Yair Lapid tronditi botën kur koalicioni i tij shkarkoi kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, por larg Tel Avivit, në provincën e Vojvodinës në Serbi, shumë hebrenj e mbajnë mend ende babanë e tij të lindur në Novi Sad.
Profesor Teodor Kovac mbushi 98 vjeç këtë prill, por ende ka një kujtesë shumë të mirë dhe e ndjek politikën e jashtme.
Ndërsa ulemi në apartamentin e tij në Novi Sad, ish-endokrinologu i njohur na tregon plot gjallëri për vitet para luftës dhe të luftës në Vojvodina dhe për familjen e shquar Lapid – ose Lampel – e cila kohët e fundit fitoi shumë vëmendje ndërkombëtare.
Familja e Yair Lapid, kryeministri alternativ dhe ministri i jashtëm i Izraelit, të cilin disa media e përshkruajnë si “një ish-folës lajmesh i njohur nga izraelitët e klasës së mesme laike”, e ka origjinën në Vojvodinë.
Lampels – mbiemri i tyre origjinal para se babai i Yair, Tomislav ose Yosef, ta ndryshonte atë me të mbërritur në Izrael – ishin të pasur, të arsimuar dhe nxirrnin avokatë dhe industrialistë.
“Lapidët jetonin në rrugën Zeljeznicka. Mund t’ju them afërsisht se ku ishte shtëpia e tyre, diku afër stacionit të trenit, në anën e majtë, kur vjen nga qendra e qytetit”, tha Kovaç për BIRN.
Salloni i tij i madh është plot me rafte librash dhe piktura. Teksa kujton fundin e viteve 1930 dhe fillim të viteve 1940, ai tregon disa libra rreth historisë hebreje në Serbi të vendosur në një qoshe.
Babai i Yair, Tomislavi, ose Yosef, një emër që ai e mori bashkë me mbiemrin e tij të ri, lindi në Novi Sad në 1931.
Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai u transferua në Izrael dhe ndërtoi një karrierë të suksesshme si gazetar, politikan dhe dramaturg.
Shumë thonë se ai nuk i harroi kurrë rrënjët e tij. Edhe pse Yosef u largua nga Jugosllavia njëherë e mirë në vitin 1948, pasi i mbijetoi Luftës së Dytë Botërore në Budapest, njerëz si Kovaç, Komuniteti Hebre i Novi Sadit dhe autoritetet e qytetit, nuk e kanë harruar atë.
Në mars 2011, qyteti i vuri një rruge në Veternik, një periferi e Novi Sadit, emrin “Tommy” Josef Lapid, tre vjet pasi ai vdiq në Tel Aviv.
“Tomi ishte një hebre, një izraelit dhe një serb krenar. Ai ishte pjesë e brezit që humbi rrugët e fëmijërisë së tij, dhe tani Novi Sadi po i kthen atij rrugën e tij. Faleminderit nga thellësia e zemrës”, tha Shulamit Lapid, gruaja e Tommy, në ceremoninë e emërtimit të rrugës, duke shtuar se burri i saj kishte qenë ambasadori i vetëshpallur i Serbisë në Izrael dhe kudo tjetër ku ai kishte qëndruar.
Nga Novi Sadi dhe Budapesti në Tel Aviv
Babai i Tomislavit, gjyshi i Yair, Bela, lindi në fshatin Curug, rreth 40 kilometra nga Novi Sadi, në 1898.
Ai ishte “një avokat i njohur, i ndershëm dhe i respektuar, i cili ishte gjithashtu i angazhuar në gazetari si korrespodent për disa gazeta”, vazhdoi profesor Kovaç.
Gazetaria ishte një profesion që djali dhe nipi i Belës do ta ushtronin gjithashtu, shumë dekada më vonë.
Kur Lufta e Dytë Botërore mbërriti në atë që ishte Jugosllavia e atëhershme në vitin 1941, Bela u dërgua në kampin e përqendrimit Mauthausen: “Ai u vra atje dy javë para se të mbaronte lufta, më 15 prill 1945. Pra, lufta tashmë kishte marrë fund, por ata e vranë atë në pikën kur vetë Hitleri e dinte se gjithçka kishte marrë fund.”
Gruaja e Belës, Katarina, dhe djali i tyre, Tomislavi – Yosef – ia dolën të arratiseshin në Budapest, me shumë mundësi duke përdorur dokumente të rreme, ku u fshehën me sukses gjatë gjithë luftës. Shumë anëtarë të tjerë të familjes u burgosën dhe vdiqën në kampet naziste të përqendrimit, siç ishte rasti i nënës së Belës, Hermina.
