Një investigim i BIRN tregon se si ligjet transnistriane të emergjencës, të vendosura në emër të shëndetit publik, përfunduan duke vënë në rrezik shëndetin e mijëra njerëzve, duke kufizuar qasjen e tyre në ilaçe dhe shërbime mjekësore.
Më 17 mars të këtij viti, ndërsa Evropa po fillonte të impononte izolimet për shkak të pandemisë, fshati Molovata Noua në Moldavinë lindore u zgjua i rrethuar nga njerëz të armatosur misteriozë.
Ata ishin shfaqur, me sa duket, brenda natës, duke vendosur një pikë kontrolli në rrugën e vetme që lidhte fshatin me qytetet përreth dhe kryeqytetin moldav, Kishinau.
Lajmi i mbërriti edhe kryetarit të komunës Oleg Gazea ndërsa ai po mbikëqyrte përgatitjet për pandeminë, duke siguruar maska dhe dezinfektues, nga zyra e tij në komunën e fshatit.
Ai shkoi me vrap drejt pikës së re të kontrollit ku, tha ai, “një ushtarak, i ulur në një makinë” nuk e lejoi atë të shkonte më tej. As burri në makinë, as kolegët e tij në postbllok, nuk mbanin ndonjë stemë në uniformat e tyre për të treguar emrat, gradën ose përkatësinë e tyre.
“Ata ishin si ‘burrat e vegjël me veshje të gjelbra' që u shfaqën në Krime”, tha Gazea BIRN, duke përdorur një term që përdorej për trupat ruse me uniforma të pashënuara që morën Krimenë nga Ukraina në 2014.
Nuk ishte një krahasim i çuditshëm. Përpjekjet e Ukrainës dhe Moldavisë për të forcuar aleancat me perëndimin e tyre kanë çuar në konflikt të armatosur me separatistët e mbështetur nga Rusia në lindjen e tyre.
Në rastin e Moldavisë, konflikti daton në shpërbërjen e Bashkimi Sovjetik. Kërkesa për pavarësi nga ana e Moldavisë u kundërshtua me dhunë nga Transnistria, një rajon në lindje të lumit Dniester, që donte të mbetej brenda orbitës së Rusisë. Pas katër muaj luftimesh të rënda në 1992, një armëpushim i ndërmjetësuar nga Rusia çoi në krijimin e Zonës së Sigurisë – një zonë 12-20 kilometra midis zonës së administruar nga Kishinau dhe separatistëve të Transnistrisë me bazë në Tiraspol.
Fshati i Oleg Gazeas ndodhet brenda Zonës së Sigurisë, në lindje të Dniesterit – e njëjta anë si Transnistria. Ai është një nga dhjetë qytete dhe fshatra në bregun lindor që administrohen nga Moldavia, por janë të korkolepsur nga ana gjeografike me Transnistrinë. Popullsia e tyre e kombinuar prej 23,000 banorësh ishte mbështetur tek autoritetet e Transnistrisë për qasje në urat rrugore nëpër Dniester deri në momentin që u prek nga pandemia.
Pika e kontrollit jashtë fshatit të Gazeas ishte një nga 37 të tilla të ngritura midis 16-17 marsit nën një gjendje të jashtëzakonshme të vendosur nga administrata transnistriane. E justifikuar zyrtarisht si një masë mbrojtëse, mbylljet e rrugëve bllokuan vendbanimet e administruara nga Moldavia në Zonën e Sigurisë, duke kufizuar qasjen e tyre në kujdes shëndetësor, ushqim dhe ilaçe për më shumë se dy muaj në kulmin e një pandemie.
Ky investigim i BIRN zbulon se si masat kufizuese, të vendosura me pretekstin e shëndetit publik, ndihmuan një republikë të vetëdeklaruar të pohonte pretendimin e saj për sovranitet, duke fituar avantazh në një të ashtuquajtur “konflikt të ngrirë”. Sidoqoftë, kurbat gjithashtu vunë në rrezik shëndetin e mijëra civilëve që vareshin nga lëvizja e lirë për nevojat e tyre bazike.
