Refuzimi tërësor nga ana e qeverisë polake për të pranuar çfarëdolloj faji apo gabimi të vetin tregon një mungesë pamaturie me rrënjë të thella. Së fundmi, kur sekretari i shtetit i SHBA-së telefonoi presidentin Andrzej Duda për të kundërshtuar ligjin kontrovers të qeverisë mbi memorien historike, Duda nuk iu përgjigj telefonatës, në thelb duke vënë gishtat në veshë.
Sipas raporteve të kohëve të fundit, Departamenti i Shtetit i SHBA-së paralajmëroi ministrinë e jashtme të Polonisë se do të pezullojë takimet e nivelit të lartë në rast se partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS) miratonte ligjin që e bën të paligjshme të insinuosh ndonjë përgjegjësi polake për krimet e kryera nga Nazistët. Qeveria e PiS e miratoi ligjin gjithsesi.
Pak para se të firmoste këtë ligj, presidenti i Polonisë Andrzej Duda refuzoi edhe t’i përgjigjej një telefonate nga ish-sekretari i Shtetit të SHBA-së Rex Tillerson. Shtatëdhjetë e dy vjet pasi Winston Churchill deklaroi se një ‘perde e hekurt’ po zbret mbi Europën Lindore, një lloj i ri kufiri po ngrihet – një perde e turpit.
Ndërsa vendet e Europës Perëndimore janë mjaftueshëm të rritura për të trajtuar e madje edhe për të mësuar nga mëkatet e së shkuarës – përfshirë edhe ato të kryera nga Nazistët – Europa Lindore në dukje nuk është. Siç vërejti së fundmi historiani intelektual rus Nikolay Koposov, ligjet e memories që po miratohen në Europën Lindore “ndryshojnë në mënyrë themelore nga ato të Europës Perëndimore, për shkak se këto ligje mbrojnë në mënyrë aktive kujtimin e kryesve të krimeve më shumë se sa të viktimave, të krimeve të sponsorizuara nga shteti.”
Politizimi i historisë nga PiS është e ngjashme me atë të Rusisë së presidentit Vladimir Putin, regjimi i së cilit po përpiqet të glorifikojë autokratët mesjetarë të tillë si Ivani i Tmerrshëm. Por Polonia supozohej se ishte ndryshe. Autoritarizmi rus dhe kultura politike e këtij vendi i ka rrënjët në të shkuarën perandorake. Ndryshe nga kjo, kur Polonia u çlirua nga versioni sovjetik i sundimit perandorak rus, ajo dukej shumë e etur të nxirrte në pah sa më shumë distancë kulturore që të qe e mundur mes vetes dhe Rusisë. Kjo do të thoshte të përqafohej demokracia liberale dhe sundimi i ligjit, dhe bashkimi me Perëndimin dhe institucionet e saj – konkretisht NATO dhe Bashkimi Europian – sa më shpejt që të ishte e mundur.
Në vitet pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik, Europa Lindore dukej se po përpiqej të integronte veten me kulturën politike Perëndimore. Pjesë e këtij procesi përfshinte ringritjen e elementëve të historisë kombëtare që ishin fshirë apo shtypur gjatë kohës së komunizmit. Nuk është surprizë që Sovjetikët mohuan për shumë dekada që Stalini urdhëroi masakrën e Katinit, ku dhjetëramijëra oficerë polakë u vranë më 1940. Por është surprizë që qeveria e Polonisë një gjysmë shekulli më vonë është jo më pak evazive mbi të shkuarën e vet.
Që më 1989, historianët kanë dokumentuar faktet mbi shoqërinë polake gjatë Luftës së Dytë Botërore. Siç ka vënë në dukje Timothy Snyder i universitetit të Jellit, “polakët u sollën pak a shumë njësoj si popujt e tjerë nën rrethana të ngjashme.” Kjo vështirë se përbën akuzë për popullin polak në tërësi, kështu që ne na mbetet vetëm të vrasim mendjen se pse polakët ndjehen kaq të turpëruar sot aq sa të mbështesin kriminalizimin e aspekteve të caktuara të kësaj periudhe.
