Qindra familje rome dhe egjiptiane në Shqipëri përballen me diskriminim dhe paqartësi në përpjekjet për të përfituar nga programet e strehimit, ndërkohë që një ligj i ri mbetet i pazbatueshëm për shkak të mungesës së akteve nënligjore, kaosit administrativ dhe mungesës së vullnetit.
Pasi dështoi të gjejë një shtëpi me qira në Tiranë dhe në pritje të fëmijës së katërt, Sanija, 22 vjeç, u detyrua të kthehej në shtëpinë e prindërve për të kaluar ditët e fundit të shtatzanisë. Vendstrehimi i saj i përkohshëm ndodhet në rrugën periferike “Halil Bega” në zonën e Alliasit, ngjan më tepër me një kasolle të errët dhe lagështia e dimrit ka lënë ende gjurmë në formë hartash mbi tavan dhe nëpër mure.
“Gjendja këtu është ekstrem, por s’kam ku të shkoj tjetër. Burri mbledh kanoçe nëpër plehra, ndërsa unë për momentin nuk dal më të lyp sepse jam shtatzënë,” i tha Sanija BIRN.
Si anëtarë të komunitetit rom në Shqipëri, Sanija dhe familja e saj e varfër janë kandidatë për të përfituar nga ligji i ri për strehimin social, i miratuar në vitin 2018 nga qeveria shqiptare me synimin e zbutjes së plagës historike të strehimit për familjet vulnerabël dhe ato me të ardhura të pakëta në Shqipëri.
Por ndonëse e kaloi dy herë fazën e parë të aplikimit, ajo mbeti sërish në mes të katër rrugëve, pasi askush nuk pranoi t’i japë një shtëpi me kontratë qiraje; kusht ky për të përfituar subvencionin e plotë të qirasë nga bashkia.
Sanija i tha BIRN se shpresat e saj u shuan pas disa muajsh kërkime në Tiranë, ku u përball me përbuzje dhe diskriminim. Kur në fund dikush pranoi t’i lëshonte shtëpinë, ajo sërish nuk mundi të siguronte kontratën e qirasë, pasi pronarit do t’i duhej të paguante taksat në shtet.
Sanija është vetëm njëra prej qindra familjeve të komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri që nuk mundi të kishte akses në programet e strehimit, pavarësisht se ligji ia njeh këtë të drejtë. Të dhënat e siguruara nga BIRN nga 4 bashkitë kryesore të vendit tregojnë se vetëm 10% e familjeve rome dhe egjiptiane të regjistruara si të pastrehë kanë mundur të zgjidhin problemin e tyre të strehimit përmes njërit prej programeve të qeverisë.
BIRN intervistoi anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian, aktivistë të shoqërisë civile dhe zyrtarë të institucioneve përgjegjëse, të cilët fajësuan burokracitë dhe diskriminimin si arsyet kryesore që pengojnë zbatimin e ligjit për strehimin social.
Ekspertët vërejnë gjithashtu dështimin e pushtetit vendor për të luajtur rol aktiv në çështjet e strehimit, mungesën e informimit të familjeve të varfra si dhe “kaosin” legjislativ dhe mungesën e akteve nënligjore si arsye për lënien në rrugë të qindra familjeve të komuniteteve rome dhe egjiptiane në vend.
“Racizëm i madh”
Komunitetet rome dhe egjiptiane në Shqipëri vazhdojnë të jetojnë të veçuara dhe në kushte shumë të këqija strehimi, sipas një raporti të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, PNUD me bazë në të dhënat e censusit 2011. “Frika e dëbimit dhe vështirësitë financiare për të paguar kredinë, qiranë ose për shërbimet është një veçori shumë e zakonshme midis familjeve rome,” nënvizon raporti.
Situata e rëndë e strehimit lidhet ngushtë me papunësinë mes këtyre komuniteteve. Sipas censusit, rreth 25% e këtij komuniteti është në kërkim të një pune, ndërkohë që shkalla e papunësisë për gratë arrin në 58% për komunitetin rom dhe 73% për atë egjiptian.
Shqipëria ka adoptuar legjislacionin për strehimin social që prej vitit 2004, por aksesi në këto programe ka qenë i kufizuar dhe i keqpërdorur. Në vitin 2018, qeveria e drejtuar nga kryeministri Rama bëri ndryshime thelbësore në ligj si pjesë e të ashtuquajturës “paketa e solidaritetit”; duke premtuar ndër të tjera financim 100% të qirasë sociale nga 50% që ishte më parë.
