KPK i kaloi barrën e provës prokurorit të Tiranës për një sërë problemesh në deklarimin e pasurive – përfshirë mosdeklarimin të kursimeve, të gjendjes ‘cash’ dhe bilance negative në vite që shkonin deri në 26 milion lekë, një raport negativ nga DSIK dhe sqarime për tre denoncime. Hysenaj mohoi problemet dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë.
Mosdeklarimi i kursimeve dhe gjendjes cash në vite dhe deklarimi i paplotë i burimeve për disa prej pasurive dhe një sërë transaksionesh “financiarisht jo të llogjikshme” sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, u debatuan gjerësisht në seancën dëgjimore të së premtes ndaj prokurorit, Kol Hysenaj.
Hysenaj u përball po ashtu me një raport të rishikuar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar që e gjente të papërshtatashëm për të ushtruar detyrën, ndërsa KPK vuri në dukje se atij i ishin kërkuar sqarime për tre denoncime në kriterin e profesionalizmit. Një aksident në të cilin ishte përfshirë Hysenaj dhe që kishte pasur një viktimë, u relatua gjatë nga KPK për shkak të rrethanave të dyshimta mbi makinat e përfshira.
Hysenaj mohoi problemet, ai këmbënguli që si kursime t’i llogariteshin diferencat mes shpenzimeve dhe të ardhurave, duke pretenduar se kishte një bilanc pozitiv në çdo vit dhe se kishte kursyer deri në vitin 2011, 9.4 milion lekë dhe deri në vitin 2016 mbi 18 milion lekë. Ai e cilësoi si dashakeq raportin e dytë të DSIK-së, duke pretenduar se në dëm të tij ishte ndërhyrë në sistemet e Policisë së Shtetit dhe mohoi akuzat e ngritura në denoncime.
Seanca ndaj Hysenaj, që u kryesua nga Pamela Qirko, me anëtarë Olsi Komicin dhe relatore Firdes Shuli zgjati 3 orë, ndarë përgjysmë mes një relatimi të hollësishëm nga Shuli dhe përgjigjeve të Hysenajt.
Kol Hysenaj, tha se kishte filluar punë në vitin 1993 si hetues, ndërsa është pjesë e prokurorisë që në vitin 1997 dhe ka punuar për më shumë se dy dekada si prokuror në Prokuroritë e Lushnjes, Kavajës, Korçës dhe Tiranës.
Kursimet e padeklaruara
Relatorja Firdes Shuli vuri në dukje për gjatë gjithë relatimit, në mënyrë të përsëritur se Hysenaj kishte dështuar të plotësonte siç kërkohej prej ligjit deklarimin e pasurisë. Shuli tha se Hysenaj nuk kishte deklaruar asnjëherë kursime dhe as gjendjen cash edhe pse rezultonte që kishte tërhequr nga banka shuma të konsiderueshme.
Mosdeklarimi i kursimeve dhe gjendjes cash të krijuar nga transaksionet e vinte Hysenajn sipas relatimit në pozitë të vështirë për të justifikuar burimin e ligjshëm të pasurisë. Shuli theksoi një sërë vitesh me bilanc negativ, duke përmendur se minimalisht në varësi të shumave që cilësoheshin të ligjshme ai nuk justifikonte rreth 13.6 milion lekë dhe maksimalisht një shumë prej 26 milion lekësh.
Hysenaj pretendoi duke iu referuar një vendimi të KPK për një koleg të tijin në Prokurorinë e Tiranës se shpenzimet e kryera duhej të llogariteshin me burim në kursimet e disa viteve dhe jo vetëm të vitit kur ishin kryer. Por kryesuesja Pamela Qirko i bëri me dije se në rastin e prokurorit Zeqir Hoda, vendimi 176 i KPK, se ky i fundit i kishte deklaruar në deklarimet vjetore kursimet.
Ndërkohë në një konkluzion të gjatë të gjetjeve në kriterin e pasurisë Shuli vuri në dukje se qëndrimet e vetë Hysenajt kishin qenë kontradiktore. “Gjatë hetimit u konstatua se në asnjë deklaratë periodike vjetore nuk janë deklaruar likuiditete në cash sipas parashikimit të ligjit”, tha Shuli, ndërsa rrëzoi pretendimin e Hysenajt se formularët kishin qenë të paqartë.
