
Ndërsa vendet e Ballkanit përpiqen të sigurojnë sasi të mjaftueshme të vaksinës kundër COVID-19, shumë pyetje mbeten pa përgjigje – sa vaksina do të ketë në dispozicion, kur do të fillojë vaksinimi dhe sa do të kushtojë e gjithë kjo?

Me gjyshen britanike Margaret Keenan që u bë personi i parë në botë që mori vaksinën Pfizer/BioNTech kundër COVID-19 si pjesë e një programi vaksinimi masiv më 8 dhjetor, vendet e Ballkanit po shtojnë gjithashtu përgatitjet për një vaksinim në shkallë të gjerë.
Por ndërsa shtetet nxitojnë të sigurojnë pjesën e tyre të vaksinave, ka ende shumë të panjohura siç janë çmimi që do të ketë vaksina dhe nëse sasia do të jetë e mjaftueshme.
Shumica e vendeve në rajon janë pjesë e sistemit COVAX, iniciuar në prill nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, Komisioni Europian dhe Franca për të siguruar qasje në diagnostikimet, trajtimet dhe vaksinat COVID-19.
“Sapo një vaksinë apo disa vaksina të sigurta dhe efikase kundër COVID-19 të jenë të disponueshme dhe të licencuara, ne duhet të garantojmë shpërndarjen dhe qasjen e drejtë për të gjitha vendet, pavarësisht nga të ardhurat e tyre”, tha OBSH për BIRN.
Duke iu bashkuar COVAX, vendet e klasifikuara si “vetëfinancuese” ose si “vende të financuara” do të kenë qasje në portofolin e saj të vaksinave.
Atyre vendeve që janë të vetë-financuara do t'u garantohen doza të mjaftueshme për të mbrojtur një pjesë të caktuar të popullsisë së tyre, në varësi të sasisë që ato blejnë. Vendet e financuara do të marrin doza të mjaftueshme për të vaksinuar deri në 20 për qind të popullsisë së tyre në një periudhë më të gjatë.
OBSH thotë se programi është “një sukses i madh për multilateralizmin dhe bashkëpunimin”.
Por kjo nuk i ka ndalur shumë vende të ndjekin politikat e sigurimit përmes marrëveshjeve të veçanta dhe bilaterale me prodhuesit e vaksinave. Dhe vendet e Ballkanit nuk bëjnë përjashtim. Shumat e parave të përfshira, megjithatë, mbeten ende kryesisht sekret.
Shqetësim për grumbullim të vaksinës

Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian, po zhvillon një procedurë të vetme qendrore prokurimi me prodhuesit e vaksinave në emër të të 27 vendeve anëtare, duke përfshirë vendet e Ballkanit Kroacinë, Bullgarinë dhe Rumaninë.
Një zëdhënës i Komisionit tha se vendet anëtare kishin nënshkruar një marrëveshje nën Strategjinë e BE-së për Vaksinim “duke përcaktuar angazhimin e tyre për të mos hyrë në negociata paralele me prodhuesit e vaksinave me të cilët po negocion BE-ja”.
Sipas Institutit kroat të Shëndetit Publik, si pjesë e Strategjisë së Vaksinimit të BE-së, vendi ka porositur 5.6 milionë doza vaksinash për fazën e parë të vaksinimit nga disa prodhues, duke përfshirë AstraZeneca, Pfizer, Johnson & Johnson, Moderna dhe CureVac.
Megjithatë, çmimet “janë një sekret i korporatës”, thotë Instituti në faqen e tij të internetit, “dhe negociatorët bien dakord të mos e zbulojnë këtë informacion për publikun”.
Por Bullgaria ka caktuar një shifër se sa do të shpenzojë për të siguruar vaksina të mjaftueshme për vendin me shtatë milion banorë – gati 194 milionë euro, sipas një njoftimi të bërë gjatë një takimi në fillim të nëntorit midis kryeministrit Bojko Borisov dhe ekipit të ekspertëve të shëndetit që merret me luftën kundër përhapjes së COVID-19.
