Historianët dhe zyrtarët në Bosnje po luftojnë për të rimarrë Kartën e Ban Kulin të shekullit 12 – e cila konsiderohet si certifikata e lindjes së vetë shtetit boshnjak – ku kopja më e vjetër gjendet në Rusi.
Bosnja është në një betejë të qetë diplomatike për të rimarrë Kartën e Ban Kulinit, dokumentin diplomatik më të vjetër të shtetit mesjetar boshnjak që ekziston edhe sot – vlera historike e së cilës shihet si e paçmuar për Bosnjën.
Kopja më e vjetër e dokumentit ndodhet në Muzeun e Akademisë Ruse të Shkencave në Shën Petersburg.
Qeveritarët, historianët dhe ekspertë të tjerë po përpiqen tashmë prej vitesh që ta marrin atë mbrapsht, ndonëse përpjekjet e tyre janë hasur me dështim – ku së fundmi po presin çastin e volitshëm për të rifilluar negociatat.
Ministria e Çështjeve të Brendshme në Bosnjë i tha BIRN se kishte provuar sërish të kontaktojë Rusinë, pasi Këshilli i Ministrave i kërkoi ministrisë të iniciojë një nismë të re me palën ruse.
Në përgjigje, ministrisë iu tha se çdo zgjidhje e çështjes lidhur me Kartën ishte në duart e Agjencisë së Organizatave Shkencore të Federatës së Rusisë.
“Në gjysmën e dytë të vitit 2016 morëm një përgjigje [nga Rusia] duke thënë se nën-konsulli rus në Dubrovnik, Jeremija Gagiç, e kishte blerë Kartën nga një tregtar duhani në vitin 1832,” shpjegoi ai.
“Agjencia e Organizatave Shkencore të Rusisë e konsideron statutin të blerë ligjërisht. Ai ka qenë në Bibliotekën e Akademisë Ruse të Shkencave për më shumë se 170 vjet, është përfshirë në listën e koleksionit bazë të Departamentit të Kërkimeve Shkencore të Dorëshkrimit në Bibliotekën në fjalë, ndaj është pronë e Federatës Ruse”, tha ministria për BIRN.
Ministria tha se më pas e kishte kontaktuar Agjencinë e Organizatave Shkencore me një kërkesë për të konsideruar dhënin e përkoshme të Kartës te Bosnje-Hercegovina.
“Ende nuk kemi marrë një përgjigje për kërkesën,” tha ministria.
Pak javë më parë, statuti festoi 828-vjetorin e krijimit.
Publikuar më 29 gusht 1189, ai është dokumenti i parë i njohur, lëshuar nga një sundimtar i mbretërisë së Bosnjës për popullin e një shteti tjetër.
Historiani boshnjak Enver Imamoviç e quan atë si monumentin më të rëndësishëm kulturor të historisë së Bosnjës.
Ai siguron dëshmi vendimtare se shteti i hershëm mesjetar boshnjak ekzistonte dhe kishte një sundimtar në shekullin e 12-të, ndonëse ka prova të ekzistencës së shtetit boshnjak shumë më herët, të paktën nga shekulli i 10-të.
“Karta është dokumenti diplomatik më i vjetër i shtetit boshnjak i ruajtur nga mesjeta, ndaj është certifikata e lindjes së shtetit boshnjak”, tha Imamoviç.
“Versioni origjinal është në gjuhën dhe shkrimin boshnjak. Një tekst i dytë është shkruar në latinisht,” thotë ai.
Lëshuar nga sundimtari i Bosnjës, Ban Kulin, u garanton tregtarëve të Dubrovnikut sigurinë e plotë, lirinë e lëvizjes dhe të drejtat tregtare, si dhe lirimin nga të gjitha taksat.
“Dubrovniku ishte atëherë partneri më i rëndësishëm tregtar i Bosnjës mesjetare,” shpjegoi Imamoviç.
Për fat të keq, për shekuj me radhë, të gjitha kopjet e mbijetuara kanë qenë përtej kufijve aktual të vendit.
Imamoviç tha për BIRN se të paktën tre versione të Kartës ekzistojnë akoma dhe sot, por kopja në Rusi duket se është më e vjetra dhe origjinale.
