Investimet në pasuritë e paluajtshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve përbëjnë burimin kryesor të dyshimeve për pastrim parash prej tyre, por transaksionet e kujdesshme dhe mungesa e koordinimit mes institucioneve të hetimit ka sjellë dështimin e vënies së tyre para drejtësisë.
Në prag të nisjes së procesit të vettingut, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave-një institucion që kryen rolin e inteligjencës financiare në vend verifikoi pasuritë e 3150 personave: gjyqtarë, prokurorë dhe familjarë të tyre. Kalimi në skaner i gjyqtarëve dhe prokurorëve, sipas DPPPP u krye në kuadër të ligjit “për rivlerësimin kalimtar…”, në bashkëpunim me institucionet e vetingut dhe Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI.
“DPPPP është angazhuar në kuadër të ligjit, duke iu përgjigjur organeve të vettingut dhe duke vënë në dispozicion të dhëna për transaksione financiare apo të dhëna mbi pasuritë e paluajtshme,” iu përgjigj DPPPP një kërkese për të drejtë informimi të BIRN.
Investimet në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri përbëjnë terrenin më pjellor për transaksionet e dyshimta, që njësia e inteligjencës financiare ka diktuar mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe zyrtarëve të tjerë të vendit, të cilat ajo i klasifikon si persona të ekspozuar politikisht, PEP.
E pyetur për rastet konkrete nga BIRN, koordinatorja e DPPPP u përgjigj se “…çështjet që janë në proces dhe të klasifikuara “sekret shtetëror” nuk mund t’i nënshtrohen procesit të deklasifikimit”.
Ndryshe nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, kryetarja socialiste e Komisionit parlamentar të Sigurisë, Ermonela Felaj zbuloi për BIRN detaje të kontrolleve mbi të gjithë korpusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, proces ky që i paraprin misionit të tre institucioneve të reja të rivlerësimit.
Duke iu referuar një seance dëgjimore me përfaqësues të DPPP, Felaj i tha BIRN se ky institucion ka bllokuar në 10 muajt e fundit 60 milionë euro në transaksione të ndryshme bankare, të cilat janë referuar më pas në Policinë e Shtetit si vepra penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
“Ndër trasaksionet bankare të bllokuara dhe mandej të referuara në Policinë e Shtetit…vendin me të parë e zënë transaksionet për pasuri të paluajtshme dhe mandej dhe biznese të ndryshme,” tha Felaj për BIRN.
“Të hollat e përfituara në sajë të konsumimit të veprave penale, me subjekt gjyqtarë apo prokurorë janë investuar kryesisht në pasuri të paluajtshme, banesa, lokale, troje etj,” shtoi ajo.
Përgjatë dekadës së fundit, tregu i pasurive të paluajtshme ka qenë fusha kryesore e investimeve të njerëzve të sistemit të drejtësisë, të cilët përmes këtyre transaksioneve ia kanë dalë të shtojnë pasuritë e tyre. Investimi në kompani biznesi nga familjarët e tyre është gjithashtu një fenomen i përhapur mes tyre.
Të dhënat e analizuara nga BIRN përmes qindra deklaratave të pasurisë që gjyqtarët kanë dorëzuar ndër vite në ILDKPKI tregojnë se investimet në pasuri të paluajtshme zënë më shumë se 50 për qind të pasurisë së gjyqtarëve.
Sipas këtyre të dhënave, 81 gjyqtarët e Apelit zotëronin së bashku pasuri të paluajtshme në vlerën e 1 miliardë lekëve; 17 anëtarët e Gjykatës së Lartë në vlerën e rreth 700 milionë lekëve ndërsa 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zotëronin së bashku rreth 200 milionë lekë pasuri të paluajtshme.
Pavarësisht dyshimeve të ngritura vazhdimisht për burimin e këtyre pasurive, hetimet e deritanishme nga institucionet e kontrollit dhe organet e zbatimit të ligjit kanë qenë minimale.
Gjatë viteve 2014-2017, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave i tha BIRN se ka referuar në institucione të tjera 28 raste të aktivitetit dhe transaksioneve të dyshimta nga persona të ekspozuar, PEP.
“Raportime ku përfshihen edhe gjyqtarë e prokurorë si PEP, raportime që lidhen kryesisht me investime në pasuri të paluajtshme,” shtoi DPPP.
Njësia e inteligjencës financiare nuk është institucioni i vetëm që ka referuar informacione mbi pastrimin e parave në institucionet e zbatimit të ligjit. Gjatë viteve 2014-2014, edhe Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ngriti një numër të konsiderueshëm padish për gjyqtarë dhe zyrtarë të tjerë të lartë, por vetëm pak prej këtyre rasteve janë dërguar në Gjykatë nga Prokuroria.
Transaksionet e kujdesshme:
Prej vitit 2014, sistemi i drejtësisë në Shqipëri është përfshirë në një reformë drastike që synon pastrimin nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Në qendër të kësaj reforme janë vendosur tre institucionet e vetingut, të cilat do të skanojnë pasuritë, lidhjet me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale të njerëzve të drejtësisë.
Por ky proces i ri pritet të ngrihet mbi gjurmët e pakëta që institucionet e hetimit në vend kanë lënë në çështjet e proceduara dhe të gjykuara ndaj njerëzve të drejtësisë.
Alket Hyseni, deputet i Partisë Socialiste dhe ish-drejtues për më pak se një vit i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave gjatë vitit 2016 i tha BIRN se rastet e transaksioneve të dyshimta të gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë qenë të pakëta.
