Komisioni i Pavarur i Kualifikimit evidentoi disa çështje të denoncuara nga publiku ku janë konstatuar mangësi në hetimet e kryera nga drejtuesi i Prokurorisë së Gjirokastrës, Julian Çafka, i cili dha shpjegime edhe lidhur me dy çështje të verifikuara në kuadër të dyshimeve të ngritura nga DSIK për veprime korruptive.
Prokurori i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, Julian Çafka u përball të premten me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha shpjegime më së shumti për barrën e provës të kaluar për aspektin profesional – nga ku dy prej çështjeve të hetuara prej tij janë analizuar edhe në kuadër të pastërtisë së figurës. Ndërkohë, Komisioni nuk ka gjetur probleme domethënëse në kriterin e pasurisë.
Procesi i vetingut për prokurorin Çafka po kryhet nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Brundilda Bekteshin dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.
Çafka e ka filluar karrierën në Prokurorinë e Sarandës në vitin 2008. Në vitin 2013 ai është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër ku aktualisht është komanduar në funksionin e drejtuesit.
Raporti negativ i DSIK
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK e ka ndryshuar qëndrimin e saj fillestar për prokurorin Çafka nga përshtatshmëri, në i papërshtatshëm për të vazhduar detyrën. Relatorja Bekteshi shpjegoi se raporti i dytë negativ është hartuar nga DSIK bazuar në informacione për veprime korruptive të subjektit.
Bekteshi shtoi se Komisioni ka tërhequr dosjet e tre çështjeve për të analizuar në funksion të raportit të dytë të DSIK-së, të cilat u trajtuan në raportin e profesionalizmit.
Nga sa u relatua në seancë, dy prej çështjeve në të cilat kishte ngritur dyshime DSIK, kishin të bënin me hetimin e një vjedhje të mbetur në tentativë të kryer në bashkëpunim dhe një vendim pushimi të hetimit ndaj dy shtetasve të huaj për “kalim të paligjshëm të kufirit”.
Lidhur me çështjen e parë Bekteshi konstatoi se megjithëse subjekti kishte kërkuar deklarimin fajtor të të pandehurve, masa e dënimit nuk përputhet me veprën penale.
Për çështjen tjetër, Bekteshi sqaroi se subjekti nuk kishte kryer hetime të plota, si dhe dy shtetas të huaj nuk ishin pyetur në gjuhën e tyre amtare. Një çështje e tretë e raportuar nga DSIK ka rezultuar se nuk ishte hetuar prej subjektit të rivlerësimit.
Çafka këmbënguli se raporti i DSIK-së nuk qëndron. Për çështjen që kishte të bënte me vjedhje të mbetur në tentativë, ai shpjegoi se kishte kërkuar dënimin me 6 muaj të të pandehurve, aty ku fillon masa e dënimit, si dhe pezullimin e ekzekutimit të vendimit. Sipas tij, kishte kërkuar këto masa duke përllogaritur mungesën e pasojës, pasi vjedhja kishte mbetur në tentativë; duke konsideruar moshën e re të autorëve dhe se vepra penale nuk ishte planifikuar, por ishte kryer aty për aty.
Lidhur me hetimin e dy shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, Çafka shpjegoi se ata ishin nga Pakistani e Etiopia dhe se nuk kishin gjetur përkthyes për gjuhët zyrtare të këtyre shteteve. “Janë pyetur në gjuhën që ata kuptonin”, pohoi Çafka.
Ai shtoi se shtetasit e huaj kishin deklaruar se kishin udhëtuar me automjetin me të cilin kishin kaluar kufirin duke e konsideruar si mjet transporti të brendshëm dhe se nuk e njihnin drejtuesin. “Vendimi i pushimit është i bazuar në faktet, kam bërë analizën ligjore dhe analizën e fakteve. Vendimarrja ka qenë parimore, e drejtë dhe e pandikuar”, pohoi Çafka dhe këmbënguli se nuk kishte shkelur ndonjë dispozitë dhe nuk kishte pasur ndonjë ndikim.
“Nuk cenohet figura ime me këto dy çështje dhe të konstatohet papërshtatshmëria”, përfundoi subjekti shpjegimet për kriterin e pastërtisë së figurës.
Gjetjet për profesionalizmin
Gjatë seancës dëgjimore u relatua dhe u dhanë shpjegime gjatë lidhur me një denoncim, ku pretendohet se prokurori Çafka ka zvarritur hetimet për një aksident automobilistik në Gjirokastër dhe se ai është munduar të mbrojë autorin. Bekteshi sqaroi se denoncuesja M.Sh. ankohet se pas një viti pezullimi të hetimeve gjykata e ka kthyer për hetime.
Komisioni konstaton se nuk janë kryer hetime të sakta lidhur me sekuestrimin dhe këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë të gjendura në ambientet pranë vendit të ngjarjes. Sipas raportit të oficerit të policisë gjyqësore, është përcaktuar se ngjarja ka ndodhur në rreth orës 12:00 ndërkohë që në atë orë ka njoftuar salla operative e policisë për aksidentin. Raporti mjeko-ligjor mban orën 11:40, ndërsa nuk është pyetur e dëmtuara se kur ka ndodhur ngjarja.
Çafka pohoi se nuk ka pasur tendencë për mosidentifikimin e autorit. “Nuk mund të jemi 100% eficentë apo në perfeksion”, deklaroi ai dhe vijoi se për shkak të ngarkesës energjitë shpërndaheshin tek të gjitha çështjet.
