Pavarësisht raporteve për një rrugë të re emigrantësh nga Deti i Zi, autoritetet rumune dhe organizatat ndërkombëtare thonë se këto histori s’kanë baza në realitet.
Njëzetë e katër vjeçari “Ahemd” – jo emri i tij i vërtetë – nuk u largua nga Siria në vitin 2014 që të përfundonte në Rumani. Ai u largua nga Idlibi bashkë me vëllanë e tij për në Turqi atë vit, sepse ata s’donin t’i bashkoheshin ndonjë prej fraksioneve ushtarake, thotë ai, sepse “për Sirinë s’ka më shpresë”.
Djaloshi i gjatë dhe i pastër është ulur në një kafene në Bukuresht dhe nuk jep të dhëna për udhëtimin e tij. Ai nuk dëshiron të tregojë identitetet e njerëzve që e ndihmuan dhe ndihet më pak se i mirëpritur në Rumani. Ai punon në kafene për të mbledhur ca para dhe të paguajë një apartament, edhe pse ai nuk ka leje pune dhe po pret ende që të sqarohet statusi i tij i refugjatit. “Ndihem ende disi i pasigurt,” i tha ai për BIRN.
Ahmedi e kaloi kufirin nga Turqia në Bullgari në qershor. Ai qëndroi atje, i fshehur në apartamente të ndryshme, për rreth një muaj dhe pastaj një ditë arriti në kufirin rumun. Ai u fsheh në një pyll për një ditë dhe e kaloi Danubin për në Rumani gjatë natës.
Udhëtimi nga Turqia në Rumani i kushtoi atij rreth 5,000 dollarë amerikanë. Por para se grupi i tij të ishte gati të nisej nga Rumania për në Hungari, policia bastisi apartamentin ku ata ishin fshehur, arrestoi udhërrëfyesin dhe ata u dërguan në një qendër azili.
Ai thotë se njihte njerëz që po planifikonin të shkonin nëpërmjet Detit të Zi nga Turqia, por kushtonte shumë. Ai s’i përballonte dot 8,000 dollarë për një udhëtim që ishte shumë më i rrezikshëm se rruga nga toka. “Më mirë të më arrestojnë sesa të vdes,” theksoi ai.
Ahmedi është një nga rreth 4,000 njerëzit që kaluan ilegalisht kufirin për në Rimani gjatë tetë muajve të fundit dhe u kapën nga policia kufitare. Njësoj si ai, shumica e tyre kaluan Danubin nga Bullgaria ose erdhën në tokë nga Serbia në rrugën e tyre drejt Hungarisë.
Megjithatë, për herë të parë në këto katër vitet e fundit, gjatë muajit të fundit 500 vetë, kryesisht sirianë, iranianë dhe irakianë, arritën në Rumani me pesë anije nga Deti i Zi pasi u shpëtuan nga roja bregdetare rumune. Shfaqja e papritur e anijeve të vogla, të vjetra e të ndryshkura ka rritur frikën në Rumani se Deti i Zi mund të shndërrohet në një rrugë të re për emigrantët, të cilët janë përpjekur t’i shmangin vendet jo-Shengen gjatë viteve të fundit.
Megjithatë, si organizatat ndërkombëtare ashtu edhe refugjatët me të cilët BIRN foli e mohojnë faktin që Rumania përballet me një “valë migrimi” dhe thonë se numrat që mbërrijnë ndoshta do të bien, pasi Turqia po përpiqet të mos lejojë nisjen e varkave nga Deti i Zi. Gjithashtu, me afrimin e dimrit, deti me erë bëhet shumë i rrezikshëm për ta kaluar me anije të vogla.
Edhe nëse shifrat janë trefishuar në krahasim me vitet e kaluara, ato mbeten të vogla dhe vendi është mëse i aftë të përballet me dokumentet dhe strehimin e një numri të vogël azilkërkuesish, thotë zëdhënësja e UNHCR-së Rumani Gabriela Leu.
“Përpjekje të tilla ka pasur edhe më parë, në vitet 2013-2014, kur dhjetë anije mbërritën në Rumani. Më pas gjithçka ndaloi. Nuk ka nevojë për panik. Janë vetëm 482 persona. Në vende të tjera 500 persona e kalojnë kufirin për dy orë,” tha ajo.
Rumania ka pritur refugjatë që nga viti 1990 dhe vendi ka mjetet dhe institucionet e duhura për ta përballuar këtë, theksoi ajo. Deri më tani, ai ka pritur 3,300 refugjatë këtë vit, përfshirë këtu edhe ardhjet e fundit nga Deti i Zi dhe të tjerët që u zhvendosën nga Greqia. “Ne duhet të kuptojmë se kjo nuk është aspak krizë apo valë,” tha ajo.
