Në vitet e fundit, Vrije Universiteit (Universiteti i Lirë) Amsterdam ka kryer kërkime mbi të drejtat e njeriut në Kinë. Si pjesë e kësaj pune, të kryer nga Qendra Ndërkulturore e të Drejtave të Njeriut e universitetit, studiuesit udhëtuan në provincën Xinjiang, e njohur për burgosjen masive nga autoritetet kineze të më shumë se një milion ujgurëve dhe anëtarëve të pakicave të tjera kryesisht myslimane. CCHRC publikoi rezultatet e hetimeve të saj në një buletin, të financuar nga Universiteti Jugperëndimor i Shkencave Politike dhe Drejtësisë në Chongqing.
Ishte pak e çuditshme, por jo e habitshme, të mësoje nga një prej studiuesve holandezë, Peter Peverelli, se ai nuk pa asgjë të pakëndshme në Xinjiang. Rajoni ishte “thjesht i mrekullueshëm”, tha ai, “njerëz të bukur, natyrë që të lë pa frymë, ushqim i mrekullueshëm. Dhe asnjë punë e detyruar, asnjë gjenocid, apo çfarëdolloj gënjeshtër tjetër që mund të nxjerrin mediat perëndimore”.
Universiteti Vrije u desh të pranonte se kishte diçka që nuk shkonte. Ai tani thotë se nuk do të pranojë fonde të mëtejshme kineze për qendrën dhe do të kthejë paratë që mori vitin e kaluar. Faqja e internetit e CCHRC u rrëzua, duke lënë pas vetëm një deklaratë të shkurtër: “Të drejtat e njeriut janë kryesisht fusha ku përfshirja dhe diversiteti janë të rëndësishme.”
Kjo është një mënyrë për ta thënë këtë. As nazistët nuk ishin shumë të prirur për përfshirje apo diversitet. Por është një mënyrë e pazakontë për të përshkruar persekutimin sistematik të qeverisë kineze të një pakice etnike dhe fetare.
Kjo nuk do të thotë se njerëz si Peverelli, të cilët mohojnë se po ndodhin abuzime të tilla, janë domosdoshmërish të korruptuar. Ata mund të mendojnë se çdo gjë që pretendon qeveria kineze është e vërtetë. Prandaj, pse duhet të refuzojnë të marrin paratë kineze për të konfirmuar atë që ata tashmë besojnë për të drejtat e njeriut në Xinjiang? E njëjta gjë mund të vlejë edhe për disa mbështetës perëndimorë të presidentit rus Vladimir Putin, të cilët marrin para ruse dhe më pas shprehin neverinë e tyre ndaj NATO-s.
Hulumtimet mund të kushtojnë shumë. Universitetet shpesh kanë nevojë për para. Dhe shumë vende, duke përfshirë Kinën, janë mëse të lumtur të ndihmojnë studiuesit t’i portretizojnë ata në një dritë të mirë. Pyetja është nëse universitetet apo mediat duhet të pranojnë para nga qeveri apo institucione të tjera që kanë interes politik në kthimin e bujarisë së tyre.
Për shembull, revista letrare britanike Encounter u fut në telashe në vitin 1967 kur zbulimet e sponsorizimit indirekt të botimit nga CIA çuan në dorëheqjen e redaktorit të saj, Stephen Spender. Në vitet 1980, kur fuqia ekonomike në rritje e Japonisë po frikësonte shumë në Perëndim, universitetet amerikane që pranonin paratë e korporatave japoneze u kritikuan shumë, edhe kur ata pretenduan se pas kësaj nuk fshihej asgjë. Në të njëjtën kohë, disa kritikë të fuqisë së korporatave japoneze po sponsorizoheshin nga institucione evropiane ose amerikane.
Nuk ka domosdoshmërish asgjë të keqe me subvencionet zyrtare apo jozyrtare. Por kur ka një problem, ai zakonisht është për njërën nga këto dy arsye: zbukurimi i reputacionit ose shpërdorim i ndikimit politik.
Në mesin e viteve 1990, Universiteti i Oksfordit u përfshi në “çështjen Flick”. Gert-Rudolf Flick, nipi i respektuar i një industrialisti të shquar gjerman, ofroi të sponsorizonte një Flick Chair në European Thought. Pas shumë grindjeve, universiteti i refuzoi paratë, sepse kompania Flick kishte përfituar nga puna e skllevërve në kampet e përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe gjyshi i Flick, Friedrich, ishte dënuar për krime lufte.