Ligji u mbështet në parim nga aktivistët e komuniteteve rome dhe egjiptiane, organizatat e të drejtave të njeriut si dhe u vlerësua pozitivisht në progres-raportin e Bashkimit Europian për vitin 2018. Megjithatë, ndryshimet ligjore nuk i erdhën në ndihmë Brunilda Kurteshin, 39 vjeç që të zgjidhte problemin e saj të strehimit.
Kurteshi i tha BIRN se aplikoi në mars 2019 në Bashkinë e Tiranës, por lista e gjatë e dokumentacionit dhe peripecitë për gjetjen e një shtëpie me qira e shtynë të hiqte dorë pas vetëm disa javësh.
“Në fazën e parë më thanë që u aprovua, por pastaj nuk i plotësova dot dokumentet që më kërkonin. Kishte shumë letra që duhej t’i merrja në Shkodër dhe Lezhë, pra nga vendlindja ime dhe e burrit. Edhe kontratën e shtëpisë nuk e mora dot e si përfundim s’përfitova,” tha ajo për BIRN.
Kurteshi punon në të zezë dhe thotë se e gjithë paga mujore i shkon për të paguar faturën e qirasë. Ajo shtoi se i ndodhte të shikonte deri në 15 shtëpi në muaj, pa mundur të marrë asnjërën prej tyre me qira.
”Është racizëm i madh, të përplasin derën në fytyrë. ‘Ik nga dera evgjit’ është një nga ofendimet që kam dëgjuar,” tha 39-vjeçarja për BIRN.
Diskriminimi i lartë i familjeve rome dhe egjiptiane denoncohet edhe nga Gentian Sejrani, aktivist për të drejtat e minoriteteve rome dhe egjiptiane. Serjani i tha BIRN se ka pasur raste kur si aktivistë kanë rënë dakord me pronarët e shtëpive për dhënien e tyre me qira; por ata janë tërhequr sapo kanë parë qiramarrësit e mundshëm.
“Pronari ka qenë tërësisht dakord, por kur i kemi çuar familjen që donim të strehonim ata tërhiqeshin direkt dhe nuk e jepnin banesën,” tha Serjani për BIRN. “Pronarët e kanë të vështirë të pranojnë familjet e këtyre komuniteteve, fillimisht për shkak të diskriminimit, por edhe për faktin se i druhen pamundësisë për të paguar sepse dihet që këto familje janë kryesisht të varfra,” shtoi ai për BIRN.
Diskriminimi është vetëm një prej arsyeve që pengon qytetarë të ngjashëm me Sanijen dhe Brunilda Kurteshin që të gjejnë një strehë të sigurt për familjet e tyre. Burokracitë administrative dhe ato ekonomike konsiderohen gjithashtu probleme kryesore për të aksesuar subvencionimin e qirasë.
Brisilda Taco e organizatës ”Rromano Kham” ka ndjekur mbi 30 aplikime në ndihmë të familjeve të varfra. Por ajo thotë se procesi pengohet nga procedurat administrative dhe kërkesat e vazhdueshme për të marrë dhe depozituar dokumente.
“Gjatë punës tonë në terren kemi konstatuar mungesë të aksesit dinjitoz dhe të përballueshëm në programet sociale të strehimit si dhe kushte të papërshtatshme banimi për banesat që nuk kategorizohen si shtëpi banimi nga pikëpamja e ligjit për legalizimet,” tha Taco për BIRN.
“Pavarësisht kësaj situate, familjet e komunitetit rom dhe egjiptian e kanë të vështirë të përfitojnë nga programet sociale të strehimit, ku më i përshtatshmi për kushtet e tyre është pikërisht suvbencionimi i qirasë,” shtoi ajo.
Problemet e mësipërme njihen edhe nga zyrtarët e Bashkive, përgjegjës për aplikimin e programeve të strehimit për familjet me të ardhura të pakëta. Ansel Golemi, specialist në Zyrën e Strehimit të Bashkisë së Korçës i tha BIRN se mungesa e kontratës së qirasë është një nga pengesat kryesore që hasin familjet e këtyre komuniteteve.
“Mungesa e kontratës së qirasë është një nga dokumentet kryesore që penalizon familjet e këtij komuniteti për të përfituar subvencionimin e qirasë,” tha Golemi. “Ka edhe probleme të tjerë që lidhen me dokumentin e zyrës së punës apo dokumente të tjera, por kryesisht kontrata e qirasë prevalon,” shtoi ai.
