Për mijëra turq që i arratisen shtypjes në vendin e tyre, heshtja dhe sekreti në vendet ku po përpiqen të gjejnë strehë janë tepër të rëndësishme për mbijetesën e tyre.
Tre vjet pas përpjekjes së për një grusht shteti në Turqi, presidenti Rexhep Tajip Erdogan mbetet figura politike më me ndikim në vend dhe një figurë frike për mijëra turq që duan të shpëtojnë nga sundimi i tij shtypës dhe nuk kanë asnjë vend të sigurt ku të fshihen.
Për ta, Erdogani, ose “fenomeni Erdogan” siç e quajnë disa prej tyre, është një despot që përndjek jetën e tyre, edhe kur ata janë shumë kilometra larg tij.
Ish-oficeri ushtarak që hiqet si mësues
Në një ballkon në Selanik, Greqi, një burrë me sy të kaltër të thellë dhe tipare zeshkane, një kombinim kontradiktor tiparesh që duket se pasqyrojnë edhe situatën e tij, qëndron ulur duke pritur.
Gruaja dhe dy vajzat e tij janë ulur në karriget pranë tij, ndërsa fëmija i tretë dhe më i vogël sillet lart e poshtë derisa ndihet e sigurt në krahët e babait të saj. Të gjithë në familje kanë historinë e tij ose të saj për të treguar në lidhje me makthin që ata përjetuan pas grushtit të dështuar të shtetit më 15 korrik 2016.
Por është Cemali – jo emri i tij i vërtetë – ai flet, duke përshkruar persekutimin e tij në Turqi, i cili ka shtyrë mijëra turq si ai të largohen në mënyrë të paligjshme nga vendi i tyre.
Cemali thotë se ai u largua me familjen e tij në vjeshtën e vitit 2017, pasi kishte kaluar një vit i fshehur, pa pasur kontakte as me gruan dhe as fëmijët e tij.
“Ne ndjemë se Greqia do të ishte zgjidhja e duhur për ne”, thotë ai. “Ai është një vend europian, afër Turqisë, kështu që mund të kalonim lumin Evros dhe të ishim në Greqi brenda 15-30 minutave.”
“Duke qenë se nuk mund të largoheshim me avion, mund të kishim zgjedhur vende të tjera si Iraku dhe Libani, por në këto vende nuk ka demokraci, kështu që zgjodhëm Greqinë”, shpjegon ai.
Cemali është një nga mijëra turq që kanë kërkuar azil në Greqi. rreth 9,000 persona kërkuan azil atje në tre vitet e fundit, sipas shërbimit grek të azilit të Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarëve. Ai e fitoi statusin e refugjatit më 16 gusht 2018, rreth një vit pasi mbërriti në vend.
Ky është një aspekt i ri i krizës së refugjatëve në Greqi. Por shumë shtetas turq nuk e regjistrojnë praninë e tyre në Greqi, duke planifikuar të shkojnë më thellë në Europë dhe sa më larg nga Turqia. Si fantazma, ata fshihen në vendin e tyre para se të largohen dhe pastaj marrin identitete të rreme në vendet e tjera në përpjekje për të rifilluar një jetë normale.
Vera e vitit 2018 pa një eksod të vërtetë të turqve nga “birucat e Erdoganit”, siç thonë disa, kur ata humbën shpresën se diçka mund të ndryshonte në vendin e tyre. Ata nuk mund të përballonin të vazhdonin të qëndronin të fshehur dhe shumë druheshin se burgosja në burgjet turke po afronte shumë shpejt.
Siç raportoi një punonjës i një OJQ-je greke: “Mund t’i dallonit ata kudo në rajonin e Evrosit në Greqi, duke ecur përgjatë rrugës që kalon nëpër fshatra. Ata ishin të veshur mirë dhe kishin me vete gratë dhe fëmijët e tyre.”
Rreth 12,500 shtetas turq kaluan kufirin e lumit Evros vetëm nga gushti 2016 deri në prill 2019, sipas një baze të dhënash të përpiluar nga Frontex, agjencia kufitare e Bashkimit Europian. Gjatë së njëjtës kohë, rreth 850 qytetarë turq kaluan Detin Egje drejt ishujve grekë.
