
Miqtë dhe aleatët kanë filluar të kenë një lloj mungese besimi te Shtetet e Bashkuara pas presidencës së Donald Trump. Joe Biden do të bëjë gjithçka që mundet për ta ndrequr këtë dëm, por problemi më i madh është se shumë prej tyre po pyesin nëse Trump ishte thjesht një simptomë e rënies së demokracisë amerikane.

Miqtë dhe aleatët kanë filluar të kenë një lloj mungese besimi te Shtetet e Bashkuara. Besimi është i lidhur ngushtë me të vërtetën dhe presidenti Donald Trump nuk ka asnjë lidhje me këtë të fundit. Të gjithë presidentët kanë gënjyer, por kurrë në një shkallë të tillë sa të zhvlerësojë besimin. Sondazhet ndërkombëtare tregojnë se fuqia e butë e Amerikës ka rënë ndjeshëm gjatë presidencës së Trump.
A mundet që presidenti i zgjedhur Joe Biden ta rikthejë atë besim? Në planin afatshkurtër, po. Një ndryshim i stilit dhe politikës do të përmirësojë qëndrimin e Amerikës në shumicën e vendeve. Trump ishte një rast i veçantë midis presidentëve të SHBA-së. Presidenca ishte puna e tij e parë në qeveri, pasi e kaloi karrierën e tij në botën e pasurive të patundshme dhe programeve televizive, ku deklaratat e egra mbajnë vëmendjen e medias dhe ju ndihmojnë ta keni nën kontroll axhendën.
Ndryshe nga kjo, Biden është një politikan me një përvojë të gjatë në politikën e jashtme që rrjedh nga dekada në Senat dhe tetë vjet si zv/president. Që nga zgjedhjet, deklaratat dhe emërimet e tij fillestare kanë pasur një efekt thellësisht qetësues për aleatët.
Problemi i Trump me aleatët nuk ishte slogani i tij “Amerika e para”. Siç argumentoj tek “A ka rëndëi morali? Presidentët dhe politika e jashtme nga FDR deri te Trump”, presidentëve u është besuar promovimi i interesit kombëtar. Çështja e rëndësishme morale është sesi një president e përkufizon interesin kombëtar.
Trump zgjodhi përkufizime të ngushta transaksionale dhe, sipas ish-këshilltarit të tij për sigurinë kombëtare, John Bolton, ndonjëherë ai e ngatërronte interesin kombëtar me interesat e tij personale, politike dhe financiare. Ndryshe nga kjo, shumë presidentë amerikanë që nga Harry Truman shpesh kanë marrë një vështrim të gjerë të interesit kombëtar dhe nuk e ngatërruan atë me interesat e tyre. Truman pa që ndihma për të tjerët ishte në interesin kombëtar të Amerikës dhe, madje, hoqi dorë nga vendosja e emrit të tij në Planin Marshall për ndihmë për rindërtimin e pasluftës në Europë.
Ndryshe nga kjo, Trump kishte një lloj shpërfillje ndaj aleancave dhe multilateralizmit, të cilën ai e shfaqi me gatishmëri në takimet e G7 ose NATO-s. Edhe kur ai ndërmori veprime të dobishme për t’u ngritur kundër praktikave abuzive të tregtisë kineze, ai nuk arriti ta koordinonte presionin mbi Kinën dhe në vend të kësaj vendosi tarifa për aleatët e SHBA-së. Nuk është aspak habi që shumë prej tyre filluan të pyesnin veten nëse kundërshtimi i Amerikës ndaj gjigantit të teknologjisë kineze Huaëei motivohej nga shqetësime tregtare dhe jo nga shqetësime që kishin të bënin me çështjen e sigurisë.
Dhe tërheqja e Trump nga marrëveshja e klimës së Parisit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë mbolli mosbesim në lidhje me angazhimin amerikan për t’u marrë me kërcënimet globale transnacionale si ngrohja globale dhe pandemitë. Plani i Biden për t’iu ribashkuar këtyre të dyjave do të ketë një efekt të menjëhershëm përfitues për fuqinë e butë të SHBA-së.
Por Biden ende do të përballet me një problem më të thellë besimi. Shumë aleatë po pyesin se çfarë po ndodh me demokracinë amerikane. Si mund të kesh besim që një vend që prodhoi një lider politik aq të çuditshëm sa Trump në vitin 2016 nuk do të prodhojë një tjetër në 2024 ose 2028? A është demokracia amerikane në rënie, duke e bërë vendin të pabesueshëm?