Përpjekja e fundit para ardhjes së dimrit
Në Turqi, autoritetet po veprojnë për të ndalur anijet e peshkimit me emigrantë që largohen nga portet e Detit të Zi. Në Kastamonou, që është rreth 1,500 kilometra nga bregu rumun, forcat turke të sigurisë kapën 150 sirianë para se ata të niseshin me anije për në Rumani më 29 gusht. Banorët vendas i kishin paralajmëruar ata pasi vunë re tre autobusë të mbushur me njerëz që po mbërrinin në port. Ishte hera e parë që ata shikonin refugjatë në atë zonë.
Më 10 shtator, autoritetet turke ndaluan gjithashtu 313 emigrantë në Detin e Zi, të cilët po përpiqeshin të arrinin në vendet e Ballkanit me varka peshkimi.
Ghassan, 38 vjeç, një punëtor iranian i një OJQ-je që ka jetuar në Stamboll që nga viti 2012, thotë se nuk ka gjasa që shumë sirianë të vazhdojnë të përdorin rrugën nga Deti i Zi.
“Varkat do të ndalojnë pasi të nisë dimri,” tha ai. “Nga ajo që kemi parë gjatë viteve të fundit, në gusht dhe shtator njerëzit kanë më shumë frikë nga një tjetër dimër i kaluar në Siri apo në një kamp refugjatësh në Turqi ose Liban, dhe përpiqen me dëshpërim të largohen,” shtoi ai.
Për shumicën e njerëzve që u larguan nga Siria apo Iraku, Turqia është larg të qenit një vend i sigurt, theksoi ai. Kushtet nëpër kampe janë të zymta, dimrat janë të vështirë për t’i përballuar kur jeton në një tendë dhe ndihma që ata marrin nuk është e mjaftueshme.
Me mbylljen e rrugës detare nga Turqia në Greqi që kur BE-ja nënshkroi një marrëveshje me Ankaranë vitin e kaluar për të ndalur fluksin e emigrantëve në këmbim të një ndihme prej 3,5 miliardë dollarësh për të ndihmuar Turqinë të strehojë refugjatët, Deti i Zi mund të duket shansi i fundit për refugjatët e dëshpëruar arrijnë në një vend të sigurt, shpjegoi Ghassan.
Vendi përballet me presion për të trajtuar situatën
Është e vështirë që një barkë që të mos vihet re nga Roja Bregdetare e Rumanisë në Detin e Zi, thonë zyrtarët, për shkak të sistemit të saktë të kamerave që mund të zbulojë anije larg bregut edhe gjatë natës.
Në këtë mënyrë, më 13 shtator, rojet bregdetare zbuluan një anije të vogël peshkimi të mbushur me 157 njerëz në rrezik që të mbyteshin gjatë një deti të stuhishëm. Dallgët ishin pothuajse tre metra të larta dhe u deshën 15 orë që autoritetet të shpëtonin iranianët dhe irakianët që po futeshin fshehurazi në Rumani. Zyrtarë të rojës bregdetare thanë për BIRN se shumë nga pasagjerët, përfshirë 57 fëmijë, pothuajse kishin humbur ndjenjat. “Në një varkë të vogël, 16 metra të gjatë dhe gjashtë mera të gjerë, ata arritën të fusnin 157 njerëz. Ishte një torturë e vërtetë! Të kalosh 24 deri në 48 orë në det me dallgë deri në 3 metra të larta, s’është aspak e lehtë, sidomos për fëmijët,” tha komisioneri Sorin Oprea, zv/kryetari i Policisë Kufitare të Rumanisë.
Policia kufitare tha gjithashtu se kamerat tani do të punonin 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë për të zbuluar ndonjë anije që mund të jetë në rrezik në Detin e Zi.
Presioni mbi policinë kufitare rumune është i madh, pasi raportet se Deti i Zi mund të shndërrohet në një rrugë të re të mundshme për emigrantët dhe refugjatët që hyjnë në Europë do të ndikojë në mundësinë që Rumania t’i bashkohet zonës Shengen.
Edhe pse kreu i Komisionit Europian Jean Claude Juncker tha javën e kaluar në fjalimin e tij në Bashkimin Europian se Rumania dhe Bullgaria duhet t’i bashkohen zonës Shengen sa më parë është e mundur, Austria, Gjermania dhe Holanda ende shprehën kundërshtim.