Policia greke nuk e tregon numrin e saktë të turqve që ata hasin në teksa kalojnë kufijtë tokësorë dhe detarë grekë. Por Tugba Guven, një ish-reportere në TRT, agjencia shtetërore turke e transmetimit, thotë se numri i vërtetë i turqve që u larguan së fundmi në Greqi mund të jetë më i lartë se 25,000.
E ulur në një kafene në Selanik, disa muaj para se të nisej për në Gjermani me dy fëmijët e saj për t’u ribashkuar me burrin e saj, ajo kujton se si burri i saj, Cevheri, redaktor i revistës Nokta, ishte ndaluar nën dyshimin se i përkiste një organizate terroriste dhe se bënte propagandë në favor të përpjekjes për grusht shteti.
“Njerëzit që ikin nga Turqia, sidomos ata që kanë vendosur të kenë një jetë këtu në Selanik, kanë frikë të flasin me gazetarët. Ata ndihen më të sigurt nëse nuk bien në sy”, thotë ajo.
Është një lojë frike. Greqia shmang vënien nën presion nga regjimi i Erdoganit, për sa kohë që këta njerëz mbeten të padukshëm. Në të njëjtën kohë, ata kanë frikë të bëjnë komente në publik dhe qëndrojnë nën hije.
Arratisja nga lumi mund të kishte përfunduar në vdekje
Cemali 40 vjeçar, mori një vendim të vështirë si babai i tre vajzave. Ai vendosi të kalonte lumin Evros bashkë me familjen e tij në një varkë të vogël të mbushur me refugjatë. Një udhëtim i shkurtër prej rreth 30 minutash. Kontrabandistët e tyre u kërkuan 11,000 euro për një udhëtim që mund të kishte sjellë vdekjen e tyre.
Cemali tha se gomonia e tyre mund të ishte përmbysur nga çasti në çast duke qenë se ishte e mbingarkuar me njerëz. Por ai ndjeu se nuk kishte zgjedhje tjetër, nëse dëshironte të ishte i lirë dhe të ribashkohej me gruan dhe vajzat e tij. “Më ngriu gjaku kur ishim në varkë, por në çastin që mbërritëm në anën greke të lumit, ngrita sytë nga qielli”, kujton ai.
“Ishte një natë e qartë dhe plot me yje. Lash pas barrën që mbaja prej kohësh, e lashë mendjen të lirë dhe u ndjeva shumë i lumtur. Dhe u ndjeva akoma më i lumtur kur pashë pikërisht të njëjtën ndjenjë në sytë e vajzave të mia. Do të kisha dashur të kisha bërë një fotografi të këtij momenti”, thotë ai.
Cemali u pezullua nga puna një muaj pas përpjekjes për grusht shteti në korrik 2016. Ai u pushua nga puna në shtator. Mua m’u prezantua si mësues.
Ai nuk po më tregonte që ishte një oficer ushtarak – informacion ky i siguruar nga një sërë burimesh të tjera. Ai nuk ishte i sigurt nëse do të ishte e dëmshme të fliste për identitetin e tij të vërtetë. Pas bisedës sonë, e dija që ai kishte vendosur t’i qëndronte në këtij identitet të ri të sajuar.
Natën e grushtit të shtetit të dështuar, ai thotë se ishte me pushime familjare në qytetin e tij të lindjes, pranë kufirit turko-sirian. “Nuk na pëlqeu aspak ajo që ndodhi atë natë. Ishte një përpjekje që nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë. Pas asaj dite, asgjë nuk ishte më si më parë”, thotë Cemali.
“Pas kësaj u fsheha për një vit rresht. Nuk dua të flas për atë periudhë të jetës time dhe as që dua t’i kujtoj më ato ditë”, shton ai.
Kjo pasohet nga një heshtje e gjatë e pakëndshme. Cemali është e qartë që ka mbetur i traumatizuar nga kjo përvojë: “Kam akoma makthe nga ato që kam kaluar gjatë asaj periudhe. Këto makthe janë kaq të gjalla, aq të vërteta saqë zgjohem në mes të natës, i frikësuar se mos jam akoma në Turqi, por pasi kuptoj që jam në Greqi, ndihem i çliruar.”