Relatorja tha se vetë Hysenaj në një pyetësor për ILDKPKI në vitin 2016, kishte renditur një sërë shumash si të kursyera vit pas viti, por që po ashtu i kishte sjellë Komisionit një ekspertizë kontabël në të cilën shumat ishin të ndryshme. “Akti i ekspertimit i paraqitur nga subjekti.. është në mospërputhje të plotë me ato që ai ka deklaruar në ILDKPKI”, tha Shuli.
Në fjalën e tij Hysenaj këmbënguli se deklarimi i bërë para ILDKPKI – që ai tha se ishin shumat e kursimeve siç i mbante mend, ishte më i saktë, po edhe se ai i ekspertit i ishte afruar. Ai këmbënguli që deri në vitin 2011 kur kishte blerë për 11 milion lekë një tokë në Bërxullë të Tiranës, kishte pasur kursime 9.4 milion lekë, ndërsa nga ky vit, duke shtuar të ardhurat nga shitja e një pasurie po tokë në Fikas për 135 mijë USD dhe një makine prej 22 mijë eurosh, kishte pasur kursime që shkonin në 18 milion lekë.
Por sipas relatores nga këto deklarime kishte qenë e pamundur të arrihej një përllogaritje e kursimeve, për shkak se edhe shuma 135 mijë USD deklarohet edhe si e përdorur për shpenzime ndër vite edhe më pas për blerjen e dy pasurive në Korçë në vitin 2016.
“Mbetet e paqartë dhe objektivisht e pumundur (për KPK) të vërtetojë se sa kanë qenë likuiditet në cash”, tha Shuli.
Transaksionet jo logjike
Ndër një sërë problemesh që u identifikuan në seancë dëgjimore, disa u veçuan nga KPK si transaksione pa logjikë financiare. Ndër to ishte blerja e një makine për 500 mijë lekë dhe shitja dy vjet më vonë për 22 mijë euro.
Shuli referoi se shitësi e kishte blerë 7 ditë më herët makinën në Gjermani për 21 mijë USD dhe kishte paguar 560 mijë lekë doganë dhe më pas ia kishte shitur Hysenajt për 500 mijë lekë. Dy vjet më vonë prokurori e kishte shitur të njëjtën makinë për 22 mijë USD. Shuli tha se transaksioni dukej i dyshimtë.
Hysenaj pretendoi se makina në momentin që ishte blerë prej tij kishte pësuar aksident dhe kishte të dëmtuara nga karamboli dy dyert. Ai tha se 500 mijë lekë ishte vlera që i ishte kërkuar dhe ai atë kishte paguar dhe se ky kishte qenë vullnet i lirë i palëve. Shitësi, një kushëri i tij, kishte shkuar sipas Hysenajt disa ditë më pas në Gjermani për të marrë një makinë tjetër.
Ai tha se kishte bërë riparime që me sa mbante mend kishin kushtuar 60 mijë lekë. I pyetur nga Shuli mbi këto veprime, që sipas saj nuk dukeshin logjike, Hysenaj këmbënguli që kjo ishte e gjitha sa kishte ndodhur. KPK, deri në seancë dëgjimore nuk i kishte konsideruar të ligjshme 22 mijë eurot e marra nga shitja e makinës. Shuli tha se tatimi mbi fitimin për transaksionin ishte paguar në vitin 2019, pas dërgimit të pyetësorëve për vetingun.
Hysenaj pranoi që kishte paguar tatimin me vonesë dhe kishte marrë gjobë për këtë. Ai këmbënguli se të ardhurat duhej të konsideroheshin të ligjshme.
Për KPK me logjikë të paqartë ekonomike rezultonte edh blerja për 11 milion lekë e 2 mijë metrave tokë në Bërxull. Shitësi sipas KPK e kishte blerë këtë pronë për vetëm 10 mijë lekë dhe se çmimi i referencës ishte disa herë më i ulët. Hysenaj tha se ai kishte paguar vlerën e kërkuar prej shitësit, ndërsa tha se toka tani kushtonte shumë më shumë dhe se ai nuk e kishte shitur edhe pse i ishin ofruar 150 mijë euro. Ai tha se nuk kishte pasur dijeni për shumën me të cilën ishte blerë nga shitësi prona, por që vlerësonte se ajo nuk ishte reale.