Duke e pasur të ndaluar përdorimin e rrugëve, banorët e vendbanimeve të administruara nga Moldavia në bregun lindor përfunduan duke përdorur një traget tepër të mbingarkuar për të kaluar Dniesterin për të marrë kujdes mjekësor dhe furnizime thelbësore.
“Kishte njerëz me kancer që duhej të merrnin morfinë, fëmijë me dhimbje dhëmbi, gra shtatzëna që duhej të shkonin në një spital”, tha Raisa Spinovschi, kryetare e Cocieri, bashki e administruar nga Moldavia, në bregun lindor të Dniesterit. “Të gjithë u ulën në radhë, duke pritur tragetin për tre deri në katër orë.”
Roli i Rusisë
Transnistria zë një rrip toke midis lumit Dniester dhe kufirit ukrainas, një territor që pretendon të jetë shtet, por nuk njihet si i tillë nga asnjë vend. Ajo ka fituar një reputacion si një park i korruptuar dhe i shkatërruar i Bashkimit Sovjetik, i mbështetur nga eksportet në BE, interesat strategjike ruse dhe kontrabanda. Ndërkohë në Moldavi, politika është e ndarë midis kampeve pro-BE-së dhe atyre pro-ruse. Gjithashtu i rrënuar nga korrupsioni, vendi është më i varfëri në Evropë.
Përpjekjet ndërkombëtare për të ndërmjetësuar një zgjidhje politike në mosmarrëveshje janë udhëhequr nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE. Bisedimet kanë bërë një progres të mirë, ndërsa Rusia ka ruajtur ndikimin e saj përmes aleatëve si në Moldavi ashtu edhe në Transnistri, dhe përmes pranisë së një njësie prej 1,500 ushtarësh të vendosur në Transnistri që nga fundi i luftës në vitin 1992.
Rusia ka argumentuar se trupat e saj kryejnë role jetësore si paqeruajtës ose si roje për një gropë municionesh të çaktivizuara nga koha e Luftës së Ftohtë në qytetin Cobasna. Në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve Tass më 8 korrik, i dërguari i Moskës në Kishinau, Oleg Vasnetsov, refuzoi kërkesat e përhershme të Moldavisë për largimin e trupave, duke thënë se ato “nuk mund të tërhiqen si me magji”.
Mosmarrëveshja transnistriane sot klasifikohet së bashku me të ashtuquajturat “konflikte të ngrira” të tjera që përfshijnë separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainë dhe Gjeorgji. Ndryshe nga ato konflikte, megjithatë, ka pasur pak dhunë gjatë 30 viteve të fundit, kufiri de-facto ka mbetur i hapur dhe popullatat në të dy palët janë varur ekonomikisht nga njëra-tjetra. Banorët e Moldavisë dhe Transnistrisë ishin të lirë të udhëtonin nëpër Zonën e Sigurisë, të papenguar nga një rrjet prej 40 pikash kontrolli.
37 pikat e reja të kontrollit pothuajse e dyfishojnë numrin e kontrolleve në zonë. Vëzhguesit në Moldavi dhe më gjerë besojnë se lëvizja e Transnistrisë është pjesë e një strategjie ruse për të shfrytëzuar pandeminë për përfitime taktike në “konfliktet e ngrira”. Masa të ngjashme u raportuan këtë vit në Gjeorgji, ndërsa separatistët në Ukrainë kufizuan lëvizjet e vëzhguesve të OSBE-së gjatë izolimit.
Vladimir Socor, një analist në Jamestown Foundation, një fondacion me bazë në Uashington, tha për BIRN se Rusia ishte “plotësisht pas” regjimeve separatiste në Transnistri, ashtu siç ishte në Gjeorgji dhe Ukrainë. Ai tha se Moska po përdorte pandeminë për të promovuar interesat e saj në “konfliktet e ngrira” në një mënyrë të përshtatur për secilin territor.
Rosian Vasiloi, një analist sigurie në Kishinau dhe ish-kolonel në forcën kufitare të Moldavisë, i tha BIRN se separatistët e Transnistrisë po vepronin “me pëlqimin e liderëve të tyre” në ushtrinë ruse.
