Privatizimi i shkuar keq i kompanisë së përpunimit të naftës ARMO dhe trasferimi i menaxhimit të saj nga një kompani private në një tjetër duke krijuar borxhe e probleme për punëtorët po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda pranoi se ka nisur prej disja muajsh një hetim që ka si objekt mënyrën e privatizimit të komanisë së përpunimit të thellë të naftës, ARMO. Një prokuror, i cli kërkoi të mos identifikohej pohoi për BIRN se me anë të një shkrese zyrtare i është kërkuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që të vërë në dispozicion gjithë praktikën e privatizimi, prej shitjes së rreth 85.3% të aksioneve të ARMO-s, kompanisë “Taçi Oil” në vitin 2008 dhe kalimet e pronësisë tek kompanitë e tjera gjatë viteve të mëpasshme.
Ndërkohë prokuroria nuk pranoi të japë detaje të mëtejshme duke e cilësuar si sekret hetimor verifikimin e nisur për këtë privatizim dhe personat e përfshirë.
Në një investigim të mëparshëm BIRN zbuloi se privatizimi i ARMO-s ka sjellë keqmenaxhim të saj nga administratorët privatë, ku vetëm borxhet ndaj buxhetit të shtetit të krijuara ndër vite i kalojnë 700 milionë USD.
ARMO është ish-ndërmarrja shtetërore e përpunimit të thellë të naftës, e cila u krijua në vitin 1999 kur qeveria vendosi në atë kohë ndarjen e industrisë së naftës në tri kompani, shpimi, prodhimi dhe rafinim/shpërndarja. Fillimisht ARMO kishte tre rafineri, atë të Ballshit, të Fierit dhe të Cërrikut. Në vitin 2008, qeveria shqiptare e nxorri në shitje kompaninë pasi i hoqi asaj rafinerinë e mbyllur të Cërrikut duke i lënë efektivisht rafinerinë e Ballshit dhe atë të Fierit.
Fitues i tenderit për privatizimin e 85.3% të aksioneve të ARMO-s ishte Biznesmeni Rezart Taçi i cili i bleu këto aksione në këmbim të 128 milionë eurove, ndërsa 14.7% të kësaj kompanie vazhdojnë t’i mbeten shtetit shqiptar. Në bilancin e vitit 2007, kompania rezultonte se kishte rreth 15 miliardë lekë asete, nga të cilat, 3.3 miliardë qenë detyrime dhe pjesa tjetër, kapital i veti. Kompania pati 14.3 miliardë lekë të ardhura në vitin 2007 dhe në atë kohë raportohej se kontrollonte rreth 20 për qind të tregut shqiptar të hidrokarbureve.
Pas privatizimit, gjendja financiare e ARMO-s u përkeqësua ku në bilancin e vitit 2013, kompania regjistroi humbje të akumuluara prej 39 miliardë lekësh dhe borxhe ndaj të tretëve. ARMO, e cila në gusht të vitit 2013 administrohej nga kompanitë Deveron Oil dhe TP&D Oil, pati regjistruar humbje neto prej 12 miliardë lekësh në vitin 2012 dhe 24 miliardë të tjera në vitin 2013. Deri në vitin 2016, e këto kompani krijuan dhjetëra milionë euro borxhe ndaj tatimeve dhe doganave.
Në vjeshtën e vitit 2016, kur kompania IRTC nuk e kishte marrë ende në menaxhim rafinerinë e Ballshit, kompania e përpunimit të hidrokarbureve, për shkak të borxheve të krijuara në vite, kishte një listë të gjatë urdhrash ekzekutimi përmbarimor për bllokimin e aseteve, në krye të së cilës qëndronin Tatimet, Doganat, Albpetrol, bankat dhe furnitorët.
Në shtator të vitit 2016 IRTC me administrator vëllain e pronarit të kompleksit “Taiëan” në Tiranë, Besnik Sulaj mori në administrim ARMO-n. Por një vit më vonë, qindra punonjës u ngritën në protesta për mosdhënien e pagave, përfshi edhe ato të prapambetura nga administratorët e mëparshëm.
Protestat e njëpasnjëshme dhe udhëtimi në këmbë drejt Tiranës i naftëtarëve në dhjetor të vitit 2017 solli tërheqjen e IRTC dhe kalimin e administrimit të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës kompanisë “Bylis Energy” në mars të vitit 2018. Ndërsa rafineria e Fierit administrohet nga kompania Al.Global Oil.