“Ka pasur raste të dyshimta me përfshirje gjyqtarësh dhe prokurorësh, por duhet të themi që kanë qenë të pakëta, për arsyen e thjeshtë se në DPPPP merren njoftime/sinjalizime për transaksionet, shitblerjet formale etj.,” tha Hyseni.
“Pjesa më e madhe e PEP janë shumë të kujdesshëm në transaksionet që kryejnë,” shtoi ai.
Vështirësisë së hetimit të veprave të tilla si pastrimi i produkteve penale i mëshon edhe kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Felaj, e cila i tha BIRN se në të shkuarën edhe Kodi Penal nuk ka qenë ndihmues.
Nenet që adresojnë veprën e pastrimit të parave në Kodin Penal kanë pësuar ndryshime të vazhdueshme gjatë viteve 2003-2013, çka sipas Felajt ka adresuar edhe vështirësitë e hasura më parë.
Megjithatë, ndryshime të reja mund të jenë të nevojshme, veçanërisht në lidhje me transaksionet e kryera në zonat Tax Free.
“Në takim me drejtuesit e DPPP u ngrit si nevojë aksesi në veprimet me TAX FREE, veprime që nuk lënë gjurmë në sistemin bankar, por që të dhënat mund të tregonin për shuma të mëdha të hollash që përdoren për sende luksi, për veshje dhe aksesorë të tjerë tejet të kushtetueshëm e që nuk mund të justifikohen me të ardhurat e fituara nga puna apo veprimtari të ligjshme,” tha Felaj.
Përveç parave të fituara përmes korrupsionit, ekspertët i bien këmbanave të alarmit edhe për bashkëpunimin e gjyqtarëve apo prokurorëve me elementë të krimit të organizuar, duke vjelur edhe përfitime financiare prej tyre. Hekuran Vladi, një ekspert i pavarur që ka drejtuar më parë Agjencinë e Administrimit të Pronave të Sekuestruara i tha BIRN se sipas informacioneve që ai zotëron, një pjesë e avokatëve, prokurorëve apo gjyqtarëve janë përfshirë në afera të drejtpërdrejta apo të tërthorta me subjekte të krimit të organizuar.
“Kjo përfshirje është kryesisht në formën e investimit në pasuri të patundshme, ndërmarrje të import-eksportit apo subjekte të shitjes së mallrave të akcizës si nafta apo bizhuteritë,” tha Vladi.
Ai hedh dyshime se këta zyrtarë përbëjnë edhe lobin kryesor të trafikimit të çështjeve të mëdha gjyqësore, duke theksuar se tashmë korrupsioni i dikurshëm ka kaluar në një stad të ri.
“Ka kaluar në stadin e shkëmbimit të favoreve mes eksponentëve të rëndë të sistemit,” shton ai.
Risitë e vettingut
Përgjatë viteve të fundit, institucione të ndryshme në vend ia kanë hedhur fajin njëra-tjetrës për situatën e pandëshkueshmërisë mes zyrtarëve të lartë, sa i përket veprave penale të korrupsionit apo të pastrimit të parave që rrjedhin prej tij.
Pingpongu i akuzave pranohet për BIRN edhe nga deputetët e mazhorancës, Ermonela Felaj dhe Alket Hyseni.
“Kjo është çështje që është adresuar me shkrim në instancat e duhura, përfshirë edhe komisionet parlamentare kur është kërkuar. Sot nga ana ligjore një tjetër realitet, pasi vendimet e pushimit për çështjet penale nuk merren me nga prokurori por me dakordësinë e gjykatësit…, tha Hyseni për BIRN.
Sipas ekspertit Vladi, loja “polici-prokurori” apo në rastin e pastrimit të parave, loja “DPPPP-Prokurori” është një manovër e zakonshme, e cila sipas tij është përdorur me të njëjtën regji për vite me radhë.
“Kemi parasysh se korrupsioni dhe kontrabanda janë dy nga burimet kryesore të “parasë së zezë” në vend. Dhe të dyja këto kanë burim, apo partner vetë institucionet e qeverisë. Pra, vartësia nga qeveria, përkatësisht nga Ministria e Financave e bën këtë drejtori jo-ekzistente,” shtoi ai.
Dështimi i institucioneve në të shkuarën për të çuar përpara drejtësisë zyrtarë të përfshirë në pastrimin e parave nuk shihet si pengesë për procesin në prag të vettingut, që sipas deputetëve të intervistuar nga BIRN do të funksionojë në një terren koordinimi të gjerë mes institucioneve.
Si Ermonela Felaj ashtu edhe Alket Hyseni e vunë theksin tek rëndësia e kryqëzimit të informacioneve të mbledhura nga institucione të ndryshme, si garanci për sukses në këtë process.
Sipas Felajt, përfshirja e një sërë institucionesh në proces, të tilla si DPPPP, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar si dhe Inspektoriati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është veprimi i duhur.
“Vihen në veprim njëherazi institucione që kanë një veprimtari të ndërlidhur, që japin dhe marrin njëri me tjetrin dhe që kanë mundësi që nisur nga database që disponojnë, të nxjerrin konkluzione të thelluara dhe të plota,” tha deputetja Felaj për BIRN.
Deputeti Hyseni bie dakord me Felajn sa i takon koordinimit të gjerë mes institucioneve, ndërsa thekson se nevojiten përmirësime në zbatimin praktik.
“Suksesi në pikasjen e korrupsionit të zyrtarëve të lartë mbetet të kryqëzimi i të dhënave të shumta, përgjimet, lidhja me pasuritë që zotërojnë de facto etj, procese këto që ende kanë nevojë për përmirësim në aspektin e zbatimit praktik,” përfundoi ai.