Strategjia e Moskës është e drejtuar gjerësisht drejt mbajtjes së një enklave pro-ruse në Transnistri ndërsa mbështet partitë pro-ruse në Moldavi. Presidenti moldav, Igor Dodon, është i afërt me Rusinë, ashtu si edhe lideri i Transnistrisë, Vadim Krasnoselsky. Mosmarrëveshja rreth pikave të reja të kontrollit i vendos kështu dy aleatë rusë kundër njëri-tjetrit.
Kontradikta të tilla janë një aspekt i njohur i konflikteve të ngrira, sipas Thomas de Waal, një ekspert i rajonit dhe partner i lartë në Carnegie Endowment për Paqen Ndërkombëtare, një organizatë ndërkombëtare e politikës së jashtme. Ai argumenton se termi “politikë ruse” është çorientues, duke dhënë iluzionin e koherencës për një bashkëveprim midis interesave ruse të ndryshme, shpesh në konflikt. “Ne nuk duhet të flasim për ‘politikë ruse' pasi ka interesa konkurruese të cilat ‘pushteti vertikal' i Putinit ndonjëherë arrin t'i sheshojë, por shpesh jo.” Në konfliktet e ngrira, ai tha, “interesat e diplomacisë, biznesit dhe sigurisë ruse nuk përkojnë gjithmonë”.
De Waal vuri në dyshim shkallën në të cilën një strategji e vetme ruse jepte një shpjegim për manovrat e pikave të kontrollit, duke argumentuar se rivalitetet lokale ishin një faktor më i madh. “Të them të drejtën, unë nuk shoh shumë kontroll të drejtpërdrejtë rus në Transnistri, përtej disa drejtimeve strategjike”, tha ai për BIRN.
Ka pacientë me COVID, por jo specialistë
Në ditët e para të pandemisë, njerëzit që jetojnë në Zonën e Sigurisë nuk e kuptuan se si pikat e reja të kontrollit do të ndryshonin jetën e tyre. Ata kishin grumbulluar furnizime në përgatitje për izolimin, dhe pasi hynë në fuqi masat, ata kishin pak arsye për të testuar lirinë e tyre të lëvizjes.
“Ata nuk kishin ndonjë nevojë të madhe pse të largoheshin nga vendbanimet e tyre. Ishin në gjendje të mbaheshin”, tha Oleg Gazea, kryetari i komunës Molovata Noua. “Vetëm vonë, ndërsa izolimi zgjati, u bënë të dukshme problemet.”
Ndikimi i masave të Transnistrisë u ekspozua fillimisht në sistemin lokal të kujdesit shëndetësor, pasi spitalet dhe klinikat në vendbanimet e administruara nga Moldavia në të dy anët e Dniesterit filluan të përjetonin mungesë personeli.
Shumë nga punonjësit e tyre udhëtonin nga vendbanimet e administruara nga Transnistria në bregun lindor, të tunduar nga ofertat e pagave më të larta dhe kushteve më të mira në Moldavi. Pasi u vendosën masat e izolimit, ata qëndruan në shtëpi, të dekurajuar nga kërkesa për të bërë karantinë të detyruar për 14 ditë pas kthimit të tyre në territorin transnistrian.
Sipas të dhënave nga Byroja e Riintegrimit, një njësi qeveritare moldave që merret me çështje që lidhen me konfliktin me Tiraspol, rreth 95 njerëz – shumica e tyre mjekë – nuk ishin në gjendje të udhëtonin për të punuar në bregun perëndimor gjatë izolimit.
BIRN përcaktoi që të paktën gjashtë mjedise mjekësore në bregun perëndimor të Moldavisë – duke përfshirë spitale dhe klinika të qarkut – nuk kishin mjaftueshëm mjekë dhe infermierë në detyrë. Spitali i qarkut në Rezina, në bregun perëndimor të Dniesterit, ishte ndër më të prekurit, pasi ishte i detyruar t'ia dilte mbanë pa 17 punonjës që jetonin në Rabnita, një qytet në bregun lindor që është nën kontrollin e administratës së Tiraspolit.
