
Prej dy javësh, automjetet dhe udhëtarët që shkojnë drejt Dukagjinit i nënshtrohen një kontrolli të rreptë policor në Prekal; postobllok i ngritur si masë e sigurisë rrugore, por që policia pranon se bëhet për të penguar kultivuesit e mundshëm të kanabisit.

Prej dy javësh, makinat dhe udhëtarët që nisen drejt malësisë së Dukagjinit janë të detyruar të ndalojnë në një postobllok të policisë në Prekal, i cili gati ka marrë funksionet e një dogane; kontrollon veç licensave dhe patentave të shoferëve, edhe kartat e identitetit të udhëtarëve dhe në disa raste edhe mund t’i kthejë pas ose t’u bllokojë udhëtimin për disa orë.
E ndërsa zyrtarisht motivimi për postobllokun dhe bllokimin e mjeteve është siguria rrugore, shefi i komisaritit të policisë së Shkodrës, Hamdi Shullani pranoi se ndër qëllimet e postobllokut ishte ai i “goditjes së grupeve kriminale që kultivojnë kanabis në zonën e Dukagjinit”.
Po ashtu, policia thotë se synon më shumë siguri për turistët që vizitojnë këtë zonë apo udhëtojnë për në Theth përsa kohë rruga që kalon në male është e bllokuar.
Për banorët e fshatrave përreth, postblloku është kthyer në një shqetësim të përditshëm. Në ditët e para, ata që nuk kishin karta identiteti me vete janë kontrolluar dhe kthyer në rrugë, ndërkohë që kontrollet kanë bllokuar mjaft prej mjeteve që bëjnë transport udhëtarësh duke vështirësuar edhe furnizimin me ushqime për zonën.
“As në kohën e Enver Hoxhës nuk ka ndodhur kjo,” thotë Mhill Pali, banor në Kir, duke kujtuar një kohë kur udhëtimi pranë zonave kufitare bëhej vetëm me një leje të veçantë.
Zona e Dukagjinit vitet e fundit njihet si një prej zonave problematike sa i përket kultivimit të bimëve narkotike, ndërsa nuk kanë munguar as përplasjet me armë me policinë, madje duke rrëzuar edhe një nga helikopterët e saj. Masat e shtuara të policisë përkojnë me fillimin e fushatës së përvitshme kundër kanabisit, lulëzimi i të cilit vitet e fundit u kthye në temën kryesore politike në vend.
Ligjërisht policia ka përdorur mungesën e licensave të mjeteve të transportit në këtë zonë për të bërë bllokimin e tyre dhe në njëfarë mënyre, dekurajimin e qytetarëve për të udhëtuar. Banorët thonë se në ditët e para të aksionit, edhe Dukagjinasit nuk u lejuan nga policia që të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
Drejtuesit e furgonëve që bëjnë transportin e udhëtarëve në këtë rrugë theksojnë se ishin “habitur” nga kontrollet e befta për licensa dhe kushte teknike të mjeteve. Ata thonë se kanë kërkuar që të aplikojnë për licensa, por askush nuk lëshon licensa për këtë segment rrugor, i cili është shumë i rrezikshëm dhe pa asnjë lloj standardi. Një prej tyre, Zef Marku thotë se prej vitesh e bën këtë linjë dhe asnjëherë policia nuk e ka kontrolluar për licensë, por vetëm për rregullat e qarkullimit.
“Kjo rrugë është e vështirë dhe pakush e merr përsipër udhëtimin në të,” thotë ai.
Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi duke iu referuar rrugës së Dukagjinit, njoftoi se bashkia ka dy javë që po merret me çështjen e transportit në këtë zonë, ndërsa po ashtu ka nisur edhe procesin e aplikimit për banorët e interesuar që duan të bëjnë rrugën për në Dukagjin me mjetet e tyre. Sipas bashkisë, momentalisht vetëm një operator është i licensuar dhe ky vetëm në segmentin Shkodër-Shalë.
Megjithatë është e qartë që postoblloku nuk duket se ka për qëllim vetëm sigurinë rrugore dhe atë të turistëve, që sipas shefit të Komisariatit të Policisë Shkodër, Hamdi Shullani janë shtuar në numër në këtë periudhë.
Banorët thonë se policia ushtron kontroll të imtësishëm të makinave dhe po ashtu në një rast ata pretendojnë se policia ka bllokuar një makinë të ngarkuar me pleh të kalojë në urën e drurit në zonë. Kur makina ka shkarkuar plehun dhe është tentuar që transporti i tij të kryhej me kafshë, policia ka bllokuar sipas banorëve edhe këtë operacion.
Shullani pranoi për BIRN se një ndër funksionet e postbllokut të ngritur në Prekal, është “në kuadër të masave parandaluese për kultivimin e bimëve narkotike”. Ai shtoi gjithashtu se siguria, rendi publik dhe turizmi janë gjithashtu arsyet.
Por për banorët, kontrollet e imtësishme të policisë dhe bllokimi i kalimit në disa raste janë shkelje të rënda. Edhe pse policia thotë se nuk ka hasur në kundërshtime, disa banorë i thanë BIRN se nuk ishin lejuar të ktheheshin në shtëpitë e tyre apo të vizitonin të afërmit dhe kjo pa marrë shpjegime.
“Erdha për të shkuar tek djali i xhaxhait dhe tek daja, por nuk me lejuan pasi furgoni nuk kishte dokumente. Më kërkuan kartën e identitetit, ua dhashë, por nuk lejohet mjeti me shku dhe jam në gjysmën e rrugës. Ka njerëz më fëmijë që janë bllokuar e nuk janë lejuar të shkojnë në shtëpitë e tyre,” u ankua një 52-vjeçar nga Laçi.