Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Tema kryesore
  • Gjyqtare
  • Kolegji i Posaçëm i Apelimit
  • Prokurore
  • KPK
  • Gjykata e Apelit Tiranë
  • Mjedisi
Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
Reporter.al
Fillimi Analiza

“Nga e majta në të djathtë”: Fytyrat e shumta të antisemitizmit në Greqi

Stavros MalichudisNgaStavros Malichudis
18:14 | 17/11/2020
Në Analiza, Artikull kryesor Analiza, Në Fokus
Kohe leximi: 7 minuta
A A
0
Hapi i madh djathtas

Grafiti me stampë në Athinë. Teksti në greqisht thotë: Luftuam fashistët në mënyrë që nipërit tanë të mund t'i rikthejnë. Foto: Kostas Kallergis

Share on FacebookShare on Twitter

Në Greqi, antisemitizmi dhe teoritë e konspiracionit shkojnë krahë përkrahë. Pandemia e COVID-19 ofron terrenin e përsosur për vazhdimin e tyre.

Grafiti me stampë në Athinë. Teksti në greqisht thotë: Luftuam fashistët në mënyrë që nipërit tanë të mund t’i rikthejnë. Foto arkivë: Kostas Kallergis

Kur kompania gjermane BioNTech dhe gjiganti farmaceutik amerikan Pfizer njoftuan në fillim të nëntorit se vaksina e tyre për COVID-19 kishte rezultuar 90 për qind efikase në testet përfundimtare të fazës së tretë, media greke iu bashkuan gazetave dhe televizioneve të tjera në botë në festimin e këtij progresi që mund të ndryshojë situatën me pandeminë e koronavirusit.

Lehtësimi ishte i dukshëm, me Greqinë që sapo kishte hyrë në një izolim të dytë në mbarë vendin ndërsa rastet e konfirmuara çdo ditë kapërcenin 2,000 dhe njësitë e kujdesit intensiv i afroheshin limiteve të kapaciteteve të tyre. Por kishte edhe krenari.

Drejtori ekzekutiv i Pfizer, një biznesmen dhe veteriner i quajtur Albert Bourla, është grek, një fakt që kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis nuk e anashkaloi. Ai e përgëzoi atë në një telefonatë.

Megjithatë, jo të gjithë ndanin entuziazmin e kryeministrit.

Makeleio, një gazetë e përditshme greke, e njohur për teoritë e saj konspirative, ksenofobinë dhe intolerancën ndaj pakicave, nuk ishte e bindur për shtetësinë greke të Bourlas, por për prejardhjen e tij hebraike, duke e përshkruar atë si “veterinerin hebre” dhe duke i krahasuar shkencëtarët e Pfizer me “Mengele të kohës sonë”, një referencë për oficerin gjerman SS Josef Mengele dhe eksperimentet e tij brutale mbi të burgosurit hebrenj në kampin e përqendrimit në Aushvic gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Duke paralajmëruar për “vaksinat e detyrueshme”, Makeleio tha se grekët po detyroheshin të hynin me forcë në “dhomat e gazit”.

Që një gjuhë e tillë mund të gjendet në faqen e parë të një gazete që mund të blihet në kioskat në Athinë për 90 cent ndoshta nuk duhet të jetë e habitshme kur merret parasysh fakti që, në sondazhet e kryera nga Liga globale Anti-Shpifje, ADL, Greqia renditet si vendi më antisemit në botë jashtë Lindjes së Mesme.

Dhe pandemia COVID-19 po ofron ushqim të freskët për teoritë e konspiracionit antisemite.

“Në Greqi, antisemitizmi nuk lidhet vetëm me një anë politike”, tha historiani Leon Saltiel, libri i të cilit “Holokausti në Selanik” u botua këtë vit.

“Ai mund të gjendet nga e majta në të djathtë dhe mund të vijë nga një shofer taksie e deri te një anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe nga një profesor në një institucion të rëndësishëm e deri te një person në një kafene tradicionale.”

