
Ndalimi i plotë i lëvizjes brenda dhe jashtë kampeve për shkak të pandemisë COVID-19, ka bërë që emigrantët dhe refugjatët e mbyllur brenda tyre të ndihen më shumë se kurrë të izoluar, të irrituar dhe të uritur për informacione.

Organizatat vendore dhe ndërkombëtare që ndihmojnë emigrantët dhe refugjatët nuk janë më në gjendje të hyjnë në qendrat e pritjes në Serbi dhe Bosnje dhe Hercegovinë për shkak të ndalimit të plotë të lëvizjes brenda dhe jashtë kampeve për shkak të pandemisë COVID-19.
Përveç lënies së njerëzve në kampe në një gjendje izolimi të detyruar dhe pasiviteti, këto organizata paralajmërojnë se kjo gjithashtu po çon në mungesë informacioni dhe mbështetje, e cila, e kombinuar me ndalimin e lëvizjes, mund të çojë në incidente.
Serbia vendosi gjendje karantine në të gjitha qendrat e saj të pritjes më 17 mars. Që atëherë, njerëzit nuk janë lejuar të dalin nga qendrat, vetëm në rast se duan të kërkojnë kujdes mjekësor, ose me leje të veçantë. Ndalimi funksionon në të dyja drejtimet, kështu që as ndonjë personel nga organizata e të drejtave të njeriut nuk mund të hyjë nëpër qendra.
Kjo ka bërë që emigrantët dhe azilkërkuesit të mbeten brenda pa mbështetje, ndihmë apo informacione, tha drejtori i OJQ-së në Beograd, Qendra për Mbrojtjen e Azilit, Rados Djuroviç.
“Që nga fillimi i krizës, për rreth një muaj, është mohuar hyrja për këdo që ofron ndihmë psikologjike, juridike ose tjetër, kështu që ata nuk kanë aktivitete dhe janë mbyllur në kampe”, tha Djuroviç për BIRN.
Në vend të kësaj, të burgosurit në kamp “marrin informacione përmes rrjeteve sociale dhe përmes kontakteve telefonike me disa prej nesh”, shtoi ai.
Raportet e mediave thonë se të paktën dy incidente të dhunshme kanë ndodhur në ditët e fundit midis emigrantëve dhe azilkërkuesve në qendrat në Serbi, një në Krnjaca dhe tjetra në Obrenovac. Raportet thanë se policia dhe ushtria u desh të ndërhynin për të qetësuar gjërat.
“Problemi këtu është se këta njerëz janë karantinuar për 24 orë në ditë për gati një muaj tashmë”, tha Djuroviç për BIRN. “Këta njerëz janë totalisht të mbyllur në të gjitha qendrat dhe ata kanë nevoja që vështirë të plotësohen në këtë mënyrë. Kështu që kjo shkakton shumë frikë dhe ndikon në gjendjen e tyre psiko-fizike”, shtoi ai.
Numri i personave të prekur nga masat e karantinimit nëpër kampe në Serbi nuk është i vogël. Më 4 prill, Komisariati i Serbisë për Refugjatët dhe Emigrantët tha se në kampet në Serbi strehoheshin gjithsej 8,703 persona.
Djuroviç tha se masat e vendosura ose të rekomanduara për qytetarët serbë, veçanërisht kur bëhet fjalë për distancimin shoqëror, nuk po zbatoheshin qartë për emigrantët dhe azilkërkuesit që qëndronin në afërsi të njëri-tjetrit në kampe.
“Ky është një grup i cili është lënë totalisht mënjanë. Masat që po zbatohen për ta në pamje të parë janë e kundërta e asaj që u thuhet qytetarëve tanë, si nevoja për distancim social”, tha ai.
“Të gjithë futen në një vend, sigurohen më armë dhe nuk marrin informacione ose mbrojtje të mjaftueshme”, tha Djuroviç për BIRN.
Një video që BIRN e ka parë, e dërguar nga një person i vendosur në një qendër në qytetin e Obrenovacit, tregon shumë njerëz që presin në radhë për ushqim dhe më pas duke darkuar në një zonë të mbushur me njerëz. Nuk ka distancim social.
Kampet e mbushura me njerëz të Bosnjës thjesht janë përkeqësuar

