“Në kërkim të Venerës” eksploron marrëdhëniet midis tre brezave të së njëjtës familje përmes eksplorimit të jetës dhe vetvetes nga një vajzë adoleshente.
Norika Sefa thotë se pasionin për të bërë filma e ka trashëguar nga babai i saj, i cili filmonte festa familjare kur ajo ishte fëmijë në Kosovë.
Me një kamerë të vjetër 16 milimetërshe, “ai filmoi gjithçka që ndodhte në shtëpi – ngjarje, ditëlindje, gjëra të thjeshta”, tha ajo. Kur ai ia dha asaj këto filmime, Sefa i montoi dhe realizoi atë që ajo e quan një “dokumentar hibrid” që bëri që ajo të fitonte një vend për të studiuar regji filmi në Danimarkë në vitin 2012, kur ishte 17 vjeçe.
Pothuajse një dekadë më vonë, Sefa sapo u largua me Çmimin Special të Jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Roterdam me filmin e saj debutues me metrazh të gjatë “Në kërkim të Venerës”, një tjetër arritje për industrinë e lulëzuar të filmit në Kosovë pasi “Zgjoi” i Blerta Bashollit fitoi tre çmime në Festivalin e Filmit Sundance.
Sefa, ashtu si babai i saj, e ktheu kamerën nga tre brezat e një familjeje shqiptare të Kosovës dhe te zgjimi shpirtëror i adoleshentes Venera, e cila iu kundërvu mjedisit të saj patriarkal dhe mungesës së privatësisë në shtëpinë e mbushur me njerëz të familjes në zonën e Kaçanikut në jug të Kosovës.
Takimi me Dorinën, e cila është pak më rritur, e ndihmon atë të hapë sytë.
“Çdo gjë rreth tyre duket sikur ka ngecur”, tha Sefa për BIRN. Por, “duke qenë bashkë, gjithçka përreth ka kaq shumë kuptim … Ata mundësojnë njëri-tjetrin.”
Role të pandryshueshme
E lindur në rajonin perëndimor të Gjakovës, Sefa zgjodhi ta vendoste filmin e saj në një fshat në rajonin jugor të Kaçanikut, në arterien kryesore që shkon në Maqedoninë Veriore fqinje për shkak të “gjeografisë së tij të veçantë”.
“Ka fusha, por ka edhe male; gjithashtu ka një lumë, kështu që ka burime shumë të bukura natyrore”, tha ajo.
Por Kaçaniku në film është një vend ku rolet të ngurta. Aty ndodhin shumë pak gjëra dhe të rinjtë kanë pak mundësi se si të kalojnë kohën e tyre të lirë.
Udhëtimi i zbulimit i Venerës sjell pak ndryshime në mjedisin pranë saj, por e ndihmon atë të kuptojë më mirë familjen e saj.
“Ndryshimi më i madh ndodh në mënyrën se si ata e shohin njëri-tjetrin në familje, brenda këtij kuadri”, tha Sefa.
“Venera fillimisht përpiqet të ndryshojë veten dhe kështu e kupton nënën e saj më gjerësisht dhe fillon të ndryshojë marrëdhëniet me nënën e saj”, tha ajo. “Ndërsa vajza rritet, nëna është në gjendje të tregojë disa nuanca të jetës që Venera nuk mund t'i kuptonte. Kështu që në familje krijohet një lloj lëvizje tjetër dhe fokusi nuk është vetëm tek individi, por ata i japin diçka më shumë njëri-tjetrit.”
Duke “provokuar një dëshirë për ndryshim”, Venera merr një rol në të cilin u mëson prindërve të saj një realitet të ri.
“Një realitet që unë e njoh”
Ndërsa “Në kërkim të Venerës” nuk është një film autobiografik, aipërshkruan llojin e marrëdhënieve tradicionale që Sefa thotë se ajo ka qenë e rrethuar gjatë gjithë jetës së saj.
Në Danimarkë, Sefa studioi anën teknike të krijimit të filmit – “kamerën, xhirimet, rolin e secilit anëtar të ekipit, zërin, hierarkinë e një grupi”.
Kur u kthye në Kosovë, Sefa punoi në projekte të ndryshme filmike dhe dokumentarë para se të fitonte një bursë shtetërore për të studiuar regji dhe skenar në Pragë, ku jeton sot.
“Në kërkim të Venerës”, i cili pati premierën e tij në Roterdam në shkurt, është dashur pesë vjet që të realizohej. Kur erdhi puna tek aktorët, Sefa tha se nuk i interesonte përvoja e mëparshme që kishte pasur një aktor sesa nëse ai/ajo mund të përshkruante intensitetin e marrëdhënieve në film.
“Unë doja të gjeja një vajzë shumë të vëmendshme dhe shumë ekspresive. Dy vajza shumë të ndryshme që plotësojnë njëra-tjetrën në një pikë ku ndryshimi midis tyre është ajo që i bën ato tërheqëse për njëra-tjetrën”, tha Sefa për BIRN. “Kështu që m'u desh shumë kohë.”
Venera luhet nga Kosovare Krasniqi, për të cilën ky ishte roli i saj i parë, dhe Dorina nga Rozafa Cefaj, tashmë një emër i njohur në kinematografinë e Kosovës.
“Dorina është më e hapur dhe shprehëse. Venera është më e mençur ose më e pjekur, por ajo nuk di se si të shprehet dhe Dorina ia mundëson këtë”, tha Sefa në një intervistë.
“Kjo dyshe, Venera dhe Dorina, është shumë e rëndësishme sepse është energjia më e madhe që përshkon filmin. Ato të dyja marrin përsipër barrën më të madhe të të gjithë dramës.”
Gjyshja e Venerës luhet nga gjyshja e vetë Sefës.
“Unë bashkëpunova me disa njerëz me të cilët ndjeva një lidhje”, tha Sefa. “Gjyshja ime nuk e dinte se çfarë do të thotë të jesh në një film. Ajo erdhi në xhirime sepse unë jam shumë e lidhur me të dhe ajo më mban me këmbë në tokë. Prania e saj ishte një mjet për të menduar pse doja ta bëja këtë film.”
Rezultati, tha ajo, “padyshim tregon një realitet që unë e njoh, në mjedise që i njoh, në marrëdhëniet tona autoktone në hierarkinë e mënyrës se si funksionon një familje”.
“Disa e konsiderojnë atë patriarkale dhe disa tradicionale.”
Sefa tha se filmi nuk ishte një metaforë për ndonjë gjë, por se “simbolika” varej nga publiku. “Procesi im krijues ka të bëjë më shumë me një kuriozitet, një përpunim të një teme sesa me diçka që më ka ndodhur në jetën reale.”