Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Tema kryesore
  • Gjyqtare
  • Kolegji i Posaçëm i Apelimit
  • Prokurore
  • KPK
  • Gjykata e Apelit Tiranë
  • Mjedisi
Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
Reporter.al
Fillimi Rajoni

Përfitime dhe politikë: Euronews dhe TRT turk rrisin praninë në Ballkan

Hamdi Fırat BuyukNgaHamdi Fırat Buyuk
16:26 | 12/03/2021
Në Rajoni
Kohe leximi: 5 minuta
A A
0
Përfitime dhe politikë: Euronews dhe TRT turk rrisin praninë në Ballkan

Foto ilustruese: Pixabay / AndyLeungHK

Share on FacebookShare on Twitter

Zgjerimi i Euronews dhe TRT shtetëror turk në Ballkan është pritur me shqetësim nga ekspertët e medias.

Foto ilustruese: Pixabay / AndyLeungHK

Ekspertët thonë se pas planeve nga Euronews dhe TRT e Turqisë për të zgjeruar shërbimet e gjuhëve lokale në Ballkan fshihen dy arsye. E para kërkon të bëjë para, ndërsa e dyta dëshiron një mjet të ri ndikimi politik.

Gjatë 15 viteve të fundit, gjigantëve të mediave perëndimore si BBC u ka rënë roli i tyre dominues në Ballkan, të zëvendësuar nga të tilla si agjencia e lajmeve Anadolu e Turqisë, Sputnik rus dhe Al Jazeera me bazë në Katar.

Radio Europa e Lirë e financuar nga SHBA-ja ende operon me shërbime në gjuhën lokale dhe BBC në vitin 2018 nisi të ofrojë lajme digjitale në gjuhën serbe, duke reflektuar nervozizëm në Perëndim për ndikimin në rritje në Ballkan të Rusisë, Kinës dhe Turqisë.

Tani Turqia po shton praninë e saj, duke njoftuar në janar krijimin këtë vit të TRT Balkans, një krah i Radio Televizionit shtetëror Turk, me seli në Shkup dhe që do të transmetojë në gjuhën maqedonase, boshnjake, kroate, serbe, shqiptare, bullgare, turke dhe angleze. Ai do të ketë një zyrë rajonale në Sarajevë.

TRT Balkans do të përballet me konkurrencë nga Euronews përsa i përket gjuhës serbe dhe asaj rumune që do të nisin transmetimet këtë vit, pas Euronews Albanian që nisi transmetimin në vitin 2019.

Ata hyjnë në një treg mediatik ku mbizotëron pronësia e dyshimtë, censura e përhapur dhe ndërhyrjet e forta politike.

Ndërsa zgjerimi i Euronews drejtohet kryesisht nga fitimi, “zgjerimi i TRT-së në Ballkan është qartazi pjesë e strategjisë së qeverisë turke për të forcuar ndikimin e Turqisë në skenën ndërkombëtare”, tha Vaclav Stetka, profesor i komunikimit dhe studimeve të medias në Universitetin Loughborough të Mbretërisë së Bashkuar dhe një ekspert për median në Europën Lindore dhe Juglindore.

“Me fjalë të tjera, transnacionalizimi i TRT-së ka për qëllim rritjen e fuqisë së butë të Turqisë.”

Pikëpyetje mbi partneritetin e Euronews në Serbi

Presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një takimi me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiç. Foto: Facebook/Александар Вучић

Studime të shumta kanë detajuar gjendjen e rëndë të peizazhit mediatik në Ballkan, ku pronësia përfundimtare e mediave shpesh është e panjohur, por ndikimi politik vihet re qartë.

Në Shqipëri, për shembull, disa pronarë me lidhje të forta politike kontrollojnë më shumë se gjysmën e audiencës dhe gati 90 për qind të tregut. Në Serbi, fondet publike në formën e reklamave shpesh favorizojnë media pro-qeveritare, duke lënë të tjerë të uritur për të ardhurat e nevojshme, ndërsa në Bosnjë shumica dërrmuese e mediave janë ende të varura nga donacionet e huaja dhe subvencionet shtetërore.

