Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstaton se gjyqtarja e Apelit Tiranë, Maria Qirjazi ka vepruar në cënim të besimit të publikut në blerjen e disa trojeve publike në shuma të vogla dhe duke i shkëmbyer ato me vlera monetare dhjetëra herë më të mëdha, në kundërshtim me qëllimin e përftimit nga njësitë vendore dhe duke shmangur pagesën e taksave.
Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Tiranë, Maria Qirjazi u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 25 shkurt 2021, pasi u konkluduan mungesa burimesh në vlera të mëdha për krijimin e pasurive; deklarim i pamjaftueshëm dhe se ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.
Trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Genta Tafa(Bungo), me relator Roland Ilian dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin, e përfunduan hetimin administrativ për Qirjazin vetëm për kriterin e pasurisë.
Gjyqtarja Maria Qirjazi ka marrë titullin “jurist” nga Universiteti i Tiranës në vitin 1988 dhe në 1994-ën u emërua si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë. Në vitin 2000 u emërua në Gjykatën e Apelit Gjirokastër, ku ka ushtruar edhe funksionin e kryetares për periudhën 2008-2013. Në korrik të 2013-ës ajo u dekretua si gjyqtare në Apelin e Tiranës.
Nga hetimi ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshorti kanë fituar katër troje publike nw mwnyrw tw dyshimtw dhe se janw hequr si pronarw tw pasurisë pa përfituar titullin duke kryer shkëmbime të tre prej tyre me qwllim shmangien e detyrimeve pwr tw ardhurat e pwrfituara, qw sipas KPK bien ndesh me etikën e saj si gjyqtare.
Gjithashtu, Komisioni konstaton se trojet nuk janw pwrdorur pwr qwllimin e pwrfituar, pasi bashkwshortwt Qirjazi e kanw tjetwr destinacionin.
Për blerjen e një apartamenti 2+1 në Tiranë në vitin 2008 për çmimin 5 milionë lekë, Qirjazi ka deklaruar se pagesat janë kryer në vitet 2003-2004 me burime financiare të rrjedhura nga të ardhurat e përfitura nga dhënia për ndërtim e një trualli me sipërfaqe 345 m2, në Sarandë. Ajo ka pretenduar se nga kjo kontratë sipërmarrje ka përfituar si vlerë takuese shumën prej 3 milionë lekë. Si burim tjetër subjekti ka deklaruar edhe të ardhurat familjare.
Komisioni konstaton se sipas kontratës së sipërmarrjes të vitit 2003, me palën investitore ishte dakordësuar që bashkëshorti të merrte një apartament me sipërfaqe 110 m2 në objektin që po ndërtohej dhe si kompensim të asaj pasurie, vlerën prej 3 milionë lekësh. Gjithashtu, është deklaruar se bashkëshorti i subjektit nuk ka pasur ndonjë pretendim tjetër mbi pronësinë e truallit.
Nga hetimi ka rezultuar se trualli është blerë nga Bashkia e Sarandës kundrejt çmimit 166 mijë lekë dhe se objekti i kontratës ka qenë ndërtimi i një hoteli, ku është pwrcaktuar edhe afati kur duhej të paraqitej kërkesa për leje ndërtimi.
Ndërkohë, trupi gjykues konstaton se përfitimi i pronësisë së truallit në vitin 2002 është kryer në shkelje ligjore dhe me anë të veprimeve të parregullta. Kjo, pasi trualli është disponuar nga bashkëshortët Qirjazi disa vite para se të lidhej kontrata e blerjes, duke kryer veprime ligjore dhe duke u sjell si pronarë të pasurisë truall pa përfituar ende të drejta ligjore.
“Pasuria truall është blerë nga Bashkia Sarandë në vitin 2002, në dukje favorizuese, në shumën 166,000 lekë dhe është shitur me qëllime fitimi në shumën 3,000,000 lekë, gjë e cila lindi dyshimin e Komisionit se është bërë nga subjekti duke shfrytëzuar edhe pozitën e saj si gjyqtare”, konstaton trupi gjykues.
Sipas KPK edhe kontrata për shkëmbimin e truallit nuk është sipas formës dhe përmbajtës së përcaktuar nga Kodi Civil. “[…]kjo formë shkëmbimi duket që ka sjellë shmangie edhe të detyrimeve fiskale në buxhetin e shtetit”, vëren Komisioni dhe i konsideron këto veprime të cënim të figurës së gjyqtarit.
KPK nuk ka përfshirë në analizën financiare për apartamentin e blerë në Tiranë vlerën e përfituar nga shitja e truallit dhe as burimin e deklaruar se ka shërbyer për pagesën e këstit të dytë, duke konsideruar se bashkëshortët Qirjazi nuk kanë pasur të ligjshme për shlyerjen e kësaj pasurie.