Opinionet antisemite “pjesë e jetës së përditshme”

Në një sondazh të vitit 2014 nga ADL, 69 për qind e grekëve të anketuar shprehën pajtim me shumicën e stereotipeve antisemite. Kjo ishte shifra më e lartë në Europë. Franca u rendit e dyta me 37 për qind.

Në të njëjtin sondazh, 85 për qind e grekëve thanë se hebrenjtë kishin shumë pushtet në botën e biznesit, 82 për qind thanë se ata kishin shumë ndikim në tregjet financiare ndërkombëtare dhe 74 për qind thanë se kishin shumë kontroll mbi çështjet globale. Gjashtëdhjetë për qind thanë se hebrenjtë flasin shumë për Holokaustin, ndërsa pak më shumë se gjysma – 53 për qind – e të anketuarve thanë se hebrenjve nuk u intereson se çfarë i ndodh askujt tjetër që nuk është hebre. Pothuajse gjysma, ose 47 për qind, thanë se hebrenjtë urreheshin për shkak të sjelljes së tyre.

Një sondazh i mëvonshëm i ALD-së vitin PASUES dha rezultate shumë të ngjashme.

Komuniteti hebre në Greqi vlerësohet të jetë i përbërë nga rreth 5,000 të tillë.

Saltiel, një vendas në Selanik, qyteti i dytë më i madh i Greqisë, tha se nuk ishte e pazakontë që hebrenjtë grekë të konsideroheshin si të huaj e jo si shtetas të vendit ku “ata studionin, shërbenin në ushtri dhe paguanin taksa”.

“Hebrenjtë konsiderohen ‘të huaj’, si ‘të tjerët’ dhe jo të barabartë me grekët e tjerë”, tha Saltiel për BIRN. “Shoqëria greke demonstron tolerancë ndaj antisemitizmit dhe opinione të tilla janë pjesë e jetës së përditshme.”

Një studim i vitit 2019, në të cilin Satiel ishte bashkë-autor, tregoi se si antisemitizmi në Greqi shprehet në forma të ndryshme dhe përmes kanaleve të ndryshme:

Mund të jetë fetar, në një vend të kryesisht ortodoks, ku hebrenjtë konsiderohen si fajtorë për kryqëzimin e Jezusit dhe klerikët e lartë shprehin hapur ndjenjën antisemite bazuar në literaturën e krishterë ose të maskuar si “anti-sionizëm”.

Për të djathtën politike ose të djathtën ekstreme, ai manifestohet në mohim ose revizionizëm të Holokaustit. Në të majtë, ai vjen në formën e shprehjeve të solidaritetit me palestinezët. Ai është gjithashtu i pranishëm në parlamentin grek.

Deputetët e partive në të gjithë spektrin politik – jo vetëm Agimi i Artë neo-nazist, i cili e ka mohuar hapur Holokaustin – kanë bërë deklarata antisemite gjatë vitit të fundit.

Në vitin 2011, Giorgos Karatzaferis, një ish-deputet dhe udhëheqës i partisë së ekstremit të djathtë LAOS, përsëriti një teori konspirative se hebrenjtë e punësuar në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork nuk u paraqitën për punë mëngjesin e sulmit të 11 shtatorit 2001 ndaj Kullave Binjake, sepse ishin informuar nga agjencia izraelite e inteligjencës Mossad.

Panos Kammenos, një ish-ministër grek i mbrojtjes dhe kreu i partisë Grekët e Pavarur, ka pohuar se “hebrenjtë nuk paguajnë taksa në Greqi”, ndërsa të paktën dy ministra në qeverinë aktuale të Demokracisë së Re të kryeministrit Mitsotakis – Makis Voridis dhe Adonis Georgiadis – kanë shprehur hapur pikëpamje antisemite. Të dy më pas kërkuan falje.

Mbivendosje me teoritë e konspiracionit

Antisemitizmi në Greqi shkon përkrahë me një prirje për teori konspiracioni.