“Spitali praktikisht mbeti pa specialistë”, tha për BIRN drejtoresha e institucionit, Nina Postu. Mungesat e stafit i detyroi mjekët e mbetur të punonin jashtë orarit duke anuluar çdo ditë pushimi.
Në fillim të pandemisë, ishte vetëm një specialist sëmundjesh infektive që merrej me pacientët me Covid-19, tha Postu. Megjithatë, ai doktor u largua në maj dhe spitali që atëherë ka mbetur pa një specialist. Spitali ka dy reparte Covid-19 me një kapacitet prej 54 shtretër, nga të cilët 46 janë aktualisht të zënë.
“Pacientët me koranavirus po trajtohen nga mjekë të përgjithshëm dhe terapeutë”, tha Postu për BIRN. Ajo tha se 150 pacientë ishin trajtuar për Covid-19 midis majit dhe shtatorit, tre prej të cilëve kishin vdekur.
Pandemia si ‘pretekst'
Kufizimet në lëvizje prekën gjithashtu punonjësit mjekësorë që jetonin dhe punonin në të njëjtën anë të lumit – në rastet kur punët e tyre kërkonin që ata të kalonin midis territorit të kontrolluar nga një administratë rivale. Në prill, autoritetet e Transnistrisë arrestuan dy shoferë ambulance nga një fshat i administruar nga Moldavia, të cilët punonin në një qytet të administruar nga Transnistria. Ata u akuzuan për shkelje të rregullave të karantinës dhe u ndaluan për një kohë të shkurtër.
Kufizimet patën një efekt sidomos të ndjeshëm në Cocieri, një qytet i administruar nga Moldavia në bregun lindor të Dniesterit, midis Molovata Nouat dhe Dubasarit.
“I gjithë perimetri i lokalitetit ishte i rrethuar nga pika kontrolli”, tha për BIRN kryetarja e bashkisë së qytetit, Raisa Spinovschi. “Rojet kufitare të Transnistrisë mbyllën të gjitha rrugët. Edhe ata njerëz nga Transnistria që punonin në urgjencën e klinikës lokale nuk u lejuan të hynin.”
Në klinikën kryesore, barra për t'i shërbyer rreth 8,000 njerëzve iu ngarkua për dy muaj një mjekeje të vetme, një grua mbi 60 vjeç. Sipas ligjit moldav, një mjek nuk duhet t'u shërbejë më shumë se 1,500 njerëzve. Farmacitë në qytet ishin gjithashtu të mbyllura për periudhën nga 16 marsi deri më 3 qershor, pasi punonjësit e tyre që jetonin në territorin e administruar nga Transnistria nuk mund të vinin aty për të punuar.
Sipas Spinovschit, banorët lokalë i duruan kryesisht kufizimet nga dëshira për të shmangur konfliktin. “Njerëzit janë të duruar sepse nuk duan më luftë”, tha ajo. “E kemi përjetuar luftën dhe të gjitha vështirësitë e saj.”
Transnistria pretendon se masat kufizuese u vendosën në mënyrë rigoroze në përgjigje të pandemisë. Në një deklaratë me shkrim të dhënë për BIRN, administrata e Tiraspolit tha se pikat e kontrollit ishin të nevojshme “për të monitoruar respektimin e masave të karantinës, me qëllimin kryesor mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njeriut”.
Qeveria moldave, e cila e konsideron rajonin e shkëputur si pjesë të territorit të saj, ka theksuar se pikat e kontrollit janë të paligjshme. Kreu i Byrosë së Riintegrimit, Cristina Lesnic, tha për BIRN se autoritetet në Transnistri po përdornin pandeminë “si një pretekst për t'u izoluar dhe për të krijuar pengesa artificiale për lëvizjen e lirë”.
OSBE-ja gjithashtu e ka kritikuar Transnistrinë, duke e akuzyar atë se ka bllokuar qasjen e popullatës në vendet e punës dhe në kujdesin shëndetësor. “Të dy anët e Dniesterit janë të ndërlidhura dhe të ndërvarura”, tha për BIRN kreu i misionit të OSBE-së në Moldavi, Claus Neukirch. “Liria e lëvizjes është një çështje tepër e rëndësishme.”
