
Më shumë se 200 fëmijë që lindën pak para ose pas masakrave që ndodhën në Srebrenicë në korrik 1995, u desh të rriteshin pa njohur baballarët e tyre, të cilët u vranë nga forcat serbe të Bosnjës.

Njëzet e pesë vjeçarja Dzenana Salihoviç nga Srebrenica pa për herë të parë një fotografi të babait të saj në vitin 2000, kur ai kishte pesë vjet që kishte vdekur.
Halla e saj, e cila jeton në Holandë, erdhi për vizitë dhe i solli një fotografi të Dzevadit – një burrë të cilin e bija s’e mban mend fare, sepse ai u vra në gjenocidin e Srebrenicës 34 ditë pas lindjes së saj.
“Në korrik 1995, nëna ime arriti të më nxirrte mua dhe motrat e mia Nevzetën, Nihadën dhe Dzevadën nga Srebrenica, por asgjë tjetër. Madje, as edhe një fotografi të babait tim. Kur isha pesë vjeçe, e pashë për herë të parë në fotografi. Isha shumë e vogël për të kuptuar se pse ai ishte zhdukur”, tha Salihoviç.
Sipas shoqatave të viktimave të Srebrenicës, Salihoviçi është një nga 205 fëmijët nga qyteti lindor i Bosnjës që kanë lindur pak ditë para gjenocidit ose pasi baballarët e tyre u vranë nga forcat serbe të Bosnjës që pushtuan Srebrenicën 25 vjet më parë.
Familja Salihoviç u largua nga Bosnja dhe Hercegovina, por ajo u kthye të jetonte përsëri në Srebrenicë me nënën e saj Ramizën dhe motrat e saj në vitin 2002. Ajo ka një diplomë master në sociologji dhe tani punon në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës, duke hetuar gjenocidin dhe duke mbledhur sende dhe dokumente arkivore që kanë lidhje me vrasjet masive të më shumë se 7,000 burrave dhe djemve boshnjakë në korrik 1995.
Ajo tha se nëna dhe të afërmit e saj i kanë treguar për fjalët e fundit të babait të saj para se të bashkohej me mijëra burra të tjerë nga Srebrenica që u përpoqën t’i shpëtonin Ushtrisë Serbe të Bosnjës dhe policisë duke ikur përmes pyllit drejt territorit të kontrolluar nga boshnjakët në Tuzla.
“Mamaja më ka treguar se ai i dha biskota dhe i tha asaj dhe motrave të mia që të kujdeseshin për mua. Isha pak më shumë se një muajshe”, tha ajo.
“Shpresoja se ai do të bëhej i gjallë”

Babai i Salihoviçit u kap dhe pastaj u vra së bashku me qindra burra të tjerë në një magazinë bujqësore në Kravica, një nga një sërë masakrash të boshnjakëve që gjykatat ndërkombëtare i kanë klasifikuar si gjenocid.
Trupi i tij u gjet pranë Zvornikut në vitin 2005. Salihoviç tha se ajo mban mend mirë ditën kur erdhi lajmi.
“U ktheva në shtëpi nga shkolla. Të gjithë qanin. Deri atëherë kisha shpresuar, si një vajzë e vogël, se ai do të bëhej i gjallë. Shpresoja se do ta shikoja babanë tim gjallë, si shumë fëmijë të tjerë”, kujton ajo.
“Vetëm atëherë kuptova se nuk do ta dëgjoja më kurrë as zërin e tij. Kur isha e vogël, mbaj mend që të gjithë në shtëpinë tonë qanin vazhdimisht. Nuk e kuptoja se përse ai ishte zhdukur. Nuk e mbaj mend pamjen e tij, zërin e tij…”
Ajo tha se njerëzit që e njihnin babanë e saj thonë se ajo i ngjan shumë.
“Përveç pamjes fizike, ata thonë se kemi të njëjtin personalitet. Unë zemërohem shpejt, por më kalon shumë shpejt”, shpjegoi ajo.
Babai i saj, si shumë viktima të tjera të Srebrenicës eshtrat e të cilëve janë gjetur dhe identifikuar, është varrosur në Qendrën Përkujtimore.
“E vizitoj të paktën një herë në javë varrin e tij. Them një lutje dhe ndiej një lloj ngushëllimi. Më duket më e lehtë si për mua ashtu edhe për atë”, tha ajo.