Stetka tha se liria e medias në Europën Lindore dhe Juglindore ka qenë në rënie të vazhdueshme për pesë deri në 10 vitet e fundit.

“Kjo ka të bëjë shumë me pronësinë e medias, duke pasur parasysh që shumica e mediave të lajmeve janë në duart e oligarkëve dhe pronarëve lokalë të cilët kanë ose lidhje të forta me qeverinë, ose që po përdorin mediat e tyre si një instrument për të çuar para interesat e tyre politike ose të biznesit”, tha Stetka për BIRN.

“Pronarët ndërkombëtarë, me bazë në Perëndim, shpesh janë kritikuar se promovojnë gazetari të cilësisë së ulët dhe se kujdesen vetëm për fitimet. Por, nga ana tjetër, ata kryesisht nuk kanë ndërhyrë në përmbajtjen editoriale dhe shpesh i kanë mbrojtur gazetarët nga presionet e politikanëve vendas.”

Zgjedhja e HD WIN për t’u bërë partner i Euronews në Serbi ka ngjallur habi.

HD WIN është në pronësi të Telekom Srbija, operatori shtetëror i telefonisë dhe internetit në Serbi, dhe i cili në vetvete kontrollohet fort nga Partia Progresive në pushtet.

Roland Nikolau, në Euronews, mbrojti paanësinë e televizionit, duke i thënë BIRN se për gati 30 vjet “Euronews ka bërë emër si një media e pavarur që gëzon besim të gjerë.”

Kompania me bazë në Francë, tha ai, kërkon partnerë të përkushtuar ndaj të njëjtave vlera.

Bashkimi i HD WIN u njoftua në mes të vitit 2019 pak para një vizite në Beograd nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Maja Bjelos, një analiste politike në Qendrën për Politikat e Sigurisë në Beograd, tha se lëvizja ishte motivuar nga një dëshirë e qeverisë serbe për “të shkatërruar mediat e pavarura” të tilla si filiali rajonal i CNN, N1, dhe Nova S, “për të krijuar një përshtypje të rreme se në Serbi ka liri mediatike dhe liri të fjalës”.

“Mbulimi i fundit nga Euronews lavdëron Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandër Vuçiç”, tha Bjelos për BIRN.

Ajo akuzoi Telekom Srbija se po jep paratë e taksapaguesve në formën e huave figurave pro-qeveritare për të blerë stacione ekzistuese televizive ose për të ngritur stacione të reja, duke përmendur krijimin e TV Kurir, TV K1 dhe TV Tanjug. “Është e ndaluar me ligj që kompanitë shtetërore të krijojnë kanale televizive”, tha Bjelos.

Shqetësim për ndikimin e TRT-së në pavarësinë gazetareske

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Foto: Facebook/ Recep Tayyip Erdogan.

Sa i përket TRT, zgjerimi i saj në Ballkan shihet si përpjekja e fundit nga Ankaraja për të rritur ndikimin e saj në rajon, pas ardhjes së Anadolu në vitin 2012 dhe financimit të rregullt të projekteve të ndryshme gjatë dekadës së fundit.

Shërbimi boshnjako-kroato-serb i Anadolu ndodhet në Sarajevë dhe që nga viti 2014 ka një zyrë në Shkup për gjuhët shqipe dhe maqedonase. TRT nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

“TRT nuk është thjesht një burim lajmesh”, tha Mehmet Onur Cevik, një studiues doktorature në Universitetin Ghent në Belgjikë.

“Ajo duhet të konsiderohet si BBC e Mbretërisë së Bashkuar. TRT-ja, ashtu si BBC-ja, ka misione politike dhe kulturore”, tha ai për BIRN.