Në Bosnjën dhe Hercegovinën fqinje, lëvizja e emigrantëve dhe refugjatëve është e kufizuar gjithashtu si rezultat i pandemisë, duke krijuar probleme shtesë në qendrat e pritjes tashmë të mbipopulluara.
Kantoni Una-Sana i Bosnjës, në perëndim të vendit, afër kufirit me Kroacinë anëtare të BE-së, është goditur më rëndë nga kriza e emigrantëve, për shkak të numrit të njerëzve që janë grumbulluar atje, duke shpresuar të kalojnë për në BE.
Më 16 mars, Stafi i Krizës i Ministrisë së Shëndetit, Punës dhe Politikës Sociale të kantonit urdhëroi “një kufizim të plotë të lëvizjes së emigrantëve jashtë qendrave të përkohshme”, për të cilat vlerësohet se mbajnë rreth 2,000 persona.
“Është e ndaluar të transportosh emigrantët me çfarëdolloj mjet transporti – tren, autobus, furgon, taksi, etj – në Kantonin Una-Sana, ose të përdorësh transport në Kantonin Una-Sana. Për më tepër, hyrja e emigrantëve në këmbë në Kantonin Una-Sana është e ndaluar”, thanë autoritetet.
IPSIA, një OJQ italiane që punon në Bosnje që nga viti 1997 dhe po ndihmon emigrantët dhe refugjatët në qytetin veriperëndimor të Bihacit, tha se druhej se emigrantët që qëndrojnë nëpër barraka dhe kampe të improvizuara mund të përfundojnë duke jetuar në kushte edhe më të rrezikshme.
“Policia në asnjë rast nuk mund të monitorojë nëse emigrantët i respektojnë këto masa për shkak të numrit të madh të njerëzve që qëndrojnë jashtë kampeve”, tha IPSIA për BIRN.
“Në përgjithësi, situata në kampet e Bihacit nuk është e keqe, edhe nëse është disi e mërzitshme dhe e trishtueshme, pasi shumë organizata nuk mund të punojnë brenda tyre, pasi aktivitetet në grup dhe workshop-et nuk mund të organizohen më”, tha ajo.
“Shumë OJQ-ve në kampe u është dashur të ndërpresin aktivitetet e tyre në terren, por vazhdojnë të punojnë ende në distancë – për shembull, duke siguruar mbështetje ligjore ose psikologjike”, shtoi ajo.
Kantoni i Sarajevës, i cili përfshin kryeqytetin boshnjak dhe qytete dhe fshatra afër tij, gjithashtu ka vendosur kufizime në lëvizjen e emigrantëve dhe i urdhëroi ata të qëndrojnë në qendrat e përkohshme.
Më 8 prill, policia e Kantonit të Sarajevës u tha mediave se ata po punonin në mënyrë aktive për të larguar emigrantët nga rrugët për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së koronavirusit.
Ministria e Brendshme e kantonit tha se policia “do të garantojë sigurinë dhe do të kryejë kontrollin e qendrave të emigrantëve në Kantonin e Sarajevës” dhe “do të vazhdojë veprimtarinë e zhvendosjes së emigrantëve që mund të gjenden jashtë qendrave të pritjes”.
Nuk mund të dal për të blerë ushqime ose duhan

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, IOM, e cila menaxhon qendrat e pranimit të përkohshëm për emigrantët dhe refugjatët në Bosnje dhe Hercegovinë, tha për BIRN se deri më tani nuk kishte gjetur asnjë rast koronavirusi mes afro 6.500 emigrantëve që mbahen në to.
Por IPSIA tha se situata ishte “frustruese” për emigrantët dhe refugjatët për shkak të kufizimeve në “të drejtën themelore të lirisë së lëvizjes, edhe pse në këtë moment askush nuk ka aq shumë liri për shkak të COVID-19”, sepse ata “nuk mund të dalin për të blerë ushqime, për të rimbushur celularët apo për të blerë cigare”.
Ajo tha se IOM kishte gjetur një zgjidhje të përkohshme për disa kampe në zonë, të tilla si Miral, Sedra dhe Bira. Këtu, kompanitë private po sjellin ushqime me furgonë dhe po ua shesin njerëzve me çmime të rregullta.
Me bashkëpunimin e IOM, vullnetarët e IPSIA po ndihmojnë emigrantët dhe refugjatët në kampin Borici, të vendosur në periferi të Bihacit, duke blerë furnizime për ta nga supermarketi lokal.
Kufizimet në lëvizjen e emigrantëve kanë pasur edhe një efekt tjetër anësor. Pak emigrantë në Bosnjë mund të përpiqen tani të kalojnë kufirin për një Kroaci – një proces tashmë i njohur mes emigrantëve dhe refugjatëve si “Loja”.