Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të kallëzojë penalisht ndërtuesin dhe dëshmitarin Flamur Kadëna, pasi ekspertimet zbuluan se dokumentet e dorëzuara prej tij përmbanin nënshkrime të falsifikuara, të cilat nuk i përkisnin gjyqtarit të Apelit të Vlorës.
Procesi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ndaj gjyqtarit të Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi mori një rrjedhë të papritur të hënën, kur rezultatet e ekspertëve të Institutit të Policisë Shkencore shfaqën një ‘komplot’ të inskenuar përmes falsifikimit të dokumenteve, me qëllim dëmtimin e subjektit të rivlerësimit.
Nga dëshmitar dhe denoncues, ndërtuesi Flamur Kadëna do të përballet tashmë me një kallëzim të dytë penal për ‘falsifikim dokumentesh’ nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Më parë, edhe Ngresi e kishte kallëzuar ndërtuesin për të njëjtën vepër penale dhe kishte sqaruar se Prokuroria e Vlorës kishte regjistruar një procedim penal.
Gjyqtari Sokol Ngresi u përball në KPA me një denoncim që ngrinte dyshime për fshehjen e një apartamenti dhe në kuadër të verifikimit, Kadëna u thërrit si dëshmitar në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Afa Konstruksion” në seancën e datës 9 shtator.
Kadëna konfirmoi denoncimin dhe deklaroi se Ngresi kishte nënshkruar kontratë parapake për një apartament, kishte nënshkruar tre mandate arkëtimi në favor të shoqërisë së tij në vitin 2014; një deklaratë për revokimin kontratës; si dhe një mandat pagese për kthimin e vlerës së paguar në vitin 2015.
Ngresi i kundërshtoi deklarimet e Kadënës si të pavërteta, duke pretenduar se nënshkrimi në ato dokumente ishte i falsifikuar. Ai pretendoi se gjithçka bëhej për shkak se mund të kishte cenuar interesat e administratorit të kësaj shoqërie dhe të “xhelozisë” së një ish-kolegeje të shkarkuar në Apelin e Vlorës, e cila sipas tij kishte lidhje të ngushta me Kadënën.
Në seancën e 1 tetorit, KPA caktoi dy ekspertët Shefqet Xhemollari dhe Durim Çako që të ekzaminonin nëse nënshkrimet e dokumenteve origjinale të pretenduara nga biznesmeni Kadëna, i përkisnin ose jo gjyqtarit Sokol Ngresi.
Eksperti Shefqet Xhemollari lexoi konkluzionet e ekspertimit një mujor të nënshkrimeve në dokumentet e servirua nga Kadëna, duke i krahasuar ato me nënshkrimet e gjyqtarit Ngresi në disa vendime të dhëna prej tij gjatë disa viteve, si dhe me nënshkrimet e tij në deklaratat e pasurisë.
Sipas Xhemollarit, ka rezultuar se nënshkrimet në kontratën paraprake dhe tre mandate arkëtimet e vitit 2014 janë të shkruara direkt në letër dhe se janë kryer nga i njëjti person. Por sipas tij, nënshkrimet nuk rezulton të jenë kryer nga gjyqtari Sokol Ngresi, pasi ka shumë dallime dhe elemente të kundërta me nënshkrimet e tij origjinale në vendime apo deklarimet periodike, si dhe nënshkrimet e marra gjatë seancës së 1 tetorit.
Ndërkohë, deklarata për revokimin e kontratës dhe mandate pagesën e vitit 2015 kanë rezultuar të jenë të falsifikuara nëpërmjet kopjimit. Sipas Xhemollarit, në këto dokumente janë evidentuar elemente të mjetit shkrues të mëparshme, si dhe elementë të falsifikimit duke përdorur laps plumbi.
Komisioneri Ballhysa u shpreh se nuk kishte ndonjë pyetje për ekspertët, ndërsa gjyqtari Ngresi kërkoi leje për të drejtuar disa pyetje.