Sipas një sondazhi të botuar në fund të tetorit nga YouGov-Cambridge Globalism Project, Greqia u rendit e dyta pas Nigerisë për sa i përket përqindjes së të anketuarve – 46 për qind dhe 59 për qind – të cilët besojnë se shkalla e vdekjes nga COVID-19 “ishte ekzagjeruar qëllimisht dhe shumë”.

“Një pjesë shumë e madhe e bashkatdhetarëve tanë besojnë në teoritë e konspiracionit”, tha George Antoniou, asistent profesor i Studimeve Hebraike në Universitetin Aristoteli në Selanik dhe bashkë-autor i sondazhit të vitit 2019 me Saltiel.

“Dhe ne e dimë, si nga sondazhet globale ashtu edhe nga sondazhet që kemi kryer, se lidhja midis teorive të konspiracionit dhe antisemitizmit është një vijë e drejtë.”

“Të besosh në teoritë e konspiracionit nuk të bën menjëherë antisemit. Por nëse dikush beson se vaksina për COVID-19 është gjetur dhe kompanitë farmaceutike po e fshehin atë dhe se COVID-19 është përhapur nga Izraeli, atëherë të gjitha të dhënat tregojnë se besimi në këto lloje të ndryshme teorish konspiracioni është një shenjë e fortë treguese që dikush është gjithashtu antisemit”, tha Antoniou për BIRN.

“Dhe kjo sepse hebrenjtë kanë qenë shumë shpesh viktima të teorive globale të konspiracionit kundër tyre.”

Saltiel tha se “The Protocols of the Elders of Zion”, një tekst i njohur i trilluar antisemit, mund të gjendet në sektorët e “fesë” të librarive “legjitime” greke, “njësoj si të ishte një tekst autentik”.

Ai përshkroi një teori që ai e kishte dëgjuar kohët e fundit gjatë një diskutimi midis dy personave, njëri prej të cilëve tha se koronavirusi “ishte prodhuar nga hebrenjtë” për të marrë hak ndaj kancelares gjermane Angela Merkel për Holokaustin. “Ata e kishin shumë seriozisht këtë gjë”, tha Saltiel.

Konkurrojnë se kush është më shumë viktimë

Edhe ndjenja e të qenit viktimë gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në përhapjen e antisemitizmit midis grekëve, thonë ekspertët.

“Ne e konsiderojmë veten si viktima të historisë dhe të fuqive të huaja, dhe kjo krijon një konkurrencë me hebrenjtë”, tha Antoniou. “Për shembull, ne mendojmë se si njerëz kemi vuajtur më shumë se ata dhe pyesim se përse dhimbja e tyre nga Holokausti është njohur ndërsa e jona jo.”

Në anketimin e tyre të qëndrimeve greke ndaj hebrenjve, Antoniou dhe Saltiel zbuluan se 65 për qind besonin se grekët kishin pësuar gjenocid në të njëjtën shkallë ose më të madhe sesa hebrenjtë. Shkalla ishte afërsisht e njëjtë kur iu kërkua të krahasonin vuajtjet e grekëve me ato të boshnjakëve dhe më pas të armenëve.

“Kështu që bëmë një eksperiment”, tha Antoniou. “Krijuam një grup fantazie,‘Kartenianët’, të cilët me sa di unë nuk ekzistojnë. Dhe kur i pyetëm pjesëmarrësit nëse ata besojnë se grekët kanë vuajtur më shumë se ata, përsëri 65 për qind thanë ‘Po’.”

Pavarësisht qëndrimeve dhe retorikës antisemite për një kohë të gjatë, incidentet e dhunshme që vënë në shënjestër hebrenjtë janë më pak të zakonshme sesa në vendet e tjera. Në vitin 2019, u regjistruan dy incidente përdhosjeje të monumenteve të Holokaustit. Pati nëntë raste vandalizmi në vitin 2018, 12 në vitin 2017 dhe pesë në vitin 2016.

Gjuha e urrejtjes antisemite mbetet e përhapur, megjithatë, si në media ashtu edhe në rrjetet sociale.

