
Ndërsa pandemia aktuale krijon një nevojë urgjente për më shumë respiratorë, një kompani në Kosovë thotë se ka krijuar një të tillë me kosto të ulët, i përbërë nga pjesë të prodhuara me printer 3D për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit.

Duke iu përgjigjur nevojës në të gjithë botën për më shumë respiratorë për të ndihmuar luftën kundër COVID-19, një kompani me qendër në Kosovë ka krijuar me një prototip me kosto të ulët, me burim të hapur që përdor teknologjinë e printimit 3D.
Arianit Zabergja, bashkëthemelues i “Formon”, tha për BIRN se gjatë 10 ditëve të fundit kompania i kishte ridrejtuar të gjitha burimet e saj drejt zhvillimit të respiratorit, duke përdorur printer 3D nga stoku i vet. I quajtur VentCore, më shumë se gjysma e pjesëve të tij janë pjesë që mund të printohen në 3D.
Një printer 3D funksionon në thelb duke e nxjerrë plastikën e shkrirë përmes një gryke që lëviz rrotull nën kontrollin e kompjuterit. Ai printon një shtresë, pret që ajo të thahet, pastaj printon shtresën tjetër sipër.
Siç thekson kompania, Ventcore “nuk ka për qëllim të zëvendësojë pajisjet e duhura mjekësore, është një pajisje urgjente kur të gjitha opsionet e tjera të mos jenë të disponueshme. Ai duhet të përdoret vetëm nën mbikëqyrjen e mjekëve.”
“Formon” është e specializuar në projektimin dhe prodhimin e printerëve 3D. Rron Cena, një tjetër bashkëthemelues, tha për BIRN se VentCore përfshin një sistem mekanik çantash BVM – çanta mjekësore që mjekët i përdorin për të operuar frymëmarrjen manuale për një pacient – të printuara nga printerët 3D të kompanisë. Sistemi është i automatizuar dhe kontrollohet nga një pllakë elektronike, e prodhuar edhe kjo nga “Formon”.
“VentCore automatizon përdorimin e këtyre çantave në rastet e pacientëve të infektuar me COVID-19, në varësi të faktit nëse është apo jo e përshtatshme për ta; këtë e vendos mjeku”, tha Cena.
Ndërkohë që “Formon” nuk e ka llogaritur ende koston e një VentCore, “pasi kostoja do të llogaritet në bazë të sasisë që do të prodhohet”, Cena tha se sigurisht që do të ishte shumë e ulët në krahasim me koston e një ventilatori spitalor standard, i cili zakonisht kushton dhjetëra mijëra euro.
“Formon” ka vendosur të ndajë të gjitha dosjet e prodhimit dhe skemat elektronike në faqen e saj të internetit, duke lejuar këdo të shohë dizajnin e pajisjeve dhe sistemin elektronik. Duke përdorur këto dosje, kompanitë e printimeve 3D në të gjithë botën mund të prodhojnë respiratorin dhe ta provojnë atë duke përdorur burimet e tyre.
“Ndërkohë, ne po planifikojmë të fillojmë prodhimin”, tha Cena, duke shtuar se ata kishin filluar bisedimet me institucione të ndryshme për shpërndarjen e mundshme të respiratorit në Kosovë.
Një nga atributet kryesore të COVID-19 është se virusi sulmon mushkëritë, në disa raste duke shkaktuar probleme të rënda me frymëmarrjen, duke shkaktuar për pasojë nevojë dhe mungesë respiratorësh.
Kjo nevojë është më pak urgjente në Europën Lindore, e cila ka parë shumë më pak raste të COVID-19, sesa vende si Spanja, Italia, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar. Kosova aktualisht ka 184 raste COVID-19, pesë prej të cilëve kanë vdekur për shkak të komplikimeve.
Spitali kryesor në Kosovë, Qendra Klinike Universitare, tha për BIRN se Kosova aktualisht ka 80 respiratorë, 58 të vendosura në klinika, 22 në shtatë spitalet e përgjithshëm dhe pjesa tjetër mbahet rezervë.