
Që kur erdhi në pushtet në fillim të vitit 2017, presidenti amerikan Donald Trump ka menduar se Amerika mund të siguronte “marrëveshje” më të mira me tregtarë botërorë nëpër botë duke negociuar në mënyrë bilaterale me ta. Por pas tre vjet e gjysmë, faktet janë të qarta: politika tregtare e Shteteve të Bashkuara ka arritur totalisht të kundërtën e qëllimeve të deklaruara nga Donald Trump.

Që nga Lufta e Dytë Botërore, ekonomia globale ka patur një performancë përtej ëndrrave më të egra të arkitektëve të saj të pasluftës, duke sjellë fitime të mëdha në shëndetësi, arsim, standarde jetese, ulje të varfërisë dhe pasuri. Thelbësore për këtë sukses ishte rritja dhe liberalizimi i tregtisë ndërkombëtare, e cila u bë e mundur me lidershipin e Shteteve të Bashkuara në krijimin dhe administrimin e një sistemi tregtar të hapur dhe multilateral.
Ky sistem – i pranuar fillimisht nëpërmjet Marrëveshjes së Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë, GAAT, dhe më pas në Organizatën Botërore të Tregtisë, OBT, – vendosi sundimin ndërkombëtar të ligjit mbi tregtinë globale, mos-diskriminimin midis partnerëve tregtarë dhe një forum për negocimin e uljes së tarifave dhe heqjen e barrierave të tjera tregtare. OBT-ja pasoi GATT-in në janar 1995 dhe deri në vitin 2000, tarifat mesatare për prodhuesit në ekonomitë e përparuara ishin rreth 2%, shumë më poshtë sesa nivelet e vitit 1948. Tregtia ndërkombëtare ishte rritur nga rreth 20% e PBB-së globale që ishte në vitet e para të pasluftës, në 39% në vitin 1990 dhe 58% në vitin 2018.
Por sistemi tregtar i hapur dhe multilateral është dëmtuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Vlera e dollarit e tregtisë botërore ra me 3% në 2019, edhe pse PBB-ja botërore ishte ende në rritje. Ky ndryshim ishte kryesisht rezultat i zhvendosjes së Amerikës drejt bilateralizmit dhe proteksionizmit që nga fillimi i mandatit të presidentit të SHBA-së Donald Trump në janar 2017. Trump duket se beson se Shtetet e Bashkuara janë mjaft të fuqishme për të siguruar “marrëveshje” më të mira duke negociuar një nga një me partnerë tregtarë. Por ndërkohë që SHBA-ja është me të vërtet një vend i madh tregtar, në të vërtetë ajo përbën vetëm 4% të popullsisë së botës dhe më pak se një të pestën e PBB-së globale.
Për më tepër, ka kaluar shumë kohë që tani të mund ta vendosim në shqyrtim qasjen e Trump-it. Qëllimet e tij të deklaruara kur ai erdhi në detyrë ishin të ulte çekuilibrat bilaterale të tregtisë amerikane dhe të hiqte ose ulte barrierat tregtare dhe ato të tarifave ndaj mallrave amerikane, duke rritur kështu eksportet amerikane. Asnjë nga këto qëllime nuk është arritur.
Deficitet bilaterale dhe të përgjithshme tregtare nuk mund të rregullohen përmes proteksionizmit, dhe të dy treguesit në fakt janë përkeqësuar nën udhëheqjen e Trump. Deficiti i përgjithshëm tregtar i SHBA-së u rrit nga 750 miliardë dollarë që ishte në vitin 2016, në 864 miliardë dollarë në vitin 2019 dhe tani ka arritur nivelin më të lartë që nga korriku 2008. Dhe eksportet amerikane në Kinë, objektivi kryesor i politikës tregtare “Amerika e para” e Trump-it, janë rritur vetëm me 1.8% deri në gusht 2020, ndërsa eksportet kineze në SHBA janë rritur me 20%, duke rritur kështu deficitin tregtar bilateral.