Pak banesa sociale
Ligji i ri “Për strehimin social” parashikon 6 programe për familjet me të ardhura të pakëta, por ekspertët e intervistuar nga BIRN mendojnë se subvencionimi i qirasë dhe banesat sociale me qira – ku përfshihet krijimi i fondit publik të banesave sociale – janë më të përshtatshmet.
Ligji prezanton gjithashtu për herë të parë konceptin e pronarit social, që është çdo person që investon në banesa sociale me qira ose që disponon banesa për t’i dhënë me qira, për familjet në nevojë për strehim. Ky pronar duhet të regjistrohet pranë bashkive dhe në këmbim mund të përfitojë lehtësi fiskale që miratohen nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore.
Megjithatë, bashkitë disponojnë një numër të kufizuar banesash sociale, ndërsa fondet për subvencionimin e qirasë janë të paqarta.
BIRN iu drejtua bashkive të Tiranës, Korçës, Elbasanit dhe Fierit, duke kërkuar numrin e familjeve të pastreha dhe numrin e apartamenteve sociale që disponojnë. BIRN u kërkoi gjithashtu 4 bashkive numrin e familjeve rome dhe egjiptiane që kanë aplikuar dhe sa prej tyre kanë përfituar nga programet e strehimit.
Bashkia e Tiranës u përgjigj se disponon 385 apartamente, ndërkohë që numri total i të pastrehëve të regjistruar është 14 330. Numri i familjeve rome dhe egjiptiane që kanë aplikuar për programet e strehimit është 240, nga të cilat 140 prej tyre kanë arritur të marrin përgjigje pozitive.
Në Bashkinë e Korçës janë regjistruar si të pastrehë 2800 familje, ndërsa fondi i banesave sociale përbëhet nga vetëm 94 apartamente. Nga këto, numri i familjeve rome dhe egjiptiane është 200, ndërkohë që vetëm 14 prej tyre kanë arritur të përfitojnë bonusin e qirasë.
Bashkia e Elbasanit nuk iu përgjigj pyetjes për numrin e apartamenteve që disponon për programin e strehimit social. Ajo tha se në këtë bashki janë regjistruar 1313 familje të pastreha, por nuk disponon të dhëna se sa prej tyre i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian. Nga ana tjetër, Bashkia u përgjigj se kishte trajtuar me bonus qiraje 37 familje nga këto minoritete në tre vitet e fundit.
Bashkia e Fierit numëron 325 të pastrehë dhe disponon 75 banesa sociale. Vetëm 9 familje të komunitetit rom dhe egjiptian janë regjistruar si të pastrehë në Fier, ndërkohë që në 3 vitet e fundit asnjë familje nuk është trajtuar me bonus qiraje.
Të dhënat e mësipërme tregojnë se numri i banesave sociale të raportuara nga 4 bashkitë përmbush vetëm 3% të kërkesave për të pastrehët e regjistruar. Nga ana tjetër, vetëm 10% e familjeve rome dhe egjiptiane që kanë aplikuar, kanë arritur të përfitojnë nga programet e strehimit.
Ndërsa të dhënat statistikore sugjerojnë nevojën urgjente të Bashkive për të rritur numrin e banesave sociale dhe fondin e subvencionimit të qirasë për të garantuar zbatimin e ligjit, zyrtarë të këtyre institucioneve i thanë BIRN se janë në pritje të miratimit të akteve nënligjore për të vepruar.
“Me anë të VKM-së nr.11, datë 23.2.2018 “Për krijimin dhe funksionimin e fondit social” Bashkia Tiranë ka marrë pjesë në procesin e konsultimit dhe aktualisht është duke pritur udhëzimet nga ministria përkatëse për të vënë në zbatim funksionimin e tyre,” tha Bashkia e Tiranës.
Edhe Bashkia e Korçës u përgjigj se ishte në pritje të plotësimit të ligjit me aktet nënligjore, ndërkohë që bashkia e Fierit identifikoi si problem kryesor mungesën e të dhënave të sakta mbi evidentimin dhe regjistrimin e familjeve rome dhe egjiptiane.
Drejtoresha e strehimit në Ministrinë e Financave, Doris Andoni i tha BIRN se aktet nënligjore janë në proces hartimi dhe se besonte se “pjesa më e madhe do të mbyllet brenda vitit”. Andoni rrëzoi pretendimet e bashkive, ndërsa shtoi se ato nuk i pengonte askush që të zgjerojnë fondin e banesave sociale apo të regjistrojnë pronarë të mundshëm socialë.