Pa traget, pa ushqim
Të rrethuar nga barrikada në rrugë, banorët e bregut lindor të Dniesterit filluan të mbështeteshin te një shërbim trageti për të kaluar lumin.
Megjithatë, trageti mund të mbante vetëm 30 automjete. Ndërsa kërkesa për këtë shërbim u rrit, u krijuan radhë të gjata në të dy anët e lumit, me automjetet që zakonisht prisnin tre deri në katër orë për të hipur në traget. Banorët që shpresonin të kapnin tragetin e parë nga bregu lindor, i cili nisej në orën 07:15, fillonin të mbanin radhë që në orën 05:00. Ndër pasagjerët kishte shumë të sëmurë dhe të moshuar me nevoja mjekësore komplekse.
“Më e vështirë ishte për të moshuarit që nuk kanë asnjë të afërm ose mjet transporti”, tha Valeriu Vladimirov, një polic në pension dhe veteran lufte i dekoruar nga Molovata Noua i cili e kaloi periudhën e izolimit si vullnetar, duke shkuar të merrte morfinë për pacientët me kancer.
Morfina ishte ndaluar nga autoritetet transnistriane, kështu që Vladimirov u desh ta siguronte ilaçin nga një spital në Cosnita, një tjetër qytet i administruar nga Moldavia në bregun lindor të Dniesterit, në jug të Molovata Nouas. Vladimirov e fillonte udhëtimin e tij duke marrë tragetin në bregun perëndimor, bënte 60 kilometra rrugë për të kaluar një urë për në Cosnita dhe pastaj kthehej përsëri po në të njëjtën mënyrë. Udhëtimi vajtje-ardhje me rrugë dhe lumë i kursente më shumë se 120 kilometra. Ai e kalonte Dniesterin katër herë për të shmangur kalimin nëpër pikat e kontrollit të Transnistrisë.
Në një kohë kur dukej sikur jeta në bregun lindor nuk mund të bëhej më e vështirë, shërbimi i tragetit gjithashtu ndaloi së funksionuari. Më 9 maj, niveli i ujit në Dniester ra nën nivelin minimal që konsiderohet i sigurt nga operatorët e tragetit.
Rënia e papritur e ujit ishte rezultat i një vendimi për të rritur sasinë e ujit të shkarkuar nga hidrocentrali kryesor i Moldavisë, i ndodhur në rrjedhën e poshtme në Dubasari dhe i operuar nga autoritetet e Transnistrisë. Vendimi, i marrë zyrtarisht në mënyrë që të zvogëlonte rrezikun e përmbytjes, i la banorët e bregut lindor tërësisht të shkëputur nga pjesa tjetër e botës.
“Nga njëra anë, ishim të bllokuar nga pikat e kontrollit ushtarak,” tha për BIRN Oleg Gazea, kryetari i komunës Molovata Noua. “Nga ana tjetër, nuk kishim asnjë komunikim me bregun perëndimor të Dniesterit. Nuk kishim më rezerva ushqimore. Ishim totalisht të izoluar.”
Pas tri ditësh dhe një presioni të madh nga Kishinau, Tiraspoli e ndryshoi vendimin e tij, niveli i ujit u rrit dhe shërbimi i trageteve rifilloi.
Tensione në Cocieri
Ndërsa pranvera i la vendin verës, qeveritë në të gjithë Evropën filluan të lehtësonin masat e kufizimit. Megjithatë, në Zonën e Sigurisë, ndërsa numri i infektimeve kishte rënë, masa të tjera po shtrëngoheshin.
Tensionet filluan më 2 qershor jashtë qytetit të bregut lindor të Cocieri. Policia e Transnistrisë ishte bashkuar me rojet kufitare që operonin një nga pikat e reja të kontrollit dhe për herë të parë, filloi vendosjen e gjobave për shkeljet e izolimit. Pas përhapjes së lajmit për sjelljen e tyre, një turmë prej rreth 30 personash u mblodhën në vendin e ngjarjes, duke përfshirë shumë veteranë moldavë të luftës së vitit 1992.