Përndryshe një tokë në Fikas, 1 mijë m2, ishte blerë nga Hysenaj për 390 mijë lekë edhe pse shitësi e kishte blerë atë më herët për 1 milion lekë. Në këtë tokë ishte ndërtuar një godinë një katëshe nga Hysenaj me sipërfaqe 71 m2, për një kosto 1.9 milionë lekë – bazuar në referencat e Entit të Banesave.
Sipas Hysenajt kjo ndërtesë kishte kushtuar më lirë se 1.9 milion lekë Ai e shiti atë 4 vjet më vonë për 135 mijë USD (14 milion lekë). Vetë Hysenaj tha në seancë se toka i ishte shitur biznesmenit Avni Ponari.
KPK se edhe pse kontrata e shitjes së tokës nga Hysenaj tek Ponari ishte nënshkruar para noterit në vitin 2012 dhe paratë ishin konsideruar të shlyera në atë moment. Disa muaj më vonë Ponari i kishte transferuar 35 mijë euro Hysenajt, të cilat ky i fundit pretendon se i kishte “tërhequr dhe mbajtur në shtëpi si kapar”. Shuma prej 135 mijë USD ishte paguar në vitin 2013. Hysenaj pretendoi se 35 mijë eurot, e mbajtura si kapar, ishin kthyer pas Ponarit në cash.
Relatorja Shuli vuri në dyshim gjithë praktikën e këtij transaksioni. Ajo theksoi se kontrata ishte e ndryshme nga deklarimet e bëra nga Hysenaj. Po ashtu ajo tha se pagesa e një kapari pasi ishte nënshkruar një kontratë shitjeje ishte e panevojshme.
“Kapari paguhet zakonisht para nënshkrimit të kontratës”, tha Shuli. Po ashtu relatorja tha se e habiste fakti që shuma e paguar një vit më vonë, nuk kishte qenë vlera e mbetur pa 35 mijë eurot e kaparit që tashmë i kishte Hysenaj, por sërish shuma e plotë e përmendur në kontratë.
Hysenaj megjithatë i qëndroi këtij versioni faktesh, duke këmbëngulur se 35 mijë euro kishin qenë një farë garancie dhe se shuma ishte marrë e plotë dhe eurot ishin kthyer pas për shkak se në të kundërt ai humbiste 1 mijë euro për shkak të kursit të këmbimit.
Hysenaj tha se kontrata me Ponarin nuk ishte shlyer në moment edhe pse ishte bërë si e tillë, pasi ai i besonte biznesmenit, pasi familjet e tyre ishin të lidhura prej vitesh, që kur gjyshi i biznesmenit çonte tufat e bagëtive në bjeshkët e familjes së Hysenajt.
Hysenaj po ashtu këmbënguli se shitësi të cilit ai ia kishte blerë tokën – tashmë i ndjerë, e kishte shitur atë për të emigruar në Norvegji, për shkak të problemeve me shëndetin, për të cilat ai kishte mësuar më vonë.
KPK tha se nuk ishte vendosur nëse kjo shumë do të konsiderohej si e ligjshme. Komisioni tha se Hysenaj kishte mbajtur shumën cash pa e deklaruar në vite, kishte deklaruar se kishte bërë shpenzime prej saj dhe se e kishte përdorur më pas në blerjen e dy pasurive në Korçë. Sipas Komisionit nëse shuma nuk konsiderohej si burim i ligjshëm, Hysenaj rezultonte në vitin 2016 me bilanc negativ prej 18 milion lekësh.
Në transaksionet pa logjikë ekonomike u përfshinë edhe shkëmbimi nga një prej djemve i një Benzi të blerë 15 mijë euro në vitin 2015 me një makinë Smart që shitësi e kishte blerë 800 euro. Po ashtu KPK këmbënguli në një sërë mosdeklarimesh në vite, përfshi atë të një garazhi në pasurinë e parë të blerë për 1.9 milion lekë në godinat e ndërtuara nga Gjykata e Apelit.
Hysenaj këmbënguli se garazhi ishte blerë sëbashku me apartamentin për të njëjtin çmim dhe nuk ishte deklaruar veçant pasi ishte një pasuri që konsiderohej si një dhe se për garazhin nuk kishte pasur certifikatë me vete pasurie.
