë që Shoqëritë të mos mernin pjesë në procedurën e transportit të mësuesve dhe nxënësve për vitin 2017,” shtuan ata.
Bashkia e parë
Nëpërmjet një vendimi të marrë në 27 shtator 2015, qeveria e qendrës së majtë e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama vendosi të marrë përsipër kostot e transportit të punonjësve të institucioneve arsimore, të cilët punojnë jashtë qendrave urbane.
Nga ky vendim përfitonin mësues që punonin në largësinë mbi 5 kilometra nga kufiri i njësisë përbërëse administrative të vendbanimit të tyre të përhershëm; si dhe nxënës që ndjekin institucionet arsimore publike të arsimit bazë ose kopshtet publike, që udhëtojnë nga vendbanimi i përhershëm në një vendbanim tjetër mbi 2 kilometra larg institucioneve arsimore publike më të afërta.
Tre muaj më vonë, me anë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1001, datë 25 dhjetor 2015, organizimi i transportit të nxënësve dhe mësuesve kalon nga drejtoritë arsimore rajonale në përgjegjësi të njësive të qeverisjes vendore.
Para hapjes së procedurës së tenderimit, në mbledhjen e muajit shkurt 2016 të Këshillit Bashkiak, kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini deklaroi se me kalimin e menaxhimit të shërbimit, transporti do të organizohet nga bashkia për të gjitha shkollat e mesme dhe nëntëvjeçare.
Ai konfirmoi se do të bëhet një procedurë tenderimi edhe pse interesi i shoqërive të transportit ishte i vogël, për shkak të mungesës së ofertave nga subjekte juridike. Sejdini deklaroi gjithashtu se po të arrihej kontraktimi i transportit të mësuesve dhe nxënësve, Elbasani do të ishte bashkia e parë që do ta realizonte, duke përmbushur kështu edhe një premtim të tij elektoral për transportin falas të nxënësve në të gjithë bashkinë e madhe.
Bashkia Elbasan e shpalli në tenderim shërbimin e transportit të mësuesve dhe nxënësve për 19 linja me qëllim mbulimin e të gjitha shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme me këtë shërbim me 18 prill 2016. Në kërkesën për ofertë, institucioni vendor kishte vendosur si kusht për t’u kualifikuar që kompania duhej të kishte të paktën 25 autobuzë të prodhuar në 10 vitet e fundit.
Ky kusht dhe elementë të tjerë skualifikuan ofertuesit juridikë që kërkuan të paraqesin dokumentacionin për të aplikuar dhe tenderi u zhvillua vetëm me një pjesmarrës, bashkimin e operatorëve “Era Travel 2013” dhe “Tirana Bus,” kompani të cilat kanë për administratorë at e bir, Nuri dhe Ergi Balla.
Në detyrimet e kontraktuesit përcaktohet qartë se duhet të respektojë VKM nr.1101 për transportin e nxënësve në arsimin parashkollor parauniversitar. Në pikën 5 dhe 6 të Nenit 8 autoriteti kontraktues duhet të paraqiste të gjitha mjetet e përcaktuara në tender, stafin dhe punonjësit në datën e përcaktuar për fillimin e këtij shërbimi.
Në kontratë janë përcaktuar gjithashtu qartë kushtet që duhet të plotësojë mjeti që do të përdoren për transportin e mësuesve, ndërkohë për nxënësit përdorimi i autoveturave 8+1 lejohet vetëm nëse numri është më i vogël se 8 persona. Referuar VKM 1101 në nenin 12 janë përcaktuar kushtet teknike që duhet të plotësojë mjeti i transportit.
Në mjetet e përdorura për transportin e nxënësve nuk duhet të ketë të vendosur asnjë lloj reklame dhe mjetet duhet të kenë të montuar në një krah me gjatësi jo më të madhe se 15 cm tabelën “STOP.” Të gjitha automjetet që përdoren për transportin e nxënësve duhet të kenë dalje emergjence, ndenjëse me rrip sigurimi për moshën 4-12 vjeç – ndenjëse të posaçme për fëmijët.
Një automjet që përdoret për shërbime në linja të rregullta të udhëtarëve apo për shërbimet e rastit nuk ka të drejtë të operojë në shërbimet e rregullta të specializuara për nxënësit e arsimit parashkollor, parauniversitar dhe studentët. Drejtuesi i mjetit duhet të jetë i veshur me uniformën e tij dalluese.
Autoriteti kontraktor ka rezervuar të drejtën nëpërmjet nenit 13 pika 3 për prishjen e kontratës, kur kontraktuesi nuk përmbush kushtet e kontratës.
Ndërkohë në nenin 19 të kontratës përcaktohet se kontraktuesi duhet të fillojë zbatimin e kontratës menjëherë pas nënshkrimit të saj.