“Me ligjin e ri thuhet që subjektet private të regjistrohen në bashki, por nuk ka nevojë për akt nënligjor. Praktikisht është faji i bashkive që nuk shpërndajnë informacionin në territorin e tyre, që kush ka banesa që do t’i japë me qira, të regjistrohet pranë bashkisë,” tha Andoni për BIRN.
Andoni shtoi gjithashtu se bashkitë nuk kanë asnjë pengesë ligjore që të shtojnë fondin e banesave përmes 3 përqindëshit të sipërfaqes që duhet të japin ndërtuesit, dispozitë ligjore kjo që ka hyrë në fuqi që prej dhjetorit 2018.
“Zbatimi i programeve varet edhe nga përgjegjshmëria që ka niveli vendor për t’i ardhur në ndihmë këtyre familjeve. E para të krijojnë strukturat në bashki, të hartojnë programet e strehimit siç i kërkon ligji, pra të identifikohen se cilat janë nevojat në bashkitë e tyre dhe më pas të caktojnë programet që kanë qenë 1-vjeçare dhe tani janë bërë 5-vjeçare,” tha Andoni për BIRN.
“Kaos” legjislativ
Ndryshe nga Andoni, aktivistët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile e quajnë emergjente miratimin e akteve ligjore për ta bërë ligjin të zbatueshëm. Ata ankohen gjithashtu për mbivendosjen e ligjit të ri me atë të vjetrin, e cila konsiderohet pengesë serioze për familjet e varfra, të cilat kërkojnë akses në programet e strehimit.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda i tha BIRN se mosnxjerrja e akteve nënligjore e kthen ligjin në një iluzion.
“Qytetarët e shikojnë që kanë të drejtën, por nuk e materializojnë për shkak të akteve nënligjore,” tha Gajda për BIRN.
Drejtuesi i Lëvizjes Rinore Egjiptiane-Rome, Ervis Çota bie dakord me Komisionerin, ndërsa shton se nëse do të mungojë vullneti politik dhe institucional, ligji rrezikon të mbetet i pazbatueshëm.
“Vonesa e miratimit të akteve nënligjore normalisht që është pengesë e madhe per qytetaret, pasi nuk bën të zbatueshëm ligjin dhe si rrjedhojë nuk përfitojnë nga benefitet që ai ka parashikuar,” tha Çota.
Një çështje tjetër që ka vështirësuar trajtimin e shtresave në nevojë është sipas aktivistëve dispozita kalimtare, që parashikon që programet në proces dhe fondet e parashikuara për vitet 2018 dhe 2019 të shpërndahen sipas ligjit të vjetër.
“Duhet të mbarojë historia e ligjit të vjetër dhe të fillojë historia e ligjit të ri. Përsa kohë kemi dy ligje që “bashkëjetojnë” me njëri-tjetrin, kjo ka filluar të krijojë një konfuzion dhe një situatë pasigurie juridike,” tha komisioneri Gajda.
Një tjetër çështje themelore në suksesin ose jo të ligjit të ri është edhe nevoja për rritjen e buxheteve, si në drejtim të shtimit të banesave ashtu edhe të subvencionimit të qirasë. Drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj i tha BIRN se e drejta e strehimit, e sanksionuar edhe nga konventat ndërkombëtare, mund të vihet në rrezik nëse nuk vihen në dispozicion fondet e nevojshme.
“Mungesa e fondeve publike nuk mund të përdoret si justifikim për të mos ndërmarrë asnjë hap në drejtim të realizimit të së drejtës për strehim. Edhe vendet që përballen me vështirësi të mëdha financiare duhet të miratojnë programe të përshtatshme dhe me kosto sa më efektive për personat më vulnerabël të shoqërisë,” tha Skëndaj.
Aktivistët e komuniteteve rome dhe egjiptiane identifikojnë edhe mungesën e vullnetit nga ana e bashkive si pengesë për zbatimin në praktikë të ligjit të mbetur deri më tani në letër. Ervis Çota i Lëvizjes Rinore Egjiptiane Rome i tha BIRN se bashkitë nuk kanë punuar shumë në lidhje me mundësitë e strehimit, mbledhjen e të dhënave dhe parashikimin e fondeve për strehim të qëndrueshëm dhe dinjitoz.
“Pjesa më e madhe e bashkive, për mos thënë të gjitha, nuk kanë hartuar planin e mirëfilltë për strehimin, që buron si detyrim nga ligji i strehimit,” tha Çota për BIRN.
“Të pakta janë bashkitë, që në buxhetet e tyre vjetore parashikojnë një zë specifikisht për strehimin, çka do të thotë se nuk e konsiderojë prioritet, pavarësisht se nevoja është shumë e madhe,” përfundoi ai.