Raporti i dytë i DSIK, aksidenti dhe denoncimet
DSIK në rastin e Hysenaj kishte dërguar sipas KPK-së dy raporte. I pari pozitiv që rekomandonte përshtatshmërinë dhe i dyti negativ. Shuli lexoi se në raportin e dytë të deklasifikuar pjesërisht pretendohet se Hysenaj, ishte përfshirë në afera korruptive, kishte kontakte me një avokat, kishte ndërhyrë në dosje dhe ndryshuar numra protokolli dokumentesh dhe kishte kontakte me persona që ishin përfshirë në mashtrime me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Hysenaj kundërshtoi këtë raport të dytë që e cilësoi dashakeqës. Ai solli disa dokumente nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit që sipas tij pranonin se ishte ndërhyrë në sistemet e të dhënave policore dhe kishte shtuar në mënyrë të paligjshme këto informacione kundër tij. Ai tha se informacionet e shtuara në mënyrë të paligjshme ishin fshirë dhe kjo pranohej edhe nga shkresat e policisë, që po ashtu referonin se ndaj tij nuk kishte informacione për kontakte kriminale.
Hysenaj këmbënguli se nuk kishte pasur asnjëherë kontakte të tilla, ndërsa tregoi një episod me një person që kishte kërkuar të bënte një fotografi me të me pretendimin se i ngjante të vëllait, por që ai e kishte refuzuar.
Ndërkohë KPK referoi një aksident në të cilin ishte përfshirë Hysenaj si drejtues i një mjeti që ishte përplasur me një mjet tjetër në vitin 2008. Drejtuesi i mjetit tjetër Golf 2 kishte humbur jetën në aksidentin që ishte hetuar nga Prokuroria e Lezhës dhe për të cilën ishte vendosur se s’kishte vepër penale. Sipas Komisionit ekspertiza kishte përcaktuar se aksidenti kishte ardhur nga shpërthimi i papritur i gomës së mjetit Golf 2 dhe se asnjë nga palët nuk ishte fajtore.
Por Komisioni vuri në dukje disa gjetje që ngrinin dyshime mbi këtë rast. Së pari, sipas këtyre gjetjeve Hysenaj, që ishte plagosur në aksident, kishte qenë në drejtimin e një mjeti për të cilin nuk kishte as dokumente pronësie as leje përdorimi. Mjeti pretendohej se ishte marrë nga një person me iniciale D.B, por D.B sipas KPK-së ishte bërë pronari i mjetit me ato targa vetëm disa muaj pas aksidentit.
Po ashtu sipas KPK-së, pronari i mjetit me targa të përmendura në dosje, kishte pasur në fakt një makinë Benz 320 të vitit 1985, por në vendin e aksidentit ishte regjistruar një Benz Avangarde e prodhuar në vitin 2007. KPK tha se i kishte kërkuar sqarime Hysenajt për këtë diskordancë. Prokurori nuk foli për këtë çështje në seancë.
Ndërkohë edhe dy denoncime ndaj Hysenajt lidheshin me hetime aksidentesh. Në dy raste familjarë të viktimave kishin akuzuar atë për ndryshim të të dhënave dhe se i kishte bërë ata fajtorë apo se kishte ndryshuar orën e aksidentit për të shmangur nga detyrimi për pagesën dëmshpërblimi punëdhënësit e të aksidentuarit.
Hysenaj i kundërshtoi denoncimet dhe paraqiti të dhëna nga dosjet që sipas tij dëshmonin një situatë të ndryshme nga ajo që paraqisnin denoncuesit, ndërsa akuzoi një trupë të gjykatës së Korçës, që kishte prishur një vendim mosfillimi, se nuk kishte lexuar dosjen në të cilën kishin qenë përfshirë edhe aktet e toksikologjisë.
Hysenaj po ashtu kundërshtoi denoncimin mbi vonesën e dërgimit në Apel të një dosje penale në Korçë. Ai tha se e kishte apeluar vendimin në kohë.
Në fund të gjykimit i pyetur nga vëzhguesi ndërkombëtar, Gerrit Sprenger nëse kishte përdorur makinë tjetër veç atyre të deklaruara, Hysenaj nuk u tregua i sigurt. Ai tha se kishte marrë makinën e vëllait për ndonjë rrugë, pastaj se nuk mbante mend të kishte përdorur apo paguar siguracionin për ndonjë makinë tjetër dhe se ishte 99 për qind i sigurt që nuk kishte pasur makinë tjetër.
Hysenaj kërkoi të konfirmohej. Vendimi pritet të shpallet të premten e ardhshme në orën 9.45.