Kontrollet kufitare dhe mënyra se si Rumania dhe Bullgaria po e trajtojnë krizën e emigrantëve ishin disa nga shqetësimet që ata shprehën.
Megjithatë, Ministrja e Brendshëm e Rumanisë, Carmen Dan, këmbëngul se Rumania po e trajton shumë mirë situatën. Ajo tha se disa nga njerëzit që po mbërrijnë në vend janë të kërkuar në Europë ose mund të përbëjnë ndonjë kërcënim sigurie, por ata u identifikuan gjatë procesit të shqyrtimit dhe janë dërguar në qendra të mbyllura.
“S’është një shifër shqetësuese. Nuk po flasim për qindra njerëz,” tha ajo për agjencinë publike të lajmeve të Rumanisë të premten.
“Këta njerëz hyjnë në Rumani nën procedura shumë të rrepta. Ne po punojmë shumë mirë me zyrën e prokurorit. Ata identifikohen dhe bëhen hulumtime në mënyrë që ne të jemi të sigurt që nuk kemi njerëz që përbëjnë kërcënim në qendrat e azilit. Ata që përbëjnë rrezikun sado më të vogël, dërgohen nëpër qendra të mbyllura,” shtoi ajo.
Jeta për arabët në Rumani është e vështirë
Për ata që rrinë si refugjatë në Rumani, jeta s’është e lehtë, tha Ahmedi. Si një kërkues azili, ai merr vetëm 22 euro në muaj për ushqim. Ai u dërgua në një qendër azili në Bukuresht, por e konsideroi atë si të pa jetueshme, kështu që zgjodhi të punonte ilegalisht që të mund të përballonte një apartament me vëllanë e tij dhe tre sirianë të tjerë.
Pasi të marrin statusin e refugjatit, pagesa e tyre do të rritet në 130 euro, të cilat ai do t’i marrë për gjashtë muajt e ardhshëm. Ai do të mund të punojë gjithashtu në mënyrë të ligjshme.
Megjithatë, ai s’është i sigurt nëse dëshiron të rrijë në Rumani. “Dua të shkoj në Gjermani, ku kam miq. Rumania është një vend i vështirë. Rrogat këtu janë më të ulëta sesa në Siri. Është pothuajse e pamundur të jetosh me aq para,” thotë ai.
Ai thotë gjithashtu se rumunët nuk janë shumë miqësor me arabët. “Ndiej që më shikojnë gjatë gjithë kohës. Për shembull, nëse flasim arabisht në metro, më ngulin sytë ose njerëzit thjesht largohen,” shpjegon ai. “Di gjithashtu se nëse dua të punoj këtu, do të duhet të gjej një vend që drejtohet nga një sirian ose një libanez. Asnjë biznes rumun s’do të më punësonte.”
Leu i UNHCR-së tha për BIRN se mediat në Rumani ndonjëherë i raportojnë ardhjet në mënyrë alarmuese, gjë që çon në armiqësi dhe konfuzion midis popullsisë lokale në lidhje me refugjatët dhe emigrantët.
“Neve na duhet alarmuese që ka shumë zëra populist që refuzojnë refugjatët. Është shqetësuese, nëse shikoni në mediat sociale ose në sektorin e komenteve të mediave onlain, sa komentet negative ka, apo madje edhe gjuhë urrejtjeje që nuk është e justifikuar.
“Ata janë njerëz si ne, po i largohen luftës. Janë bombarduar, shtëpitë e tyre janë shkatërruar dhe ata duan të jenë të sigurt,” theksoi ai.
“Vala e vërtetë është kjo. Kjo valë urrejtjeje kundrejt refugjatëve, e cila është shumë alarmuese,” shpjegoi Leu.
Ajo thotë se e vetmja mënyrë për ta kapërcyer këtë është të punohet me median dhe të tregohen historitë e refugjatëve.
Megjithatë, shumë prej tyre, njësoj si Ahmedi, ngurojnë të flasin për eksperiencat e tyre nga frika e dëbimit apo se situata në vendlindjen e tyre u ka lënë ende shenja të thella.
Ahmedi uron të gjejë një punë të mirë në Rumani, që të ndihmojë familjen e tij në Idlib. Ai thotë gjithashtu se është i shqetësuar se s’do të mund t’i marrë dot prindërit e tij të jetojnë me të, sepse ndoshta s’do t’ia mbajë dot xhepi.
“Gjermania është ëndrra jonë. Por së fundmi është e vështirë të kapërcehet kufiri me Hungarinë,” thotë ai. “Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjendet një udhërrëfyes për të kaluar kufirin.”