Siç ndodh gjithmonë në luftërat tregtare, të dy vendet kanë pasur humbje nga rritja e tarifave. Konsumatorët amerikanë tani duhet të paguajnë më shumë për shumë mallra nga Kina dhe SHBA-së i është dashur t’i paguajë rreth 28 miliardë dollarë kompensim fermerëve amerikanë. Biznese të shumta amerikane janë detyruar të paguajnë më shumë për inputet dhe, si pasojë kanë humbur pjesën e tregut ndaj konkurrentëve të huaj që tani kanë një avantazh kostoje. Dhe, siç parashikohej, Kina ka rritur tarifat e saj të importit për mallrat amerikane, duke dëmtuar eksportet e SHBA-së.
Në mënyrë të ngjashme, “rinegocimi” i administratës Trump i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA) dhe Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë SHBA-Kore (KORUS) supozohet se kishte për qëllim të adresonte “çështje të reja” si ngritja e ekonomisë digjitale. E megjithatë, këto çështje ishin përfshirë tashmë në Partneritetin Trans-Paqësor (TPP) të negociuar nga administrata e Barak Obamës, të cilin Trump e braktisi menjëherë kur erdhi në pushtet. Pasi përfunduan një marrëveshje të ngjashme tregtie të lirë pa SHBA-në – Marrëveshja Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor (CPTPP) – anëtarët e mbetur të marrëveshjes fillestare tani gëzojnë qasje pa taksa në tregjet e njëri-tjetrit, ndërsa SHBA-ja i nënshtrohet tarifave më të larta karshi këtyre vendeve.
Pra, Trump nuk ka arritur të reduktojë pengesat me të cilat përballen eksportet amerikane dhe ka arritur t’i rrisë ato pothuajse gjithandej. Sipas Partneritetin Trans-Paqësor, prodhuesit amerikanë të grurit do të ishin kursyer nga tarifa 38% e Japonisë për të gjitha importet e grurit. Por tani që TPP-ja është zëvendësuar nga CPTPP-ja, eksportuesit kanadezë dhe australianë të grurit në Japoni i nënshtrohen tarifave më të ulëta sesa homologët e tyre amerikanë. Duke i përkeqësuar edhe më shumë gjërat për prodhuesit amerikanë, Japonia dhe Bashkimi Evropian kanë përfunduar që nga një marrëveshje tregtie të lirë që eliminon detyrimet për automjetet dhe mallra të tjera.
Lista e “qëllimeve” të Donald Trump vazhdon. Tarifat për importet amerikane të çelikut dhe aluminit (të cilat fillimisht përfshinin ato nga partnerët e saj tregtarë në NAFTA) thjesht i kanë vendosur në disavantazh industritë amerikane që përdorin çelikun. Por punësimi në industrinë e hekurit dhe çelikut ka rënë gjatë dy viteve të fundit.
Edhe pse pothuajse çdo aleat i SHBA-së ka marrë kërkesa nga SHBA-ja për ndryshime në marrëdhëniet tregtare, shumë pak është arritur. Ndryshimet kryesore në NAFTA ishin në automjete dhe pjesë këmbimi dhe efekti ishte thjesht për të rritur mbrojtjen ndaj importeve nga Meksika.
Si përfundim, dhe ndoshta ajo më e rëndësishmja, administrata Trump ka dëmtuar rëndë OBT-në duke bllokuar emërimin e gjyqtarëve të rinj në panelin e saj të apelit, duke e bërë mekanizmin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve jofunksional. OBT-ja është një institucion global 164 anëtarët e të cilit përbëjnë 96.4% të tregtisë botërore dhe 96.7% të PBB-së botërore. Bota ka shumë nevojë që ajo të funksionojë si duhet.
Administrata Trump do të kishte pasur një shans shumë më të madh suksesi, nëse do të kishte adresuar çështje të pazgjidhura tregtare përmes OBT-së. Formimi i aleancave me vendet e ngjashme tregtare dhe ndryshimi i rregullave të OBT-së ka qenë prej kohësh më efikase sesa ndjekja e objektivave të ngushta dhe personale. Bilaterizmi i Donald Trump dhe refuzimi i OBT-së ka dëmtuar të gjithë sistemin tregtar ndërkombëtar dhe i ka shkaktuar një dëm të madh firmave dhe familjeve amerikane.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Trump’s Spectacolar Trade Failure