
Mijëra mjekë turq janë larguar për në Europën Perëndimore, kryesisht Gjermani, gjatë viteve të fundit, të detyruar të gjejnë punë diku tjetër për shkak të krizës ekonomike, kushteve të këqija të punës dhe dhunës.

Për Cihat Burgucu, katër vjet ishin të mjaftueshme. Kaq kohë mjeku turk kaloi duke punuar në vendin e tij të lindjes para se ai dhe gruaja e tij, gjithashtu mjeke, të largoheshin për në Gjermani në vitin 2019. Dhe ata nuk e kanë kthyer më kokën pas.
“Në Turqi kushtet e punës janë shumë të këqija. Orët e punës janë çnjerëzore, ka stres të vazhdueshëm dhe shkallë të lartë dhune ndaj punonjësve të kujdesit mjekësor”, tha 30-vjeçari Burgucu për BIRN nga shtëpia e tij në Hessen në Gjermaninë qendrore. Ai tha se “pagat janë shumë të ulëta dhe politikat qeveritare nuk arrijnë të mbrojnë ose mbështesin mjekët”.
Në Gjermani, “kam më shumë pushime dhe paga është e kënaqshme. Plus, nuk ka pothuajse asnjë dhunë ndaj punonjësve të mjekësisë”.
Burgucu ishte një nga 2,576 mjekë që u larguan nga Turqia për punë diku tjetër, veçanërisht në Gjermani, midis vitit 2016 dhe 2019, sipas shifrave të ndara me BIRN nga Shoqata Turke e Mjekëve, TTB, e cila përfaqëson punonjësit e shëndetësisë në Turqi.
Në fund të tetorit, nga frika e një eksodi mes pandemisë së COVID-19, qeveria turke ua ndaloi punonjësve të mjekësisë të linin punën. Rreth 835 mjekë kishin aplikuar tashmë në 10 muajt e parë të këtij viti për të marrë një dokument nga TTB-ja që është i detyrueshëm për ata që dëshirojnë të gjejnë punë jashtë vendit.
“Popullariteti i Gjermanisë po rritet çdo ditë e më shumë dhe çdo mjek që ka një certifikatë B2 për gjuhën mund të gjejë lehtësisht një punë në vend pasi ka një mungesë të madhe të punonjësve mjekësorë”, tha Gulan Berivan Gok, përfaqësuese e Turqisë i GOBIN Personal, e cila ndihmon mjekët turq të gjejnë punë në Gjermani.
“Mjekët turq po largohen sepse ata besojnë se nuk ka më mundësi për ta dhe familjet e tyre në Turqi”, tha ajo për BIRN, duke përmendur kushtet e këqija të punës, një ekonomi të paqëndrueshme dhe ritme në rritje të dhunës ndaj punonjësve të mjekësisë.
Pandemia shton dëshirën për t’u larguar

Rreth 250 punonjës mjekësorë në Turqi kanë humbur jetën nga COVID-19, ndërsa stafi mjekësor përbën të paktën 10 për qind të të gjitha rasteve të konfirmuara me koronavirus, duke rritur kritikat ndaj qeverisë për mënyrën se si po e menaxhon pandeminë dhe si po i mbron ata që janë në vijën e frontit.
Edhe para pandemisë, një krizë ekonomike kishte goditur fort lirën, ndërsa nivelet e larta të inflacionit dhe rritja e taksave dhe faturave të shërbimeve kanë ulur ndjeshëm fuqinë shpenzuese të turqve të zakonshëm, midis tyre edhe punonjësit mjekësorë.
Një specialist 38-vjeçar në një spital publik në Stamboll, i cili foli në kushte anonimiteti, tha për BIRN se ishte i vendosur t’u ofronte fëmijëve të tij një jetë më të mirë diku tjetër. Ai po mëson gjermanisht dhe ka bërë intervista pune me disa spitale gjermane.
“Sapo qeveria të lejojë dorëheqjet, do të largohem”, tha mjeku.
“Pagat tona u ulën për shkak të krizës ekonomike dhe nuk janë të mjaftueshme për të vazhduar jetën tonë. Nuk dua t’i rris fëmijët e mi në një vend kaq të polarizuar që nuk ofron asnjë perspektivë për të ardhmen.”
Në Gjermani, ai tha, “kam besim se fëmijët e mi do të kenë mundësi më të mëdha dhe arsim më të mirë.”
Burgucu është administratori i disa grupeve nëpër rrjete sociale të krijuara për mjekët që duan të punojnë në Gjermani. Vetëm në Telegram, ai ka 3,500 anëtarë, tha Burgucu për BIRN. “Anëtarët janë kryesisht mjekë të rinj, por ka edhe studentë të fakulteteve të mjekësisë dhe mjekë me vite eksperiencë”, tha ai.
“Puna si mjek ka qenë shmë e vështirë në Turqi, por gjatë kohëve të pandemisë shumë mjekë të tjerë vendosën të largoheshin nga vendi për shkak të politikave të dështuara të qeverisë.”
Shtim i dhunës ndaj personelit mjekësor

