
Vendburimi i Shpiragut, në të cilin janë investuar deri tani disa qindramilionë euro përgjatë njëzet viteve të fundit, dha shenja të reja pozitive për potencialin e prodhimit të disa mijërave fuçive naftë në ditë, sipas kompanisë që po kryen eksplorime.

Testimet në pusin e naftës Shpirag 4 pranë qytetit të Beratit kanë treguar “potencialin për të prodhuar disa mijëra fuçi nafte në ditë”, bëri të ditur kompania Shell të premten në një njoftim për shtyp. Nëse vendburimi i Shpiragut arrin të komercializohet, ai mund të ketë ndikim jo të vogël në rritjen e prodhimit të naftës në Shqipëri, i cili aktualisht luhatet në rreth 20 mijë fuçi në ditë dhe realizohet pothuajse tërësisht nga kompania Bankers Petroleum.
“Testimi disa ditor i pusit u krye sipas pritshmërive, me një prurje potenciale të disa mijëra fuçive nafte në ditë,” deklaroi Shell.
Kryeministri Edi Rama u shpreh shumë i lumtur nga njoftimi. Ai shkroi në rrjetin social Instagram duke postuar një tekst të fotografuar: “Lajm fantastik për rritjen e nesërme ekonomike të vendit konfirmimi pozitiv i testimeve finale të kompanisë Shell mbi nxjerrjen në treg të sasisë së naftës dhe të gazit të zbuluar në Shpirag,” deklaroi ai.
Por ndryshe nga sa pretendon Rama, Shell nuk foli për “testime finale” dhe as për “nxjerrje në treg” të naftës.
“Hapi tjetër në programin vlerësues është kryerja e një testimit vlerësues të gjatë në pusin Shpirag-4, pasuar nga shpimi vlerësues në pusin Shpirag-3. Paralelisht Shell planifikon të kryejë shpime pusesh të tjerë vlerësues brenda blloqeve që ka të drejta për të testuar potencialin e tyre,” bëhet e ditur në njoftimin e Shell. [Link]
Dhe në lidhje me “nxjerrjen në treg”, njoftimi thotë: “Volumi komercial i rikuperueshëm i naftës nga Shpiragu duhet përcaktuar më tej përmes aktivitetesh të tjera vlerësuese”.
Zona naftëmbajtëse e Shpiragut u zbulua për herë të parë nga kompania Oxidental Petroleum në fillim të viteve 2000 zbulimi nuk u arrit të komercializohet. Që nga ajo kohë, në zonë janë hapur edhe puset Shpirag 2, 3 dhe 4, por investimi ka mbetur në fazën e eksplorimit.