Rënia e besimit te qeveria dhe institucionet e tjera që nxitën ngritjen e Trump nuk filloi me të. Besimi i ulët te qeveria ka qenë një sëmundje amerikane për një gjysmë shekulli. Pas suksesit në Luftën e Dytë Botërore, tre të katërtat e amerikanëve thanë se kishin një shkallë të lartë besimi te qeveria. Kjo ra afërsisht në një të katërtën pas Luftës së Vietnamit dhe skandalit Uotergeit të viteve 1960 dhe 1970. Për fat të mirë, sjellja e qytetarëve në çështje si pagesa e taksave ishte shpesh shumë më e mirë sesa mund të sugjeronin përgjigjet e tyre ndaj anketuesve.
Ndoshta demonstrimi më i mirë i forcës dhe qëndrueshmërisë themelore të kulturës demokratike amerikane ishin zgjedhjet e vitit 2020. Përkundër pandemisë më të keqe në një shekull dhe parashikimeve të tmerrshme të kushteve kaotike të votimit, pjesëmarrja në votime ishte në nivel rekord dhe dhe mijëra zyrtarë lokalë – republikanët, demokratët dhe të pavarur – që administruan zgjedhjet e konsideruan realizimin e ndershëm të detyrave të tyre si një detyrë qytetare.
Në Xhorxha, shtet ku Trump humbi ngushtë, sekretari republikan i shtetit, përgjegjës për mbikëqyrjen e zgjedhjeve, sfidoi kritikat e pabazuara nga ana e Trump dhe e republikanëve të tjerë, duke deklaruar, “Unë jetoj me moton që shifrat nuk gënjejnë”. Proceset gjyqësore për mashtrim masiv të dyshuar nga ana e Donald Trump, duke mos pasur asnjë provë për t’i mbështetur ato, u rrëzuan në gjykatë, përfshirë edhe nga gjykatës që vetë Trump i kishte emëruar. Dhe republikanët në Miçigan dhe Pensilvani i rezistuan përpjekjeve të tij për të bërë që ligjvënësit e shtetit të përmbysnin rezultatet e zgjedhjeve. Përkundër parashikimeve të së majtës dhe të djathtës, demokracia amerikane vërtetoi forcën e saj dhe rrënjët e thella lokale.
Por amerikanët, përfshirë Biden, do të përballen me shqetësimet e aleatëve nëse mund të kenë besim se ata nuk do të zgjedhin një tjetër Trump në vitin 2024 ose 2028. Ata vërejnë polarizimin e partive politike, refuzimin e Trump për të pranuar humbjen e tij dhe refuzimin e liderëve republikanë në kongres për të dënuar sjelljen e tij ose edhe për të pranuar fitoren e Biden.
Trump ka përdorur bazën e tij të mbështetësve të zjarrtë për të fituar kontrollin e Partisë Republikane. Gazetarët raportojnë se rreth gjysma e republikanëve në Senat e përbuzin Trump-in, por ata gjithashtu i frikësohen atij. Nëse Trump përpiqet të mbajë kontrollin mbi partinë pasi të largohet nga Shtëpia e Bardhë, Biden do ta ketë të vështirë të punojë me një Senat të kontrolluar nga Republikanët.
Për fat të mirë për aleatët e SHBA-së, ndërsa aftësitë politike të Biden do të vihen në provë, Kushtetuta e SHBA-së i siguron një presidenti më shumë liri veprimi në politikën e jashtme sesa në politikën e brendshme, kështu që përmirësimet afatshkurtra në bashkëpunim do të jenë reale. Për më tepër, ndryshe nga viti 2016, kur Trump u zgjodh president, një sondazh i fundit i Këshillit të Çikagos për Çështjet Globale tregon se 70% e amerikanëve duan një politikë të jashtme bashkëpunuese të orientuar nga jashtë – një rekord i lartë.
Por askush nuk mund t’i përgjigjet me siguri pyetjes nëse aleatët mund të kenë besim që Amerika nuk do të prodhojë një tjetër Trump. Shumë do të varet nga kontrolli i pandemisë, rimëkëmbja e ekonomisë dhe aftësia politike e Biden në menaxhimin e polarizimit politik të vendit.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Can Joe Biden’s America be Trusted?