“Versionet e tjera janë një përkthim të bëra nga kopja e Dubrovnikut, pak vite pas publikimit të kartës. Dihet se deri në vitin 1832 të treja kopjet ishin në Dubrovnik,” tha ai.
“Origjinali sot është në Rusi. Ai u mor nga Dubrovniku nga ish-konsulli rus në Dubrovnik, Jeremija Gagiç. Me sa duket, ndërsa shëtiste nëpër qytet, ai pa një grumbull mbeturinash në rrugë, disa shënime të vjetra, ku ishte edhe karta,” tha Imamoviç.
Historiani dyshon se Gagiç e gjeti Kartën në vitin 1817, siç pretendonte ai dhe beson se kjo ndodhi në vitin 1832, mbase me ndihmën e një Djordje Nikolajeviç, i cili u pagua atë vit nga qeveria austriake për të kërkuar arkivat e Dubrovnikut për dorëshkrimet e vjetra që duhej të transferoheshin në Vjenë, përfshirë edhe Kartën.
Boshnjakët besojnë se diplomati rus i ofroi atij një shpërblim të mirë për dokumentin.
“Dorëshkrimet më të reja të Kartës Kulin nga Dubrovniku u dërguan në Vjenë më 1833, ku mbetën deri në fund të Luftës së Parë Botërore.
“Pastaj iu kthyen vendit [Jugosllavisë] dhe iu dorëzuan në Akademisë Mbretërore Serbe në Beograd. Në vitin 1941, [nën pushtimin gjerman] ato u dërguan në Vjenë, por bashkë me pjesën tjetër të materialit arkivor u kthyen në vitin 1947 në arkivat e Dubrovnikut, ku qëndrojnë akoma”, kujton Imamoviç.
“Informacioni që Karta [origjinale] ndodhej diku në Rusi erdhi fillimisht tek ne në vitin 2004. I kërkuam ambasadorit të atëhershëm të Bosnjës në Rusi, Enver Haliloviç, të kontrollonte ku ishte. Ai u përpoq shumë dhe e gjeti Kartën e Ban Kulin në Muzeun e Akademisë Ruse të Shkencave në Shën Petersburg,” tha ai.
Haliloviç shkoi atje dhe u kërkoi rusëve të kthenin dokumentin.
Ambasadori madje u përpoq të bënte një film për kthimin e Kartës në Bosnje dhe mori një regjisor me vete. Vetëm atëherë rusët e kuptuan se rëndësi ka dokumenti për Bosnjën.
Megjithatë, rusët refuzuan ta kthejnë Kartën.
“Tensionet kombëtare në vendin tonë kontribuuan për këtë dështim, siç bëri dhe mbyllja e marrëdhënieve me Rusinë dhe Republika Srpska, që mohon shtetësinë e Bosnje-Hercegovinës dhe gjithçka që e dëshmon atë,” tha Imamoviç, duke iu referuar mosmarrëveshjeve të brendshme në Bosnje.
Megjithatë, përpjekjet për kthimin e Kartës vazhdojnë. Imamoviç thotë se autoritetet janë tashmë të vetëdijshme për rëndësinë e Kartës dhe janë të gatshme të bëjnë ç’është e nevojshme për ta kthyer atë në Bosnje.
Në bashkëpunim me historianë dhe ekspertë të tjerë, Imamoviç u përpoq të organizonte ekspozimin e një kopje të Kartës në Bosnjë. Megjithatë, kjo përpjekje dështoi gjithashtu.
“Ne ramë dakord që statuti të vijë në Bosnje për një ekspozitë, por disa njerëz e penguan,” tha Imamoviç duke fajësuar për dështimin e iniciativës tensionet kombëtare me Kroacinë.
Ndërkohë që beteja për kthimin e dokumentit më të vjetër dhe më të rëndësishëm historik të vendit vazhdon, Imamoviç thotë se do të duhet të zhvillohet përmes kanaleve të qarta diplomatike, në mënyrë që të shmanget zgjimi i tensioneve kombëtare.
“Kemi në posedim disa objekte shumë të vlefshme për Rusinë dhe shpresojmë që të kemi sukses në këmbimin e tyre për Kartën,” tha Imamoviç, me shpresë.
“Nuk do të heqim dorë nga Karta e Ban Kulinit dhe beteja e heshtur diplomatike për të vazhdon,” përfundoi Imamoviç.