Një javë para lajmit që doli në faqen e parë të gazetës Makeleio për Bourla-n e kompanisë Pfizer, gazeta u gjet fajtore për fyerjen e Minos Moisis, ish-president i komunitetit hebre të Athinës, pasi e përshkroi atë në fund të vitit 2017 si një “hebre të ashpër” i cili po u grabiste grekëve paratë e tyre.

Por grupet e të drejtave të njeriut thonë se vendimi kundër Makeleio është një përjashtim.

“Krimet raciste ndiqen penalisht si rezultat i statusit të dikujt”, tha Panajote Demetras i Greek Helsinki Monitor, që merret me mbrojtjes e të drejtave të njeriut dhe të pakicave.

Sipas ligjit grek, ai tha, shteti duhet të ndërmarrë veprime kundër gjuhës raciste në emër të grupeve të prekshme. “Kur ka ndodhur kjo? Asnjëherë”, tha Demetras për BIRN.

Në prill të vitit të kaluar Greqia emëroi “të dërguarin e saj të posaçëm për të luftuar antisemitizmin dhe për të mbrojtur kujtesën e Holokaustit”, ndërsa qeveritë e tanishme dhe ato të mëparshme kanë theksuar rëndësinë që nxënësit të mësojnë për Holokaustin.

Dhe gjatë mandatit të tij si kryebashkiak i Selanikut midis vitit 2011 dhe 2019, Giannis Boutaris i dha shumë rëndësi pjesës më të madhe të trashëgimisë herreje të qytetit. Para pushtimit nazist të Greqisë, qyteti verior ishte shtëpi e më shumë se 50,000 hebrenjve ose afërsisht një e gjashta e popullsisë së tij në atë kohë.

“Koha e tij në detyrë shërbeu si një alarm për pjesët e shëndetshme të shoqërisë greke”, tha Saltiel.

Siç ishte edhe dënimi në tetor i liderëve të partisë neo-naziste Agimi i Artë për drejtimin e një organizate kriminale.

“Kjo e detyroi një pjesë të popullit grek që të hapte sytë”, tha Saltiel për BIRN. “Ata e kuptuan që toleromi i Agimit të Artë ofron terren pjellor për veprime të tilla.”

Tjetri
Prokurori Kujtim Luli përballet me pyetje për një kredi të butë

Prokurori Kujtim Luli përballet me pyetje për një kredi të butë

Më të lexuarat

Hapi i madh djathtas

“Nga e majta në të djathtë”: Fytyrat e shumta të antisemitizmit në Greqi

18:14 | 17/11/2020
Në rajonet e thella shqiptare, migrimi bëhet pothuajse i pashmangshëm

Në rajonet e thella shqiptare, migrimi bëhet pothuajse i pashmangshëm

14:05 | 27/03/2023
“Mbretërit e Parë të Europës”: Objektet prehistorike ekspozohen në SHBA

“Mbretërit e Parë të Europës”: Objektet prehistorike ekspozohen në SHBA

18:04 | 24/03/2023
Ujërat e ndotura pengojnë programin e “Flamurit Blu” në bregdetin shqiptar

Ujërat e ndotura pengojnë programin e “Flamurit Blu” në bregdetin shqiptar

19:29 | 27/03/2023
KQZ fal kryebashkiakun e Mallakastrës për dënimin në Greqi

Tre kryebashkiakë rrezikojnë gjoba për ‘keqpërdorim të fondeve publike’ në fushatë

19:19 | 24/03/2023
‘Tejkalim afatesh dhe zvarritje’: Prokurori Olger Eminaj jep shpjegime në KPK

‘Tejkalim afatesh dhe zvarritje’: Prokurori Olger Eminaj jep shpjegime në KPK

17:11 | 28/03/2023
  • Analiza
  • Blog
  • Intervista
  • Investigime
  • Lajme
  • Opinion
  • Rajoni
  • Reportazhe
  • Vendi
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Pyetje të shpeshta
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2021 Reporter.al - BIRN
Dev by Aplikacione.com

Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog

© 2022 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.