Në nenin 26, nënkontraktori nuk duhet të nënkontraktojë pa aprovimin paraprak me shkrim të Autoritetit Kontraktor dhe jo më shumë se 40% të vlerës së kontratës dhe nënkontraktori duhet të provojë aftësinë e tij nëpërmjet dokumentacionit të dorëzuar pranë Autoritetit Kontraktor.
Transport pa standarte
Megjithë specifikimet e shumta të bëra në kontratë për cilësinë e shërbimit që duhet të ofrohej nga kompanitë fituese të tenderit për transportin e nxënësve dhe mësuesve, një monitorim i bërë nga BIRN në janar dhe shkurt në disa njësi administrative të bashkisë Elbasan, ngre dyshime se shumë pika të kontratës janë shkelur.
Gjatë një vëzhgimi të bërë në njësinë administrative Tregan me 5 janar 2017, është vënë re se transporti i nxënësve të shkollës në qendër të njësisë në Llixhë, bëhet me një furgon 8+1 i cili në pjesën e jashtme mban reklamën e një lokali dhe asnjë shenjë tjetër, siç është përcaktuar në kontratë ose në VKM-në përkatëse. Rreth orës 13 e 10 minuta, kur nxënësit dolën nga mësimi, furgoni i transportoi nxënësit pjesë-pjesë për në destinacion. Drejtuesi i mjetit sipas dëshmisë së banorëve, i transporton bashkë rreth 30 nxënës duke i ngushtuar në një mjet 8+1.
Ndërkohë në Njësinë Administrative Gracen ka fshatra që nuk janë përfshirë në transportin e nxënësve drejt shkollës. Gjatë një vëzhgimi në datën 1 shkurt 2017, Qamil Stafa, kryetar i fshatit Tërbaç deklaroi se fëmijët e fshatit të tij udhëtojnë në mënyra të ndryshme drejt shkollës, por jo me transport të siguruar nga bashkia. Ndërkohë me autobusin e mësuesve transportohen edhe pasagjerë.
“Jemi 4 kilometra larg shkollës. E gjithë lagja është nja 30 -40 [fëmijë] dhe ikin me furgona privatisht. Ka raste kur ikin në këmbë,” tha Stafa për BIRN.
Në 6 shkurt 2016 në Papërr, mjeti që transporton mësuesit, më parë transporton nxënësit në linjën për në Murras. Ndërkohë shumë nxënës të fshatrave të Paprrit rrugën e bëjnë në këmbë, duke kaluar madje edhe në anë të rrugës kombëtare.
Grejsi Kulla është nxënëse në shkollën e mesme “Fiqiri Baltëza” në Papërr. Ajo udhëton 1 orë e gjysëm për të mbërritur në shkollë, ndërkohë që deklaron se shkon e vjen në këmbë ose me mjete të rastit. Deri tani nuk kanë pasur një mjet t’i transportojë në shkollë apo t’i dërgojë në shtëpi.
“Nuk kemi transport për në shkollë. Vijmë ose në këmbë ose me mjete të rastit,” deklaroi ajo.
Gjatë një vëzhgimi me 10 shkurt 2017, u konstatua se linja e kontraktuar për mësuesit Elbasan-Labinot-Fushë-Xibrrakë transporton mësues, nxënës, por edhe pasagjerë. Autobusët kanë logot e kompanisë së transportit që mbulon linjën e Librazhdit dhe nuk kanë sinjalistikë “Stop” për transportin e nxënësve.
Administratori i një linje rrethqytetëse transporti, i nënkontraktuar nga Era Travel 2013, shpjegoi për BIRN në kushte anonimati se pagesa bazohej sipas numrit të nxënësve që transportoheshin.
“Vlera e parave për çdo mësues dhe nxënës i kalonte një herë në muaj shpesh bashkë me TVSh-në,” tha ai. “Kjo marrëdhënie ka vazhduar deri në 20 shkurt 2017 dhe më pas është ndërprerë pa një arsye të qartë,” shtoi administratori.
BIRN gjithashtu ka mësuar se një pjesë e madhe e mësuesve në bashkinë e Elbasanit, nga periudha e tenderimit të shërbimit të transportit në maj 2016 deri në fund të vitit arsimor- në fund të qershorit 2016, e kanë paguar vetë udhëtimin e tyre për në shkolla. Shërbimi i ri i transportit nëpërmjet kontratës private ka filluar vetëm në shtator 2016. Transporti është realizuar si për mësuesit dhe ashtu për nxënësit me të njëjtat automjete që kryejnë funksionin e linjave rrethqytetëse të transportit publik.
“Transporti ynë ka qenë me të njëjtin autobus dhe me të njëjtat kushte,” i tha BIRN mësuesja S.M, e cila udhëton 5 ditë në javë drejt shkollës në fshatin Gjinar. “I vetmi ndryshim ishte se ne i paguanim paratë në dorë, pasi na i shlyente bashkia apo DAR. Në shtator 2016 është vënë në funksion linja pa pagesë deri në muajin shkurt 2017, kur kemi filluar sërish t’i paguajmë lekët në dorë. Nxënësit kanë udhëtuar gjithmonë në autobusin tonë dhe po kështu edhe pasagjerët e rastit,” shtoi ajo.
