Ndërsa ekspertët e të drejtave të njeriut thonë se amnistia e propozuar do të shkelë parimet ligjore dhe do të krijojë një precedent të rrezikshëm, të tjerët e shohin atë si një çmim që ia vlen të paguhet për miratimin në parlament të marrëveshjes së emrit me Greqinë.
Komisioni parlamentar i ngarkuar me trajtimin e “pajtimit kombëtar” në Maqedoni zot se po punon për përgatitjen e një projektligji.
Ai do të ofrojë një amnisti selektive për disa nga personat e përfshirë në sulmin e vitit të kaluar në parlament, i cili u projektua për të ndalur formimin e një qeverie të re.
Amnistia e planifikuar pothuajse me siguri do të mbulojë deputetët e VMRO DPMNE që tani janë në gjyq për përfshirjen e tyre në sulmin e prillit, por që këtë tetor mbështetën marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Greqinë në parlament dhe vunë si kusht një amnisti për mbështetjen e tyre të mëtejshme.
Pritshmëritë janë që drafti do të paraqitet deri në fund të kësaj jave. Duke gjykuar nga të dhënat e disponueshme, personat e vetëm që nuk do të amnistohen do të jenë organizatorët e sulmit dhe ata që kryen drejtpërdrejtë dhunë.
Ndërkohë, gjyqi i 30 pjesëmarrësve në këtë ngjarje javën e kaluar dëgjoi dëshmi të reja që hodhën dritë të re mbi ngjarjet prapa skenave më 27 prill të vitit të kaluar.
Këto mund të hapin një rrugë për grupe të reja akuzash për organizatorët e dyshuar të incidentit, me të cilat prokurorja kryesore në këtë çështje, Vilma Ruskovska, tashmë po punon.
Shkelja e parimeve kushtetuese
Ruskovska është e irrituar nga njoftimi i qeverisë për një amnisti selektive kur ajo dhe ekipi i saj i prokurorëve kanë investuar kaq shumë përpjekje për të hetuar rastin.
“Nuk e di se si planifikojnë ta bëjnë këtë, sepse një amnisti përzgjedhëse do të shkelte një nga parimet më të rëndësishme kushtetuese, për barazinë e të gjithë qytetarëve,” tha Ruskovska në një intervistë të fundit për 1TV.
Një avokat i njohur, Aleksandar Tortevski, ishte dakord me këtë.
“Mënyra se si lajmërohet ky ligj, do të jetë kundër kushtetutës dhe nuk mund të bëhet pa një shkelje serioze të parimeve ligjore,” tha Tortevski për BIRN.
“Ata duhet të lejojnë Mihajlo Manevskin ta bëjë për ta,” tha Tortevski me ironi, duke iu referuar ish-ministrit të drejtësisë nga viti 2006 deri në vitin 2011, i cili shihej si arkitekti i prishjes së sistemit të drejtësisë nën qeverinë e ish-kryeministrit Nikola Gruevski i cili që atëherë është arratisur nga vendi.
Tortevski e krahasoi një amnisti të tillë me një “sobë të bërë prej druri”, e cila në mënyrë të pashmangshme do të digjej.
Profesoresha e shkencave politike dhe aktivistja e të drejtave të njeriut Mirjana Najcevska, tha se një amnisti e tillë do të vazhdonte kulturën dhe praktikën e mosndëshkimit që e kishte dëmtuar Maqedoninë për dekada të tëra.
“Një ligj i tillë do të nxiste dhunën si një element legjitim i luftës politike,” tha ajo.
“Mosndëshkueshmëria për sulmin e 27 prillit 2017 do të jetë një vazhdimësi e mosndëshkimit për sulmin ndaj deputetëve të opozitës që ndodhi më 24 dhjetor 2012. Në të ardhme, kjo do të shkaktonte sulme të reja që në mënyrë të ngjashme do të destabilizonin plotësisht rendin kushtetues dhe do të pengonin vendosjen e sundimit të ligjit,” shtoi Najcevska.
Më 24 dhjetor 2012, deputetët e Partisë Social Demokrate, në atë kohë në opozitë, u nxorën me forcë nga parlamenti nga oficerët e sigurisë pasi ata u përpoqën të bllokonin miratimin e buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm.