Sipas Vedat Bulut, një profesor mjekësie dhe anëtar i bordit të TTB-së, mesatarisht 80 mjekë turq largohen nga vendi çdo muaj. Mjekët turq, tha ai, vlerësohen më shumë jashtë vendit.
“Mund të gjeni mjekë turq, veçanërisht kirurgë, në çdo klinikë dhe spital kryesor në të gjithë Gjermaninë dhe Europën”, tha ai.
Shumica janë shtyhen të shkojnë jashtë vendit për shkak të gjendjes së ekonomisë turke dhe niveleve të pagave, tha Bulut për BIRN, por dhuna është gjithashtu një problem i madh.
Sipas Dhomës së Mjekësisë të Stambollit, ITO, midis majit 2012 dhe prillit 2018, pati më shumë se 68,000 raste dhune kundër punonjësve të mjekësisë, shumë prej tyre verbale, por rreth 30 për qind ishin fizike. Shifrat e ITO tregojnë një normë prej 20 sulmesh fizike në ditë dhe kjo shifër është në rritje.
“Shifrat u dyfishuan në 2019 dhe vazhdojnë të rriten në 2020”, tha Bulut për BIRN.
“Mjekët po japin dorëheqjen për punë më të mira në sektorin privat dhe gjithashtu për punë jashtë vendit. I thamë ministrisë turke të shëndetësisë se duhen stimuj dhe politika më të mira për ta ndalur këtë trend, por nuk është bërë asgjë.”
Burgucu, mjeku i cili u largua nga Turqia në 2019, tha se punonjësit mjekësorë ishin lënë thjesht “duke pritur të sulmoheshin ose kanoseshin nga pacientët dhe të afërmit e tyre”. Bulut tha se edhe ankesat ligjore të pabazuara kundër mjekëve ishin gjithashtu një problem.
“Një gjinekolog, për shembull, përballet gjithmonë me katër çështje gjyqësore”, tha Bulut. “Këto janë arsyet pse punonjësit mjekësorë turq janë të lodhur. Sidomos në klinikat kirurgjikale në të gjithë vendin, ka të paktën një dorëheqje çdo muaj për këto arsye.”
Sipas Bulut, mjekët e rinj dhe studentët e mjekësisë e shohin Gjermaninë si opsionin e tyre më të mirë, jo më pak për shkak të komunitetit të madh të diasporës turke që është tashmë atje.
Arda Okcu është mes tyre, pasi u transferua në Gjermani pasi u diplomua nga Fakulteti prestigjioz i Mjekësisë Capa në Stamboll në 2016.
“Erdha për herë të parë në Gjermani për praktikë në verën e vitit 2014 dhe kur pashë kushtet e punës në Gjermani dhe i krahasova me ato në Turqi, vendosa të punoj këtu”, tha ai për BIRN nga Oldenburgu, në Gjermaninë veriore, ku punon si asistent okulist.
Okcu tha se ai di që pesë shokë të tij të klasës punojnë gjithashtu në Gjermani.
“Nga asistentët dhe studentët e deri te profesorët, shumë njerëz duan të vijnë në Gjermani për pasuri dhe paqe”, tha ai. “Shifrat do të rriten në dy apo tre vitet e ardhshme.”