Përveç dhimbjes nga rritja pa babanë e saj, ajo është e trishtuar gjithashtu edhe nga fakti se edhe 25 vjet më pas gjenocidit të Srebrenicës, mizorisë më të keqe në Europë që nga Lufta II Botërore, ai vazhdon ende të mohohet.
“Ky qytet nuk ka asnjë të ardhme deri në momentin që të gjithë ta pranojnë të kaluarën. Vetëm duke u përballur sinqerisht me të kaluarën ne do të mund të ecim përpara”, tha ajo.
Autoritetet në Republikën Srpska, ku ndodhet Srebrenica, nuk e pranojnë që masakrat e vitit 1995 përbënin gjenocid – një qëndrim që ndahet edhe nga autoritetet në Serbi. Lavdërimi i kriminelëve të luftës dhe të pandehurve të gjenocidit, si shefi ushtarak serb i Bosnjës Ratko Mlladiç, mbetet diçka e zakonshme.
“Për fat të keq, në Srebrenicë shpesh shohim postera dhe murale kushtuar vrasësve të baballarëve tanë. Shpesh pyes veten se çfarë lloj personi do të lavdëronte vrasësin e babait të dikujt”, tha Salihoviç.
Përveç babait, ajo humbi edhe gjyshin e saj, katër xhaxhallarë, katër nipër, një hallë, gjyshen dhe shumë të afërm të largët në gjenocid.
Munira Subasiç, drejtuese e shoqatës “Nënat e Srebrenicës dhe Zepës”, tha se gjëja më e vështirë për të është kur njerëz si Salihoviç, fëmijë të Srebrenicës që kanë humbur një prind në korrik 1995, vijnë dhe i kërkojnë ndonjë fotografi të babait të tyre.
“Kjo është vërtet e pabesueshme. Imagjinoni një fëmijë që vjen në ambientet e shoqatës dhe ju kërkon thjesht t’i jepni një fotografi të babait të tij apo saj që të mund ta shohë”, tha Subasiç.
“Ata nuk i mbajnë mend fare baballarët e tyre. Të këputet shpirti.”
“Babanë dhe vëllanë tim i vranë bashkë”

Ishte viti 2008 kur Amela Malagiç humbi të gjitha shpresat se babai i saj Salko do të shfaqej në derën e saj dhe se ajo do të vraponte në krahët e tij.
“Isha në klasën e gjashtë ose të shtatë. Mbaj mend që kishim mysafirë. Ra telefoni dhe mamaja ime më tha të përgjigjesha. Telefonata vinte nga Tuzla ose Visoko, nuk e mbaj mend. Më thanë se kishin gjetur eshtrat e babait tim, Salkos, dhe vëllait tim Elvirit, të cilët u vranë së bashku”, kujton Malagiç.
“Kur isha e vogël, deri atëherë kisha shpresuar se ata do të shfaqeshin. Edhe vëllai im Admiri u vra, por eshtrat e tij ishin gjetur dhe varrosur më herët. Atëherë kuptova që nuk do t’i shihja më kurrë. Deri atëherë, kisha shpresuar se do të mund ta përqafoja babanë tim.”
Malagiç lindi në Tuzla në janar 1996. Nëna e saj, Mirsada, mbërriti atje ndërsa ishte shtatzënë dhe pasi arriti të largohej nga Srebrenica në korrik 1995 me djalin e saj Adnanin, i cili atëherë ishte nëntë vjeç.
Malagiç tha se dhimbja e shkaktuar nga vdekja e babait të saj është aq e madhe, saqë ajo nuk ka pyetur kurrë se ku dhe si u vra ai. Eshtrat e tij u zbuluan në gjashtë të ashtuquajtura “varre sekondare”, ku kufomat e disa viktimave të Srebrenicës u zhvendosën pas varrosjes së tyre fillestare, si pjesë e përpjekjeve për të mbuluar masakrat. Shumë trupa ishin ndarë gjatë këtij procesi.
“Ai u gjet në Kamenica, në Zvornik. Shkaku i vdekjes është i panjohur, sepse trupi i tij ishte copëtuar dhe ishte futur në gjashtë varre”, tha Malagiç.
“Vëllai im Admiri ishte qëlluar për vdekje. Edhe ai u gjet në Kamenica, ndërsa Elviri, i cili ishte 22 vjeç, u gjet në katër varre sekondare në Kamenica.
Ajo vazhdon t’ua ndiejë ende mungesën.
“Më mungojnë të gjitha gjërat që duhej të kisha përjetuar kur isha e vogël dhe tani që jam e rritur, sepse dikush më masakroi babanë dhe vëllezërit e mi”, tha ajo.