“Njerëzit tashmë ishin të lodhur për shkak të të gjitha poshtërimeve të mëparshme”, tha për BIRN Gazea. Ai tha se ishte sidomos i shqetësuar se veteranët, të cilët kishin shkuar ë paarmatosur, mund të përballeshin me policinë. Kryebashkiakja e Cocierit, Raisa Spinovschi, tha për BIRN se banorët lokalë “donin të kthenin përmbys makinën e policisë transnistriane. Ishim vërtet shumë pranë një konflikti.”
Dhuna u shmang pas telefonatave që iu bënë OSBE-së dhe zyrtarëve lokalë. Më vonë atë ditë, rojet e Transnistrisë e hoqën pikën e tyre të kontrollit nga Cocieri.
Përballja duket se i nxiti liderët të vepronin. Pas bisedimeve gjatë verës me presidentin moldav Igor Dodon, autoritetet e Transnistrisë lehtësuan pjesërisht disa kufizime në lëvizjen në Zonën e Sigurisë, duke hequr shumë nga pikat e reja të kontrollit. Megjithatë, kërkesat e Moldavisë për heqjen e të gjitha pikave të kontrollit vazhduan të hidheshin poshtë.
Në një deklaratë të dhënë për BIRN, administrata e Tiraspolit tha se nuk do të diskutonte heqjen e të gjitha pikave të kontrollit derisa pandemia e koronavirusit të “përfundonte plotësisht” dhe “situata epidemiologjike në Moldavinë fqinje të normalizohej”.
Qëndrimi i Tiraspolit ka nxitur spekulime se ai po përdor pikat e kontrollit për të përfituar lëshime nga presidenti moldav. Dodon do të kandidojë për rizgjedhje në nëntor, por përballet me një sfidë të fortë nga opozita pro-BE.
Banorët e Transnistrisë gjithashtu do të kenë të drejtë të votojnë në zgjedhje, pasi Kishinau i shikon ata si shtetas moldavë. Në rast të një gare të ngushtë, votat nga territori, të cilat priren të favorizojnë partitë pro-ruse, mund të jenë vendimtare për Dodonin. Megjithatë, meqë Transnistria nuk i njeh zgjedhjet, Dodon do të varej nga Tiraspoli për të transportuar me autobusë votuesit në qendrat e votimit në territorin e administruar nga Moldavia.
“Dodon dëshiron që sa më shumë transnistrianë të jetë e mundur të votojnë për të”, tha për BIRN Vladimir Socor i Fondacionit Jamestoën. “Krasnoselsky, natyrisht, e shantazhon Dodonin duke përdorur këto pika kontrolli.”
Qeveria moldave është akuzuar nga opozita për një qasje shumë të butë ndaj provokimit të Transnistrisë. Kritikët thonë se Kishinau, në rastin më të mirë, është përpjekur të lehtësojë pasojat e kufizimeve, në vend që të adresojë shkakun e vendosjes së tyre.
Megjithatë, Cristina Lesnic e Zyrës së Riintegrimit tha për BIRN se qeveria kishte depozituar “qindra” kërkesa në Tiraspol, si dhe ndërmjetësuesve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, duke kërkuar një zgjidhje për çështjen e pikave të kontrollit.
Në fillim të shtatorit, autoritetet moldave i thanë BIRN se 12 nga 37 pikat e reja të kontrollit ishin ende të pranishme në Zonën e Sigurisë. Më 10 shtator, udhëheqësi transnistrian Vadim Krasnoselsky tregoi se numri kishte të ngjarë të rritej. Ai tha se disa pika kontrolli do të vendoseshin përsëri për shkak të një rritje të rasteve të reja me COVID-19, të cilat ai ia atribuoi kontakteve me shtetasit moldavë.
Ky artikull u realizua me një grant të Reporting Democracy për histori që tregojnë se si krica e COVID-19 po riformëson politikën dhe shoqërinë në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore.