Pas gati dy dekadash, Shtetet e Bashkuara munden më në fund të nxjerrin veten nga Afganistani, pasi nënshkruan një marrëveshje paqeje me Talebanët. Por a do ta respektojnë Talebanët këtë marrëveshje apo pazari i presidentit të SHBA-së Donald Trump do të jetë i ngjashëm me “paqen me nder” me të cilën Amerika dënoi Vietnamin e Jugut një gjysmë shekulli më parë?
Pas gati dy dekadave, 2,400 ushtarëve të vrarë dhe 20 mijë të tjerëve të plagosur dhe pothuajse 2 trilionë dollarëve të shpenzuar, Shtetet e Bashkuara janë në mënyrë të kuptueshme, të etura për t’u tërhequr nga Afganistani. Presidenti Donald Trump dëshiron të jetë në gjendje të pretendojë tërheqjen para zgjedhjeve të Nëntorit 2020 duke realizuar në këtë mënyrë një premtim të fushatës së tij elektorale katër vjet më parë për t’i dhënë fund luftës më të gjatë të vendit në një kohë kur edhe sfidantët e tij demokratë kanë shprehur gjithashtu dëshirën për të shpëtuar SHBA-në nga konflikti.
Për këtë qëllim, pas një periudhe njëjavore relativisht të qetë, SHBA dhe Talebanët – “studentët”, lëvizja e politike dhe ushtarake e fondamentalizmit suni të të cilëve ka luftuar për pushtet apo ka qeverisur Afganistanin për një çerek shekulli – e firmosën marrëveshjen.
Duhet të kemi parasysh se u desh po kaq shumë kohë për të rënë dakord se si duhej të quhej pakti sa u desh edhe për të caktuar secilën nga kushtet e tij: emri i saj është “Marrëveshja për të Sjellë Paqe në Afganistan mes Emiratit Islamik të Afganistanit i cili nuk njihet nga Shtetet e Bashkuara si Shtet dhe që njihet si Taleban dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”
Siç sugjeron emri i akordit, qeveria e Afganistanit nuk është palë në të, megjithëse marrëveshja bën thirrje për një dialog politik mes qeverisë dhe talebanëve që duhet të fillojë më 10 Mars. Axhenda e këtij dialogu brenda Afganistanit përfshin organizimin e një armëpushimi të përhershëm dhe gjithëpërfshirës si dhe “plotësimin e marrëveshjes mbi rrugën e ardshme politike” të vendit. Nuk ka detaje mbi këtë hartë rruge.
Marrëveshja më së shumti detajon dy lloje angazhimesh. SHBA premton të tërheqë një të tretën e rreth 13 mijë trupave brenda 135 ditëve dhe pjesën tjetër, 8,600 para fundit të Prillit 2021. Partnerët e koalicionit të Amerikës do të tërheqin trupat e tyre gjithashtu brenda kësaj periudhe. SHBA ka rënë dakord më tej të tërheqë të gjithë “kontraktorët privatë të sigurisë, trajnuesit [dhe] konsulentët” nga vendi dhe të punojë për heqjen e sanksioneve mbi talebanët dhe për lirimin e të burgosurve talebanë.
Nga ana e vet Talebanët angazhohen të bëjnë gjithçka që munden që organizatat terroriste të mos përdorin territorin e Afganistanit për të shënjestruar SHBA-të apo aleatët e saj. Talebanët bien gjithashtu dakord të mos bashkëpunojnë apo mbështesin individë të lidhur me grupe të tilla, përfshirë Al Kaedën, e cila e kishte bazën në Afganistan kur Talebanët ishin në pushtet dhe përdorën këtë vend për të stërvitur personat përgjegjës për sulmet e 11 Shtatorit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara të cilat vranë gati 3 mijë njerëz. Talebanët gjithsesi nuk ranë dakord të kufizojnë në çfarëdolloj mënyre kapacitetet e veta ushtarake në të tashmen apo në të ardhmen. Ata nuk ranë dakord as të njohin si të ligjshme qeverinë aktuale të Afganistanit.
Marrëveshja është ambicioze në shpresën se marrëveshjet politike mund të arrihen para datës së përcaktuar për tërheqje të trupave amerikane. Sa i përket zgjedhjeve, ndarjes së pushtetit, një kushtetute dhe rolit të fesë apo të drejtat e grave brenda shoqërisë Afgane, për të gjitha këto marrëveshja qëndron në heshtje.
Gjithashtu ia vlen të vërehet se qeveria e Afganistanit në ditët e fundit ka ngritur pikëpyetje mbi gadishmërinë e vet për të liruar 5 mijë të burgosur talebanë. Më e rëndësishme, qetësia relative sakaq është thyer nga sulmet e talebanëve. Asgjë nga këto nuk jep shpresë për të ardhmen e marrëveshjes.
Por çfarëdo që të ndodhë nga kjo pikë e më pas, është me rëndësi thelbësore që SHBA të nënshkruajë një pakt tjetër me qeverinë e Afganistanit. Është vendimtare që marrëveshja të specifikojë kriteret që duhet të plotësohen dhe kushtet që duhet të ekzistojnë para se të vijohet me tërheqjen e trupave amerikane. Dhe është vendimtare që SHBA të premtojë se do të sigurojë mbështetje afatgjatë ekonomike, diplomatike e ushtarake për qeverinë e Afganistanit – diçka që për fat të keq është vërë më e vështirë nga angazhimi ndaj Talebanëve për të tërhequr të gjithë këshilltarët nga vendi.
Një marrëveshje e tillë mund të përbëjë një mekanizëm presioni përballë mundësisë – që ka shumë gjasa të ndodhë – që premtimet e Talebanëve të jenë një lëvizje taktike, e konceptuar për të shkaktuar tërheqjen ushtarake të amerikanëve më shumë se sa për t’i dhënë fund paqes apo terrorizmit. Një angazhim ndaj qeverisë së Afganistanit mund të sigurojë gjithashtu udhëheqësit e këtij vendi dhe qytetarët se ata nuk po braktisen siç u braktisën kurdët në Siri. Miqtë dhe aleatët e Amerikës kudo nëpër botë do ta mikprisnin një angazhim të tillë.
Në një botë ideale, SHBA mundet gjithashtu të kërkojnë që Talebanët të mos përdorin më territorin e Pakistanit si një bazë ushtarake e sigurt. Problemi me këtë dhe kërkesa të tjera të arsyeshme është që SHBA ka bërë shumë për të dobësuar levën e vet të presionit ndaj Talebanëve duke shfaqur tepër dukshëm dëshirën për t’i dhënë fund pranisë ushtarake në Afganistan.
Gjithsesi është e mundshme që qetësia të vendoset në Afganistan, që bisedimet brenda Afganistanit të jenë të frutshme dhe që armëpushimi të bëhet realitet. Kjo natyrisht që është diçka e mikpritur. Por ka më shumë gjasa që marrëveshja mes SHBA-ve dhe Talebanëve të mos sjellë kurrfarë paqeje në vend. Në këtë rast, SHBA dhe partnerët e koalicionit do të veprojnë me mençuri nëse ndjekin një strategji që mbron interesat e tyre themelore, mbi të gjitha, që të sigurohen që Afganistani të mos bëhet sërish parajsë për planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve terroriste kundër Perëndimit.
Një strategji e tillë kërkon mbajtjen e disa mijëra trupave në vend për të vijuar të ndërtojnë dhe stërvisin forcat e sigurisë së Afganistanit dhe të kryejnë misione të kufizuara kundër terrorizmit. Për disa, kjo mund të ngjajë shumë e kushtueshme. Por, nëse marrim parasysh se çfarë është në lojë, çmimi ndoshta ia vlen të paguhet. Një plan i tillë vështirë se do t’i japë fund luftës që vijon prej gjithmonë në Afganistan; por, me siguri, as marrëveshja e saponënshkruar nuk do t’i japë fund kësaj lufte.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. How Not to Leave Afghanistan