Ngresi i pyeti ekspertët të konstatonin nëse nënshkrimet e tij në dokumentet e marra si provë që u përkasin viteve të ndryshme, si dhe firmave të marra në seancën paraardhëse, ishin të qëndrueshme ose jo. Gjithashtu, ai pyeti nëse në analizë të steriotipit të nënshkrimit të tij konstatohej ose jo ndërprerja.
Xhemollari deklaroi se kishin arritur në konkluzionin se modelet krahasuese karakterizohen nga qëndrueshmëria. Sipas ekspertit Çako, nga ekzaminimet e kryer në tërësi dhe në veçanti, nuk janë konstatuar ndërprerje të nënshkrimeve të gjyqtarit Ngresi.
Ndërsa në nënshkrimet e gjendura në dokumentet e dorëzuara nga Kadëna janë vërejtur ndërprerje, si dhe është konstatuar ritëm më i ulët krahasuar me nënshkrimet origjinale të gjyqtarit Ngresi.
Çako shpjegoi se ka qenë e pamundur të konkludohet se si është realizuar nënshkrimi në kontratën paraprake të shitjes dhe tre mandatet e vitit 2014; si dhe nuk është konkluduar koha e nënshkrimit të tyre. Sipas Xhemollarit, Instituti i Policisë Shkencore nuk disponon pajisje që mund të evidentojnë kohën e nënshkrimit të akteve.
Në vijim, kryesuesja e trupit gjykues, Albana Shtylla sqaroi se në Kolegj kishin mbërritur edhe tre denoncime të reja. I pyetur lidhur me qëndrimin e tij, Komisioneri Ballhysa tha se në “prima facie” këto denoncime nuk përmbajnë shkaqe për t’u hetuar, pasi nuk duket se ka ndonjë shkelje të detyrës nga ana e subjektit.
Për një prej denoncimeve, Ngresi sqaroi se pretendohet se masa e lënë në fuqi “arrest në burg” për një shtetas nuk është e drejtë. Ai deklaroi se pretendimi i denoncuesit nuk qëndron, pasi ka rezultuar se ai ka qenë dhe më parë i dënuar. Subjekti shtoi se vendimi i arsyetuar është dorëzuar prej tij në sekretari dhe se pala denoncuese mund ta tërheqë dhe të njihet me argumentet mbi të cilët ka vendosur lënien në fuqi të masës “arrest në burg”.
Dy denoncimet e tjera, ai i konsideroi anonime dhe u shpreh se është e njëjta dorë që vazhdon të hedhë baltë. “Por jam i hapur për shpjegime nëse do të vlerësohet,” pohoi Ngresi.
Pasi u tërhoq, trupi gjykues vendosi të deklarojë të falsifikuara të gjitha dokumentet e dorëzuara nga Flamur Kadëna; që të mos konsiderohen si prova në këtë proces dhe të shënjohen të gjitha si dokumente të falsifikuara. Gjithashtu, u vendos të kryhet kallëzim penal ndaj shtetasit Flamur Kadëna në Prokurorinë e Tiranës për veprat penale “dëshmi e rreme” dhe “falsifikim dokumentesh”.
Për denoncimet e reja të depozituara së fundmi në Kolegj, u vendos të mos kryehet hetim i mëtejshëm pasi nuk janë gjetur indicie.
Pas shpalljes së këtyre vendimeve, gjyqtari Ngresi u shpreh se nuk e fshihte dot emocionin për konkluzionet në këtë fazë të hetimit. I pyetur nga kryesuesja Shtylla nëse i qëndronte kërkesës së mëparshme për dhënien e një dëshmie me dyer të mbyllura, ai u tërhoq duke sqaruar se nuk i interesonte shfaqja, ndërkohë që tashmë kishte një produkt konkret. Në vijim, Ngresi ritheksoi se ankimi i Komisionerit është kryer jashtë afatit.
Në përfundim, Kolegji vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe u kërkoi palëve të përgatisnin konkluzionet përfundimtare për t’i paraqitur më 16 nëntor, ora 10:00.