Sipas tij, pamjet filmike nuk e identifkojnë mjetin, ndërsa kamerat që pretendonte e dëmtuara nuk ishin funksionale. Çafka shtoi se ndryshe nga sa pretendon denoncuesja, janë pyetur të gjithë dëshmitarët dhe i është kërkuar që ajo të tregojë gjithçka di lidhur me autorin e mundshëm.
“Ajo identifikon një emër, por ai mohon çdo gjë. Denoncuesja nuk e relaton burimin se si e ka mësuar se ai mund të jetë autori”, pohoi Çafka.
Në funksion të pyetjeve që i drejtuan kryesuesesja Etleda Çiftja dhe relatorja Bekteshi për këtë gjetje, subjekti deklaroi se akti i egzaminimit mjeko-ligjor nuk ishte kryer në orën dhe datën që pasqyrohej. Sipas tij, momenti i parë ishte referimi i oficerit të policisë gjyqësore, kurse ekspertimi mjekoligjor kryhet më vonë.
Çafka sqaroi se pamjet ishin marrë gjysmë ore para dhe pas orës 12:00. “Mund t’i kishim marrë edhe tre orë më parë ose tre orë më pas, por kam shpjeguar se ka ndodhur në mirëbesim”, tha subjekti duke iu referuar raportimit të orarit të ngjarjes nga policia. Sipas tij, edhe nëse do të ishin marrë pamjet në orar më të zgjatur, sërish nuk mund të konkludohet nëse do të ishte zbuluar ose jo autori, pasi nuk do të kishte një pamje të drejtpërdrejtë të tij.
Për konstatimin se e dëmtuara nuk ishte pyetur për orarin e ngjarjes, Çafka u justifikua se ai kishte qenë me pushime në muajin gusht dhe se ia kishte lënë detyrë oficerit.
“Mendoj se kjo pasojë nuk është ezauruese”, tha ai dhe vijoi se në aktin mjeko-ligjor nuk shënoheshin dëmtime të denoncueses dhe çështja kishte pasur gjasa të mos shkonte në gjykim, edhe nëse autori do të ishte dorëzuar.
Në seancë u evidentuan dy çështje që ishin trajtuar më parë në emisionet “Fiks Fare” dhe “Stop”. Lidhur me një prej këtyre çështjeve për evazion fiskal, Bekteshi tha se duket se hetimet nuk janë të plota, ashtu si ka evidentuar edhe gjykata.
Çafka tha se e kishin pasur dyshimin për fshehjen e të ardhurave edhe nga çështjet e para dhe prandaj i kishin bashkuar më pas. “Mendoj se ka rëndësoi rezultati”, pohoi ai.
Në çështjen e denoncuar në “Fiks Fare” shtetasi K.Zh. pretendon se subjekti ka kryer hetime jo të plota me qëllim që fajësonte dy djemtë e tij. Në këtë rast, vendimmarrja e Çafkës është lënë në fuqi nga gjykata. Në përgjimin e publikuar në emisionin “Fiks Fare” shfaqet prokurori Çafka i cili deklaron se e ka vënë dorën në zemër dhe se kur ka mundur e ka zbutur masën. Por ai i ka thënë denoncuesit se për mendimin e tij djemtë janë fajtorë dhe se e kishte kërkuar pretencën.
Ndërkohë që babai i dy pandehurve i thotë se ka shkuar të takojë denoncuesin e djemve të akuzuar për mashtrim, ashtu si i kishte sugjeruar subjekti dhe se ai i ka vendosur “gjobë” – Çafka është shprehur se nuk i ka thënë ta takojë, por të zbuti gjërat.
Subjekti pretendoi në seancë se edhe nga përgjimet që i janë kryer gjatë takimeve me denoncuesit, të publikuara në media, është vërtetuar ushtrimi korrekt i detyrës nga ana e tij.
Bekteshi renditi disa çështje të tjera të verifikuara bazuar në denoncimet e kryera nga publiku. Në një rast është pretenduar se Çafka nuk ka njoftuar kallëzuesin me vendimmarrjen. Subjekti sqaroi se kishte përcaktuar në vendim që t’u mundësohej njoftimi të gjitha palëve. Ai shtoi se sapo kishte mësuar se nuk ishte njoftuar kallëzuesi, kishte vepruar që të mundësohej një gjë e tillë.
Një tjetër denoncues ka pretenduar se Çafka ka vendosur mosfillimin e procedimit për një kallëzim të bërë prej tij, pa kryer hetime. Sipas Bekteshit, subjekti ka pretenduar se bëhej fjalë për moskthimin e një pjesë të një borxhi dhe se çështja kishte juridiksion civil dhe jo penal.
Relatorja Bekteshi shpjegoi se ndaj prokurorit Çafka janë depozituar tre ankesa në Prokurorinë e Përgjithshme gjatë periudhës 2013-2015. Gjithashtu, ankuesit kanë kryer edhe kallëzime penale ndaj subjektit për “shpërdorim detyre”, por ka rezultuar se është vendosur mosfillim hetimesh për këto çështje.
Një prej denoncuesve kishte pretenduar se subjekti kishte hetuar një çështje jashtë kompetencës dhe juridiksionit të prokurorisë ku ai ushtronte detyrën. Çafka deklaroi në seancë se, nisur nga fakti se pjesa më e madhe e veprimeve hetimore ishin kryer në Gjirokastër, ishte vendosur që çështja të hetohej aty dhe të mos delegohej për kompetencë në Vlorë, ku kishte ndodhur pasoja.
Në përfundim të seancës prokurori Julian Çafka kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK e shtyu seancën për shpalljen e vendimit më datë 14 shtator, ora 09:30.