Me Shqipërinë tashmë në fazat e fundit të hartimit të një strategjie të re për trajtimin e ekstremizmit të dhunshëm, ekspertët thonë se autoritetet duhet të bëjnë më shumë për të trajtuar propagandën në internet që po ndihmon në radikalizimin e disa shqiptarëve.
Strategjia aktuale u miratua në vitin 2015, në një kohë kur dhjetëra qytetarë shqiptarë luftonin përkrah Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, shumë prej të cilëve merrnin me vete gratë dhe fëmijët.
Që nga rënia e kalifatit të Shtetit Islamik në mars 2019, Shqipëria ka riatdhesuar 24 gra dhe fëmijë dhe po punon për riintegrimin e tyre.
Një strategji e re kundër ekstremizmit është në punë e sipër, por ekspertët thonë se ajo duhet të bëjë më shumë për të trajtuar propagandën në internet.
“Lufta kundër propagandës ekstremiste është përsëri pjesërisht e realizuar”, tha Enri Hide, një ekspert sigurie dhe profesor në Universitetin Europian të Tiranës. “Meqenëse nuk ka një strategji të duhur për adresimin e propagandës në internet, nuk ka mekanizma të krijuar nga aktorët qeveritarë për këtë.”
Në vend të kësaj, tha ai, “ndërlidhja me komunitetin drejtohet kryesisht nga kontributi i shoqërisë civile, mbështetja e donatorëve ndërkombëtarë dhe organizatave ndërkombëtare”.
“S'ka pasur progres të mjaftueshëm”
Strategjia aktuale identifikoi tre përparësi kryesore – edukimin, trajtimin e propagandës dhe hartimin e politikave gjithëpërfshirëse.
Krahas kësaj, në vitin 2020, qeveria miratoi një dokument ndërsektorial për luftën kundër terrorizmit, që shtrihet në 2021-2025 dhe një plan veprimi për periudhën 2021-2023. Në këtë, një nga politikat kishte të bënte me aktivitetet e terrorizmit nëpërmjet platformave digjitale.
Ekspertët thonë se kjo erdhi shumë vonë.
“Ka pasur progres pozitiv në përparësinë e parë dhe atë të tretë”, tha Romario Shehu, një studiues dhe bashkëautor i një studimi mbi perspektivat e komunitetit për parandalimin e ekstremizmit në Shqipëri. “Për prioritetin e dytë nuk ka pasur progres të mjaftueshëm.”
“Një nga mangësitë e Strategjisë është fillimi shumë vonë (në vitin 2020) i zbatimit të pëparësisë së saj të dytë, gjë e cila ka ndikuar që kapaciteti dhe ekspertiza për të ndërtuar ura komunikimi strategjike të mbetet e pazhvilluar”, tha Shehu për BIRN. “Ndër arsyet kryesore të identifikuara nga studimet, është moskuptimi i duhur i rëndësisë së Strategjisë nga institucionet e përfshira në procesin e zbatimit të saj.”
“Kjo ka ndikuar negativisht në kohezionin e veprimeve për të gjeneruar prova dhe partneritete të përshtatura, të cilat do të ndikonin në ndryshimin e qëndrimit dhe sjelljes, si dhe në zhvillimin e një qasjeje strategjike gjithëpërfshirëse ndaj komunikimit.”
Në një studim të vitit 2019 të botuar nga Qendra për Luftimin e Terrorizmit në West Point, konsulenti i politikës së jashtme dhe sigurisë me bazë në Uashington, Adrian Shtuni, shkroi: “Ndërkohë që në dy vitet e fundit ka pasur një rënie të prodhimit të medias xhihadiste në gjuhët e Ballkanit Perëndimor, një grup i vogël i komitetit “të xhihadistëve të rrjeteve sociale” vazhdojnë të angazhohen rregullisht me audiencën në internet, të shpërndajnë propagandë, të rekrutojnë, të nxisin dhunë dhe madje të komplotojnë sulme.”
Shehu tha se propaganda online përbënte një sfidë për hetuesit duke qenë se një individ i vetëm mund të menaxhojë disa profile në rrjete të ndryshme.
“Në këto rrethana, jo vetëm miratimi, por edhe funksionimi i një strategjie komunikimi në praktikë është një hap i rëndësishëm që do t'i shërbejë krijimit të ekspertizës dhe strukturave të nevojshme, si dhe angazhimit të aktorëve përkatës kundër këtij fenomeni”, tha Shehu për BIRN.
“Riintegrimi është ‘një proces afatgjatë”
Për sa i përket riintegrimit, eksperti i sigurisë Redon Qirjazi, i cili ishte bashkëautor i një studimi të vitit 2018 për Fondacionin Berghof me qendër në Berlin të quajtur “Perspektivat e Komunitetit në Parandalimin e Ekstremizmit në Shqipëri”, tha se Shqipëria ende nuk ka një vlerësim zyrtar të suksesit të përpjekjeve për riintegrim.
“Riintegrimi është një proces afatgjatë”, tha Qirjazi për BIRN. “Shteti shqiptar ka ngarkuar Qendrën Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (një organ shtetëror) për të koordinuar përpjekjet për riintegrimin e suksesshëm të të kthyerve dhe kjo po bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët joqeveritar.
“Aktualisht, nuk ka asnjë raport zyrtar që adreson suksesin e riintegrimit dhe me shumë gjasa kjo është për shkak të ndjeshmërisë së çështjes”, tha ai. “Megjithatë, procesi vazhdon me pak suksese në komunitete të ndryshme (për shkak të përhapjes gjeografike të të kthyerve).”
Shehu e përshkroi procesin e riintegrimit si “një proces dinamik për të cilin koordinimi ndërinstitucional është jetik”.
“Duke pasur parasysh nevojat e ndryshme të të kthyerve, përpjekjet për rehabilitim dhe riintegrim, duhet t'i adresojnë të gjitha nevojat përmes një qasjeje të koordinuar ndërinstitucionale dhe me shumë palë”, tha ai për BIRN.
“Niveli i radikalizimit të individëve dhe metodat e përdorura për deradikalizim diktojnë gjithashtu vështirësinë e këtij procesi. Ka plot shembuj të suksesshëm në këtë drejtim, por edhe plot shembuj që kanë dështuar. Pavarësisht vështirësisë së këtij procesi, shtetet nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të përpiqen të ndërtojnë programe për të shkëputur individët nga besimet radikale.
Për sa i përket strategjisë së re, Qirjazi tha për BIRN: “Është e rëndësishme që strategjia e re të mos ndikohet nga kritere klishe në kuadër të përmbushjes së standardeve, por së pari të burojë nga sqarimi i nevojës për ta pasur atë.”
Kuptimi i kontekstit është thelbësor, tha ai. “Kjo do të thotë një vlerësim i saktë dhe gjithëpërfshirës i nivelit të kërcënimit, impaktit dhe faktorëve ndikues.”