Kompanitë “Era Travel” dhe “Tirana Bus” në një përgjigje me shkrim ndaj shqetësimeve të ngritura nga BIRN, u shprehën se në kriteret e përcaktuara nga autoriteti kontraktor nuk ndalohej nga përdorimi i mjeteve me reklama nga transporti i nxënësve me linjat e mjeteve ndërqytetëse dhe as kërkohej pajisja me sinjalistike “Stop.”
Kompanitë u shprehën gjithashtu se nuk kanë pasur detyrim të ofrojnë shërbim të diferencuar për mësues dhe nxënës, ndërkohë që në muajin maj-qershor transporti i mësuesve nuk është realizuar, pasi ata janë kompensuar me të holla. Ndërkohë për sa i përket përdorimit të mjeteve 8+1 mbi kapacitet, “Tirana Bus” dhe “Era Travel” u shprehën se kjo ishte pasojë e dhembshurisë të shoferëve të tyre.
“Në procedurën e prokurimit ishte parashikuar transport për nxënësit në distancë mbi 2 km nga shkolla , por nuk parashikohej transport për ata që ishin në kufi të 2 km largësi, dhe drejtuesit e mjeteve e kishin të vështirë të largonin këta nxënës nga mjetet e tyre, prandaj me raste , sidomos në kushtet e motit të keq e me shira , është ofruar transport edhe për këta nxënës. Për këtë arsye, herë pas here mjetet kanë qenë të mbushur mbi kapacitetet e tyre për këtë shkak,” u shprehën kompanitë.
“Po a mund të ketë shkelje të transportosh me mjete fëmijë të vegjël për në shkollë , kur jashtë bie shi?? E nëse quhet shkelje transporti i fëmijëve që ishin 1.9 km larg shkollës, atëherë po- është bërë shkelje,” shtuan ata.
Përtej problemeve me cilësinë e shërbimit, ka pasur fshatra banorët e së cilëve shprehen se nuk kanë përfituar nga transporti falas për nxënësit dhe mësuesit, edhe pse janë pjesë të kontratës së nënshkruar midis bashkisë dhe bashkimit të kompanive “Era Travel 2013” dhe “Tirana Bus.”
“Kemi shkuar dhe kemi kërkuar transportin e fëmijëve tek bashkia. Ata na thanë se e ka një kompani private. Kemi hasur shumë vështirësi të gjejmë emrat e fëmijëve, pasi ishin në një linjë tjetër, atë të Kaçivelit,” tha Eduard Tashi, prind i njërit prej 21 fëmijëve në fshatin Tudan, të njësisë administrative Tregan.
Sipas Tashit, kompania e transportit i kompensoi prindërit për mungesën e shërbimit të ofruar, megjithëse nuk ishin paratë ajo që ato po kërkonin.
“Për pagesat që morëm, paguam edhe T.V.Sh,” shpjegoi Tashi. “Ne nuk duam paratë, por transport pasi e kemi shumë të vështirë t’i dërgojmë fëmijët në shkollë për shkak të rrugës së keqe,” shtoi ai.
“Tirana Bus” dhe “Era Travel” e kontestojnë akuzën e Tashit dhe shprehen se “konstatimi se nuk është ofruar shërbim është tërësisht i pavërtetë.”
Sipas kryetarit të bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, kotrata me kompanitë “Era Travel 2013” dhe “Tirana Bus” nuk është rinovuar dhe bashkia do t’i kthehet pagesës individuale për mësuesit.
“Kompania aktuale si kompani serioze provoi dhe ka kërkuar tërheqjen… Në këto kushte, do t’i rikthehemi pagesës individuale,” tha Sejdini.
“Ministria e Arsimit që është financuese nuk ka bërë asnjë ndryshim të tarifave. Mësuesit janë të interesuar të marrin paratë ndaj në zona të veçanta, ku janë 1 apo 2 mësues kërkojnë dhe shërbim taksi nga bashkia,” përfundoi ai.
Vetë kompanitë “Era Travel” dhe “Tirana Bus” shprehen se edhe pse kontrata është ndërprerë, ka një kërkesë të lartë nga mësuesit për shërbime transporti.
“Sot që mësuesve nuk u ofrohet shërbimi nga ana jonë, shoqëria merr telefonata pa fund se përse ky shërbim nuk po ofrohet, pasi sipas mësuesve që na kontaktojnë, ata theksojnë se hasin vështirësi në transport, pasi janë të detyruar të lëvizin me mjete të rastit,” thanë ato.
“Kjo sjell vonesa në paraqitjen në punë të mësuesve dhe për pasojë vonesa të fillimit të orëve të mësimit,” përfunduan dy kompanitë.