Nga hetimi ka rezultuar se Qirjazi ka përfituar edhe një apartament me sipërfaqe 21 m2 në Sarandë nga shitja truallit me sipërfaqe 345 m2 në vitin 2003.
“Është i dyshimtë fakti i përfitimit në vitin 2010, të apartamentit me sip. 21m2 , nga investitorët A. dhe D. Sh. etj., me të cilët për shkëmbimin e truallit është bërë likuidimi që në vitin 2003, në vlerë monetare dhe pa pretendime të tjera në të ardhmen”, konstaton trupi gjykues.
E njëjta situatë është identifikuar edhe në blerjen e një lokali shërbimi në Sarandë në vitin 2007 në vlerën 1 milion e 980 mijë lekë. Si burim për krijimin e kësaj pasurie gjyqtarja ka deklaruar një kontratë sipërmarrje të vitit 2006, për dhënien për ndërtim të një trualli me sipërfaqe 387 m2 në Sarandë të blerë në vitin 1998 nga ish-Këshilli i Rrethit për çmimin 185 mijë lekë.
Sipas KPK, edhe në këtë rast, duke realizuar kontratë shkmëbimi, janë shmangur detyrimet që rrjedhin për pagimin e të ardhurave.
Nisur nga fakti se për vlerën 1 milion e 850 mijë lekë nuk janë paguar detyrimet dhe nuk është deklaruar si likujditet cash, Komisioni nuk e ka përfshirë këtë shumë në analizën financiare për mundësinë e mjeteve monetare për blerjen e njësisë së shërbimit.
“Për më tepër, subjekti dhe bashkëshorti, për këtë pasuri truall, janë pajisur me certifikatë për vërtetim pronësie të lëshuar nga ZVRPP-ja Sarandë në datën 3.4.2017, pra, duke bërë veprime dhe duke u hequr si pronarë shumë vite pas lidhjes së kontratës së sipërmarrjes dhe pas deklarimit për likuidimin e palëve nga shkëmbimi”, konstaton trupi gjykues.
Nga hetimi ka rezultuar se gjyqtarja Qirjazi dhe bashkëshorti i saj kanë përfituar edhe një truall me sipërfaqe 400 m2 në vitin 2005, me vendim të Këshillit të Bashkisë Sarandë, pasuri që nuk e kanë deklaruar gjatë periudhës 2005-2009.
ILDKPKI-ja ka konstatuar se subjekti ka kryer fshehje të vendimit të Këshillit Bashkiak Sarandë. Ndërkohë, KPK konkludon se subjekti nuk ka pasur mundësi për shlyerjen e pagesës për blerjen e truallit në shumën 120 mijë lekë dhe se nuk ka kryer asnjë veprim për të përfunduar qëllimin e përfitimit të kësaj pasurie nga bashkia, që ka qenë kryerja e investimit për ndërtim banese dhe aktivitet privat.
Mungesë burimesh është konstatuar edhe për blerjen e një apartamenti 2+1 + garazh në Sarandë në vitin 2012. Nga hetimi ka rezultuar se Qirjazi nuk e ka deklaruar garazhin gjatë deklaratave vjetore për periudhën 2012-2016.
Po ashtu, ILDKPKI-ja ka deklaruar në Komision se subjekti ka fshehur edhe një truall me sipërfaqe 2156 m2 të blerë në fshatin Finiq në vitin 2002 kundrejt çmimit 689 mijë lekë, bazuar në një vendim të ish-Këshillit të Komunës të vitit 2001, pasi nuk e ka pasqyruar në deklaratën para fillimit të detyrës të vitit 2003.
Trupi gjykues shprehet se ngelet i dyshimtë fakti i dhënies se lejes për shesh ndërtimi bashkëshortit të subjektit disa muaj para se të paguante detyrimin për blerjen e kësaj pasurie.
Për çeljen e tre depozitave nga 5000 euro më 31 tetor 2013, subjekti ka deklaruar si burime krijimi të ardhurat e nga shitja e një magazine po në atë ditë, si dhe të shitjes së një automjeti.
Komisioni arrin në konkluzionin se ka një diferencë të madhe mes vlerës së blerjes së magazinës në vitin 2000 kundrejt shumës 85 mijë lekë dhe çmimit të shitjes në 2013-ën në shumën 2 milion e 756 mijë lekë që ka shërbyer si burim kryesor për tri depozitat.
Sipas trupit gjykues, Qirjazi nuk arriti të provojë se si një pasuri e blerë në vlerën 85 mijë lekë është shitur më pas në vlerën 2 milionë e 756 mijë lekë.
Nga analiza e përgjithshme financiare ka rezultuar balancë negative në vlerën 9 milionë e 619 mijë lekë.