Në mënyrë të ngjashme, dikush pyet se pse kaq shumë polakë refuzojnë të pranojnë përgjegjësinë për vdekjen në vitin 2010 të presidentit të kohës Lech Kaczyński në një aksident ajror në Smolensk, Rusi. Vëllai binjak i Kaczynski, Jarosław, i cili tashmë udhëheq PiS dhe është sundimtari de facto i Polonisë, vijon të ngrejë teori komploti mbi incidentin, i cili u shkaktua nga gabime nga ana e pilotëve dhe kontrollorëve të trafikut ajror.
Refuzimi tërësor nga PiS për të pranuar çfarëdolloj faji apo gabimi flet për një mungesë maturiteti me rrënjë të thella. Në fund të fundit, vetëm fëmijët këmbëngulin në variantin, “nuk e bëra unë, e bëri ai,” edhe përballë provave të pakundërshtueshme. Kur aleati më i rëndësishëm i Polonisë mori në telefon, Duda në thelb vuri gishtat në veshë.
Udhëheqësia e PiS është gjithashtu fëminore në pamëshirshmërinë e vet ndaj atyre që i konsideron si të dobët – konkretisht, refugjatët – apo fajtorë. Për shembull, PiS akuzon ukrainasit për rolin e luajtur nga Ushtria Kryengritëse Ukrainase më 1943 kur ajo spastroi etnikisht Volhinian e pushtuar nga Nazistët.
Siç ka treguar psikologu i njohur i fëmijërisë Jean Piaget, fëmijët në fazat e para të zhvillimit kalojnë përmes një faze egocentrizmi: ata në mënyrë natyrore përqendrohen te nevojat e tyre, dhe nuk mendojnë mbi rregullat. Një fëmijë mund të vjedhë lodrën e një fëmije tjetër, ta thyejë, dhe pastaj të mohojë se e ka bërë. Në vend që të pranojë se ka thyer rregullat, ai gënjen për të përputhur të papërputhshmen. Në mendjen e fëmijës, ai nuk është gabim; bota është thjeshtë e keqinformuar. Dhe për shkak se fëmijët besojnë se çdokush vepron brenda këtij përkufizimi të caktuar të të drejtës dhe të gabuarës, ai nuk mund të kuptojë askënd tjetër që mendon ndryshe.
Maturiteti vjen vetëm kur një fëmijë fillon të kuptojë se rregullat dhe normat nuk janë diçka arbitrare e imponuar nga të rriturit, por më së shumti reflektime të të kuptuarit moral të përbashkët. Fëmija fillon të kuptojë se një veprim është i mirë jo për shkak se ai kryet pa u ndëshkuar, por për shkak se është i mirë në vetvete dhe lehtëson bashkëpunimin me të tjerët.
Joanna Tokarska-Bakir nga Akademia Polake e Shkencave shkon më tutje: “Në kuptimin psikoanalitik, politikat [e PiS] – janë arratisje nga turpi dhe përgjegjësia – ato janë duke na tërhequr ne pas në fëmijëri, e matje edhe më mitër, ku fëmija është i ndërthurur në mënyrë të pandashme me mbajtësin – kombin.” Ajo vëren se fëmijët janë “jokritik dhe të pafajshëm,” dhe se “turpi vjen vetëm si pasojë e socializimit.” Një “pedagogji krenarie” kombëtare, në anën tjetër, është “e barabartë me përmbysjen e socializimit pas te gjendja si fetus.” Rezultati është një “komb pa mëkate” siç imagjinohet nga PiS.
PiS po e fëmijërizon Poloninë përmes fiksimit që ka me autoritetin, refuzimit të bashkëpunimit, mohimit të fajit dhe refuzimit për të tolerojë ide heterodokse si dhe ata që kanë ide të tilla. Që të jemi të qartë, asnjë person apo parti nuk e përfaqëson të gjithë shoqërinë polake. Dhe ngjashmëria mes sjelljes së PiS dhe asaj të fëmijëve të vegjël mund të jetë thjeshtë një rastësi. Por kjo e bën problemin jo më pak të rëndë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Poland’s Child-Like State