Në atë kohë, Bullgaria po përpiqej të siguronte vaksinën e prodhuar nga Janssen Pharmaceutica NV e Johnson & Johnson. Që atëherë ajo ka nënshkruar me Pfizer, duke siguruar 125,000 doza fillestare – të mjaftueshme për 60,000 banorë – përmes Strategjisë së Vaksinimit të BE me një çmim të pazbuluar.
Ministri i shëndetësisë Kostadin Angelov ka thënë se ai pret që vaksinimi të fillojë menjëherë pas 31 dhjetorit, ndërsa zyrtarë të lartë të shëndetit kanë thënë që plani është të vaksinohet 70-75 për qind e popullsisë në të ardhmen e afërt.
Në Rumaninë fqinje, presidenti Klaus Iohannis njoftoi më 3 nëntor se vendi do të merrte, përmes BE-së, 10 milionë doza vaksinash kundër COVID-19 por, përsëri, asgjë nuk është zbuluar në lidhje me çmimet e përfshira.
Iohannis tha se një grup i parë me më shumë se një milion doza do të arrijë gjatë tremujorit të parë të 2021.
Ministri rumun i shëndetësisë Nelu Tataru është zotuar se qeveria “do të marrë vaksina për të gjithë popullsinë”, por nuk dha detaje se nga ose me çfarë kostoje. “Ata thonë që mund të flitet për imunizim kur vaksinon 60-70 për qind të popullsisë”, tha Tataru në fund të nëntorit.
Në përputhje me rregullat e BE-së, Bukureshti është zotuar t'i dhurojë një pjesë të sasisë së vaksinave që do të marrë Moldavisë fqinje, një ish-provincë rumune me të cilën ka lidhje të ngushta kulturore dhe gjuhësore.
Moldavia këtë muaj gjithashtu kërkoi mbështetje përmes iniciativës COVAX.
“Të gjithë vendet pjesëmarrëse, përfshirë Republikën e Moldavisë, pavarësisht nga nivelet e të ardhurave, do të kenë qasje të barabartë në këto vaksina sapo të zhvillohen”, tha ministria e shëndetësisë e vendit.
Megjithatë, ekziston një shqetësim në rritje se vaksina mund të grumbullohet nga vendet e pasura në kurriz të vendeve të varfra.
“Kontraktimi dypalësh midis vendeve të pasura, grupeve të vendeve dhe prodhuesve patjetër që ndikon në disponueshmërinë e produkteve në pjesën tjetër të botës”, tha Ana Vracar, e cila ka kaluar vite duke hulumtuar çështje globale dhe lokale të shëndetit si koordinatore programi në Organizatën për Iniciativën dhe Demokratizimin e Punëtorëve, BRID, në Kroaci.
Vracar citoi një vlerësim nga Federata Botërore e Shoqatave të Shëndetit Publik, ËFPHA, se 80 për qind e dozave të vaksinave që mund të prodhohen në vitin 2021 tashmë janë rezervuar për vendet me të ardhura të larta që kanë vetëm 20 për qind të popullsisë së botës.
“Në praktikë, kjo do të thotë që burimet e mbetura do të jenë shumë të shtrenjta dhe për këtë arsye të paarritshme për vendet me të ardhura më të ulëta”, tha Vracar për BIRN.
OBSH-ja i tha BIRN se ishte e përkushtuar ndaj “drejtësisë dhe barazisë” në shpërndarjen e mallrave të shëndetit publik.
“Ndërkohë që agjencia nuk është naive ndaj marrëveshjeve bilaterale që janë në vazhdim e sipër dhe interesave kombëtare, përpjekja e COVAX për të ndërtuar një përpjekje globale drejt veprimit kolektiv mund dhe do të rrisë qasjen për të gjithë pavarësisht sjelljeve nacionaliste”, tha ajo.
Përveç COVAX, serbët i kanë vënë syrin edhe vaksinave ruse dhe kineze

Sipas presidentit Aleksandër Vuçiç, Serbia, deri më tani, ka siguruar 1.8 milion doza vaksinash përmes COVAX, me një dërgesë të parë prej 10,000 të tillash që pritet të mbërrijë në dhjetor, 340,000 në tremujorin e parët të vitit 2021, 500,000 në tremujorin e dytë dhe të tretë dhe 450,000 në tremujorin e fundit të vitit.