Frika më e madhe e familjes tani ka të bëjë me sigurinë e tyre dhe atë të familjes së tyre në Turqi. “Dy javë më parë, policia turke sulmoi shtëpinë e prindërve tanë në qytetin tonë”, thotë Cemali.
“Ne kemi besim te qeveria dhe autoritetet greke. E dimë që ata do të na mbrojnë, nëse ka ndonjë kërcënim”, këmbëngul ai.
“Greqia nuk është si Bosnja, Shqipëria apo si vendet e tjera të Ballkanit, ku ka pasur ‘dorëzime’. Por ne gjithashtu e dimë se Turqia ka krijuar një rrjet të madh njerëzish që punojnë për Shërbimet e Inteligjencës Turke. E dimë gjithashtu se ka njerëz që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për sado pak para në emër të vendit, pasi Turqia është një vend ultranacionalist.”
Për shkak të kësaj, Cemali dhe familja e tij janë të kujdesshëm në lidhje me marrëdhëniet me turqit e tjerë, vetëm në rast se e dinë se kush janë ata. “Nuk mund të them se kemi frikë prej tyre, por tregojmë kujdes, pasi jemi informuar se anëtarët e MIT kanë depërtuar në komunitetin grek për të na gjurmuar”, thotë ai.
“Kohët e fundit kemi dëgjuar për dy incidente specifike, një që ka ndodhur në Selanik dhe një tjetër në Athinë”, shton ai.
Cemali kujton një incident që ndodhi në qendër të Selanikut në një park, ndërsa fëmijët po luanin pranë nënave të tyre. “Papritmas një çift turk iu afrua fëmijëve dhe nisi t’u bënte pyetje të çuditshme. Dukej sikur po përpiqeshin të merrnin informacione”, thitë ai.
“Sigurisht që ata u trembën dhe u larguan menjëherë nga parku. Ky incident u raportua te OJQ-të dhe autoritetet greke.
Cemali tregon incidentin e dytë, që ka ndodhur në një periferi jugore të Athinës, i cili u mbulua nga mediat turke, në veçanti nga gazeta Sabah, e cila i përket dhëndrit të Erdoganit.
Cemali thotë se një ekip nga shërbimet e inteligjencës turke, të cilët pretenduan të ishin gazetarë, filluan të ndiqnin anëtarë të komunitetit të lidhur me armikun e Erdoganit, klerikun në mërgim Fethullah Gulen, i cili fajësohet nga Erdogani për grushtin e dështuar të shtetit, për të mbledhur informacione për vendndodhjen e tyre.
Cemali është një nga të paktët ish-oficerë ushtarakë turq që ra dakord të flasë me mua, ndërsa ende fsheh identitetin e tij të vërtetë. “Deri më tani, numri i oficerëve ushtarakë turq që janë në Greqi arrin deri në 1,500 dhe të gjithë prezantohen si mësues”, tha një burim grek.
“Shpresoj vetëm të mos fajësohem për diçka që nuk e kam bërë”, përsërit ai.
Gazetarja shtatzënë kthehet në kufi
Ish-oficerët ushtarakë nuk janë “fantazmat” e vetme. Të tjerë që u arratisën nëpërmjet lumit Evros, vetëm për t’u kthyer përsëri pas në Turqi, të banojnë në të njëjtën botë të padukshme.
Më 26 prill, një gazetare e quajtur Tugba – ajo nuk dëshiron të bëjë publik mbiemrin e saj – në atë kohë shtatzënë, dhe burri i saj, Asimi, ishin në mesin e 11 azilkërkuesve turq që u rrahën me shkop gome në Greqi dhe u dërguan përsëri pas në vendin e tyre.
“Kishim dëgjuar gjëra shumë të këndshme në lidhje me mënyrën se si Greqia e mirëpret popullin turk që i largohet Erdoganit. Erdhëm këtu duke menduar se do të na prisnin me krahë të hapur”, thotë ajo.