“Nga Srebrenica kam kujtime të dhimbshme. Shkoj atje aq shpesh sa mundem. Të paktën e di se ku janë, e kanë një varr… Shkoj atje dhe zbrazem.”
Herën e parë që ajo kuptoi pse ishte rritur ndryshe nga fëmijët e tjerë të moshës së saj ishte kur nëna e saj Mirsada, e cila u plagos në Srebrenicë në korrik 1995, shkoi në Tribunalin e Hagës për t’u paraqitur si dëshmitare. Ajo dëshmoi katër herë në gjykatën e Kombeve të Bashkuara për krime lufte.
“Mamaja ishte një nga dëshmitarët kryesorë në gjyqet e oficerëve të lartë serbë të Bosnjës Ratko Mlladiç, Radislav Krstiç dhe Zdravko Tolimir. Dëshmia e saj ishte një nga dëshmitë kyçe për të provuar se çfarë lloj krimesh kryen ata, për të cilët ata nuk janë dënuar ende”, tha ajo.
Edhe vetë Malagiç shkoi për një herë për të parë një nga seancat në gjyqin e Mlladiçit në gjykatën e Hagës.
“Isha në shkollë të mesme dhe isha në dijeni të kësaj. E dija që ai i provokonte dëshmitarët, ishte arrogant dhe hiqej si viktimë”, kujton ajo.
“Sinqerisht, nuk e urrej atë ose ata që janë si puna e tij. Që të gjithë do të përgjigjen për krimet e tyre dhe do të marrin atë që meritojnë nga Zoti. Ata ma ndryshuan plotësisht jetën, madje që para se të lindja.”
“Më mungon vazhdimisht”

“Të gjithë fëmijët kanë një ëndërr. Edhe unë e kisha një të tillë. Ëndërroja se një ditë do të mund të takoja babanë tim. Babanë tim, për të cilin kam dëgjuar aq shumë histori, por që s’e kam parë kurrë dhe s’ia kam dëgjuar kurrë zërin. Ai quhej Ibrahim…”
Këto janë disa rreshta nga libri me titull “Unë zor se isha fëmijë” nga Amir Seciç, kushtuar babait të tij, i cili u vra në gjenocidin e Srebrenicës.
Seciç lindi në Tuzla në tetor 1995. Tri ditë pas lindjes së tij, e ëma e braktisi në një jetimore, ku ai kaloi njëzetë vitet e ardhshme.
Pas botimit të librit të tij, ai filloi të merrte telefonata nga të afërm të babait të tij të cilët ai nuk i njihte më parë.
Së fundmi takoi njërin prej tyre, një kushëri që jeton në Shtetet e Bashkuara dhe që i konfirmoi se një nga gjërat që ai ëndërronte për babanë e tij Ibrahimin, që ai të ishte tifoz i një klubi futbolli gjerman, ishte e vërtetë.
“Ëndërroja që babai im të ishte tifoz i Borussia Dortmundit. Ai më shfaqej shpesh nëpër ëndrra dhe kështu krijova një imazh rreth tij. Kushëriri nga Amerika, të cilin e pyeta se si ishte Ibrahimi dhe nëse i pëlqente futbolli, më tregoi para disa ditësh se babai im ishte vërtet tifoz i Borussias”, tha Seciç.
Eshtrat e babait të tij u gjetën në njjë varr masiv në Zeleni Jadar, jo larg Srebrenicës, në vitin 2010. Por Seciç nuk mori pjesë në funeralin kolektiv në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës, ku babai i tij u varros në vitin 2013.
“Kujdestarët në jetimore nuk donin të më mërzisnin. Ata donin të më shmangnin vuajtjet e tjera”, tha ai.
Njësoj si Amela Malagiç, edhe Seciç e viziton shpesh Srebrenicën.
“Shkoj sa herë që mundem, por duhet ta përgatis veten mendërisht, sepse çdo vizitë në Srebrenicë nënkupton se duhet të përballem përsëri me atë që mbaj brenda meje”, tha ai.
Ai tha se i mungon gjithmonë babai tij, por mbi të gjitha kur ka ditëlindjen dhe gjatë Bajramit.
“Nuk e kam që të shohë të gjitha sukseset e mia në shkollë”, tha ai. “Nuk kisha kujt t’ia tregoja dëftesën time me të gjitha dhjeta. Nuk kishte një njeri që të më qëndronte pranë dhe të bënte një foto me mua ndërsa mbaja në dorë dëftesën.”