Tomislavi/Yosef u largua për në Izrael. Ai u diplomua për drejtësi në Tel Aviv dhe pati karrierë të suksesshme në fusha të ndryshme: si gazetar i vlerësuar me çmime, drejtov televizioni, ministër, zv/kryeministër, Kryetar i Bordit Këshillimor të Qendrës Përkujtimore të Holokaustit Yad Vashem, dhe si autor dhe dramaturg i shquar. Në një moment, ai ishte president i Federatës së Shahut të Izraelit.
Ai ishte gjithashtu aktiv në fushën e politikës dhe kryesoi një parti Shinui (Ndryshimi), e cila, sipas librit të vitit 2011 të Pavle Sosberger “Our Felloë Citizens Jeës”, kishte “një ndjenjë të thellë për modernizimin e shoqërisë izraelite”.
“Ai ishte një polemist i mprehtë gjatë gjithë jetës së tij dhe luftoi me guxim kundër pikëpamjeve dogmatike të izraelitëve konservatorë”, shkroi Sosberger, një publicist i cili ia kushtoi jetën e tij mbledhjes së informacioneve rreth hebrenjve dhe jetës së tyre në Vojvodinë.
…dhe prapë në Novi Sad
Në dekadat që pasuan, Yosef ishte një vizitor i rregullt në Novi Sad. Ai madje ishte në delegacionin zyrtar izraelit në Jugosllavi pasi marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve u rivendosën në 1992, kujtoi profesor Kovaç.
Marrëdhëniet diplomatike midis Jugosllavisë së Titos dhe Izraelit u krijuan në 1948, por më pas u ndërprenë pas luftës Gjashtë Ditore në 1967 midis Izraelit në njërën anë dhe Jordanisë, Sirisë dhe Egjiptit nga ana tjetër. Tito kishte mbështetur vendet arabe. Përveç kësaj, ai gjithashtu mbështeti Yasser Arafat, kryetar i Organizatës Çlirimtare të Palestinës, PLO.
Profesor Kovaç i mban mend mirë ato kohë. “Unë di që agjencia shtetërore jugosllave e lajmeve Tanjug u udhëzua të mos e mbulonte fare Izraelin dhe nëse ata duhej të shkruanin për Izraelin, duhet ta bënin sa më negativisht që ishte e mundur”.
“Por kur Tito vdiq, në pushtet erdhi Sllobodan Millosheviçi dhe ai rivendosi marrëdhëniet me Izraelin. Pastaj erdhi delegacioni shtetëror izraelit dhe ‘Tomika’ ishte këtu, në Novi Sad, një pasdite. Ai shkoi në varreza për të vizituar varrin e gjyshit të tij, Belës”, tha profesori, duke shtuar se ai e pa Lapid-in pikërisht atë ditë.
“Ai fliste rrjedhshëm serbisht. I mungonte tek tuk ndonjë fjalë, por përveç kësaj e fliste shumë rrjedhshëm”, kujton mjeku.
Gjatë bombardimeve të NATO-s në 1999, që synonin përzënien e forcave serbe nga Kosova, Izraeli mbështeti fuqimisht Serbinë – të cilën shumë e konsideruan pjesërisht të ndikuar nga politikanët e moshuar në qeverinë izraelite në atë kohë, përfshirë Yosef Lapid.
Fedor Fisl, një anëtar i komunës hebreje të Novi Sadit, gjithashtu kujton vizitat e Yosef-it në Novi Sad.
I ulur në një kafene në Novi Sad afër plazhit Strand, një vend për të kaluar kohën e lirë gjatë verës dhe një shëtitore buzë lumit, Fisl thotë se në qytetin e tij të lindjes Lapid kishte një rreth miqsh të cilët i vizitonte herë pas here.
“Ky ishte një brez që shkonte shumë mirë me njëri-tjetrin dhe që kishte pikëpamje të ngjashme për botën, zhvillimin e shoqërisë dhe për Judaizmin, kështu që ata mblidheshin shpesh bashkë dhe e vlerësuan shumë kur Lapid vinte dhe përpiqej të ishte në shoqërinë e tyre”, tha Fisl.
Ai shtoi se babai i tij ishte ndoshta mes atyre që takoheshin herë pas here këtë njeri, i cili në atë kohë tashmë ishte një figurë e shquar publike. “Me sa mbaj mend nga ato histori, për të ishte e rëndësishme që të ulej me bashkëqytetarët dhe miqtë e tij nga Novi Sadi”, përfundoi Fisl.