Asimi vazhdon tregimin: “Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Zbritëm nga varka dhe, pasi pushuam në një pyll, filluam të ecnim për rreth dy orë. Në momentin që po shkonim drejt një fshati të vogël, pamë një makinë policie. U thamë se donim të kërkonim azil. Ata kërkuan mjetet tona të identifikimit dhe na morën celularët.”
Tugba kujton se policët dukeshin miqësorë: “Ata madje na dhanë ujë.”
Ata s’e kishin idenë se çfarë do të ndodhte më pas. Pas dhjetë minutash, një furgon i bardhë, një Peugeot Boxer, u afrua dhe ata që ishin në të u kërkuan që të hipnin në furgon, pasi biseduan me dy policët e tjerë. Çifti u përpoq t’u shpjegonte se ata nuk mund të hipnin në furgon sepse ai ishte i pisët dhe ata kishin fëmijë me vete.
Por kjo nuk funksionoi. Pa asnjë zgjedhje, ata ndoqën udhëzimet, duke besuar se po i çonin në ndonjë rajon policie. Me kalimin e kohës, rruga nisi të bëhej shkëmbore dhe ata ndjenë se diçka e keqe do të ndodhte.
Asimi vazhdon: “Më pas ndaluam në një vend pa e ditur saktësisht se ku ishim dhe dolëm nga furgoni. Në atë moment, një nga policët, një burrë në mesomoshë me flokë të zeza dhe i veshur me diçka që i ngjante një uniforme ushtari, na tha me një anglishte dhe turqishte të çalë: ‘Ju jeni një problem i madh. Të gjithë ju, duhet të ktheheni pas. Ju duhet të ktheheni në anën tjetër. Ky është urdhër.’”
Tugba dhe burri i saj i thanë policëve se ata kërkonin azil, por biseda e tyre nuk zgjati shumë. Katër njerëz me rroba të thjeshta dhe maska u shfaqën papritmas nga askund, nga pas pemëve. Ata kishin në duar shkopinj gome dhe ishin agresivë. “Ata bërtisnin që duhej të ktheheshin”, kujton ajo.
“Na kapën dhe na shtyn përgjatë bregut të lumit drejt një varke. Ndërsa përpiqeshim të kundërshtonim, ata u bënë më të dhunshëm. Më goditën në shpinë dhe në gjymtyrët dhe ishte shumë e dhimbshme. Nuk i prekën fëmijët dhe gratë”, vazhdon Asimi.
“Momenti që më ka ngelur në mendje përgjithmonë është ai i burrave të maskuar që godisnin tim shoq. E imagjinoni dot? Harrova që isha shtatzënë. Madje, u përpoqa ta mbroja, duke u futur në mes të kësaj situate”, thotë Tugba me një zë që i dridhet.
Pasi bënë shumë rezistencë, ata vendosën se duhej të bindeshin. Një burrë tjetër në varkë ishte duke pritur që t’i kthente azilkërkuesit përsëri në Turqi. Asimi ishte i fundit që hipi në varkë.
Historia e çiftit nuk është një rast i izoluar. Rreth 82 azilkërkues turq janë kthyer nga Turqia gjatë gjysmës së vitit të fundit, 41 prej të cilëve u arrestuan nga policia turke. Disa prej tyre përfunduan në burg.
Lidhja Greke për të Drejtat e Njeriut raportoi incidentin e parë të dëbimit me forcë nga Greqia në Turqi të personave që kishin të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare në vitin 2017. Ata gjithashtu nxorën në pah indikacione se dëbimi jozyrtar dhe i paligjshëm ishte kryer në bashkëpunim me autoritetet turke.
Mëngjesin e 24 majit 2017, një gazetar, Murat Capan, që i arratisej një dënimi me 22.5 vjet burg të dhënë në mungesë së tij, së bashku me dy shokë, kaluan lumin Evros dhe kërkuan azil në një stacion policie në palën greke.
Në stacionin e policisë, ata hasën në një familje tjetër turke me tre fëmijë që kishin kaluar gjithashtu Evrosin. Disa orë më pas ata ishin përsëri në Turqi, pasi qenë detyruar të ktheheshin nën kërcënimin me armë. Destinacioni i tyre i fundit ishte një burg turk.