Vuçiç tha se, me sa duket, do të ishte Pfizer, por se Beogradi po negocionte gjithashtu me Rusinë si dhe me Kinën.
“Ne negociojmë me këdo tjetër mund të sigurojë gjithashtu vaksinën, duke qenë se na nevojiten sasi shumë më të mëdha”, tha Vuçiç për mediat.
Por nuk dihet se sa para vendosi Serbia në sistemin COVAX ose në marrëveshjet bilaterale me vende ose kompani të tjera. BIRN i kërkoi detaje ministrisë së shëndetësisë, por nuk mori asnjë përgjigje.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, qeveria e shtetit thotë se vendi duhet të marrë 1.23 milion doza vaksinash vitin e ardhshëm, përmes sistemit COVAX.
Qeveria thotë se kjo do të mbulojë afërsisht 20 për qind të popullsisë, duke marrë parasysh që nevojiten dy doza vaksine.
Por ashtu si Serbia, Republika Srpska me shumicë serbe, një nga dy entitetet në Bosnjë, po bën gjithashtu oferta për vaksinën Sputnik të prodhuar nga Rusia.
“Ne po negociojmë me institucionet kompetente ruse për shpërndarjen e vaksinës Sputnik dhe, realisht, kontingjenti i parë do t'i dorëzohet Republikës Srpska në shkurt të vitit të ardhshëm”, tha Dusko Peroviç, kreu i Përfaqësimit të Republikës Srpska në Moskë, për agjencinë e lajmeve Srna të Republikës Srpska më 7 dhjetor.
Që vaksina të përdoret në mënyrë të ligjshme, megjithatë, ajo ka nevojë për miratim nga Agjencia Boshnjake për Produkte dhe Pajisje Mjekësore, jo thjesht nga ministria e shëndetit e Republika Srpska.
Për disa, COVAX është zgjidhja e vetme
Deri më tani Mali i Zi po mbështetet vetëm te COVAX, të cilit iu bashkua më 9 tetor. Podgorica ra dakord të paguante 646,000 euro për 248,800 doza, ose një sasi e mjaftueshme për 20 për qind të popullsisë.
Ministri i shëndetësisë në atë kohë, Kenan Hrapoviç, tha se COVAX ishte “opsioni më i favorshëm për të gjitha vendet më pak të zhvilluara dhe vendet në tranzicion, përfshirë Malin e Zi, për sa i përket prokurimit të vaksinave për COVID-19, sepse ofron një shkallë të lartë sigurie dhe transparence.”
Maqedonia e Veriut, një vend me pak më shumë se dy milionë banorë, gjithashtu pret që të marrë 800,000 doza përmes iniciativës COVAX, me qeverinë që tashmë ka caktuar 6.7 milion euro për të paguar vaksinat.
“Vaksina e parë që do të miratohet në treg do të shpërndahet në mënyrë të barabartë midis të gjitha vendeve që kanë aplikuar përmes mekanizmit COVAX”, tha ministria e shëndetësisë e vendit.
“Edhe ne do ta marrim vaksinën në të njëjtën kohë kur vendet më të zhvilluara e marrin atë. Koha e saktë nuk dihet ende, por pritshmëritë janë që kjo mund të ndodhë afër fundit të dhjetorit ose janarit.”
Shkupi po shikon gjithashtu mënyra të tjera për të siguruar 800,000 doza të tjera direkt nga prodhuesit, duke përfshirë Pfizer dhe AstraZeneca.
Kosova iu bashkua gjithashtu COVAX këtë muaj, me ministrin e shëndetësisë Armend Zemaj që njoftoi në Facebook se 360,000 doza do të sigurohen falas. Zemaj ka thënë se vendi ka në plan të sigurojë një total prej 1.2 milion dozash përmes kanaleve të ndryshme.
Ismete Humolli nga OBSH në Kosovë tha për Zërin e Amerikës se vaksinimet në vend mund të fillojnë në mes të marsit ose në fillim të prillit.