Dikush mund të pyesë nëse themelimi i një Katedre Gjuhe dhe Komunikimi Rupert Murdoch në Oksford ishte më mirë. Murdoch nuk është një kriminel lufte, por ai është ende një lojtar shumë i diskutueshëm mediatik dhe politik. Pastaj është rasti i Ryoichi Sasakawa të Japonisë, Fondacioni i Paqes Sasakawa i të cilit shpërndan shuma të mëdha parash për shumë institucione, duke përfshirë Universitetin Yale. Sasakawa ishte një gangster dhe një fashist (dhe një kriminel i dyshuar lufte), por ai nuk është më një lojtar politik sepse vdiq në vitin 1995.
Megjithatë, marrja e parave nga dikush që kërkon të pastrojë reputacionin e tij të ndotur, është më pak i rrezikshëm për integritetin intelektual të universiteteve ose mediave sesa propaganda politike. Dhe këtu gjërat bëhen të ndërlikuara.
Disa qeveri janë më të respektueshme se të tjerat. Demokracia franceze, gjermane, apo edhe (ende) amerikane është e preferueshme përpara autoritarizmit të Putinit apo presidentit kinez Xi Jinping. Është e qartë se Shtetet e Bashkuara përdorin “fuqinë e butë” të tyre për të çuar përpara interesat e veta gjithashtu. Por një ndryshim është se, ndryshe nga një diktaturë, propaganda është ende një fjalë e ndyrë në një demokraci liberale. Është pak më e lehtë të ruash një shkallë pavarësie në kontekstin e fuqisë së butë amerikane (siç ishte e vërtetë për Encounter, e cila ishte një revistë e shkëlqyer).
Por ruajtja e njëfarë pavarësie nuk është gjithmonë e thjeshtë. Universitetet amerikane kanë marrë financime jo vetëm nga kompanitë japoneze, por edhe nga qeveria japoneze, veçanërisht për studimet japoneze. Richard J. Samuels i MIT, një shkencëtar i shquar politik, tha në lidhje me këtë: “Pasi merrni një dhuratë, kjo është diçka e afërt dhe roli i dhuruesit pushon me dorëzimin e dhuratës.”
Nuk ka asnjë arsye për të dyshuar fjalën e Samuels. Qeveria japoneze është ndoshta shumë e sofistikuar për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi përmbajtjen e bursave dhe programeve që ajo sponsorizon, megjithëse disa profesorë më kanë thënë privatisht se mund të ketë shqetësime që donatorët të shqetësojnë pa nevojë duke mbështetur kërkimet e doktoraturës mbi tema që mund të duken provokuese.
Kina, megjithatë, i trajton gjërat në një mënyrë shumë të ndryshme. Kritikat ndaj presidentit Xi, veçanërisht, por jo vetëm në lidhje me të drejtat e njeriut në Xinjiang ose Tibet, ndëshkohen shpejt. Kina vendosi sanksione ekonomike ndaj Australisë pasi qeveria australiane bëri thirrje për një hetim të pavarur mbi origjinën e COVID-19. Në mënyrë të ngjashme, Kenneth Roth, drejtori ekzekutiv i Human Rights Ëatch, u ndalua të hynte në Hong Kong sepse organizata e tij kishte kritikuar të dhënat e Kinës për të drejtat e njeriut. Me pak fjalë, ajo që mendon me të vërtetë Peverelli, apo dikush tjetër, është e parëndësishme. Subvencionet nga Kina nuk vijnë pa një kuid pro quo.
Kjo mund të jetë e vërtetë për shumë lloje mbështetjeje financiare. Ajo që ka rëndësi është nëse kjo mbështetje vjen me kushte bashkangjitur. Universitetet kanë nevojë për para. Organizatat mediatike kanë imperativa komerciale. Qeveritë kanë prioritete politike. Donatorët privatë, qofshin ish-kriminelë apo jo, kanë interesa personale.
Por pavarësia akademike nuk mund të garantohet nëse donacionet financiare vijnë me pritshmëri të konformitetit intelektual dhe pajtueshmërisë politike. Universiteti Vrije Amsterdam e ka kuptuar këtë tani. Më mirë vonë sesa kurrë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. When Money Smells