Duke prodhuar dokumentarë me buxhet të madh dhe telenovela tepër të njohura, TRT është një mjet për zgjerimin e kulturës turke në fqinjin e Turqisë, duke përfshirë Ballkanin, tha Cevik.

“Prandaj, hapja e TRT Balkans ka më shumë arsye politike sesa financiare”, tha Cevik. “TRT mund të kërkojë përfitime në Amerikën Latine, por sigurisht që ky nuk është rasti kur bëhet fjalë për Ballkanin.”

Cevik dhe Stetka shprehën shqetësim në lidhje me zgjerimin e TRT-së në Ballkan. Transmetuesi shtetëror është mbështetës i qeverisë turke nën udhëheqjen e presidentit Rexhep Tajip Erdogan në dëm të zërave të opozitës.

Me 16 kanale televizive, 17 stacione radiofonike, katër gazeta të printuara dhe platforma të tjera digjitale, TRT ka një ndikim të konsiderueshëm, duke korrur më shumë se 7.2 miliardë lira të ardhura midis vitit 2017 dhe 2019, ose afërsisht 1.1 miliardë euro me kursin e këmbimit në dhjetor 2019. Kjo shifër u botua në janar 2021. TRT nuk kishte publikuar më parë ndonjë raport financiar që nga viti 2017.

“Media në Turqi nuk është e pavarur”, tha Cevik.

“Prandaj, mbulimi i TRT Balkans do të favorizonte politikanë, biznesmenë dhe intelektualë vendas që kanë marrëdhënie të mira me qeverinë turke. Gjithashtu, TRT do të shpërfillte disa zhvillime për shkak të axhendës së saj, të cilat do të minonin profesionalizmin dhe pavarësinë e medias.”

Stetka u pajtua me këtë: “Fakti që shumë prej këtyre stacioneve lajmesh dhe mediash që operojnë në rajon – përfshirë, për shembull, Sputnik ose RT me bazë në Rusi – janë media të kontrolluara nga qeveria, padyshim që ngre shqetësime në lidhje me ndikimin e këtyre aktorëve të rinj në karakterin e sferës publike dhe pavarësinë gazetareske në vendet përkatëse.”

Etiketa: BallkanEuronewsliri e fjalesLiria e MediasMediandikim politikTRTTurqi
Tjetri
Lotaria Bitcoin

Lotaria Bitcoin

Më të lexuarat

Përfitime dhe politikë: Euronews dhe TRT turk rrisin praninë në Ballkan

Përfitime dhe politikë: Euronews dhe TRT turk rrisin praninë në Ballkan

16:26 | 12/03/2021
“Mungesë veprimi”: Ballkani Perëndimor kërcënohet nga ndryshimet klimatike

“Mungesë veprimi”: Ballkani Perëndimor kërcënohet nga ndryshimet klimatike

17:38 | 31/01/2023
Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e prokurores Enkeleda Osmani

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e prokurores Enkeleda Osmani

16:19 | 03/02/2023
‘Inceneratori nuk po punon’: Asgjë e re nga ekspedita e deputetëve në Fier

Inceneratorët që nuk djegin rrezikojnë një krizë të re mjedisore

17:58 | 05/02/2023
KPK konfirmon në detyrë gjyqtarin Arbër Çela

ONM rekomandon ankimin e konfirmimit për gjyqtarin Arbër Çela

11:32 | 07/02/2023
KPA dëgjon parashtrimet në çështjen e Kastriot Gramshit

KPA dëgjon parashtrimet në çështjen e Kastriot Gramshit

18:47 | 07/02/2023
  • Analiza
  • Blog
  • Intervista
  • Investigime
  • Lajme
  • Opinion
  • Rajoni
  • Reportazhe
  • Vendi
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Pyetje të shpeshta
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2021 Reporter.al - BIRN
Dev by Aplikacione.com

Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog

© 2022 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.