Rreth asaj kohe, si Lidhja Greke dhe Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dokumentuan gjithsej 17 kthime të shtetasve turq brenda vetëm disa javësh. Shtatë prej tyre ishin fëmijë. Lidhja tha që kthimet kishin një model specifik. Policia greke i çonte azilkërkuesit me furgon në një pikë takimi, ku ata i dorëzoheshin personave të armatosur dhe me maska. Këta burra i detyronin ata të hipnin në një gomone dhe i kthenin përsëri matanë Evrosit, në Turqi.
Autoritetet greke kanë mohuar autorizimin apo ekzekutimin e kthimeve, por nuk ka pasur asnjë hetim zyrtar.
Në vitin 2018, ndërkohë, tre organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut, Komiteti i Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues dhe Dënimit (në prill), Komisioni për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Europës (në nëntor) dhe Human Rights 360, dokumentuan kthimet që po ndodhin në lumin Evros në kundërshtim me ligjin kombëtar grek, atë të BE-së dhe atë ndërkombëtar.
Të tre raportet i referohen një modeli të ngjashëm.. Aktivistë të të drejtave të njeriut druhen se qeveria greke po i kthen përsëri pas azilkërkuesit turq si pjesë e një marrëveshje të fshehtë me qeverinë turke.
Ata theksojnë se kur ish-kryeministri grek Alexis Tsipras vizitoi Turqinë më 5-6 shkurt 2019, në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin Erdogan, Tsipras tha se ata kishin diskutuar mënyrën për ta bërë më efikas bashkëpunimin midis dy vendeve të tyre. Këto diskutime raportohet se trajtuan çështje të sigurisë dhe mënyra për të përballuar aktivitetet e rrjeteve dhe trafikantëve ose terroristëve në kufijtë e tyre.
Tsipras gjithashtu deklaroi se ishin ndërmarrë disa nisma pa emër që mund të jepnin fryte në të ardhmen. Këto deklarata ngritën akoma më shumë shqetësime për ekzistencën e mëparshme të një marrëveshje të heshtur midis dy vendeve për disidentët turq.
Frontex iu përgjigj pyetjeve tona në lidhje me kthimet e pretenduara, duke këmbëngulur se asnjë oficer i vendosur në operacionet e tij nuk kishte dëshmuar ndonjë pengesë të pretenduar dhe duke theksuar se nuk ishte bërë asnjë ankesë kundër ndonjë oficeri të vendosur nga Frontex në Greqi.
Frika e të kthyerve me forcë është e dobishme për regjimin e Erdoganit. Për sa kohë që kanë frikë të flasin dhe mbeten të padukshëm, historitë e tyre mbeten të padëgjuara dhe Erdogani mund të vazhdojë të hiqet si një sundimtar demokratik.
Tugba thotë se ajo e njohu një prej policëve të përfshirë në kthimin e saj të parë në komisariatin e policisë Soufli, ku ata u ndaluan për tre ditë, pasi kaluan përsëri lumin Evros, këtë herë me sukses.
Por ajo thotë se kishte frikë të akuzonte ndonjë, përveç burrave të maskuar që realizuan kthimin e dhunshëm dhe nuk kishte dëshirë të fliste për atë njeri në veçanti.
“Natën që na kthyen në anën turke të lumit, biseduam shumë për atë që do të bënim të nesërmen në mëngjes”, kujton ajo.
“A kishim ndonjë zgjidhje tjetër përveçse të përpiqeshim të kalonim përsëri lumin? Menduam se ndoshta ishte thjesht fat i keq, disa policë të këqij. Zgjedhja tjetër ishte të përfundonim në një burg turk”, shton ajo. Ajo nuk dëshironte të ishte një nga qindra nënat në Turqi që tani i rrisin fëmijët në burg.
Pas kësaj interviste, ajo dhe bashkëshorti i saj u nisën për në Gjermani. Pyetja tani është nëse ata mund të gjejnë paqe në Gjermani. Ku dhe kur do të munden ajo dhe shumë të tjerë të mos fshihen më dhe të kenë një jetë?