Qeveria e udhëhequr nga Social Demokrati nën drejtimin e Zoran Zaev duket e vetëdijshme se sondazhet tregojnë se amnistia nuk është e pëlqyer.
Por ajo duket e vendosur të vazhdojë para me të, në këmbim të sigurimit të një shumice të nevojshme prej dy të tretash në parlament për të miratuar marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit të vendit.
Një votim përfundimtar mbi ndryshimet kushtetuese që janë pjesë e “emrit” pritet në janar.
Shumë pak e vetëdijshëm për deklaratat e tyre të mëparshme që përputheshin me sloganin: “S’ka drejtësi, s’ka paqe”, e përdorur nga protestuesit në vitin 2016 që ndihmoi në rrëzimin e regjimit të Gruevskit, qeveria e re nuk po përpiqet ta justifikojë amnistinë në aspektin e parimit.
Në vend të kësaj, ajo e ka zhvendosur argumentin drejt pragmatizmit politik, duke përsëritur se është gati të paguajë një çmim politik për ofertën e saj të diskutueshme.
Në një intervistë për BIRN të publikuar në fund të nëntorit, shefja e Komitetit Maqedonas të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Uranija Pirovska, paralajmëroi që të mos kalonte disa nga kufijtë e saj.
“Duhet të ketë gjithmonë kufij kur bëhet fjalë për arritjen e qëllimeve të caktuara politike. Pa marrë parasysh sa janë të rëndësishme për Maqedoninë, ato nuk duhet të jenë arsye për shkeljen e ligjit dhe drejtësisë,” tha ajo.
Çmimi i nevojshëm për një të mirë më të madhe
Nga ana tjetër, disa analistë politikë thanë për BIRN se ata e shikonin një amnistinë selektive, madje edhe nëse do të kalonte kufijtë e vendosur, si një “të keqe e domosdoshme” për të arritur të mirën më të madhe të miratimit të marrëveshjes së emrit me Greqinë, pasi kjo do të hapte perspektivat euroatlantike të Maqedonisë.
Analisti politik Gordan Georgiev tha se qeveria dhe i gjithë vendi po ecninj në fije të perit.
“Roli i qeverisë, dhe në një masë më të vogël, i opozitës, është krijimi i kushteve për hapjen ose zgjidhjen e çështjeve të mëdha që mund të kenë një ndikim kyç në të ardhmen dhe madje edhe në mbijetesën e vendit tonë,” tha ai.
“Në një situatë kur një shumicë e madhe e qytetarëve është kundër çdo lloj amnistie, roli i qeverisë është gjetja e një zgjidhjeje të mesme, e cila do t’i japë asaj mundësinë të kalojë krizën pa paguar një çmim shumë të lartë për të, për shëndetin e ardhshëm të të gjithë shoqërisë.”
Georgiev e përmblodhi këtë duke thënë se nëse fushëveprimi i amnistisë ishte shumë i gjerë, kjo do të legjitimonte precedentë të ngjashëm të dhunshëm në të ardhme, ndërkohë që nëse fushëveprimi i saj ishte shumë i ngushtë, kjo do të rezultojë në dështimin e marrëveshjes së emrit.
“Cinizmi – i cili është bërë besimi ynë i vetëm për të përballuar mjegullën maqedonase politike – mëson: ‘Bëni atë që mundeni, ta hajë dreqi, për aq kohë sa ne nuk paguajmë një çmim shumë të lartë!” përfundoi Georgiev.
Profesori i shkencave politike Nenad Markovic, i cili mbështet marrëveshjen e emrit ishte dakord me këtë.
Ai i tha për BIRN se gjëja e vetme më e keqe se miratimi i marrëveshjes së emrit në këtë mënyrë, me të gjitha dyshimet e pazareve politike, do të ishte nëse ajo nuk arrihej të miratohej.
“Nëse marrëveshja nuk arrin të kalojë fazat deri më tani, kjo do të jetë një humbje e plotë dhe absolute për të gjithë ne,” tha Markoviç.